Shtojca për Kulturë

Mjeshtri i madh i letërsisë

Mbi të gjitha, Kadareja rrëfente mjeshtërisht, jetonte si rrëfyes i pasionuar i historive të ndryshme, të botës shqiptare

Mbi të gjitha, Kadareja rrëfente mjeshtërisht, jetonte si rrëfyes i pasionuar i historive të ndryshme, të botës shqiptare

Lëvizjet e lehta në rrëfimet e tij të çojnë nga lashtësia tek implikimet moderne, nga realitetet te gjendjet gjysmë-ëndërr, nga vegimi te shpërgjumja, nga tributet për diktatorin te synimi për zhbërjen e tij, nga institucioni i manipulimit të ëndrrave te gjendja e të riut të habitur në atë mjedis. Lëvizjet në vende, rrëfime e referenca të ndryshme, e bëjnë atë mjeshtër të madh të letërsisë

Më 1 korrik 2024 u nda nga kjo botë shkrimtari më i njohur shqiptar dhe një nga të shquarit e letrave në botë, anëtari i ASHAK – Ismail Kadare. Familjarëve të Ismailit, miqve të shumtë dhe të pranishmëve u shpreh ngushëllimet e përzemërta. Ismail Kadareja jetoi në epokën që u shënua nga një dinamizëm dhe kthesa të shumta në jetën dhe kulturën shqiptare. Lindi në kohën e Zogut I, u shkollua në valën e komunizmit, shpërtheu si poet dhe erdhi e u shqua si shkrimtar në valën e diktaturës, jetoi përpjekjet për afrimin e dy pjesëve shqiptare, përjetoi thyerjen e madhe me diktaturën që po shembej, iku në Francë, ku tashmë kishte marrë njohjen e ligjshme për vlerat e shquara të artit të tij dhe talentin e pashoq, u përfshi në përpjekjet e Kosovës për të dalë në lirinë e saj, e përjetoi çlirimin e pavarësinë e saj, zhvilloi veprimtari me degëzime kulturore e më të gjera, por gjithnjë dhe mbi të gjitha u rrit dhe mbeti shkrimtar i klasit dhe individualitet në gjithë ato valë të rrëmbyeshme. Individualitet i theksuar, Ismail Kadareja krijoi një vepër madhore letrare me përmasa universale, me vlera të shquara artistike dhe me vulën e dukshme shqiptare. E tëre historia shqiptare, e periudhave otomane, pas-otomane dhe e pavarësisë para-komuniste, historia e diktaturës komuniste dhe më vonë, hapësira dhe dimensione të ndryshme kohore nga lashtësia e deri tek aktualiteti, shpërfaqen në veprat e tij përmes një lehtësie të lëvizjes në hapësirat shqiptare e ballkanike, europiane e përgjithësisht universale. Solli risime në lirikën shqipe të Shqipërisë në vitet ‘60, shpërtheu si rrëfimtar, si romansier në tërë jetën e tij, duke mos lënë jashtë sprovat, esenë, interpretimet e kritikën letrare. 

Mbi të gjitha, Kadareja rrëfente mjeshtërisht, jetonte si rrëfyes i pasionuar i historive të ndryshme, të botës shqiptare. Tregimet, novelat e romanet e shumta, rrëfimet për Shqipërinë thjesht të çojnë natyrshëm drejt universalizimit, çka e bën letërsinë e tij të lexueshme e të përkapshme gjithandej. Në rrëfimtarinë e tij, nga tregimi i shkurtë e deri te romanet e tipit saga, të rrëmben shkrirja e natyrshme e miteve dhe folklorit me portretimet e mendjes moderne. Në vrojtimet e interpretuesve jashtë botës shqiptare janë vënë në pah kthimet e vazhdueshme në veprën e tij te mitet e lashta greke, sidomos ne problematizimet e raporteve të traumatizuara të grindjeve familjare, gjithnjë me efektet jo fort të padukshme helmuese që pjell gjendja në afërsi me pushtetin, për të shpërfaqur raportet midis individit dhe politikës, të manipulimeve brenda dhe midis grupeve, të imponimeve pushtetore.

Lëvizjet e lehta në rrëfimet e tij të çojnë nga lashtësia tek implikimet moderne, nga realitetet te gjendjet gjysmë-ëndërr, nga vegimi te shpërgjumja, nga tributet për diktatorin te synimi për zhbërjen e tij, nga institucioni i manipulimit të ëndrrave te gjendja e të riut të habitur në atë mjedis. Lëvizjet në vende, rrëfime e referenca të ndryshme, e bëjnë atë mjeshtër të madh të letërsisë. Duke lëvizur në koordinatat më klasike, nga Eskili te Dante e Shekspiri, disa shohin aty dhe përvoja më moderne deri te Kafka e Oruelli, ai u bë vetë shpesh reper orientues për identifikim përtej botës shqiptare, u identifikua si shkrimtar i shquar europian. Me shkrimin e tij ndikoi ndjeshëm në emancipimin dhe urbanizimin e shprehjes letrare shqipe, në mënyrë të veçantë në begatimin e shprehjes shqip nga burimet e saj të të gjitha anëve si pakkush më parë. Studiuesit e historisë së letërsisë do të duhet të merren dhe me aspektet e tjera të implikimit apo të proceseve në të cilat ka jetuar krijuesi dhe është rritur një veprimtari e atyre përmasave. Ekspozimi i kësaj krijimtarie në 40-50 gjuhë të botës, nevojat e qartësimeve brenda kulturës shqiptare, tashmë i kanë dhënë këtij opusi dhe autorit të tij një vend universalisht të shquar. 

Ismail Kadarenë e kam njohur rastësisht para vitrinave të librarisë “Saint Michel” në Bd. Saint Michel në Paris më 1972. Kishte bërë jehonë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i përkthyer në frëngjisht dhe po lexohej në procesin e përgatitjes për botim përkthimi i romanit të tij “Kështjella”. Alain Bosquet më kishte folur me habi që shkonte drejt admirimit për këtë shkrimtar që pritej të rrëmbente hapësira suksesi në Francë. Lamë takimin pasdreke dhe kjo qe nisma e ndërmjetësimit, që do të shkonte pastaj me rrugë të tjera. Dua të them me këtë rast se Bosquet dhe rrethi i tij shprehnin mrekullimin me talentin të këtij shkrimtari në ardhje, por njëherësh e admironin përkthimin maestral të Jusuf Vrionit, për të cilin atëherë nuk dihej gjë jashtë Shqipërisë. Duhet të themi një fjalë miradije e falënderimi për qarqet franceze që me kohë e mirëpritën talentin e madh dhe i bënë jehonë më tej. Me Ismailin kemi pasur kontakte në vitet ‘70, jo më pas vitit 1981, dhe shkurt më 1988 në Sicili e pastaj më 2002, kur mori dëshminë e zgjedhjes anëtar i jashtëm i ASHAK-ut nga viti 1991. Letërsinë e tij e kam ndjekur në vazhdimësi, atë që më jepte kënaqësinë më të madhe, të prozës rrëfimtare, po edhe atë tjetrën.

Raporti i tij me Kosovën ka qenë kompleks, gjithsesi në ndihmë me peshë të proceseve të pavarësimit të saj. Në vitet ‘70-‘80 përkrahja nga Kosova për letërsinë e tij dhe botimi i kompletit të veprave të tij nga Rilindja ka qenë me ndikim edhe për dimensionimin e personalitetit të tij letrar në Shqipëri. Studiuesit do të merren me ndikimet e letërsisë së tij në letrat shqipe në Kosovë, ku rrjedhat kanë qenë të ndryshme nga ato në Tiranë. Ismail Kadareja e ka mbisunduar hapësirën letrare shqiptare në 5 dekadat e fundit. Historianët e letërsisë dhe biografët e tij do të merren me kompleksin e raporteve të tij me institucionet kulturore, letrare e shtetërore në Shqipëri. Vepra e tij do të shihet në dritë më të plotë letrare e kulturore. Duhet të themi se bashkë me të dhe përmes tij letërsia shqipe po e krijon hapësirën e identitetit te veçueshëm brenda kulturës europiane, ku ai po shkëlqen me individualitetin e dallueshëm tashmë dekada me radhë. Vepra e Ismail Kadaresë do të jetojë dhe rrezatojë art, njerëzi e kulturë përgjithmonë ndër shqiptarë dhe do të përcjellë mesazhe shprese e humanizmi nga këto hapësira në botën tjetër. ASHAK krenohet që e kishte anëtar që nga viti i largët e i vështirë i 1991.

Fjalë rasti në Komemoracionin me rastin e vdekjes së Ismail Kadaresë në ASHAK, Prishtinë, 3 korrik 2024.