Salla e Filarmonisë së Beogradit ka qenë plot në koncertin e Rona Nishliut. Përderisa pak minuta para koncertit nja 10-15 veta nuk kanë harruar që në formë të protestës të kujtojnë se “Kosova është Serbi”, publiku ka shijuar këngët shqipe të përpunuara në jazz. Nuk janë mjaftuar as pas dy orësh koncert dhe për këtë e kanë rikthyer në skenë
Beograd, 19 shtator 2014 – E shoqëruar nga pianisti, ajo nuk bën një hyrje të zakonshme në skenë. Kur dritat fiken, publiku tubohet e salla e Orkestrës Filarmonike të Beogradit ndriçohet nëpërmjet dritave të vogla skenike, hapet një derë. Me një fustan të zi, të gjatë, Rona Nishliu improvizon tinguj teksa ecën drejt vendit të saj në skenë. Pastaj ndalet, merr mikrofonin në duar dhe bëhet gati për udhëtimin muzikor, “stacionet” e të cilit janë këngë tradicionale shqiptare. Ajo nis performancën me “Me motivet tona”, një krijim autorial, që e këndon e shoqëruar me tingujt e pianos së Gent Rushit. Pastaj përshëndet publikun në dy gjuhë: “Mirëmbrëma, Dobro Veče!”, që i shkon krejt për shtat hapjes së një festivali që tingëllon gati njëjtë, “Mirëdita, dobar dan!”. E publiku e ka pranuar përshëndetjen.
“Jam e nderuar që jam këtu për të nderuar një figurë që është burim inspirimi për kaq shumë njerëz.
Të madhin Bekim Fehmiu”, janë fjalët e para me të cilat këngëtarja nga Kosova, Rona Nishliu, i drejtohet audiencës së mbledhur në kryeqytetin serb. Koncerti i Nishliut, që gërsheton nëntë këngë shqipe të përpunuara në frymën jazz, të enjten mbrëma (18 shtator 2014 v.j.) ka hapur festivalin “Mirëdita, dobar dan!”, që mbahet për herë të parë. Me zërin e fuqishëm, lëvizjet skenike, përshkrimet që u bën këngëve para se t’i këndojë, Nishliu – e cila mori famë ndërkombëtare me paraqitjen në “Eurovision” – përvetëson audiencën që e duartroket me ovacion. Në koncertin e saj të parë në Beograd ajo këndon veç në gjuhën shqipe. Rrëfimet e këngëve trajtojnë luftën, festën, trimërinë e dashurinë. U këndon motiveve shqiptare, Hajredin Pashës, momentit kur “i vjen burri nga stani”.
Nga mesi i koncertit ndalet të shpjegojë se kënga e radhës “Një lule” është këngë e “legjendës së gjallë të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha”. Në fund përzgjedh një krijim që Gent Rushi e ka kompozuar për të. Rushi e ka shoqëruar mjeshtërisht në piano.
Rrugëtimi gati dyorësh muzikor përfundon me duartrokitje të shumta. Publiku, i përbërë nga shqiptarë, serbë e të tjerë, e kthen në skenë për së dyti.
“Suus”, dëgjohet një kërkesë nga publiku. Dhe Rona ua plotëson dëshirën për t’i vënë kapak performancës së saj në Beograd me këngën, me të cilën e përfaqësoi Shqipërinë në garën më të madhe të këngës evropiane.
Paraqitja e saj e parë para audiencës së Beogradit përmbyllet me qetësi. Ani pse para fillimit të koncertit një grup prej rreth 15 vetash për pak minuta kishin qëndruar para dyerve të Orkestrës Filarmonike të Beogradit. Për t’i larguar ata ka ndërhyrë policia e shtetit.
Drejtori i festivalit, Miljenko Dereta, pas përfundimit të koncertit të Nishliut, i ka thënë gazetës se reagimet kanë qenë shumë më të vogla sesa që është pritur.
“Më pak se sa që e kemi pritur dhe mendoj se kjo është e rëndësishme. Më duhet të them se Qeveria e ka mbrojtur shumë mirë evenimentin në mënyrë efikase dhe mendoj se ky është një lloj pranimi që ata nuk e përkrahin atë zyrtarisht, por e përkrahin në praktikë”, ka thënë Dereta, teksa ka shtuar se reagime të tilla kanë qenë të pritshme. “Kemi bërë përgatitje, sepse ky është eveniment i rrezikut të lartë. Gjithçka është në rregull. Jeni të mbrojtur”, ka thënë ai.
Mes atyre që i kanë parë nga afër reagimet ka qenë gazetari francez, Jean Baptise Kastel.
“Kanë qenë rreth 10-15 njerëz, me pankarta bardhezi ‘Kosovo je Srbija’. Pas disa momentesh, si me thënë një minutë, policia ka ardhur dhe i ka detyruar të largoheshin”, ka thënë Kastel, tek ka shtuar se kjo kishte ndodhur gjysmë ore para fillimit të koncertit.
Por kjo ka mbetur në hije e Kastel ka komentuar paraqitjen e Nishliut.
“E kam parë në ‘Eurovision’ dhe kjo ka qenë edhe një arsye pse kam ardhur. Ishte performancë e mrekullueshme”, ka thënë ai.
Për ta parë koncertin, e ulur në rreshtin e parë, ka qenë aktorja beogradase Branka Petriq, e veja e aktorit Bekim Fehmiu. Mbi frymën e artistit të madh dhe asaj çfarë ka përfaqësuar në karrierën e tij, që s’ka njohur kufij dhe ka luftuar për shembjen e tyre, ka gjetur zanafillën edhe festivali që është pagëzuar me përshëndetje.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe që kam marrë pjesë në koncert, në këtë sallë përplot me njerëz që kanë duartrokitur. Kjo flet shumë”, ka thënë Petroviq.
Ajo ka uruar Ronën dhe Gentin për një performancë, siç e ka quajtur ajo, jashtëzakonisht të bukur.
“Dikush ka bërë pyetjen se çfarë do të mendonte Bekimi sikur të ishte sonte këtu. Mendoj se do t’i uronte nga zemra. Ai gjithmonë ka konsideruar se nëse merret me art ose cilëndo fushë tjetër, duhet të japësh maksimumin nga vetja, ta dëshmosh veten dhe këta sonte e dëshmuan një gjë të tillë”, ka thënë ajo.
Petroviq e ka quajtur nismë të mirë festivalin “Mirëdita…”.
“Ky festival mbahet në emër të asaj që duhet të bisedojmë. Ne jemi fqinj dhe duhet të takohemi dhe të bisedojmë. Nuk e kam kuptuar këtë si një festival për Bekimin”, ka thënë ajo.
Këngëtarja Rona Nishliu, pas performancës, ka thënë se është e lumtur që ka hapur një festival, që është inspiruar nga Bekim Fehmiu.
“Bekim Fehmiu ka qenë një njeri që i ka dhënë shumë kulturës sonë dhe jo vetëm asaj. Jam ndier shumë mirë kur e kam marrë ftesën, sepse kjo tregon se ky shtet pranon atë që unë bëj dhe atë që unë jam. Kjo është shumë me rëndësi për mua”, ka thënë Nishliu. Ka thënë se për diçka është e sigurt.
“Se kjo performancë sot i hap rrugë një festivali dhe prezantimeve e debateve të tjera në këtë iniciativë”, ka shtuar ajo.
Nishliu ka thënë se koncerti në Beograd është i njëjti me atë që ka pasur në kuadër të festivalit “DAM Fest” dhe se improvizimi që bëjnë me muzikën shqipe i jep hapësirë asaj dhe Rushit të shprehin veten.
“Është një rezultat i gjendjes emocionale, aty ku jazzi përzihet me motive tradicionale të muzikës sonë. Sa herë e kemi luajtur, pas çdo prezantimi kemi pasur reagime interesante”, ka thënë ajo.
Reagimet kanë qenë jo të pakta. Ajo e publikut që e riktheu në skenë është njëra anë e rrëfimit.
“Rona është një jazz-vokal i mahnitshëm dhe këtë e ka dëshmuar krejt në fillim të koncertit me një kontrollim të shkëlqyeshëm të zërit dhe lojës me tinguj”, ka shkruar e përditshmja beogradase
“Danas”, tek e nxjerr edhe porosinë “e përzemërt me mesazhin për shembjen e dallimeve nëpërmjet udhëtimit muzikor në të cilin na ka shpënë e i cili na bën të kuptojmë se nuk dallojmë fort nga njëri-tjetri”.