Shtojca për Kulturë

“Momenti kur filloi lufta për mua” në tjetër realitet në ish-Jugosllavi

Ka dokumente të tëra të cilat flasin për luftërat që kanë shpërthyer në Ballkan me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Megjithatë, përmbledhja me tregime “Momenti kur filloi lufta për mua” shkon përtej

Ka bashkuar tetëmbëdhjetë autorë të shteteve të ish-Jugosllavisë në atë që është titulluar “Momenti kur filloi lufta për mua”. I përuruar të shtunën në “Mirëdita, dobar dan”, libri, siç shkruhet në parathënie, “jep një përgjigje letrare lidhur me përjetimet e tyre të luftës”. Përpiluesit e tij kanë theksuar faktin se vepra flet diçka përtej historisë, për jetën dhe pikëpamjet personale të secilit prej autorëve

Tri orë e gjysmë pas debatit “Liria e lëvizjes në rajon: koha është tash” – të shtunën në ditën e fundit të “Mirëdita, dobar dan!” në të njëjtin vend, “Barabar” në hotelin “Grand” – një libër ka dëshmuar se kultura ecën para politikës. Ka bashkuar tetëmbëdhjetë autorë të shteteve të ish-Jugosllavisë në atë që është titulluar “Momenti kur filloi lufta për mua”. Libri i përgatitur nga Anton Berishaj, Vladimir Arseniq dhe Ana Pejoviq, siç shkruhet në parathënie, “jep një përgjigje letrare lidhur me përjetimet e tyre të luftës”. Përpiluesit e tij kanë theksuar faktin se vepra flet diçka përtej historisë, flet për jetën dhe pikëpamjet personale të secilit prej autorëve.

Ka dokumente të tëra të cilat flasin për luftërat që kanë shpërthyer në Ballkan me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Megjithatë, përmbledhja me tregime “Momenti kur filloi lufta për mua” shkon përtej. Autorëve nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kroacia Sllovenia e Bosnjë-Hercegovina u është dhënë një mision: të shkruajnë për ditën e parë kur ka filluar lufta. Duke u nisur nga përvojat e tyre autorët përfshirë Halil Matoshin, Selvedin Avdiqin, Lamija Begagiqin, Andrej Blatnikun, Tanja Mravakin, Lejla Kalamujiqin e të tjerë, kanë nxjerrë në pah tregime që përveç që shpërfaqin një realitet subjektiv, bartin në vete edhe vlera letrare.

Vepra në 166 faqe nis me një parathënie të redaktores së librit, Ana Pejoviq. Në pak rreshta, Pejoviq tregon për qëllimin dhe arsyet e botimit të kësaj vepre.

“Ky libër është krijuar nga dëshira që letërsia post-jugosllave të dalë nga kornizat e gjuhës dhe t’ua ofrojë mundësinë folësve të gjuhës shqipe që ta lexojnë një përgjigje letrare të llojit të veçantë lidhur me temën e kujtimeve personale për luftën”, shkruhet ndër të tjera aty.

Libri është publikuar nga “Youth Initative for Human Rights”, ndërsa përkthimi në shqip vjen nga: Etleva Lala, Nikollë Berishaj, Anton Berishaj dhe Vjosa Taipi. Është në frymën e “Mirëdita, dobar dan!”, dhe qëllimit të këtij festivali i cili në thelb synon ndërtimin e raporteve midis qytetarëve të Kosovës, Serbisë, por edhe vendeve të rajonit.

Përpiluesi i veprës njëherësh edhe kritiku letrar, Vladimir Arseniq, ka folur për mënyrën se si kanë shkruar autorët e kësaj përmbledhjeje teksa ka pohuar se asnjëri prej tyre nuk e ka një moment konkret e kur ka nisur lufta.

“Shumica e tregimeve janë shkruar nga pozita e fëmijës për atë arsye e kemi edhe Mirjana Durdeviq, e cila është më e vjetër në këtë përmbledhje. Ka qenë grua e pjekur. Kur fillon me fillimin e një lufte të gjithë ata nuk e kanë një moment konkret, një datë konkrete se kur ka filluar lufta. Lufta fillon në mënyrë të padefinuar. Nuk ekziston rrëfimi si: ‘ne jemi këtu, bie një raketë e madhe’. Është çështje e paqartë. Lufta hyn në mënyrë dhelparake, tinëzare dhe menjëherë ndihet një shqetësim i më të vjetërve të cilët kanë pasur një lloj përvojë dhe e kanë provuar këtë frikë”, ka thënë ai.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vetë shkrimtari Shpëtim Selmani. “All Star”, titullohet shkrimi i tij. “Thënë të drejtën duket se jam para aktit më makabër në jetën time”, është fjalia e parë.

“Kur desha të nis të shkruaj këtë tregim, atë ditë nisi lufta në Ukraine dhe mendova se kjo është dita ime e parë e luftës për shkak se mendoj që çdo luftë që ndodh diku na përket gjithëve. Por ishte e pamundur ta kujtoja një ditë të caktuar të luftës në Kosovë, sepse kishte shume imazhe që më vinin ndërmend si: shqetësimi i babait gjatë kohës së luftës kur ai rrinte në dritare për të bërë roje. Kisha imazhe të tjera si qëndrimin tonë nëpër male, nëpër tenda por assesi nuk e kisha një ditë të caktuar. Brenda meje nuk kam mbërritur ta zyrtarizoj datën, pavarësisht se e dija se kur ka përfunduar lufta”, ka thënë Selmani. Për të – lufta ka filluar ndoshta qysh kur ka shkuar në shkollë gjatë viteve të ‘90 dhe “kur ka qenë shkolla e rrethuar me policë”.

Përpiluesja tjetër e librit, Ana Pejoviq, ka thënë se “Momenti kur filloi lufta për mua” është vepra e gjashtë e përkthyer nga serbishtja në shqip në njëzet e tre vjetët e fundit.

“Ky është libri i gjashtë që është përkthyer. I pari ka qenë ai me poezi ‘Liria e tmerrit’ nga Xhevdet Bajraj, dy antologji, drama e Jeton Neziraj dhe poezia Arben Idrizit. Këta janë të vetmit libra që janë përkthyer për 23 vjet”, ka thënë ajo duke iu referuar vetëm librave letrar.

Lidhur me këtë çështje, Arseniq ka thënë se përkthimi i veprave nga serbishtja në shqip dhe anasjelltas nuk ka arritur të krijojë traditë ndonëse sipas tij, përkthyesit kualitativ nuk mungojnë.

“Por përkthimi nuk ka krijuar traditë. Ka ndodhur një incident sa i përket përkthimit të librave. Kontaktet zyrtare janë shumë të dobëta. Ekzistojnë kontakte private dhe sa e di unë janë disa përkthyes kualitativë, të cilët mund të bëjnë përkthim kualitativ. Por, raporte zyrtare të cilat do të mundësonin një përkthim më të lehtë dhe i cili do të mundësonte të holla për përkthim nuk ekzistojnë”, ka thënë ai.

Botimi i kësaj vepre sipas Arseniqit, është i rëndësishëm, sepse ofron një realitet tjetër të luftës. Në rolin e përpiluesit, ai ka folur edhe për mënyrën e përzgjedhjes së këtyre autorëve teksa ka përmendur edhe për vlerat e tyre letrare.

“Botimi i këtij libri është shumë i rëndësishëm, sepse flet për tema që fatkeqësisht janë tregimet tona, pasi që Jugosllavia u shpërbë në përfundim të viteve ‘80. Kjo narrativë e të ashtuquajturës histori orale, është i rëndësishme edhe për ne edhe për letërsinë, sepse nuk trajton vetëm datat zyrtare por tregimet e ndryshme të cilat janë shumë personale. Një gjë tjetër e rëndësishme është vlera letrare. E kemi bërë një zgjedhje personale dhe kushdo që do të ishte këtu do të kishte bërë një zgjedhje të tillë. Ndoshta libri do të dukej ndryshe, por nëse lexoni këto tregime disa herë nuk do të merrni vetëm një ‘përgjigje’ rreth kësaj teme”, ka thënë ai.

Ndonëse fillimisht kishte ngurruar të shkruante duke pasur si qëllim një temë të caktuar, Selmani është shprehur i lumtur që është bërë pjesë e këtij libri. Ai ka theksuar veçmas rëndësinë e memorizimit të kujtimeve për të cilat ka thënë se mund t’u shërbejnë gjeneratave të reja.

“Unë zakonisht jam i ngurtë kur më vijnë ftesa për të shkruar një tregim për një qëllim të caktuar, por pranova për shkak të rëndësisë që mendoj që e ka dhe të një realiteti të ri që assesi nuk po del të jetë i pranishëm. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj antologjie, sepse konsideroj që memoria është shumë e rëndësishme dhe gjeneratat që vijnë pas nesh duhet të kenë njohuri dhe duhet ta njohin këtë pjesë dhe këtë ndjenjë tonën. Letërsia është shumë e rëndësishme për ta treguar këtë ndjenjë. Letërsia është shumë e rëndësishme për të treguar realitetin pa implikime politike”, ka thënë Selmani.