Përtej fytyrës publike të një hard-rockeri ekstrovert, ai pretendonte se ishte i turpshëm. Jashtë skene, Meat Loaf – i cili vdiq të enjten e 20 janarit në moshën 74-vjeçare – ishte një person që refuzonte pirjen e duhanit, që kurrë s’kishte pasur motoçikletë e se gjithmonë “ishte në dietë”.
Rock-operat bombastike të Meat Loafit ia kanë dhënë statusin e një ikone muzikore. Albumi që ia solli depërtimin, “Bat Out of Hell”, është një nga albumet më të shitura të të gjitha kohëve. Por përtej fytyrës publike të një hard-rockeri ekstrovert, ai pretendonte se ishte i turpshëm.
Jashtë skene, ai ishte një person që refuzonte pirjen e duhanit, që kurrë s’kishte pasur motoçikletë e se gjithmonë “ishte në dietë”.
U lind me emrin Marvin Lee Aday më 27 shtator të vitit 1947 në Dallas të Teksasit. Ishte i biri i një zyrtari policor alkoolist. E ëma e tij ishte mësuese që këndonte në një kuartet të ungjillit për vajza. Ajo ia doli ta instalonte dashurinë për performim te fëmija i saj i vetëm.
Këngëtari i kishte treguar ikonës mediatike, Oprah Winfrey, më 2016 se nga erdhi emri i tij, Meat Loaf (Meatlof është specialitet me mish të bluar që kombinohet me përbërës të tjerë duke u pjekur ose tymosur në formën e një buke).
“E mora kur isha vetëm katër ditë”, kishte deklaruar ai. “Jo pjesën Loaf, por vetëm Meat, sepse isha i lindur tërësisht në ngjyrë të kuqe të ndezur”.
“Doktori sugjeroi të më mbanin në spital për disa ditë dhe babai im kishte thënë: ‘Ai ngjan në pako mishi mbi katër kilogramë. Dua t’ia vini nofkën në atë krevat plastike’”.
Pjesa e dytë e emrit i erdhi kur ishte në klasën e tetë. “Shkela në këmbën e trajnerit tim të futbollit dhe ai bërtiti: ‘Hiqu nga këmba ime ti copë mishi!’”
Edhe pse merrej me sport, ai ishte më shumë në shtëpi me drama të vazhdueshme. Kur e ëma e tij vdiq e re, ai u largua nga Dallasi për të nisur karrierën në muzikë. Në shtëpinë e re në Los Angeles, formoi një bend të quajtur “Meat Loaf Soul” dhe zëri i tij i veçantë, që varionte mbi tri oktava, i solli një numër të ofertave dhe kontratave për incizim.
Bendi, i cili iu nënshtrua disa herë ndryshimit të emrit, ishte mjaftueshëm i mirë për të qenë fillimisht hapës në koncerte të mëdha të “Who”, “The Greatful Dead” e Janis Joplinit.
Meat Loaf u tërhoq nga bendi për t’u bashkuar me kastin e produksionit të mjuzikëllit “Hair”, rol që e shpiu tek oferta për bashkëpunim me “Motown Records”.

Dështimet e fërkimet
Albumi i vitit 1971, “Stoney & Meatloaf”, në të cilin ai bashkëpunoi me Shaun “Stoney” Murphyn nga kasti i “Hair”, dështoi të zinte vend në top-lista.
Më pas iu ofrua një pjesë në mjuzikëllin e titulluar “More Than You Deserve”, që ishte shkruar nga pianisti klasik Jim Steinman.
Dy vjet më pas, Meat Loafit iu kërkua të luante pjesët e Eddiet dhe Dr. Everett Scottit në shfaqjen e mjuzikëllit “The Rocky Horror Picture Show”.
Kontributi i Richard O’Brienit për filmat horrorë u kthye në film më 1975. Meat Loaf përsëriti rolin e Eddiet.
Ndërkaq, Jim Steinman nisi të shkruante një mjuzikëll të bazuar në ngjarjet e Peter Panit dhe Meat Loafi vendosi të largohej nga teatri e ta kthente vëmendjen e plotë në muzikë.
Hapi i parë i madh u bë nëpërmjet “Bat Out Of Hell”. Dyshja u përball me probleme që të bindte kompanitë diskografike për të pranuar diçka që s’u përshtatej asnjë prej zhanreve të pranuara të rokut të asaj kohe.
Përfundimisht, muzikanti i njohur, Todd Rundgreen, ofroi ta prodhonte dhe albumi arriti të lansohej më 1977 dhe pati pritje marramendëse.
Hitet me të njëjtin titull si albumi dhe ajo “Two Out of Three Ain’t Bad” e bënë një nga albumet më të shitura të të gjitha kohëve.
Gjithsesi, Meat Loaf nuk ishte përgatitur siç duhej për kërkesat për yjet e shndërruara brenda natës dhe turnetë e pandalshëm. I tejentuziazmuar me statusin e ri të yllit, ai i shkaktoi vetes telashe me kokainë e alkool. Në periudhën e vështirë u përkrah nga gruaja e tij, Leslie Edmunds, me të cilën u martua më 1978.
Kishte grindje edhe me Steinmanin, i cili si forca shtytëse kreative prapa muzikës, ndihej i margjinalizuar nga vëmendja që po merrte këngëtari.
Steinmani kishte kompozuar të gjitha këngët për albumin “Dead Ringer” të Meat Loafit të vitit 1981, por s’kishte gisht në asgjë tjetër në prodhim.
Albumi arriti numrin një në top-listat e Britanisë së Madhe, aty ku Meat Leaf u bë edhe më i famshëm se në vendlindje.
Albumi pasues, “Midnight at the Lost and Found”, u prit me valë zhgënjimesh në mesin e fansave dhe kritikëve.
Emri
Larg skenës së muzikës, këngëtari vendosi ta ndryshonte emrin e vërtetë nga Marvin në Michael më 1983. Ai i kishte thënë “The Guardian” më 2003 se e kishte bërë këtë për shkak se ishte përqeshur vazhdimisht si fëmijë, për shkak të një reklame për xhinse në një radio lokale.
“Tani jam më i dobët se që isha në klasën e shtatë – nuk mund të vishja ‘Levi’s’”, i kishte thënë ai gazetës. “Dhe ‘Levi’s’ kishte pasur një reklamë që thoshte: ‘I gjori, i trashi Marvin s’mund të veshë ‘Levi’s’”.
Këngëtari kishte thënë se kjo ishte arsyeja që ai kishte cituar në institucione kur kishte aplikuar për të ndërruar emrin.
“Normalisht duheshin deri 12 javë kohë për të ndryshuar emrin. Për mua e bënë aty për aty”, kishte shtuar ai.

Pajtimi e rikthimi i pasurisë
Karriera e tij muzikore nisi të zbehej. Pa shkrimet grandioze të Steinmanit, Meat Leaf dukej se s’kishte kapacitetin që të arrinte majat.
Ai po përballej edhe me probleme serioze financiare të cilat u përpoq t’i zgjidhte me lansimin e “Bad Attitude”.
I incizuar në Angli, ku ndihej sikur në shtëpi, shijoi sukses të vogël falë hitit “Modern Girl”.
Meat Lof e vazhdoi punën me “Blind Before I Stop”, që ishte i pari që u shit ligjshëm në Bashkimin Sovjetik.
Gjithsesi, asnjë nga këto krijimet e tij nuk ia doli ta nxirrte nga bankroti: ai po përballej edhe me telashet me zë.
Krejt papritmas, në vitin 1990 pasuria e tij mori drejtim tjetër. Fërkimi me Steinmanin u shërua dhe rezultati ishte “Bat Out Of Hell II-Back into Hell”.
Albumi përsëriti të gjitha shenjat dalluese të pararendësit të njohur, duke përfshirë tingujt e zhurmshëm dhe kopertinën e albumit.
Lansimi i këngës “I’d Do Anything for Love (But i Won’t Do That)”, depërtoi drejt pozitës së parë në 26 shtete.
Më 1995 u lansua “Welcome to the Neighbourhood”, që shkëlqeu edhe pse kishte vetëm dy këngë të Steinmanit në të.
Reputacioni i Meat Loafit u rikthye tërësisht dhe ai nisi një seri turnesh.
Ishte raportuar se ai po mendonte të dilte me vendbanim në verilindje të Anglisë ashtu që të ndiqte klubin e tij të preferuar të futbollit, Hartlepool United.
Më 1999, kishte marrë një rol në filmin “Fight Club”, ku rol kishin edhe Brad Pitt e Edward Norton. Meat Loaf luajti rolin e një ish-bodybuilderi, mundësi dhe krijuesi të një programi për zgjerim të gjoksit e që kishte përdorur shumë steroide.
Jo shumë pas kësaj, shëndeti i tij nisi të shfaqte telashe. Ai u kollapsua gjatë një performance në Wembley të Londrës më 2003.
U diagnostikua me një problem të zemrës, të njohur si sindromi Wolff-Parkinson-White, dhe ishte këshilluar të limitonte kohën në skenë.
Albumi i tretë i serisë “Bat Out Of Hell” u lansua më 2006, por jo para një përplasjeje tjetër me Steinmanin.
Fundi i yllit
Steinman kishte regjistruar patentën për “Bat Out Of Hell” dhe ishte përpjekur për të bllokuar lansimin e albumit.
Në këtë rast, shtatë nga këngët e Steinmanit u përfshinë në album dhe fërkimet u heshtën shpejt.
“E konsideroj një nga miqtë më të mirë”, kishte thënë Meat Loafi për Steinmanin. “Por, problemi është te menaxherët. Andaj, sigurisht, nuk e kam paditur Jim Steinmanin. E kam paditur menaxherin e tij”.
Albumi kishte marrë vlerësime të përziera, me “The Guardian” që u deklarua se kënga “In the Land of the Pig (The Butcher is King)” meritonte një paraqitje të plotë në Glyndebourne.
Meat Loaf u tërhoq në gjysmë të performancës së tij në Newcastle më 2007, duke i dhënë lamtumirën audiencës e duke thënë se ishte performanca e tij e fundit.
Gjithsesi, pasi u trajtua për kordat e tij vokale, ai u kthye në Britani të Madhe në korrik të 2008-s për të nisur një turne tjetër. Megjithatë, problemet shëndetësore ia penguan performancat live. Ai kolapsoi në skenë në Pittsburgh më 2011 dhe më 2016, pasi anuloi dy koncerte në turneun në Kanada, sërish kolapsoi në Edmonton. Menaxhmenti i tij atë kohë thoshte se këngëtari vuante nga dehidrimi.
Në vitin 2013, kishte njoftuar se do të punonte sërish me Steinmanin për një album të ri që do të përfshinte këngët që Steinmani kishte shkruar për artistët e tjerë përfshirë “Loving You's a Dirty Job” që ishte pjesë e albumit të Bonnie Tylerit të vitit 1986, “Secret Dreams and Forbidden Fire”.
“Braver Than We Are” u shfaq më 2016, por ishte zhgënjim i madh. Zëri i burrit të madh ishte vetëm hije e vetvetes dhe këngët e Steinmanit nuk e patën energjinë dhe shkëlqimin e së kaluarës.
Ishte një album, që në retrospektivë, mund të ishte më mirë të mos publikohej fare.
Pavarësisht shitjeve dhe koncerteve të shumta, stili i tij i muzikës u përqesh nga kritikët e rokut, diçka që nuk i shqetësoi fansat e tij apo edhe vetë Meat Loafin.
“Në ditën kur të bëhem ‘hip’”, kishte thënë një herë ai, “ju lutem më qëlloni dhe më largoni nga mjerimi”.
Albumet
• Bat Out of Hell - 1977
• Dead Ringer - 1981
• Midnight at the Lost and Found - 1983
• Bad Attitude - 1984
• Blind Before I Stop - 1986
• Bat Out Of Hell II - 1993
• Welcome to the Neighbourhood - 1995
• Couldn't Have Said It Better - 2003
• Bat Out of Hell III - 2006
• Hang Cool Teddy Bear - 2010
• Hell In A Handbasket - 2011
• Braver Than We Are 2016
Marrë nga BBC-ja. Përktheu: Endrit Berisha