Shtojca për Kulturë

Muzika si edukim përballë sfidave moderne e infrastrukturës

“Kino Armata” edhe të shtunën ka qenë krejt e rezervuar për aktivitetin e Konferencës së Muzikës në Prishtinë. Ka qenë adresë për admiruesit e muzikës, pikë bashkimi për publikun me muzikantë e këngëtarë. Në ambient tejet të ngrohtë, me shenjat e ngjarjes gjithandej dhe nën shoqërimin e muzikës, adresa e shumë ngjarjeve kulturore në vend ka qenë tejet atraktive në dy ditët e ngjarjes

Konferenca e Muzikës në Prishtinë ka qenë adresë për shumë tema që ndërlidhen me zhanret muzikore. Ka eksploruar narrativat mbi kulturën e të dëgjuarit muzikë e ka gjurmuar nëpër zhvillimin e muzikës shqiptare. Opera e Kosovës ishte një dimension. Por ka shkuar përtej. Për dy ditë në kryeqytet, ngjarja ka qenë vorbulla e krejt aspekteve që janë trajtuar nëpërmjet prezantimeve e diskutimeve.

“Kino Armata” edhe të shtunën ka qenë krejt e rezervuar për aktivitetin e Konferencës së Muzikës në Prishtinë. Ka qenë adresë për admiruesit e muzikës, pikë bashkimi për publikun me muzikantë e këngëtarë. Në ambient tejet të ngrohtë, me shenjat e ngjarjes gjithandej dhe nën shoqërimin e muzikës, adresa e shumë ngjarjeve kulturore në vend ka qenë tejet atraktive në dy ditët e ngjarjes.

Barrierat e zhvillimit muzikor

Seancat e bisedave kanë nisur me temën “Inside the Violin” që është zhvilluar ndërmjet Trëndelinë Bucollit dhe Visar Kuçi. Eksperiencat jashtë vendit, problemet dhe barrierat në skenën vendore, zhanret muzikore, ndikimi i kulturave në zhvillimin e atyre të reja kanë qenë prej atyre që janë diskutuar.

Derisa ka ndarë historitë e zhvillimit profesional të tij dhe depërtimin në skenën ndërkombëtare, ka thënë se emri i Kosovës është pak i njohur nga gjeneratat e reja, derisa ato të vjetra, sipas tij, e njohin për luftën e viteve 1999-1998.

“Kosova është një vend që më shumë njihet për luftën, për problemet politike, për krejt ngjarjet që gjithmonë e kanë ndaluar atë të zhvillohet dhe të depërtojë në skenën ndërkombëtare, qoftë në muzikën klasike apo në çfarëdo lloj zhanri. Kështu që mendoj që problemi kryesor është që në Kosovë jemi shumë të izoluar në aspektin me komunikimin jashtë. Normal që edhe vizat luajnë rol shumë të madh sepse shumë bashkëpunime nganjëherë, për mua personalisht, janë shuar për shkak të asaj”, ka thënë violinisti e koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës.

Sipas tij, kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e promovimit të paktë të kulturës së vendit. Sipas tij, kjo po ndikon sidomos në gjeneratën e artistëve të rinj.

“Edhe pse ndodhin shumë festivale të muzikës klasike, krejt ato festivale kanë arritur ta promovojnë Kosovën sado pak në rrjete të caktuara, por prapë nuk është mjaftueshëm. Duhet të bëhet më shumë, duhet gjetur mënyra se si të promovohet edhe më shumë talenti dhe sidomos njerëzit e rinj që janë duke u zhvilluar, që ka prej tyre shumë të mirë”, ka vazhduar Kuçi derisa ka folur për njohjen e skenës së muzikës klasike në skenën ndërkombëtare.

Besnikëria ndaj zhanreve e stileve

Në sesionin e parë, Kuçi ka thënë se nuk ka eksperimentuar shumë në zhanrin e tij dhe se i ka qëndruar besnik zhanrit klasik.

“Pasi që kam qenë multi-instrumentalist, më është dashur të vendos për disa detaje se çfarë duhet të bëj. Si violinist, asnjëherë nuk kam luajtur në zhanre të tjera, gjithmonë kam qenë violinist klasik. Ndoshta ekzistojnë dy-tri incizime që kam luajtur ndonjë valle shqiptare aty-këtu, por edhe ajo ka qenë përbrenda mënyrës klasike”, ka thënë Kuçi.

Pos me Filharmoninë e Kosovës ai luan edhe si solist në koncerte brenda e jashtë vendit. Si multi-instrumentist është shfaqur në skenë edhe në dimensione të tjera. Ka thënë se edhe aty zhanret nuk i përzien

Njëjtë kishte bërë edhe me zhanret e tjera si multi-instrumentalist. Ka thënë se këtë e bën për respektin ndaj muzikës e publikut.

“Kur kam luajtur për shembull në kitarë apo bas-kitarë, edhe aty i kam pasur zhanret shumë të ndara stilet. Nëse kam luajtur ‘jazz’, nuk e kam përzier me ‘blues’ ose ‘rock’. Së pari për shkak të respektit që e kam për muzikën dhe stilet se si ato kanë lindur e janë zhvilluar, kanë marrë shumë kohë, por edhe për publikun që duan të dëgjojnë jazz, jo diçka tjetër, ose klasike. Kjo është pak a shumë përgjegjësia, niveli profesional muzikor. Në të njëjtën kohë edhe përgjegjësia tjetër që ka të bëjë me anën psiko-sociale të publikut, është shumë e rëndësishme varësisht se çfarë plasojmë nëpër media”, ka thënë violinisti Visar Kuçi.

Derisa ka komentuar skenën muzikore në vend, ka thënë se aktualisht dominon muzika komerciale. E mbijetesën e muzikës klasike në vend e në botë e ka përkufizuar me arkivimin e saj.

“Mendoj se e vetmja arsye pse ka mbijetuar, përveç në shtetet ku ajo ka lindur dhe është zhvilluar, njerëzit gjithmonë kanë vazhduar ta promovojnë dhe i kanë dhënë shumë rëndësi, e vetmja arsye që mendoj ku mbijeton arti si muzika dhe poezia, gjithçka që është e shkruar, ajo nuk do të vdes asnjëherë. Muzika klasike është e shkruar, edhe pas 500 vjetësh nëse do të luash Bethoveenin, ti e ke të shkruar saktësisht dhe ajo tingëllon njëjtë. Muzika që nuk është e shkruar vdes dhe shumica e muzikës komerciale nuk është e shkruar”, është shprehur Kuçi.

Për muzikantët ka thënë se muzika është një lloj religjioni ku mundohen të arrijnë nivelet sa më të larta shpirtërore drejt muzikës.

“Muzikantët që unë i njoh, që janë të përkushtuar dhe e donë muzikën, ata punojnë për muzikën, jo për jetën, njerëzit, mediat. Thjesht muzika për muzikantët është si një lloj religjioni në të cilin ata besojnë dhe duan të arrijnë kulmet më të larta që munden, në nivelin shpirtëror drejt muzikës”, ka vlerësuar ai.

“The charm of vinyl and the narrative on music listening culture, music, film & phone” me kantautoren Eda Zari dhe perkusionistin nga Maroku, Rhani Krija.

Muzika si shërim e mjet frymëzues

Përtej argëtimit, muzika është vlerësuar si shërim. “Muzika për mua është shërim. Për mua, ky është qëllimi i muzikës. Qëllimi i saj është të të bëjë të harrosh problemet, të dëgjosh një qind për qind ndjenjat e tua, është proces shërimi, ky është perceptimi im për muzikën”, ka thënë perkusionisti Rhani Krija derisa ka treguar se në muzikën e tij ndërthur ritme tradicionale. Ka qenë pjesë e panelit “The charm of vinyl and the narrative on music listening culture, music, film & phone” bashkë me kantautoren Eda Zari

Para se të nis diskutimi mes tyre, Zari ka ftuar gjithë publikun në ulëset e para për eksperimentin që provon shijet e ndryshme të publikut. Secilit i është kërkuar që përnjëherësh të luajnë një këngë nga lista në telefonin e tyre. Krejt kjo ka krijuar veçse një zhurmë në sallën e “Kino Armata”. Perkusionisti maroken i është përgjigjur pyetjes se a konsiderohet zhurmë edhe kënga që nuk i përshtatet shijes së individit tjetër.

“Është zgjidhja juaj, ju jeni i njohur me atë tingull. Truri juaj mund të fokusohet në atë muzikë, sepse është programuar tashmë. Muzikën mund ta thërrasësh në mendje edhe pa e luajtur. Jam në këndin që edhe nëse do të isha më i vjetër në eksperiencën time dhe do të eksperimentoja me stilet e muzikës jazz, prapë do të konsideroja se jam artist i ri. Unë gjithmonë mundohem të jem i hapur dhe të mos gjykoj, të pranoj, pasi vetë muzika është mënyra me e mirë për të kuptuar tolerancën. Ju garantoj se nëse shkoni në kultura të ndryshme, prapë do të jeni në gjendje të luani, të dëgjoni kulturën e tyre edhe pa e njohur atë’, ka thënë Krija. Sipas tij, “ në momentin që jeni duke dëgjuar muzikë, ju ndaleni së menduari”.

Për evoluimin e muzikës së sotme, këngëtarja Eda Zari ka thënë se muzika përbrenda nuk është vetëm mjet edukues, por edhe frymëzues.

“Artisti bën atë që prodhon në mendjen e vetë. Ka muzikantë që e dinë procesin, nuk marrin asnjëherë parasysh se çfarë është ajo çfarë kërkon publiku. Flasim për një medium muzikor me pretendim të lartë, dhe këtu flas me pretendim të lartë në kompozimin, në strukturë dhe meqë jam vetë këngëtare, është shumë interesante se cili është mesazhi që dua të jap, çfarë është ajo që shkakton emocion të sinqertë. Jo me patjetër një shoqëri mund të reflektojë në atë që e ka si ‘fast-food’ të ditës, por edhe nuk mund ta fsheh, edhe e reflekton. Kemi dy pole, e reflekton por edhe jo”, ka thënë Zari.

Ndikimi i teknologjisë në përhapjen e muzikës ka qenë prej aspekteve pozitive që është përmendur.

“Jam rritur me pak mundësi siç është platforma ‘You Tube’ dhe mendoj se teknologjia është diçka e mrekullueshme. Kudo që shkoj e them se teknologjia më lejon të udhëtoj pa lëvizur. Ky është avantazh i madh, por natyrisht se e kuptoj se sa shumë muzika ndikon në mënyrën tonë të jetesës. Në anën tjetër janë bizneset që janë të interesuara për të bërë para në mënyrë sa më të shpejtë”, ka thënë perkusionisti maroken, Rhani Krija.

Për Eda Zarin, lloji i muzikës që dëgjon secili është reflektim i edukimit mental. Sipas saj, jo patjetër një shoqëri duhet të ketë një kulturë në bazë të së cilët do të zhvillohej muzikë, pasi ajo do të mund të ndikohej nga një sistem. Këtë e ka ilustruar me shembullin e krijimtarisë muzikore në kohën e sistemit komunist në Shqipëri.

“Unë kam lindur në Tiranë. I kam prekur vitet ’80 me koshiencë të plotë se çfarë së pari bën muzika, pasi vij nga një familje muzikore. Kënga, muzika, tingulli, arti apo ajo formë e kulturës ka qenë e kultivuar ende pa u lindur unë, e kisha në shtëpi, do thosha një luks për mua. Të mos harrojmë në cilën formë kjo shoqëri jetonte. Muzika në atë kohe ka qenë propagandë, edhe festivalet, në këtë rast Festivali i Këngës. Një lloj propagandë për të treguar mënyrën se si në përmbajtje, qoftë në strukturat kompozitoriale do t'i qasej më shumë asaj që nuk ishte e lejuar të prekje harmoni të caktuara, që mund të ishte një ritëm i caktuar që vinte nga Perëndimi, nga vendet kapitaliste, revolucioniste”, ka thënë Zari, sipas së cilës, për gjeneratën e re kjo mund të duket absurde.

“Ndërsa për brezin e tanishëm duket krejtësisht absurde. Kam jetuar në ritmet e këngës se bukur qytetare që për mua në atë kohë nuk e dija që ishte një lloj bluzi shqiptar. Por duke bërë një ekskursion nëpër botë, teksa studiova në Koln, derisa pata procesin tim të interesimit muzikal, kuptova se edhe ne kemi diçka, pa çka se kemi qenë në diktaturë, pa çka se kemi pasur shumë kufizime, për të mos thënë kemi qenë në një izolim absolut”, ka thënë kantautorja Eda Zari.

Ajo ka vlerësuar se muzika e kohës së diktaturës ka mbijetuar “në kulturën e pakulturë”. Ka zbuluar një fragment të albumit të ri të saj.

Funksionalizimi i Operës pa shtëpi

Në kuadër të programit të Konferencës është ngritur edhe pyetja se “Ku janë institucionet” që ka qenë diskutimi për inaugurimin e institucionit të Operës së Kosovës. Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, dirigjenti Edon Ramadani, menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj e muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica kanë diskutuar për krijimtarinë operistike në vend, themelimin e institucionit e për sfidat sa i përket infrastrukturës. Në panel nuk ka marrë pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pavarësisht ftesë.

Derisa ka folur për historinë e rrugëtimit të Operës dhe rëndësinë e saj për skenën muzikore, muzikologia Kryeziu-Breznica ka thënë se mosekzistenca e institucionit nuk e ka pezulluar krijimtarinë operistike.

“Opera është një formë shumë komplekse muzikore, natyrisht është forma më e madhe muzikore. Nuk do të thotë se mosekzistenca e institucionit penalizon krijimtarinë operistike, është zgjedhje e lirë e kompozitorëve, mirëpo njëra prej atyre përgjigjeve që më është dhënë është se numri i vogël i kësaj krijimtarie vjen si pasojë e mungesës së kushteve. Për këtë arsye, deri në një kohë të caktuar kanë qenë vetëm dy opera. Ka qenë ‘Goca e Kaçanikut’ dhe ‘Dasmë Arbëreshe’ e kompozitorit Rauf Dhomi”, ka thënë ajo.

Profesoresha e pianos, Besa Luzha, e ka konsideruar institucionin e Operës, bashkë me atë të Filharmonisë së Kosovës, si kurorë të muzikës.

“Institucione siç janë Filharmonia dhe Opera e Kosovës janë kurora e muzikës në këtë jetën institucionale muzikore. Në jetën muzikore të përditshme që e kemi, ka garë. Në muzikën artistike ekziston e njëjta tendencë pak a shumë, por ajo duhet të jetë shumë e institucionalizuar sepse për shkak të kompleksitetit, kostove, prestigjit dhe gjithë asaj makinerie që duhet të ekzistojë për të funksionalizuar një institucion siç është Opera, nuk mund ta përballojë askush në sektorin privat”, ka thënë ajo derisa ka vlerësuar se opera mbetet forma më e pëlqyer e publikut.

“Opera mbetet një nga format që është më e pëlqyer për njerëzit, madje më e pëlqyer dhe më interesante sesa edhe vetë orkestrat apo muzika orkestrale. Për operën e parë ka pasur shumë interesim nga publiku. E kemi parë se interesimi është rritur dhe këtu ka ndikuar edhe krijimi i institucionit të parë të Operës së Kosovës që e ka tërhequr audiencën. Në Orkestër ka shumë ngjyra, shumë laroshi, dhe ajo është shumë atraktive për audiencën. Opera është edhe një hap më interesante pasi ka fjalën ka kostumografi, ka balet, gjithçka dhe është shumë më e afërt me publikun”, ka thënë Luzha më tej.

Një prej kryefjalëve të këtij paneli diskutues ka qenë hapja e Operës duke mos pasur shtëpinë e saj. Pos teatrit a një salle koncertale të paktën sa për të akomoduar këngëtarët e Orkestrën, është thënë se problematike janë edhe hapësirat ku zhvillohen provat.

“Në aspektin organizativ duhet falënderuar Fakulteti dhe Filharmonia, sepse përndryshe përveç objektit, sallës që mungon dhe procesi për të arritur deri në koncert është jashtëzakonisht i vështirë, sepse as Fakulteti e Opera hiç e hiç, nuk ka një sallë qoftë edhe për zhvillimin e provave. Me mirëkuptimin e tyre jemi gjendur disi. Sidoqoftë do të vijë një kohë ku duhet të veprohet konkretisht, të paktën të mendohet për një sallë të provave para se të kalojnë në një sallë të provave”, ka thënë dirigjenti Edon Ramadani.

Derisa janë komentuar debatet se a do të duhej të merrte formë Opera pa shtëpinë e saj, Ramadani ka thënë se institucioni po dëshmohet se ia del edhe në kushtet e interpretimit nëpër salla të sporteve.

“Mendoj se është mirë që ka filluar, edhe pse nëpër salla të sporteve, edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, megjithatë ne jemi duke u mësuar dhe në momentin që bëhen kushtet për të qenë njëqind për qind, besoj se do të jemi të gatshëm dhe do ta kemi më lehtë. Megjithatë, po dëshmohemi se edhe në salla të sporteve mund t’ia dalim”, ka thënë dirigjenti Ramadani më tej.

Derisa është ndërlidhur me temën, Luzha ka thënë se e njëjta temë kishte qenë edhe në kohën e themelimit të Filharmonisë së Kosovës, 23 vjet më parë. Filharmonia e Kosovës edhe pas krejt këtyre vjetëve interpreton skutave.

Në ditën e fundit gjithashtu janë zhvilluar edhe bisedat me temën “Am I the Party” me Alisa Braha, David Stefanos, Enjo Dajku, Luca Calo dhe Pablo Vineis. Elena Ora dhe Donika Hyseni kanë biseduar nën temën “Throw your hands in the air if you want it right now – and forever”. Edicioni i sivjetmë është mbyllur me performancë nga perkusionisti Rhani Krija.