Shtojca për Kulturë

Miti i luftëtarëve serbë që “shpëtuan Evropën, madje edhe Rusinë”

Oliver Schmitt përmbys paradigmën kërkimore shkencore që i përshtatej diskursit politiko-shtetëror, sipas të cilit nuk ishte ushtria serbe ajo që arriti fitoren kundër fashizmit dhe që “çliroi Beogradin, Jugosllavinë dhe Evropën së bashku me Rusinë”. Ky mit i luftëtarëve serbë trima, që gjoja shpëtuan Evropën, madje edhe Rusinë dhe që bënë qëndresë heroike antinaziste, kishte shërbyer në Perëndim si arsyetim për refuzimin e tejzgjatur të bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmerrte aksione ushtarake kundër agresionit brutal të Beogradit në vitet 1990-a

Në pjesën e tretë të veprës “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-imperiale”, Oliver Schmitt trajton dekadën e dytë të luftës në vitet 1939-1949, e cila paraqet vitet në dramatike për historinë e shteteve ballkanike, kalimin e tyre nga regjimet mbretërore në Luftën e Dytë Botërore dhe që përfundojnë me vendosjen e rendit komunist. Ashtu si me Luftën e Parë Botërore, fundi i gjatë i luftës vlen veçanërisht për Greqinë, e cila gjatë kohë u trondit nga lufta civile, që përfundoi me mundjen e komunistëve grekë nga antikomunistët e përkrahur prej Britanisë së Madhe dhe SHBA-së. Këtu autori zgjedh në mënyrë të veçantë qasjen e historisë së dhunës dhe analizon rolin e shteteve ballkanike në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe të Shoahut. Për shembull, këtu rivlerësohet pozicioni i dy anëtarëve të boshtit: Bullgarisë dhe Rumanisë, roli i pavarur i të cilave theksohet dhe shtrohet çështja e përgjegjësisë së tyre në Holokaust, por nuk potencohet rasti shqiptar i shpëtimi i hebrenjve, një kontribut i njohur dhe i vlerësuar lart edhe nga shteti i Izraelit.

Në kuadër të këtij kapitulli, Schmitti përmbys paradigmën kërkimore shkencore që i përshtatej diskursit politiko-shtetëror, sipas të cilit nuk ishte ushtria serbe ajo që arriti fitoren kundër fashizmit dhe “çliroi Beogradin, Jugosllavinë dhe Evropën së bashku me Rusinë”, duke veçuar këtu luftërat në Bosnjë dhe rolin vendimtar të trupave të shumta bullgare për marrjen e pushtetit në Serbi nga partizanët e Titos. Ky mit i luftëtarëve serbë trima, që gjoja shpëtuan Evropën, madje edhe Rusinë dhe që bënë qëndresë heroike antinaziste, po ashtu kishte shërbyer në Perëndim si arsyetim për refuzimin e tejzgjatur të bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmerrte aksione ushtarake kundër agresionit brutal të Beogradit në vitet 1990-a.

Fati gjeopolitik i Ballkanit

Si në fillim dhe mbarimin shekullin XX, edhe në këtë periudhë fati gjeopolitik i Ballkanit do të vendosej, jo vetëm në betejat rajonale, por edhe në nivelin e fuqive të mëdha perëndimore (SHBA dhe Britania e Madhe), të cilat me përjashtim të Greqisë, nuk arritën të imponojnë demokracitë shumëpartiake. Ashtu si për Stalinin që Greqia nuk ia vlente aq sa të rrezikonte një konflikt me Perëndimin, ashtu edhe SHBA dhe Britania e Madhe nuk rrezikun për Hungarinë apo Çekosllovakinë për t’u përplasur ushtarakisht me Bashkimin Sovjetik.

Ky pozicion i balancuar i superfuqive mbeti vendimtar për fatin e komunistëve grekë, të cilët ishin rreshtuar në krahun e Moskës, apo opozitën liberale, apo forcat antibolshevike në vendet komuniste, që prisnin ndihmën e Perëndimit, etj., është trajtuar nga Schmitt si një histori e pashkruar e humbësve të Luftës së Dytë Botërore, që ose përfunduan në burgje ose shkuan në ekzilin e gjatë politik. Ky bilanc dhe rregullim i pasluftës në shtetet e Ballkanit, sipas autorit, u determinua nga dy impulse të jashtme: sulmi gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, që nënkuptonte fuqizimin e krahut komunist në luftën kundër nacional-socializmit, dhe diferenca vendimtare që bëri largimi i Britanisë së Madhe nga forcat nacionaliste në Shqipëri dhe Serbi dhe rreshtimi i tyre kah partizanët komunistë. Një karakteristikë tjetër përcaktuese e shekullit XX mbeten edhe përpjekjet e dështuara për të vendosur në rend post-perandorak brenda-rajonal, bazuar në parullën “Ballkani popujve të Ballkanit”, për shkak se prapa federalizmit ballkanik të komunistëve fshiheshin interesa hegjemoniste nacionale. Dhe, pikërisht këto dallime nacionale në rajon, të cilat kanë ekzistuar në fillimshekullin XX, janë prezente fuqishëm edhe tani në forma të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pikërisht në zonën e dikurshme të shtetit osman.

Homogjenizimi post-perandorak i shteteve ballkanike

Në pjesën e katërt dhe të fundit të librit, e cila përqendrohet në periudhën e komunizmit në Ballkan, që njihet si periudha e Luftës së Ftohtë, Schmitt bën një trajtim dhe analizë interesante lidhur me homogjenizimin post-perandorak të shteteve ballkanike, duke i përkufizuar vitet 1945-1965 si dekada staliniste. Ishte ky modeli i Jaltës i formësuar nga Franklin Roosevelt dhe Winston Churchil dhe Joseph Stalini, ishte bërë sinonim i fuqive të mëdha që gdhendën Evropën në sferat perëndimore dhe lindore të ndikimit. Përpos kësaj ngjarjeje, Schmitt konkludon se Kongresi XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitin 1956 ishte pikë kthese në historinë e superfuqisë së dytë, por edhe të shteteve vasale sovjetike të Ballkanit, të cilat destalinizimin e nisur në Bashkimin Sovjetik e shihnin si kërcënim për qeveritë e tyre.

Në këtë kontekst, autori përshkruan dallimet e regjimit komunist në shtete të ndryshme të Ballkanit, duke u ndaluar tek efektet e destalinizim sovjetik, që kulmuan me ndryshimin e politikës së Moskës ndaj Jugosllavisë dhe njëkohësisht me largimin e Shqipërisë nga orbita sovjetike dhe afrimi me shtetin kinez të Maos. Sipas autorit, derisa në Shqipëri, por edhe në Bullgari dhe Rumani, nuk kishte destalinizim, në Jugosllavi ndryshime thelbësore ndodhën në mesin e viteve 1960. Paralelisht, në këtë libër mësojmë se doktrinat ekonomike dhe politike të shteteve komuniste bazoheshin në shumë gënjeshtra dhe kontradikta e padrejtësi të thella të brendshme, të cilat prodhuan zhgënjime të mëdha. Në këtë kuadër, Schmitt argumenton se ky orientim ideologjik i nxiti regjimet komuniste që të impononin industrializimin socialist në shoqëritë fshatare dhe duke pasur shumë rezultate çnjerëzore. Ndërsa, hegjemonia e re diskursive ishte ajo e çlirimit kombëtar (nacionalçlirimtar), e shtetndërtimit socialist, e institucioneve dhe ekonomisë së centralizuar e të tjera. Hegjemonia e re u imponua përmes delegjitimimit të rendit të vjetër dhe njëkohësisht edhe të trashëgimisë së zbehur perandorake.

Shkëlqimi i rremë i Jugosllavisë

Në këtë mes, sipas Schmittit, Jugosllavia provonte të dukej si një rast i veçantë, edhe pse nuk ishte vend demokratik, siç portretizohej nga jashtë; hoqi dorë nga kolektivizimi i modelit sovjetik dhe nga ndikimet e pop-kulturës perëndimore, duke fituar legjitimitetin në mesin e klasës së re intelektuale dhe të rinisë. Në këtë linjë, ky shtet multientik, që ndodhej në një luftë permanente për gjetjen e ekuilibrave të brendshëm ndëretnikë dhe legjitimitet, provoi të shpërfaqej si një aktor i politikës globale përmes Lëvizjes së Painkuadruarve, derisa vendet e tjera si Bullgaria dhe Rumania nën varësinë sovjetike, pastaj me Shqipërinë, e cila nga një vend agrar provoi pasuksesshëm industrializimin e saj në varësi të ndihmës sovjetike edhe më pas asaj kineze, duke përfunduar në një vetizolim shkatërrues dhe një diktaturë tepër represive, respektivisht në një kolaps total të shtetit shqiptar në vitin 1991.

Në këtë mes, një vend të dukshëm zënë edhe zhvillimet në Greqi dhe përpjekjet e gjata për stabilizim pas luftës civile, të cilat përfundojnë me stabilizimin e demokracisë si rezultat i përkatësisë së shtetit grek në pjesën hapësirës euro-atlantike (NATO-s dhe e BE-së). Historinë e pasluftës botërore të Ballkanit Schmitt e kornizon në tri segmente kohore, të cilat janë strukturuar rreth viteve 1956, 1968 dhe 1989. Janë vite që simbolizojnë zhvillimet pan-evropiane dhe globale. Por, këto tri vjet e tërhoqën Ballkanin nga zhvillimet pan-evropiane, meqë nuk pati destalinizim, nuk pati shpërthim shoqëror si në Evropën Perëndimore dhe nuk pati revolucion paqësor dhe kalim në demokraci. Pos kësaj, nëse në Shqipëri feja ishte ndaluar me ligj për shkak të konsideratave të kohezionit kombëtar, në Rumani, e cila gjithashtu ishte komuniste, feja kishte mbetur të paktën po aq prezente sa në Greqi. Ndërkohë, Jugosllavia siguroi peshë politike globale përmes rolit udhëheqës në Lëvizjen e të Painkuadruarve, që në fakt, autori e konsideron së një “politikë që i dha Jugosllavisë një shkëlqim të rremë” (fq.493). Në këtë kontekst, autori argumenton se Jugosllavia e shihte me shqetësimi afrimin e superfuqive, pasi në një botë bipolare, ajo do të humbiste rolin dhe rëndësinë e saj strategjike.

Mbijetesa e nacionalizmit dhe institucionalizimi i tij

Një këndvështrim interesant dhe bindës ofron autori në këtë kapitull, mbijetesën e nacionalizmit në periudhën socialiste, që rrezon mitin e përhapur se sistemet komuniste e hoqën nga agjenda çështjen e nacionalizmit ose i vunë vulë zgjedhjes së çështjes nacionale. Në fakt, shtetet komuniste ballkanike po e instrumentalizonin nacionalizmin shtetëror pothuajse kudo dhe se kjo trashëgimi përfshinte edhe një konglomerat të partive dhe shërbimeve sekrete pos-komuniste.

Në këtë kuptim, kjo dëshmon se shtetet e Ballkanit gjatë gjithë periudhës komuniste nuk arritën të tejkalonin plotësisht trashëgiminë perandorake dhe si rrjedhim deri në përfundim të shekulli XX nuk u shuan kundërthëniet dhe represioni ndaj shqiptarëve në Kosovë, turqve në Bullgari, apo hungarezëve në Transilvani. Kjo është arsyeja përse këto tendenca nacionaliste dhe ksenofobisë, të cilat ishin forcuar gjatë viteve 1980, e frenuan Ballkanin që të bëhej pjesë e dinamikës pozitive të Evropës Qendrore-Lindore pas vitit 1989. Për shembull, për Jugosllavinë viti 1989 është më i parëndësishëm sesa viti 1991, pasi në këtë vit u vulos shpërbërja e shtetit jugosllav, shkaktuar nga udhëheqja nacionaliste serbe, e cila u përpoq të krijonte “një jugosllavizëm të tipit Rankoviqian”, siç thotë edhe ish-ministri i Jashtëm jugosllav, Millosh Miniq, ose një Serbi të madhe, ku do të bashkoheshin jo vetëm të gjithë serbët, por do të mbahej e aneksuar Kosova dhe pjesë të territorit boshnjak e kroat.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë