Ka qenë një alamet personaliteti ndërkombëtar që fill pas luftës, atë do ta cilësonte si “ura më e famshme në botë”. Prejse u ndërtua “kush e di se kur”, ajo është dëshmitare e kthesave historike, tmerreve ndaj shqiptarëve e aty përvidhen edhe kujtime nga fëmijëria e rinia të vandasve. Aso që në njëfarë dore, ilustrojnë edhe kohë kur ura bashkonte, qoftë ai edhe një lloj bashkimi i brishtë. Gati çerekshekulli më parë, ka një episod kur ura do të quhej edhe “Austerlitz”, sinonim i betejës së përgjakshme, ose një marrëveshja që ura të ngushtohet. Sot ura mbi lumin “Ibër”, është ajo që nuk e bashkon dot qytetin e as s’i fashit armiqësitë midis dy popujve. Të dielën është edhe dëshmitare e zgjedhjeve në veri, një test për serbët që mbase të shkëputen prej mendësive që urën – dhe jo vetëm – e bëjnë simbol të ndarjes
Shumë mitrovicas, sidomos të moshuarit, notin e kanë mësuar në ujërat e lumit Ibër. Gazanferr Nishliu, qytetar mitrovicas, kujton ditët më të mira të fëmijërisë kur hidhej në ujërat e lumit poshtë urës, që tash është kthyer në simbol të ndarjes së qytetit.
“Aty është vendi ku unë kam mësu me kërcy kryeshyt”, thekson Nishliu sipër urës, derisa me gishtin tregues të dorës së majtë bën nga bregu jugor i lumit. Dimri e pranvera me reshje të bollshme ka fryrë breg më breg lumin. Riga lokale e shiut nuk i pengon fare burrit që para se të nisë intervistën lëshon çadrën e zezë dhe qesen e bardhë me ilaçe pasi kthehet prej anës veriore në jug. Ndërkohë, qielli nis të çelet, por ende ka re të zeza në qiell.
“Ka qenë kënaqësi edhe përpara, edhe u ndalshim tek uji, edhe i shihnim disa kajakista”, thekson burri ekspresiv. “Kanë ushtru kajakë, bile klubi i tyne është poshtë kësaj ndërtese, ‘s’e kanë pasë larg ujin, Ibrin”, shton Nishliu, duke u kthye nga ana veriore për të treguar vendin ku sportdashësit e sportit ujor mblidheshin, pavarësisht dallimeve etnike e të tjera. Kajakistët mitrovicas merrnin pjesë në gara federative në Jugosllavinë e atëhershme që theqafjen do ta merrte pas ngritjes së Slobodan Milosheviqit në fund të viteve tetëdhjetë. E nisi në Kosovën me retorikën që paralajmëronte luftë e gjak me planin për një Jugosllavi serbe. Pasojat e asaj politike ende po i vuan Kosova, sidomos Mitrovica e ndarë në dysh e shpesh me tensione. Poshtë urës së Ibrit, pëllumbat grimcojnë kafshata buke e mbetjesh të tjera ushqimore të hedhura në këmbën jugore të saj. Sipër, shqip e serbisht flasin kalimtarët. Serbët refuzojnë të flasin, derisa kalojnë në pjesën jugore.
“Xhungla e Mitrovicës”
Përgjatë bregut afër qendrës së kulturës, dikur kishte më shumë hapësira gjelbëruese, kujton Nishliu.
“Një gjelbërim natyral me gjethe. Ne këtu i thoshim xhungla, xhungla se ishte shumë i dendur”, kujton ai. Hijeve, të rinjtë në grupe e familjet shtronin batanijet e cakërronin gotat. Dikush ia thoshte edhe këngës. “Meze, raki kanë shtru, kanë nejtë mitrovicasit e vjetër pranverë, verë”, kthehet më shumë se gjysmëshekulli në kohë Nishliu, që me krenari tregon se është xhaxhai i Rona Nishliut, këngëtares që më 2012 përfaqësoi edhe Shqipërinë në “Eurovision” me “Suus”.
“Me fat” shkuan poshtë imazhit të një minatori mural në shtyllën e betontë të urës midis shtratit të Ibrit. “Në shek. I të e.r. Iliria u gjend nën sundimin romak. Mitrovica në këtë kohë mund të ketë qenë stacion pushimi dhe si vend i përpunimit të metaleve”, shkruan në vjegëzën e “Historikut” të uebfaqes zyrtare të komunës së MItrovicës së Jugut. “Në kohën romake, pas Ulpianës, qendra e dytë e rëndësishme ishte Municipium DD afër Soçanës (Soçanicës) e banuar edhe në parahistori”, shtohet po aty, derisa njëherësh shkruan se pozita strategjike dhe sidomos ajo gjeografike në mes dy lumenjve të rëndësishëm, Ibrit e Sitnicës, ka bërë që territori i Mitrovicës të popullohet qysh në parahistori. Sot shumë mitrovicas ankohen se janë lënë pas dore nga niveli qendror dhe se të rinjtë po largohen. Nuk ka një plan të qartë për ta bashkuar qytetin.
Në urën që tani ndan, dikur lypësit asgjë nuk e linin në duar të fatit përderisa kërkonin lëmoshë përgjatë urës së vjetër, kujton analisti politik, Nexhmedin Spahiu, që do të rritej në anën veriore të qytetit. Gjyshi e merrte për dore sa herë shkonte në pazarin e qytetit.
“Gjyshi nuk kalonte asnjëherë pranë një lypësi pa ia dhanë ndonjë monedhë”, thotë Spahiu para urës. “Përshtypja që më bënte kur kalonim: kur e shihnin gjyshin me plis të bardhë, që vinte nga kjo anë, gjithë lypësit nga ajo anë, kalonin këndej”, rrëfen ai.
Fëmijët kalonin përgjatë urës nga veriu në jug, duke u lëshuar me saja prej teposhtëzes së rrugës së spitalit në anën veriore, kujton Nishliu. “Hypshim në saja dhe vishim deri këtu tek ura e vjetër e Ibrit”.
Për kohën kur ura ishte vend i bashkimit pa dallim etnik në qytetin e ndarë flet edhe artisti e aktivisti i të drejtave të njeriut, Halit Barani. Madje kujton se si drunjtë e prerë për nevoja industriale, priteshin e hidheshin në Rozhajë në shtratin e Ibrit dhe me grepa nxirreshin pranë urës, ku dikur kishte edhe një mulli dhe xhamia më e vjetër, që tashmë shihet vetëm në fotografi pasi serbët e dogjën më 1999 dhe më nuk lejuan të rindërtohej.
Ura e rrënjëve të Mitrovicës
Spahiu thotë se me hapësirën përreth urës së sotme lidhen rrënjët e qytetit të Mitrovicës. “Është e qartë se dokumentet të cilat janë gjetur buzë lumit Sitnica tregojnë se ky ka qenë një vendbanim i lashtë”, thekson ai.
Në “Historikun” e Komunës së Mitrovicës së Jugut thuhet se Albaniku (Monte Argentarum), i pasur me argjend e plumb prej kohës antike deri në Mesjetë, pastaj Trepça si vendburim i madh i plumbit, klima e përshtatshme, kushtet e mira për t’u marrë me bujqësi, blegtori, tregti e të tjera, “kanë ndikuar në koncentrimin e popullsisë në këtë mjedis. Pra, motive ekonomike për themelimin e vendbanimeve dhe për përqendrimin e popullsisë në këtë trevë, para së gjithash, kanë qenë blegtoria, bujqësia, gjuetia e më pas edhe xehetaria në fillim e zhvilluar në masë modeste për t’u bërë më vonë një ndër shkaqet kryesore të depërtimit romak dhe pushtuesve sllavë, osmanë e të tjera, në këtë anë”. Më tej thuhet se “kjo trevë, sikurse pjesët e tjera të Gadishullit Ilirik, në lashtësi ka qenë e banuar me banorë ilirë, përkatësisht fisin dardan”.

E ura do të ndryshonte pamje me ndryshimin e regjimeve pushtuese. “Kur, pikërisht në këtë vend është ndërtuar ura, kjo nuk mund të dihet”, thekson Spahiu. Në uebfaqen “albanian history.net” të studiuesit të shquar të shqiptarëve, Robert Elsie, ka fotografi të fillimshekullit njëzetë të urës me gurë e me parmakë të drunjtë. Përgjatë saj, kalojnë shqiptarë me plisa e veshje tradicionale. Ka edhe të marshimit të trupave austriake gjatë Luftës së Parë Botërore.
“Ura që unë e mbaj mend, është ndërtuar në vitin 1942 në kohën kur këtu ka qenë qeveria e Nediqit, domethanë e pushtuar nga gjermanët. Ura do të zgjerohej nën pushtimin komunist jugosllav”, thotë Spahiu.
“Ura më e famshme në botë”
Mitrovicasit do të kalonin përgjatë urës edhe në ditët e para të çlirimit, por do të mbyllej në fund të qershorit të vitit 1999. Barani flet për vendimin e Misionit të OKB-së në Kosovë dhe të KFOR-it për ta mbyllur qarkullimin e makinave dhe legjitimimin e kalimtarëve në ditën kur përgjatë saj do të marshohej me thirrjen për paqe.
“Deri më 26 qershor, ura ka qenë e hapur, kanë lëvizur qytetarët”, thekson Barani, duke treguar se paqeruajtësit e Francës i lejuan të kalonin në veri në kuadër të marshitës që parashihte kthimin tek ura prej anës jugore. “Kur kemi ardhur prapë me kalu urën, i ka vënë telat gjemborë ushtria franceze”. Ura do të kthehej në arenë të përplasjeve ndërmjet serbëve, që tashmë po kontrollonin veriun, dhe shqiptarëve që mundoheshin të kalonin nga jugu në veri, por në urë ndaleshin prej ushtarëve e policëve ndërkombëtarë, që përdornin gazin lotsjellës. Nami i zi do t’u dilte edhe të ashtuquajturave “Rojave të Urës”, që sipas Baranit, veprimtar i KMDLNJ-së që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, udhëhiqeshin nga lideri i vrarë serb, Oliver Ivanoviq.
Spahiu kujton se si shefi i Misionit të OKB-së në Kosovë, francezi Bernard Kouchner, e kishte ftuar më 1999 që t’ua mbante në urë një ligjëratë ambasadorëve të pesëmbëdhjetë vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. “Dhe pikërisht këtu në urë derisa po mbaja ligjëratën, kryetari i Këshillit të Sigurimit (kryetari i delegacionit,v.j.) u ftua me telefon satelitor dhe pyetja ishte se ku ndodhesh dhe ai tha: Ndodhem në urë. Në cilën urë?, po e pyesnin. Tha: Në urën më të famshme në botë”, kujtonte Spahiu. “Kjo sigurisht se më ka bërë përshtypje edhe për shkakun se, edhe pse atëherë e shihja si fatkeqësi çfarë po ndodhte me urën e Ibrit, ndarja e qytetit e të tjera, megjithatë më bëri të ndihem mirë që kjo qenka ura më e famshme në botë”, thotë ai.
“Nata e tmerrit” para syve të KFOR-it
Fillimishkurti i vitit 2000 do ta trondiste mbarë Kosovën kur mediat filluan të raportonin dëshmitë e familjarëve të viktimave shqiptare, që akuzuan bandat kriminale serbe, të mbështetura nga Serbia. Barani thotë se gjatë natës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, u vranë dhjetë civilë shqiptarë në anën veriore.
“I kanë pushkatu natën, mrena nëpër shtëpi të veta, dhjetë shqiptarë. Pesë femra dhe pesë meshkuj. Në mesin e tyre edhe një fëmijë 13-vjeçar, Nderim Ajetin. Atij ia kanë plagos babën dhe motra e tij sot e asaj dite është pa këmbën e djathtë. Është Rrezarta Ajeti”, thekson Barani para zyrës së KMDLNJ-së pranë urës. 25 civilë ishin plagosur e dhjetëra të tjerë ishin keqtrajtuar – dy prej tyre do të vdisnin nga plagët në fund të shkurtit në QKUK. Nga viti 2000 deri më 2004, nga veriu u dëbuan 1.564 familje me 11.364 anëtarë, thotë Barani. “Të gjithë shqiptarë”.
Barani thotë se trupat franceze nuk i kishin mbrojtur qytetarët civilë matanë lumit. “Ajo quhet nata e tmerrit”, thekson ai. “Edhe Ushtria franceze, edhe Policia e UNMIK-ut vetëm kanë këqyrë dhe kanë ba sehir”.
“Austerlitz”, sinonim i betejës së përgjakshme
E francezët, që edhe atëherë ishin përgjegjës për komandën e KFOR-it për rajonin verior të Kosovës – prej pesë zonave sa ka KFOR-it – do t’ia linin urës emrin “Austerlitz”. Emërtimi që francezët ia kishin vënë urës, e cila ndan qytetin e Mitrovicës, 24 vjet më parë, ka dalë të mos jetë rastësi. “Austerlitz” – sinonim i betejës së përgjakshme të para 218 vjetëve kundër austro-rusëve – vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Jo rrallë ka qenë arenë e përplasjeve edhe të përgjakshme.
Spiralja disavjeçare e dhunës përreth urës është ndalur. Por beteja politike për hapjen e saj nuk ka përfunduar. Jostabiliteti politik, incidentet ndëretnike dhe krimi i organizuar konsiderohen rreziqet më të mëdha për sigurinë në veri të Kosovës.

Historikisht ura ka qenë burim tensionesh e konfliktesh. Në shtator të vitit 2009 ishte rihapur pjesërisht për qarkullim. Ajo ishte përforcuar me forca policore vendëse e ndërkombëtare. Por ura u betonua me rërë e gurë nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat ndodhen në kufi me Serbinë. Një polic i Njësisë Speciale të Kosovës ishte vrarë në këtë aksion.
Pas largimit të gurëve e rërës, veriorët ndërtuan një të ashtuquajtur “Park i paqes”. Ky park, që zëvendësoi barrikadën, e la të lirë urën vetëm për disa orë. Por me marrëveshje tjetër, palët u dakorduan që barrikada park të largohet dhe rivitalizimin e urës ta bëjë Bashkimi Evropian.
Ndërtimi i një muri të lartë dy metra e gjysmë brenda javës kishte rikthyer tensionet përreth. Pengesa u vendos në mes të rrugës nga Komuna e Veriut. Për të shmangur përdorimin e forcës nga Prishtina, veriorët e rrënuan atë. Ndodhi kjo në shkurt të vitit 2016 pas marrëveshjes shumëpalëshe mes Qeverisë së Kosovës, Komunës së Mitrovicës Veriore, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Paralelisht rinisi punimet BE-ja dhe qeverisja lokale e veriut në sheshin “Mbreti Pjetër”. Por disa incidente afër shtatores së Car Llazarit në vitin 2017 u morën si pretekst për t’i ndalur sërish ekskavatorët.
“Kur Edita Tahiri negocionte me Qeverinë e Serbisë për punën e hapjes së urës, atëherë u bë marrëveshje që ura të ngushtohet. Kjo është marrëveshja më e çdutishme në botë, sepse në histori zakonisht nuk ka ndodhur që urat të ngushtohen, ka ndodhur të zgjerohen ose të prishen në rast lufte për shkaqe ushtarake e të tjerë, por që një urë të ngushtohet, vetëm marrëveshja e Brukselit dhe budallallëku dhe jopatriotizmi i skajshëm i Edita Tahirit ka mundur me ba një marrëveshje të tillë”, thekson Spahiu.
“…ura hapet brenda ditës, brenda një ore”
Pika e pestë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes flet për çështjen që nuk ka të bëjë fare me urën, e ku palë implementuese definohen autoritetet lokale në Mitrovicë dhe Qeveria e Kosovës. Por caktimi i kufirit administrativ mes Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut ka mbetur peng i pretendimit të veriorëve që brenda kufijve të vet ta përfshijë edhe Suhodollin.
Spahiu thotë se presioni eventual i Perëndimit ndaj Serbisë do ta detyronte Serbinë që të pajtohej me Kosovën për një marrëveshje të detyrueshme paqe, duke e hapur kështu rrugën edhe për heqjen e murit të betontë në anën veriore të urës.

Barani, ndërkaq, kërkon që Serbia të kërkojë falje për vrasjen e mbi dhjetë mijë civilëve shqiptarë gjatë e pas luftës, duke trasuar rrugën për tejkalimin e armiqësive.
“Nëse është e gatshme bashkësia ndërkombëtare, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, që është duke i përkrahur skajshmërisht bandat kriminele serbe, ura hapet brenda ditës, brenda një ore”, thekson Barani me pezëm.
Nishliu në urë kujton vitet tetëdhjetë kur të rinjtë mitrovicas kapërcenin dallimet etnike falë vlerave e frymëzimeve artistike të mitrovicasve që krenohen si vatër e muzikës rock në Kosovë. Ai thotë se në shumicën e bendeve mitrovicase të rockut kishte edhe anëtarë serbë.
“I kam dëgju një ditë në një televizion serb; flisnin me nostalgji ata të inkuadruar në qato grupe”, thekson ish-kameramani i RTP-së që kishte xhiruar edhe filma të ndryshëm të kinematografisë kosovare. “Ka njerëz të cilët prej asaj ane, të cilët kishin deshtë me bashkëpunu, por nuk e di se sa kish me pasë sukses sikur dikur ka qenë ajo, sepse ata nuk munden me ndi ma veten hegjemonë edhe në grupe të rock muzikës se s’janë ma”, thekson Nishliu anash urës. Prapa shpinës ulen e ngrihen pëllumbat e egër. Nga lisat e bregut verior që porsa kanë nisur të vishen me gjethe në pranverën e vonuar, dëgjohet jehona e krrokamave të sorrave. Mbi urë, patrullojnë policë vendorë e karabinierë italianë bashkë me ushtarët e KFOR-it.
Nishliu ende nuk e di se edhe sa kohë do të kalojë që më të mos shohë as ushtarë e policë përgjatë saj. Por përherë do t’i kujtohen ditët kur pa frikë hidhej në ujin e Ibrit. Në rrethin para anës jugore të urës, shenja kaltër e bardhë e trafikut të urdhëron të drejtosh makinën djathtas. Në anën veriore, muri i betontë kuq e bardhë, të kujton titullin e njërit prej reportazheve të “Udhëtim në Evropën Lindore” të Gabriel Garcia Marquezit, “Perdja e Hekurt është një tra i lyer me të kuqe dhe të bardhë”.