Shtojca për Kulturë

“Në kërkim të Venerës” triumfues i dyfishtë në një prej festivaleve më të vjetra në Azi

Që nga dita e fundit e muajit janar, kur “Në kërkim të Venerës” e mori Çmimin special të jurisë në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam, u bë e ditur se shpërblimet për këtë projekt filmik veçse kanë nisur. Kësaj radhë në Azi, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong, në kategorinë “Young cinema Competition (World)”, filmi nën regji të Norika Sefës ka marrë çmimin për regjinë dhe aktoren më të mirë

Mëngjesi i së dielës e gjeti ekipin e filmit “Në kërkim të Venerës” duke ndarë me botën lajmin se janë fitues të dyfishtë në atë që konsiderohet një ndër festivalet me të vjetra në Azi. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong, në kategorinë “Young cinema Competition (World)”, filmi nën regji të Norika Sefës triumfoi duke marrë çmimin për regjinë dhe aktoren më të mirë. Filmi që shtjellon sesi është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, sipas jurisë së Festivalit, e bën këtë me një ndjeshmëri dhe delikatesë të madhe. E loja e aktores Kosovare Krasniqi, që përmes rolit të saj i jep filmit karakter universal, duke shtjelluar se çfarë do të thotë të jesh adoleshent, sipas vlerësimit të jurisë “të lë pa frymë”.

Shpërblimi i dyfishtë ishte një vulë e asaj që u shkrua në çdo kritikë të dhënë për filmin që nga dita e fundit e muajit janar, kur filmi mori çmimin special të jurisë për arritje të jashtëzakonshme artistike në kategorinë “Tiger Competition”, në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam. Aty, “Në kërkim të Venerës” bëri që për herë të parë në historinë e Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kineast nga Kosova të përfshihet në garën zyrtare dhe të shpërblehet

Regjisorja ka për qëllim që nëpërmjet këtij filmi të vërë në pah individualitetin në një shoqëri të fuqishme tradicionale. Por karakteri i saj kryesor Venera, që e luan aktorja Kosovare Krasniqi, ka shumë pak mundësi për t’i shfaqur ndjenjat e saj. Gjithçka që ajo bën vëzhgohet nga familjarët, të afërmit ose katundi.

Edicioni i sivjetmë, i 45-ti me radhë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong, është mbajtur në atë që konsiderohet format hibrid, duke integruar brenda vetes ngjarje online dhe me prani fizike të publikut. Gjatë 12 ditëve të festivalit që nisi më 1 prill, u shfaqën më shumë se 190 filma nga 58 vende, ku pati 10 premiera botërore, 11 ndërkombëtare dhe 43 aziatike. Në kategorinë “Young Cinema Competition (World)”, ku ishte edhe filmi “Në kërkim të Venerës” nën regji të Norika Sefës, ishin edhe filmi “Apples” nën regji të Christos Nikou, “The Edge of Daybreak” nga Taiki Sakpisit, “Fortuna – The Girl and the Giants” nën regji të Nicolangelo Gelormini, “In Between Dying” nën regji të Hilal Baydarov, “Memory House” nën regji të Paulo Mirada Maria, “The Penultimate” nën regji të Jonas Karup Hjort dhe triumfuesi brenda kësaj kategorie “The Easteland” nën regji të Ahmad Bahrami.

Gjatë ndarjes së çmimeve, në ceremoninë që u transmetua online në ueb-faqen e Festivalit, regjisori e skenaristi Lemohang Jeremiah Mosese tregoi fillimisht se çmimi për aktoren më të mirë shkon për Kosovare Krasniqin. Sipas vlerësimit të jurisë, pjesë e së cilës ishte edhe vetë, tha se Krasniqi në mënyrë bindëse ilustron një karakter që mishëron njëkohësisht energjinë e një adoleshenteje për të gjetur identitetin e saj, por edhe inteligjencën për të ruajtur dinjitetin dhe vetërespektin e saj.

“Aftësia e saj për të dalë kundër Dorinës (v.j. që luhet nga Rozafa Çelaj), shoqes së shpirtit që është rebele gjersa arrin të mbajë temperamentin e saj duke ecur sa para sa prapa, është njëkohësisht e mrekullueshme dhe të lë pa frymë”, ka thënë ai.

E aktorja Krasniqi, për të cilën filmi “Në kërkim të Venerës” u bë eksperienca e saj e parë si aktore, përmes një video-mesazhi tha se për të është nder që është bërë pjesë e festivalit dhe që nga i njëjti është shpërblyer.

“Dëshiroj ta falënderoj Norikën për mënyrën sesi ajo më udhëheq gjatë këtij rrëfimi, por njëkohësisht edhe Besnikun, producentin, që në një mënyrë më treguan botën e kinematografisë dhe më dhanë një ndjenjë të mirë për këtë. E po ashtu, të gjithë ekipin”, ka thënë ajo në video-mesazh. E për KOHËN ka thënë se lajmi për këtë çmim, që i vjen nga një anë tjetër e botës, e ka gëzuar dhe emocionuar, pasi që njëkohësisht kjo është hera e parë që ajo shpërblehet në një festival si aktorja më e mirë e që sipas saj është shpërblimi më i mirë që mund të marrë një aktore për punën e saj.

“Ky çmim për mua do të thotë shumë, më jep motiv e inspirim për rrugëtimin tim në të ardhmen”, ka thënë Krasniqi, loja e së cilës, sipas kritikës së shkruar nga “Screen Daily” në shkurt të këtij viti, të kujton Jennifer Jason Leigh ose Sandrine Bonnaire në rininë e tyre.

E për regjisoren Norika Sefa, regjisori e skenaristi Lemohang Jeremiah Mosese gjatë ndarjes së çmimeve ka thënë se ajo shfaq ndjeshmëri dhe delikatesë të madhe në skenën kinematografike me portretizimin e dy vajzave adoleshente që përpiqen më kot të testojnë normat e bashkësisë së tyre të mbyllur.

“Regjia e saj delikate është e qëndrueshme gjatë gjithë filmit në mirëmbajtjen e një distance intime, por jo të qetë me karakteret kryesore, ndërsa lejon hapësirë për të eksploruar tensionin dhe tërheqjet nga personazhet anësore”, theksoi Mosese gjatë ceremonisë. E regjisorja kosovare përmes një video-mesazhi tregoi se ky çmim nënkupton shumë për të.

“Është filmi im i parë i metrazhit të gjatë dhe me erdhi si befasi duke e ditur se çfarë filmash dhe filmbërës të mrekullueshëm ishin në seksionin e këtij viti. Sigurisht, mua më është dashur të ndaloj dhe të mendoj shumë gjëra dhe vendime që erdhën gjatë kësaj kohe dhe u bënë pjesë e këtij momenti. Ndihem shumë falënderuese për këtë njohje”, ka thënë ajo.

E për KOHËN, Norika Sefa, regjisorja filmin e së cilës Festivali i Rotterdamit e konsideroi si debutim të ndjeshëm, që portretizon, me një sy të mrekullueshëm për detaje, sesi një vajzë moderne rritet në një rreth në mënyrë strikte hierarkike dhe tradicionale, ka shtuar se shpërblimi i jep vetëbesim për stilin që ka dhe e motivon për punë të mëtutjeshme.

Publiku kosovar mund të shohë veç një skenë njëminutëshe të filmit “Në kërkim të Venerës”. Muzika është e lartë, mjaftueshëm sa për të mos e dëgjuar komshinjtë. Nëna (Erjona Kakelli) po vallëzon me vajzën e saj Venerën (Kosovare Krasniqi). Djalin e vogël e mban në krah gjersa vallëzon dhe e thërret edhe djalin tjetër, Lekën, që t’u bashkohet. Ai duket sikur ngurron. “Po çfarë mashkulli je ti që e refuzon një grua”, i thotë atij. Duket sikur janë duke festuar. Venera krijon përshtypjen që diçka po rëndon mbi shpatullat e saj. Në mes të vallëzimit i jep një përqafim të gjatë nënës së saj. Sikur gjen ngushëllim te krahët e së ëmës. Shumë shpejt gjithçka ndërpritet. Babai i Venerës (Basri Lushtaku) është te dera. Venera e ndal muzikën dhe gjendet përballë tij. Për një moment nëna e saj merr fëmijët dhe duket sikur i largon. Nuk dihet se për çfarë do të flasë Venera me të atin.

Producenti i filmit, Besnik Krapi, ka thënë se filmi do të udhëtojë nëpër disa festivale dhe më pas do të shikohen mundësi për ta shfaqur edhe në Kosovë.

“Unë veç di dhe dua të duartrokas për çdo çmim tjetër që do të na vijë. Kemi besuar shumë në Venerën dhe vazhdojmë të besojmë njëjtë, sepse kemi dhanë shumë përkushtim e dashuri në të”, ka thënë ai sa u përket çmimeve në Azi.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i prodhuar nga “Circle Production” me bashkëproducentë Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi, gjithashtu, është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe nga ajo e Kaçanikut. Për këtë projekt Qendra Kinematografike e Kosovës ka ndarë 200 mijë euro.

Sipas drejtorit të QKK-së, Arben Zharku, ky është një suksese i madh për regjisoren Norika Sefa dhe për aktoren Kosovare Krasniqi, por edhe për filmin që tashmë ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme.

“Sukseset për këtë film të mrekullueshëm nuk do te ndalen, pikërisht për qasjen regjisoriale dhe trajtimin e këtij tregimi që i ka bërë regjisorja Sefa”, ka thënë ai për KOHËN.

Në film përveç Kosovare Krasniqit dhe Rozafa Çelaj, Erjona Kakelit dhe Basri Lushtakut luajnë edhe Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj e të tjerë.