Kur i lexova faqet e para të librit të Shkëlzen Gashit mbi masakrat në Kosovë, mendimi im i parë ishte: ky është vërtet një libër historiko-shkencor. Një përmbledhje e të dhënave historike për një luftë brenda një vepre. Fantastike. Hulumtuesja brenda meje e kuptoi sa i rëndësishëm është ky libër për shkencën. Sa i rëndësishëm është për botën e jashtme. Mund të citohet në një kontekst shkencor!
Librin e Shkëlzen Gashit mbi masakrat në Kosovë në vitet 1998-99 e mora para disa javësh nga Enver Robelli. Ai më tha: “Shikoje, lexoje dhe thuaj diçka për të gjatë prezantimit të librit”. Që nga fillimi e dija se nuk ishte një detyrë e lehtë. Tema ngjall tek unë, dhe sigurisht edhe te ju, shumë emocione. Vetëm pamja e ballinës, dora e një gruaje që është dhunuar dhe vrarë, më pengoi për një kohë të gjatë që ta hap librin.
T’ju them të drejtën, edhe fjalimin tim për sot e shtyva deri mbrëmë dhe e përfundova tek dje në mbrëmje (16.11.). Duhet ta dini që ne njerëzit kemi prirje t’i shtyjmë gjërat që na shqetësojnë. Gjëra ndaj të cilave ndjejmë rezistencë apo mllef, apo që na rëndojnë, na frikësojnë apo na trishtojnë. Megjithatë, për sot kam përgatitur fjalimin tim nga perspektiva ime si shkencëtare dhe hulumtuese dhe tani dua të them disa fjalë për librin.
Unë vij nga fusha e kërkimeve sociale, më saktë nga shkencat e edukimit. Jam shkencëtare dhe kryesisht merrem me njerëzit. Gjatë studimeve shumë herët mësova se çfarë është shkenca dhe kërkimi. Dhe shumë shpesh kemi diskutuar për temën e ndjenjave. Si hulumtues, duhet të mbajmë distancë ndaj objektit të hulumtimit apo temës dhe të qëndrojmë objektivë.
Megjithatë, çdo hulumtim dhe çdo punë, pavarësisht fushës, është e ndikuar nga emocionet. Sa shumë ndikojnë emocionet në punë varet nga autorja apo autori.
Dhe kjo është ajo që e bën këtë libër të veçantë. Sepse autori arrin të krijojë një vepër shkencore, pavarësisht ose ndoshta pikërisht për shkak të rolit të tij si hulumtues.
Kur i lexova faqet e para, mendimi im i parë ishte: ky është vërtet një libër historiko-shkencor. Një përmbledhje e të dhënave historike për një luftë brenda një vepre. Fantastike. Hulumtuesja brenda meje e kuptoi sa i rëndësishëm është ky libër për shkencën. Sa i rëndësishëm është për botën e jashtme. Mund të citohet në një kontekst shkencor! Mund t’i referohesh dhe të mbështetesh tek ai. Mund të përdoret si bazë për projekte të tjera kërkimore. Në një diskurs shkencor ky libër merret seriozisht. Deri tani, sipas mendimit tim, nuk ka të dhëna shkencore për masakrat në Kosovë të përmbledhura në këtë formë. Këtu janë dokumentuar 83 masakra dhe kjo është bërë në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Kjo e bën këtë vepër të qasshme për të gjithë në një kontekst ndërkombëtar.
Ajo që dua të theksoj këtu, dhe kjo tregon gjithashtu objektivitetin shkencor të veprës: 22 masakra nuk janë përshkruar në detaje në libër, sepse nuk ka burime të mjaftueshme mbi të cilat autori mund të mbështetet. Po ashtu janë hulumtuar dhe evidentuar krimet ndaj popullsisë civile serbe.
Kjo më çoi te mendimi im i dytë: objektiviteti i autorit ma tërhoqi vëmendjen. Edhe pse ekziston rreziku i shtrembërimit të burimeve, ai ka arritur të mos bëjë interpretime që mund të ndikojnë në librin e tij. Distanca e tij reflektive është shumë e dukshme. Ai e ka përmbushur rolin e tij si hulumtues dhe nuk e ka humbur atë përgjatë gjithë librit.
Prandaj, faleminderit për këtë vepër Shkëlzen dhe që ke punuar pesë vjet për këtë libër në mënyrë vullnetare. Që ke hulumtuar burimet e tua nga dokumente ndërkombëtare, i ke përmbledhur dhe i ke cituar si referenca. Që pavarësisht financimit modest, ke përfunduar këtë projekt. Që ke parë shumë fotografi tronditëse dhe ke zgjedhur me kujdes disa prej tyre për këtë libër duke marrë licencat nga fotografët ndërkombëtarë. Faleminderit gjithashtu që për përkthimet dhe redaktimin ke përfshirë profesionistë të fushës.
Faleminderit që ke dhënë kontributin tënd për shkencën, i cili tani do të mbetet përgjithmonë.
Në fund faleminderit që je sot këtu së bashku me partneren tënde, Laura.
Faleminderit që më dëgjuat. Ju lus ta blini këtë libër, lexojeni, flisni për të dhe mbi të gjitha shpërndajeni atë, në familje, mes miqsh, në punë ose në rastin më të mirë në shkencë.
Arbnora Aliu është doktorante e Shkencave të Edukimit në Universitetin e Zürichut dhe pedagoge në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Shkencave dhe Arteve të Aplikuara të Zvicrës Veriperëndimore. Ky tekst është lexuar në përurimin e librit “Masakrat në Kosovë 1998-99” të Shkëlzen Gashit, më 17 nëntor në Zürich.