Janë 15 të rinj që i janë futur garës për skicimin e muralit, i cili do ta ngjyrosë nënkalimin e rrugës “Emin Duraku” dy muaj më vonë me projektin e “MuralFestit”, fitues në fondacionit holandez “Bloomberg” në programin e tyre “Asphalt Art”. Me anketë është testuar edhe kërkesa e qytetarëve dhe ajo ka të bëjë me modernizimin e së kaluarës. Jezerci është bërë vendi i kampit katërditor
Peizazhi piktoresk i Jezercit është vendi në të cilin janë vendosur për t’u motivuar 15 artistë dhe pritet të reflektojë në muret e qytetit të Ferizajt. Hapësirat krejt komode po shfrytëzohen që ata të shprehin kreativitetin e tyre, i cili është tashmë një garë e nisur mes tri grupeve, dy prej të cilëve punën të cilën e dëshmojnë në këtë kamp, do ta kenë mundësinë ta lënë si gjurmë edhe për një kohë të gjatë në nënkalimin e “qytetit të muraleve”.
Tri ditët e fundit të prillit kanë nisur ndryshe për këta artistë, të cilët tashmë qytetin e pikturuar e imagjinojnë nga majat e larta të fshatit afër tij. Po punojnë në konkretizimin e të gjithë projektit me të cilin “Mural Fest” ka rrëmbyer një vend në listën e fondacionit holandez “Bloomberg”. Ndonëse deri tash shumica nga ta qenë miq, qoftë nga jeta e përditshme a pasioni për artin, ky organizim i ka bërë konkurrentë.
Dy nga tri dizajnet të cilat po punohen në letër do të shpien deri te muri i nënkalimit në rrugën “Emin Duraku”. Si rezultat i kësaj, vetëm 10 nga 15 sa janë gjithsej pjesë e kësaj gare, do ta kenë fatin që përsipër ta kenë një punë me kaq përgjegjësi.
Kjo konkurrencë i ka bërë ata që në kushte dhe rrethana të ndryshme, në hapësira jo shumë të largëta, të ndahen dhe ta përdorin secilën mënyrë që është efikase te ta e që puna e tyre të përfundojë me rezultatin më të mirë. Me muzikë të llojllojshme, e nën rreze të diellit e nisën punën këtë të premte për të vazhduar deri të dielën. Ndonëse kontaktojnë miqësisht me njëri-tjetrin, artistët e grupeve të ndryshme nuk i kalojnë bisedat te puna, ani pse kur projektit t’i vijë koha të konkretizohet, punimet e tyre do të bashkëveprojnë.
Për krejt këtë që ata kanë nisur të skicojnë, nuk kanë marrë për bazë dëshirat e tyre individuale si artistë. Më shumë se askujt tjetër, nënkalimi i qytetit të Ferizajt u takon atyre që çdo ditë u bie rruga andej, ose të paktën kur përdorin atë rrugë, thonë se është qyteti i tyre. Duke u bazuar në këtë, për “Artivistët”, siç quhen pjesëtarët e projektit, nisi pikërisht afër mureve që do të shndërrohen në shumëngjyrëshe, pranë ferizajasve.
Grupet kanë përdorur intervista dhe anketa si metoda hulumtimi për të parë se çka është ajo që u mungon dhe e duan qytetarët e këtij vendi. Rezultati i këtij hulumtimi njëditorë bëri që gjurmët e para të skicimeve të modernizojnë tradicionalitetin.
“Gjatë ditës së djeshme dy grupe të artistëve kanë bërë intervista me qytetarët, kurse një grup ka bërë anketë. Kanë marrë përgjigje prej më të ndryshmëve. Variojnë përgjigjet prej moshave. Kjo për shkak se më të vjetrit dëshirojnë të rikthejnë prej kohës së kaluar gjëra që mendojnë se nuk duhet të harrohen, nga ana tjetër rinia do që të ketë gjëra moderne dhe të këndshme për syrin. Është një pjesë të madhe që ka kërkuar edhe gjelbërim. Krejt pjesa është e betonuar, kështu që përderisa nuk ka gjelbërim, ata kanë kërkuar ta pikturojmë atë”, ka thënë Fortunë Haziri, e cila në kampin me artistët po qëndron në cilësinë e mentores.
Duke marrë parasysh moshat e ndryshme të cilat janë marrë për bazë në hulumtim, artistët kanë treguar se kanë nisur një punë me të cilën synojnë që gjërat krejt tradicionale t’i modernizojnë dhe t’i ruajnë në të njëjtën kohë.
“Përmes opinionit që e kemi marrë nga qytetarët, dëshira se çka ata kanë dashur të shohin më shumë në hapësira publike ka qenë arti modern, por duke e prekur pak të kaluarën. Pjesët tradicionale të qytetit duke i shndërruar në art modern. Nga e kaluara me e shndërru në modernizëm", ka thënë Endrina Luzha, artiste pjesëmarrëse në këtë aktivitet.
Me projektin e “MuralFest Kosova”, Ferizaj është zgjedhur në mesin e 19 qyteteve evropiane që financohen në ridizajnimin e tyre. Kjo ide e ka bërë punën me më shumë përgjegjësi, e i ka rritur pritshmëritë jo vetëm të artistëve dhe qytetarëve.
“Ky program ka filluar qe disa vjet të implementohet në Amerikë. Sivjet është pilot-projekt në Evropë. Është shumë privilegj për ne me qenë pjesë e këtij programi. Njëkohësisht është edhe hera e parë që në këtë program punohet një nënkalim. Kështu që edhe ata po presin nga ne dhe jo vetëm qytetarët. Por edhe qytetarët e kanë pritur mirë për shkak se të rangohemi në të njëjtën listë me Madridin dhe shtetet e tjera evropiane është goxha punë e madhe dhe po shpresoj se ka me pasë sukses. Ata janë befasuar me punën e madhe që është bërë në një qytet të vogël si Ferizaj dhe në Kosovë”, ka thënë Haziri.
Ndonëse jo rrallë u ka rënë që të projektojnë murale, e sidomos kur në krye vihet emri i Ferizajt, për artistët është një sfidë realizimi i një vepre përmasash të tilla. Të gjithë vijnë nga Ferizaj ose rrethina e këtij qyteti dhe më shumë se në secilin vend duan të kontribuojnë në vendin e tyre. Për këtë janë bashkuar dhe po mundohen që sfidat t’i tejkalojnë.
“Ekzistojnë diskutimet dhe mosmarrëveshjet, por kjo është puna në grup. E mira e gjithë kësaj është se jemi si një grup i këndshëm dhe kemi komunikim të mirë mes vete. I dimë qëllimet tona dhe i kemi bashkuar forcat për të punuar në to”, ka thënë Antika Veseli, së cilës për gjashtë vjet sa ka qenë pjesë e “MuralFestit” i ka rënë që me ngjyra të dalë edhe përtej Ferizajt.
Artistja tjetër, Endrina Luzha, ka thënë se për punën që janë duke e bërë, pozitivisht po u ndikon edhe ambienti, nisur nga pamja.
“Sot është dita e dytë dhe procesi i punës është duke shkuar shumë mirë. Vendi është duke na frymëzuar edhe më shumë që ta vazhdojmë punën dhe ta kemi një rezultat të mirë në fund”, ka thënë Luzha.
Vlerësimi i qytetarëve të Ferizajt nuk qëndron vetëm në vendosjen e temës. Ata do të kenë mundësi që në mesin e tri punimeve të zgjedhin një që duan ta shohin pjesë të qytetit të tyre. Për krejt këtë, "Mural Fest" do të përdorë rrjetet sociale, si një komunikim goxha të drejtpërdrejtë, ani pse virtual.
“Janë tri grupe me nga pesë artistë. Këto tri grupe do t’i bëjnë skicat e tyre, të cilat do të publikohen në rrjetet tona sociale. Qytetarët do të kenë mundësi të votojnë dhe dy skicat fituese do të punohen të ndërlidhura mes vete. Qëllimi është që edhe ta shtojmë konkurrencën, por në anën tjetër edhe t’ua japim mundësinë qytetarëve që të përfshihen në një formë në dizajnimin e këtyre hapësirave”, ka thënë Haziri, mentore e pjesëmarrësve.
Kampi në Jezerc që nisi të enjten synon t’i përfundojë skicat deri të dielën. Konkretizimi në mural synohet të nisë në fund të majit, e të përfundojë në qershorit.