Shtojca për Kulturë

Mike Hollingsworth: Idesë së mirë i vjen koha gjithmonë

Anibar

“S’kam bërë universitet për animacion. Nisa me festivale, pastaj në Hollywood, e mandej në festivale prapë”, ka thënë Mike Hollingsworth, të shtunën në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në ligjëratën e tij në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar” (Foto: Mirsim Ejupi)

“S’kam bërë universitet për animacion. Nisa me festivale, pastaj në Hollywood, e mandej në festivale prapë”, ka thënë Mike Hollingsworth, njëri prej emrave më të shquar në botën e animacionit. “Prapë në festivale”, ka tjetër kuptim për të dhe është “Anibari” që e ka sjellë në Pejë. Të shtunën, Hollingsworth ka shpalosur rrugëtimin e tij, e që është një rrëfim suksesi si figurë e shquar, i njohur për rolin e tij thelbësor në serialet e para të “Netflixit” si ‘BoJack Horseman”. “Nëse keni ide të mira, veç ju duhet të prisni një moment të mirë. Idetë e mira e gjejnë shtëpinë e tyre, u vjen koha gjithmonë”, ka thënë Hollingsworthi

Në sallën e mbushur pothuajse plot, Mike Hollingsworth hyn me një gotë rakie në dorë. E merr deri te foltorja. E përmend se po e pi, ndërkohë dhe e bën njëfarë promovimi të kësaj pije ballkanike. Njëri prej njerëzve më me nam në botë sa i përket industrisë së animacionit ka një rrëfim inspirues si një djalë që pa bërë universitet për animacion i është rrekur kësaj industrie dhe është bërë animator të cilit ia kanë hapur dyert edhe platforma globale. Midis tyre edhe “Netflixi”. Në Pejë ka arritur si mysafir i edicionit të sivjetmë të Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar”. 

Festivali çdo vit sjell emra të mëdhenj të botës së animacionit. Sivjet qe radha e biondit që ka realizuar serinë me nam, “BoJack Horseman”. Është seri që ka marrë vëmendje botërore me një kokë kali e trup njeriu, personazh nëpërmjet të cilit eksplorohet depresioni, trauma, abortet, adoptimi, racizmi, seksizmi e shumë vese të liga. 

Ligjërata e tij në “Anibar” është titulluar “Nga festivalet e animacionit në Hollywood dhe kthimi prapë te festivalet”. Me të marrë fjalën, Hollingsworth vërehet se përse suksesi i serisë ku komedia është përbërës i rëndësishëm është aq i madh. Ka kreativitet të bëjë sallën për vete qysh në fillim. Dhe këtë temp e mban deri në fjalën e fundit. 

Hollingsworth, nga “Anibari” është përshkruar si figurë e shquar i njohur për rolin e tij thelbësor në serialet e para të ‘Netflixit’ si ‘BoJack Horseman”, e ligjërata e tij qe paralajmëruar si një udhëtim humoristik nëpër karrierën e tij, duke filluar nga krijimi i filma të shkurtër animacioni për festivalet e filmit si ‘Anibar’, deri në krijimin e një nga serialet më ikonike të Netflixit”. Përvoja e tij në krijimin e filmave të shkurtër të pavarur e ndihmoi në ngjitjen e tij të shpejtë në industrinë e animacionit. “Nga ditët e hershme si animatori i parë i përbashkët i ‘Netflix’, duke drejtuar episodin pilot të ‘BoJack Horseman’ në vitin 2013, deri në mbikëqyrjen e të gjitha gjashtë sezoneve si drejtori mbikëqyrës dhe më pas si bashkëprodhues ekzekutiv, historia e Hollingsworthit është një dëshmi e fuqisë së pavarësisë kreative dhe durimit në Hollywood”, ka kishte qenë paralajmërimi. E shtuna e ka konfirmuar. Ligjërata e saj ka qenë humoristike po se po, por mbi të gjitha përmbajtjesore dhe inspiruese.

Skenë nga animacioni “BoJack Horseman”, në të cilin ka punuar Mike Hollingsworth që kritika e ka cilësuar edhe si “animacionin më të mirë të shekullit 21” 

Pa shkollë për animacion deri në Hollywood

“S’kam bërë universitet për animacion. Nisa me festivale, pastaj në Hollywood, e mandej në festivale prapë”, thotë ai. Shton se ligjëratën e ka përgatitur në shqip. Në ekran shfaq fjalinë: “Unë jam njeriu që vizaton kalin e trishtuar”. Provon ta lexojë atë në shqip dhe fjalët dalin si prej një njeriu që kurrë një “a” të shqipes nuk e ka shqiptuar. Krejt kjo ndez të qeshura në sallë, përderisa Hollingsworth (48) thotë se nuk është asgjë, pasi në spanjisht është edhe më zi. 

“The mustache context” shfaqet më pas si një prej videove të para shumë të thjeshta të punuara nga ai në bardhezi. Bëhet fjalë për krijesa ujore ku krejt ngjarja zhvillohet nën ujë. Dhe më pas peshku del prej ujit dhe historia e tij kreative merr kthesë më 2013, kur bëhet animatori i parë i kontraktuar nga “Netflix”. 

“’The mustache context' ka qenë e lehtë, por edhe e varfër. I kam punuar disa animacione të shkurtra. I lansoja në ‘YouTube’ dhe tashmë shikoheshin shumë, pasi media u liberalizua me daljen e platformave online”, thotë ai. 

I ka këshilluar të rinjtë vendorë që t’u rreken fillimisht animacioneve të shkurtra, pasi kësisoj do të investonin shumë mirë në karrierën e tyre. “Filloni me shumë animacione të shkurtra, e mandej mund të bëni edhe gjëra të mëdha”, thotë ai. Këshillat e tij kanë nisur që nga zhvillimi i koncepteve. Ka thënë se në këtë moment bazik duhet të jenë shumë të vëmendshëm se cilat ide që i kanë në kokë duan t’i çojnë përpara. 

“Ideja është që të zhvilloni idenë sa më mirë”, ka thënë ai. Më pas menjëherë ka thënë se duhet shkruar skenari bashkë me krejt detajet e tjera. E ka marrë me mend se ditëve të sotme njerëzit nuk shkruajnë aq me qejf. Tërthorazi e ka përmendur këtë dhe ka thënë se “duhet shkruar shumë”. “Nëse e keni konceptin, shkruajeni atë gjithsesi”, ka këmbëngulur ai. Më pas ka dalë të karakteret. I ka treguar shumë versione të kalit të tij që e ka “shëtitur” botën. 

“Te karakteret provoj shumë dimensione...”, ka thënë ai. Vëmendja ka qenë e tëra tek ai. 
Pas një gllënjke raki, ka vazhduar të flasë për dialogët dhe ka rekomanduar që fillestarët të përdorin miqtë e tyre për t’u dhënë zë personazheve të animuara. Edhe aktorët lokalë sipas tij, bëjnë punë. 
“Një nga gjërat madhështore të animacioneve të shkurtra është muzika”, ka thënë ai. Gjithsesi sipas Hollingsworthit, kjo pjesë duhet bërë me muzikantë profesionistë. Pa pushim ka dalë te montazhi. Të rinjtë e shumtë, prej tyre goxha entuziastë të animacionit me sytë katër e kanë dëgjuar. Te montimi ka rekomanduar që të konsultohen shumë montazherë. 

“Montimi është gjuhë e veçantë”, ka thënë ai. Sa u përket proceseve të punimit të animacionit, në fund ka përmendur promovimin. Ka thënë se tashmë promovimi është një prej më të rëndësishmëve. 
Pjesëmarrjen në festivale e ka përshkruar si një prej veprimeve më të mira. Sipas animatorit, që ka prekur majat e kësaj industrie pjesëmarrja e lidhja me festivale mund t’i shpie të rinjtë të gjërat e mëdha.

“Arti është madhështor, interpretohet në mënyra të ndryshme”

Në bashkëbisedim me të pranishmit, Hollingsworthi ka thënë se shpesh kur pyetet për skena se përse ajo është kështu ose tjetra ashtu, thotë se nuk e di. 

“Arti është madhështor, pasi mund të interpretohet në mënyra të ndryshme”, ka thënë ai. Këshillat e tij janë të vlefshme, pasi bëhet fjalë për alamet animatori. 

“BoJack Horseman” arriti një sukses të madh kritik, duke u renditur si seriali më i mirë origjinal i “Netflixit” të të gjitha kohëve nga Thrillist dhe Uproxx, ndërsa IndieWire e quajti “BoJack Horseman” serialin më të mirë të animuar të të gjitha kohëve. BBC e deklaroi “BoJack Horseman” si “animacionin më të mirë të shekullit 21”. Në biografinë e tij të afishuar nga “Anibari” shkruan se përkundër suksesit monumental, Hollingsworth me humor thotë se “prindërit e tij ende nuk e kanë parë ‘BoJack Horseman’, edhe pse ai paguan llogarinë e tyre në ‘Netflix’”. “Udha e tij nga animatori i pavarur në yll Hollywoodi, është një dëshmi për vizionin e tij krijues dhe aftësinë për të shtyrë kufijtë e rrëfimit animacion”, shkruhet aty. 

Në ligjëratë ka thënë të ketë qenë i llastuar si animator i pavarur. Por mbi të gjitha, është ndalur tek ideja. Sipas tij, ajo është baza dhe nuk humbet. I vjen koha kurdo. 

“Nëse keni ide të mira, veç ju duhet të prisni një moment të mirë. Idetë e mira e gjejnë shtëpinë e tyre, u vjen koha gjithmonë”, ka thënë Mike Hollingsworth.