Shtojca për Kulturë

“Në Ballkan do të lindë një fuqi e re”

“Në Ballkan do të lindë një fuqi e re”

“Çelësi i ngjarjeve dhe fenomeneve, që e prekin kufirin tonë dhe që nuk kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me ne, ndodhet në Shkodër, prandaj ato fenomene e ngjarje ne duhet t’i njohim mirë, pra të njohim burimin e tyre me qëllim që ato ide e fenomene të mos barten këtu ku janë duke u zhvilluar tani. Ky është qëllimi i hapjes së konsullatës sonë në Shkodër”, shkruante Nushiq më 1897

“Pasardhësit tanë nuk do të na e falin gabimin tonë, nëse para atij fenomeni ne do të çuditemi apo habitemi ashtu siç do të mbeten të habitur suedezët ose norvegjezët, kur do të marrin vesh se në Ballkan ekziston edhe një komb dhe një shtet tjetër! Athua nuk jemi të thirrur që këtë fenomen ta parashohim para se ai të bëhet realitet dhe t’ia sigurojmë vetes dobitë e mundshme apo së paku t’i shmangim dëmet që një fenomen i tillë do të mund të na i shkaktonte. Shqiptarët janë element i afërt me ne, sipas natyrës, sipas vetive, jetës dhe tipit. Ne jemi më të thirrurit që t’u afrohemi shqiptarëve, por njëkohësisht ne jemi larg tyre, pasi afër shqiptarëve tani gjenden të gjithë ata që kanë interesa të drejtpërdrejta që lidhen me ata”, shkruan në letrën e tij në vjeshtën e vitit 1897, Branisllav Nushiq i cili shërbeu si zëvendëskonkull i konsull i Serbisë në Prishtinë. Aty propozon se si nëpërmjet një aleance serbo-shqiptare të kurthohen shqiptarët e të realizohen interesat serbe

Vladan Gjorgjeviqit me origjinë nga Furka, që në fund të shekullit të XIX kishte arritur të bëhej kryemninsitër i Serbisë (prej 11 tetorit të vitit 1897 deri më 12 korrik 1900), më 20 tetor të vitit 1897 i kishte mbërritur një letër nga Serrezi dhe atë ia kishte dërguar Branisllav Nushiq, që tashmë ishte larguar nga Prishtina, ku shërbeu prej 26 prillit të 1893 si zëvendëskonsull i Serbisë në Prishtinë e detyrën zyrtare e pranoi më 3 qershor të po këtij viti përderisa prej tetorit të atij viti e deri, për tre vjet ishte edhe konsull. Në letrën që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë, ai shkruan:

“Unë mendoj se pas ngjarjeve të bujshme, në Ballkan do të lindë një fuqi e re, e cila do të gjendet në një pozitë më të volitshme gjeografike dhe ajo do të vihet në dispozicion të realizimit të mëtejmë të qëllimeve ekspansive, por ajo fuqi pas disa dekadave do të jetë në gjendje që ta ndryshojë disa herë radhazi hartën e Gadishullit Ballkanik. Pasardhësit tanë nuk do të na e falin gabimin tonë, nëse para atij fenomeni ne do të çuditemi apo habitemi ashtu siç do të mbeten të habitur suedezët ose norvegjezët, kur do të marrin vesh se në Ballkan ekziston edhe një komb dhe një shtet tjetër! Athua nuk jemi të thirrur që këtë fenomen ta parashohim para se ai të bëhet realitet dhe t’ia sigurojmë vetes dobitë e mundshme apo së paku t’i shmangim dëmet që një fenomen i tillë do të mund të na i shkaktonte. Shqiptarët janë element i afërt me ne, sipas natyrës, sipas vetive, jetës dhe tipit. Ne jemi më të thirrurit që t’u afrohemi shqiptarëve, por njëkohësisht ne jemi larg tyre, pasi afër shqiptarëve tani gjenden të gjithë ata që kanë interesa të drejtpërdrejta që lidhen me ata. Te shqiptarët janë duke llogaritur fuqi më të mëdha sesa që jemi ne. Në shqiptarët llogarit Austria, në ta llogarit Italia. Greqia, krahas afërsisë ndaj nesh…. Mali i Zi krahas vogëlsisë, u kushton kujdes të madh shqiptarëve. Pse vetëm ne, që në fakt kemi të bëjmë më së shumti me shqiptarët, përkundrazi u kushtojmë aq pak kujdes atyre, të mos themi aspak?

Sipas bindjes sime të thellë, ne do të kishim interes t’i përgjigjemi ftesës të botuar në gazetën “Shqyptaria” (nisi botimin në vitin 1889) për aleancën serbo-shqiptare. Por, është me rëndësi të veçantë se në çfarë mënyrë, si dhe me çfarë pjesëmarrjeje apo forme ne do t’i bashkoheshim kësaj bashkësie, që më pastaj t’i nxjerrim të gjitha dobitë për veten tonë. Në shikim të parë, ideja të cilën unë e pranoj aq lehtë, duket paksa aventuriere, bile edhe pak poetike. Mirëpo, nëse në këtë rast unë e shfaq mendimin tim menjëherë, si për shembull se në çfarë mënyre do të krijohej kjo aleancë, atëherë besoj se do t’ia dal që ta tërheq vëmendjen tuaj rreth idesë sime. Ne si shtet, pra si Serbi në asnjë rast nuk do të guxonim të hynim në përpjekje që do të shkonin në favor të aleancës (me shqiptarët – S. L.) dhe këto janë arsyet:

1. Liga shqiptare, e së cilës është gazeta “Shqyptaria” e paraqet vetëm një shoqëri, me të vërtetë të gjerë dhe të përhapur por megjithatë ajo është vetëm shoqëri të cilën një shtet i caktuar mund ta ndihmojë, ta mbrojë, por edhe me qëllim të arritjes së disa qëllimeve të krijojë lidhje me të, por jo edhe të krijojë aleancë. Dhe unë mendoj se lidhja apo aleanca midis shoqatës së caktuar dhe shtetit nuk mund të krijohet.

2. Në rast të aleancës me shqiptarët, Serbia do të jepte nga ana e saj të gjitha, ndërsa si kundërshpërblim do të priste të korrte ndonjë sukses fare të vogël apo kurrfarë suksesi.

3. Në këtë rast nëse ne do të krijonim aleancë me shqiptarët, ne do ta humbnim të gjithë mirëkuptimin dhe dashamirësinë e Portës së Lartë, që tashmë jemi duke e gëzuar dhe prej së cilës jemi duke nxjerrë dobi. Aleanca me cila do qoftë prej shteteve ballkanike, në sytë e Portës së Lartë gjithherë nuk duhet të duket si aleancë e krijuar kundër saj, mund të jetë edhe aleancë vetëmbrojtëse, por aleanca me “një fis” në Turqi nuk është aspak më tepër sesa proklamim i revolucionit!”, shkruan Nushiq.

Vllahët si kurth për shqiptarët

Branisllav Nushiqi shkruan se me qëllim të shmangies së mosmarrëveshjes së mësipërme, mendoj se “duhet formuar një shoqatë të tillë e cila do ta përfaqësonte në fakt vetëm opinionin rreth aleancës”. Bile sipas tij kjo shoqatë në realitet as që do të duhej të ekzistonte!

“Zotëri ministër unë mendoj se duhet gjetur dy tre vllahë të besueshëm, të cilët do ta përfaqësonin shoqatën që në fakt nuk do të ekzistonte. Ndaj shoqatës së tillë, për manifestim të dashurisë ndaj Portës së Lartë, Serbia zyrtare do të mund të sillej armiqësisht. Me këtë do të krijoheshin disa manovra dhe mistifikime me të cilat me një goditje do të arriheshin dy qëllime! Për shembull shoqata do të niste ta botonte një gazetë që do ta predikonte revolucionin shqiptaro-serb, ndërsa qysh pas numrit të parë qeveria do ta ndalonte gazetën e të tjera.

Dobitë apo të mirat e drejtpërdrejta që do të rezultonin nga kjo situatë do të ishin:

1. Liga Shqiptare, e cila do të krijonte aleancë me Ligën Serbe, në radhë të parë si dëshmi të disponimit miqësor, duhej të shtrinte ndikimin e saj në Shqipëri (Serbi të vjetër etj.) mbi elementin e vet dhe atë ndikim më pastaj ta zgjerojë mbi serbët e atjeshëm. Kjo në njëfarë mënyre do t’ua lehtësonte gjendjen bashkëvendësve tanë nën pushtetin turk, por njëkohësisht në mënyrë graduale do t’i adaptonte kërkesat e shqiptarëve në një pozitë tjetër ndaj përpjekjeve tona, në radhë të parë mendoj në secilin prej bashkëkombësve tanë që do ta kalonte kufirin dhe të cilin shqiptarët do ta takonin.

2. Me qëllim të arritjes së ndonjë suksesi të caktuar, kohët e fundit sikurse është bërë nevojë, që marrëdhëniet diplomatike me Portën e Lartë, të pengohen aty e këtu edhe me diçka.

Në radhën e shumë sukseseve të pakontestuara, që ju si ambasador në Stamboll i keni arritur, unë jam i bindur se edhe në ato raste ju jeni shërbyer më së paku me mjete të tilla dhe ato suksese në radhë të parë unë ia përshkruaj personalitetit tuaj, sesa fuqisë sonë me anë të së cilës do të mund të kërcënonim. Dhe mu për këtë, ju do të pranoni, se për secilin ambasador tjetër do të ishte më vështirë, nëse nuk do t’i afrohej ndonjë mbështetje. Kjo mbështetje ndoshta do të gjendej mu në aleancën shqiptaro–serbe. Porta është dorështrënguar që t’i plotësojë kërkesat tona çfarëdo qofshin ato. Më pastaj byroja jonë e informimit duhet të lëshonte telegrame ku do të shkruhej se në “pranverën e këtij viti” në Nish do të mbahet një miting i madh i përkrahësve të Aleancës Shqiptaro-Serbe ku pritet të vijnë mjaft personalitete shqiptare me ndikim dhe ku pritet të kuvendohet edhe rreth aksioneve për organizmin e revolucionit. Me një kërcënim të tillë, dhe me mënyrën e veprimit do të duhej që Qeveria e Serbisë ta ndalonte mitingun e paralajmëruar me pretekstin ‘se tubimi ishte i orientuar kundër unitetit dhe tërësisë territoriale të Perandorisë Osmane’ dhe me ketë veprim Serbia do të përfitonte domosdo, pasi Porta e Lartë (për shkak se shqiptarët për ta janë mjaft të ndjeshëm) do të bindej se Serbia kultivon marrëdhënie të mira me shtetin osman. Fenomene të tilla dhe identike, mund të sajohen gjithnjë para se qeverisë turke t’i shtrohet çfarëdo qoftë kërkese nga Qeveria e Serbisë dhe ambasadori (ynë) që do të pajisej me fakte të tilla, ndoshta do të korrte sukses mu atëherë kur realizimi i këtyre qëllimeve do të pamundësohej në mënyrë të rregullt.

Prandaj në formën në të cilën unë e mendoj që ta realizojmë Aleancën Shqiptaro – Serbe, jam i sigurt se do të kemi dobi. Por, përveç tjerash unë e përmenda edhe dobinë e drejtpërdrejtë dhe të rëndësishme, pasi një aleancë e tillë do të arrinte të përgatiste vendin faktik i cili do të na gjendej mu atëherë kur atë do ta kërkonte nevoja dhe momenti i qëlluar”, shkruante ai.

Faksimile e letrës së Branisllav Nushiqit që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë

Prishtina në këmbim të Shkodrës

Për Branisllav Nushiqin, me qëllim të arritjes së sukseseve që realizimi i qëllimit e kërkon, në radhë të parë “është shumë e rëndësishme” që Serbia ta ketë konsullatën në Shkodër.

“Kanë kaluar disa vjet që unë e propagandoj hapjen e konsullatës në atë pikë dhe në një rast thuajse ia dola, por Mali i Zi e hapi konsullatën e vet atje dhe më pastaj ne e pamë se nuk kemi nevojë ta hapim konsullatën tonë në Shkodër, kur tashmë Mali i Zi e kishte hapur. Unë kam pasur fat të madh që idenë time për hapjen e konsullatës së Serbisë në Shkodër t’ia paraqes mbretit Aleksandër dhe Milanit dhe sikur të mos ndërroheshin qeveritë për një kohë të shkurtër, ndoshta tanimë konsullata do të ekzistonte. I nderuari ministër më lejoni që para jush ta shpalos propozimin tim.

Unë edhe sot jam i mendimit se konsullata malazeze, nuk ka pse ta pengojë hapjen e konsullatës sonë. Thuhet se Shkodra i përket sferës së interesave të Malit të Zi. Unë këtë nuk e kuptoj plotësisht. Nëse me të vërtetë malazezët marrin pjesë në realizmin e ideve të mëdha, që na prijnë neve, atëherë nuk ekzistojnë ‘sferat e interesit’ por nëse ata punojnë për llogari të tyre partikulariste, atëherë edhe ne nuk e kemi për borxh të kemi konsideratë ndaj sferave të tyre. Konsullata jonë në Shkodër nuk do të jetë aktive në fushën e propagandës shkollore, pra ky aktivitet le t’u mbetet malazezëve edhe më tutje.

Çelësi i ngjarjeve dhe fenomeneve, që e prekin kufirin tonë dhe që nuk kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me ne, ndodhet në Shkodër, prandaj ato fenomene e ngjarje ne duhet t’i njohim mirë, pra të njohim burimin e tyre me qëllim që ato ide e fenomene të mos barten këtu ku janë duke u zhvilluar tani. Ky është qëllimi i hapjes së konsullatës sonë në Shkodër, për të cilin Mali i Zi nuk ka pse të ankohet. Në Shkodër është selia e Ligës Shqiptare, vetë shqiptarët thonë ‘Prizreni është zemra, Dibra, gjoksi ndërsa Shkodra është koka (e Shqipërisë dhe e shqiptarëve – S. L)’. Atje mbahen tubimet e shqiptarëve, atje sigurohen agjentët dhe emigrantët shqiptarë, aty emigrantët i sjellin lajmet prej jashtë, thirrjet, armët dhe idetë. Në Shkodër ndodhet edhe selia e të gjitha propagandave të huaja, fetare dhe politike të cilave iu interesojnë shqiptarët dhe që veprojnë midis tyre. Atje janë shkollat e mëdha të disa propagandave, atje janë ipeshkëvitë, atje ndodhen agjentët. Më në fund ne interesohemi aq shumë për Detin Adriatik, në të cilin kërkojmë dalje dhe ndoshta këtë dalje do ta fitojmë mu në Shkodër. Greqia asnjëherë nuk e pa të rrugës që ta ketë konsullatë në Shkodër, ku ndodhen edhe gjashtë konsullata tjera. Zotëri ministër, në arkivin tuaj nuk ka asnjë akt të vetëm që do të mund të ju armatoste me njohjen e rrethanave shqiptare, pra të fqinjëve tanë të drejtpërdrejtë, prandaj është radha që ju të flisni dhe fjala juaj në këto çështje, është fjalë e rëndësisë së veçantë.

Përveç tjerash, Shkodra është qendër e vilajetit dhe derisa në vilajetet tjera rreth Serbisë edhe më tej i kemi dy konsullata, pra në Shkup e Prishtinë, unë jam i mendimit megjithatë që konsullata në Prishtinë të mos mbyllet, por së paku të reduktohet në kapacitetet që do t’i përgjigjeshin veprimtarisë së saj. Sipas mendimit tim, konsullata e Prishtinës duhet t’i nënshtrohet konsullatës gjenerale të Shkupit, pasi ajo ndodhet vetëm katër orë larg Prishtinës dhe mjafton që atje të emërohet vetëm një shkresar i klasit të parë, i cili gjithnjë do të punonte sipas udhëzimeve të konsullatës së Shkupit ose në fakt të jetë njëfarë agjencie apo filiali, nëpërmes të cilit konsullata e Shkupit do t’i administronte shkollat (serbe – S. L.) në Kosovë. Unë jam i mendimit se me këtë nuk humbim asgjë në punë, ndërsa e fitojmë buxhetin për ta paguar edhe një konsull dhe me atë buxhet e transferojmë konsullatën tonë në Shkodër. Në Shkodër, konsullatës nuk i duhet personeli, pasi Shkodra do të shërbejë vetëm si pikë operacionale dhe atje do të mjaftonte vetëm konsulli”, ka shkruar në letrën e tij Branisllav Nushiq.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

LEXO EDHE: