Shtojca për Kulturë

“Me vendosjen e malazezëve në Ulqin, zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”

Xhamia e Pashës në Ulqin (1719) gravurë nga Edith Durhami (1908)

Aspiratat ekspansioniste ndaj Ulqinit dhe jo vetëm i ka shprehur edhe vetë princ Nikolla i Malit të Zi, i cili theksonte se ”...me vendosjen e malazezeve prej Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “...tërë qyteti dhe rrethina është e banuar më banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezëve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”

Sipas të dhënave që disponojmë, në Ulqin e rrethinë prej vitit 1881 e deri më 1893 janë vendosur 400 familje kolonistësh sllavë, të cilave u janë ndarë 5000 rrallë tokë. Nga kjo del se një ekonomi shtëpiake ka fituar nga 12,5 rrallë tokë. Në forma të ndryshme plane kolonizimesh kanë vazhduar të realizohen deri në luftërat ballkanike, sepse deviza shtetërore ishte të ndryshohet struktura etnike e këtyre mjediseve.

Aspiratat ekspansioniste ndaj këtij mjedisi i ka shprehur edhe vetë princ Nikolla i Malit të Zi, i cili theksonte se ”...me vendosjen e malazezeve prej Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “...tërë qyteti dhe rrethina është e banuar më banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezëve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”.

Ndaj një citimi të tillë çdo koment është i tepërt sepse politika ekspansioniste ishte platformë politike e Malit të Zi, e cila ishte pothuajse identike sikurse “Naçertania” e Serbisë nga viti 1844, ku parësore ishin asimilimi dhe kolonizimi i territoreve të reja të administruara prej tyre në saje të vendimeve të Fuqive të Mëdha.

Tivari dhe humbja e identitetit etnik

Nëse Ulqini pati mundësi ta ruajë identitetin e vet etnik edhe pas vitit 1880, ku në rrethinë fillimisht e më pas në qytet u vendosën kolonistët malazezë, diçka e tillë nuk ngjau me Tivarin. Ky qytet në saje të vendimeve të Kongresit të Berlinit në vitin 1878, kur i jepet Malit të Zi, në mënyrë mekanike e ndryshoi strukturën e popullsisë në favor të asaj sllave, ndërsa elementi shqiptar mbeti në pakicë, ku me kalimin e kohës u asimilua pothuajse tërësisht, ndërsa përjashtim bëjnë vetëm vendbanimet shqiptare në pjesën veriperëndimore, në Krajë.

Në lidhje mbi strukturën kombëtare të popullsisë në qytetin e Tivarit pasi ai kalon nën administrimin e Malit të Zi, të dhëna më interes kemi nga regjistrimi i popullsisë në vitin 1879. Të dhënat e publikuara kanë të bëjnë me strukturën konfesionale të popullsisë sepse ajo kombëtare vazhdimisht është eliminuar për qëllime të caktuara.

Kështu në qytetin e Tivarit nga këto të dhëna del se në vitin 1879 kishte 445 familje me gjithsej 1823 banorë. Me në numër kanë qenë myslimanët me 804 banorë apo 192 familje, pastaj ortodoksët me 489 banorë apo 192 familje, katolikët 448 banorë, 108 familje dhe romët me 82 banorë dhe 16 familje.

Shembulli tipik i viktimizimit për interesat e Fuqive të Mëdha

Në shekullin XIX, në territorin e Ulqinit në aspektin e ngushtë, por edhe si regjion kanë ndodhur ndryshime të mëdha socio-demografike, si rezultat i luftërave të zhvilluara, por edhe veprimit të diplomacisë ndërkombëtare. Në këtë aspekt pas Tivarit, Ulqini është shembull tipik i viktimizimit për interesat e Fuqive të Mëdha.

Pikërisht, në saje të tyre veprimeve subjektive për çështje të territoreve pasoi në vepër ndryshimi mekanik i strukturës etnike të popullsisë, me shpërngulje të shqiptarëve dhe me procesin e kolonizimit, me popullsi sllave, duke ndryshuar demografinë e këtij mjedisi.

Pra kemi të bëjmë me raporte të reja gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha, të cilat ishin në aleancë kundër Perandorisë Osmane. Në këto rrethana shqiptarët ndonëse përmes Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u angazhuan maksimalisht për ruajtjen e hapësirës etnogjeografike shqiptare, ishin faktorët ndërkombëtarë që përcaktuan interesat e tyre gjeopolitike.

Në kujtim dhe nderim të figurës së hafiz Ali Ulqinakut me vendim të Kuvendit të Komunës së Ulqinit nga data 7 maj 2002 një rrugë në qytetin e Ulqinit mban emrin e hafiz Ali Ulqinakut. Mendoj se është e udhës të iniciohet ngritja e një busti në qytetin e Ulqinit, ku me një veprim të tillë, ne nderojmë veten dhe këtë personalitet të kulturës kombëtare. Iniciativa e tillë besoj se do të përkrahet nga pushteti lokal, duke dëshmuar se veprojmë si bota e qytetëruar, duke vlerësuar personalitetet e nderuara kombëtare.