Këto ditë janë mbushur pesëdhjetë e tetë vjet nga mbajtja e Plenumit të Brioneve, apo nga koha kur nga skena politike e Jugosllavisë së atëhershme u largua Aleksandar Rankoviq (1909-1983) njëri prej figurave kyçe që bashkë me Josip Broz Titon, Millovan Gjillasin dhe Eduard Kardelin i hodhën themelet e shtetit jugosllav. Rankoviq ishte përgjegjës për organizmin e strukturave policore të vendit, fillimisht të OZNA-s dhe më pastaj të UBD-së. Ai është lindur në rrethinat e Obrenovcit, njëzet kilometra larg Beogradit. Me profesion ishte abaxhi (zhgunëtar, cohtar) ndërsa qysh si i ri u kyç në Lëvizjen Sindikaliste dhe si simpatizant i lëvizjes majtiste u burgos në vitin 1929. Ngjarjet rreth Plenumit të Brioneve, çështjes së Kosovës e ngjarje tjera në këtë tekst janë ndriçuar duke u mbështetur në materiale arkivore, por edhe në shënimet nga ditari i Aleksandar Rankoviqit të botuar në vitin 2002 dhe në dëshmitë e njeriut kyç të klikës rankoviqiane, Vojin Llukiq i cili ka afruar mjaft detaje rreth zhvillimit të “Aksionit të mbledhjes së armëve” në Kosovë, në një libër të veçantë të botuar në vitin 1990. Si materiale ndihmëse janë përdorur edhe “Shënimet e shkrimtarit” të Dobrica Qosiqit e të tjera
Hoxha nga Kamenica: Biro, duhet gjetur një pushkë qoftë të ndryshkur!
“Ishte viti 1956. Edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, ende nuk më hiqet nga kujtesa pamje e një hoxhe që arriti në fshatin tonë duke dihatur e dridhur. Hoxha kishte qenë prej Kamenicë. Duke e parë në atë gjendje i lashë bagëtinë, pasi isha duke i ruajtur dhe bashkë me të u nisëm në shtëpi te babai. Pasi hoxha u qetësua pak, ai ia filloi bisedës me babanë por ata dy tashmë flisnin me gjysmë zëri, ndërsa unë shtiresha se nuk i dëgjoja mirë fjalët: “Vëlla a është e mundur me e gjetë një armë diku, një pushkë, bon edhe nëse është e ndryshkur? Do të më vrasin po s’e gjeta! Kam kohë vetëm deri nesër në sabah”. Babai, nuk foli gjatë. Më në fund e mora guximin dhe iu drejtova të dyve: ‘Unë e di një vend ku mund të gjendet ndonjë pushkë e vjetër! Ai vend nuk është shumë larg fshatit tonë dhe ndodhet mu aty ku gjatë luftës së Dytë Botërore u zhvilluan luftime midis forcave bullgare dhe atyre partizane’. Kështu pasi ra errësira pa u munduar shumë e gjetëm një pushkë të vjetër, në një përrua të thellë e të thatë! Hoxha, nuk u kthye më në shtëpinë tonë por ia mësyu Kamenicës edhe pse ishte afruar mesi i natës. Por edhe unë kurrë më nuk mora vesh për fatin e tij”.
Kështu kujtonte në qershorin e vitit 2008 në Namyr të Belgjikës, Mustafë Mustafa (1937 – 2009) lindur në fshatin Strezoc në juglindje të Preshevës, që si pasojë e politikës antishqiptare të Aleksandar Rankoviqit dhe bashkëmendimtarëve të tij, ishte detyruar që me familje të shpërngulej në Turqi dhe kjo kishte ngjarë vetëm një vit pas ngjarjes së përshkruar, pra në fund të vitit 1957.
Gjeneza e një plani shfarosës
“Unë besoj se pas Prilepit synimi ynë do të jetë Yskubi” , kështu iu drejtua një togeri të ushtrisë serbe më 24 shtator 1918, gjenerali francez Jean që komandonte me njërin nga njësitet e “Armatës Tranié“ dhe si aleate në Luftën e Parë Botërore, Franca do t’i ndihmonte Serbisë që rishtas ta vendoste pushtetin në territoret e dikurshme të Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit.
“Yskub është emërtimi në turrqisht për Shkupin, që në shekullin XIV ka qenë qendra e car Dushanit! Ne e kemi pushtuar këtë qytet prapë në vitin 1912. Pse jeni aq këmbëngulës dhe e quani Yskub!”, kishte protestuar togeri Sava Petroviq! “Unë e quaj Yskub pasi ashtu edhe figuron në hartat tona”, ia kishte kthyer gjenerali Jean.
Por edhe një djalosh i ri serb ishte entuziazmuar tej mase nga rrëfimet e prindërve dhe të afërmve të tij, që kishin marrë pjesë në e Luftën e Parë Ballkanike duke luftuar jo shumë larg Shkupit në vjeshtën dhe dimrin e ftohtë të vitit 1912. Ky djalosh pushtohej nga emocionet sidomos kur dëgjonte rrëfime mbi heroizmat e bashkëfamiljarëve dhe të ushtrisë serbe rreth “çlirimit të Kosovës” dhe të ngadhënjimeve mbi “shqiptarët e pakulturuar”. Por, duket se atdhetarizimi i dëgjuesit të padurueshëm ishte i vonuar, pasi ai tashmë i kishte mbushur njëzet e shtatë vjet dhe duke i shërbyer atdheut si ushtar i Serbisë më në fund në vitin 1936 kishte arritur në kazermën e Shkupit. I riu quhej Aleksandar Rankoviq dhe njëherësh ky do të jetë kontakti i tij më i përafërt me shqiptarët. Mirëpo, gjithçka që do të ndërlidhet me shqiptarët atëbotë, por edhe më vonë fatkeqësisht duhej patjetër të kontekstualizohej me përjetimet dhe përvojat tashmë të rrënjosura nga rrëfimet e dëgjuara prej pjesëmarrësve, prindërve apo të afërmve që si pjesëtarët të ushtrisë së Serbisë kishin luftuar në këto vise.
Ndonëse ushtarit Rankoviq, ende nuk i kishte ardhur kohë që të kthehej në vendlindjen e tij në Drazhevc të Obrenovcit, jo shumë larg Beogradit, në vjeshtën e vitit 1935 në një zyre gjysmë të errët të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd, ishin mbledhur përfaqësuesit, siç ata do ta quajnë, të “Komisionit ndërministror të Serbisë, rreth çështjes së dëbimit të popullsisë josllave nga Jugu i Serbisë”.
Në dy dokumente të veçanta që janë pjesë e Fondit të Misionit të Diplomatik të Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi dhe që ruhen në Arkivin e Jugosllavisë, dëshmohet se mbledhja e parë këtij komisioni është mbajtur më 20 shtator 1935 më fillim në orën 18:00. Të pranishëm në të ishin 4 përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, 2 përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, nga 1 përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Gjenerlashtabi, Ministria e Financave dhe nga Ministria e Komunikacionit. Kryesues i mbledhjes ishte Ilija Milkiq, shef i seksionit IV të shërbimit politik, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Pasi nacionalizimi i elementit josllav nuk korri sukses dhe arsyeja qëndron në faktin se popullata pravosllave në krahinat jugore është shumë e vogël në numër dhe atje gjithsej ka 165 000 banorë pravosllavë (mendohet për Kosovë, Maqedoni dhe Sanxhak – S. L.) por edhe elementi jonë pravosllav nuk ishte në mjaftueshmëri i gatshëm që ta bëjë nacionalizmin, atëherë nuk ka mbetur rrugë tjetër pos dëbimit të elementit josllav prej vendit tonë”, ishte qëndrimi i shprehur prej kryesuesit Milkiq, ndërsa më pas ai ka shtuar se “Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson që duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë ndaj arbanasve pasi ata janë element kompakt dhe janë në kontakt të përhershëm me Arbaninë, prandaj tek ata dalëngadalë është duke u rrënjosur edhe ndjenja kombëtare”. Ndërsa lidhur me angazhimin e Ministrisë së Bujqësisë ka folur inspektori Vojisllav Magoçeviq, i cili e ka tërhequr vërejtjen se “kolonizimi është duke u zhvilluar për 15 vjet të plota. Më së shumti kolonistë janë sjellë nga Bosnja, Lika, Hercegovina dhe Mali i Zi. Për t’u vendosur në viset jugore janë paraqitur edhe 17.000 familje, por për vendosjen e tyre zgjidhja më e mirë do të ishte dëbimi i elementit shqiptar dhe turk, ndonëse elementi shqiptarë është shumë i fuqishëm pasi në 17 rrethe raporti midis popullatës është 73% josllavë, kundrejt 27% të popullsisë sllave”. Të gjithë pranishmit janë pajtuar se për realizimin e kësaj ndërmarrjeje duhet ngritur një komitet i veçantë apo komiteti i ngushtë.
“Duhet detyruar pagesën e tatimeve me mjete të dhunës, duhet detyruar fëmijët (shqiptarë) që t’i vijojnë mësimet në shkollat tona kombëtare, pasi ka ndodhur që tre e katërta e të rinjve e viseve jugore që kanë ardhur në shërbim ushtarak dinë të shkruajnë vetëm turqisht (arabisht), krahinave jugore duhet dhënë simbolikën tonë duke i nacionalizuar emërtimet e vendeve dhe zonave”, ishin detyrat që sipas anëtarit tjetër të Komitetit të Ngushtë, kolonelit Jovan Sokoloviq, duhej të realizoheshin patjetër.
Në rrjedhën e realizimit të detyrave për dëbimin e shqiptarëve dhe turqve nga Kosova, Maqedonia dhe Sanxhaku, katër ditë më vonë, pra në mbledhjen e 24 shtatorit të vitit 1935 ishte shpalosur “Projekti i Komitetit të Ngushtë të Konferencës Ndërministrore për Dëbimin e elementit josllav nga Serbia Jugore”. Projekti parashihte që “Shqiptarët dhe Turqit pasi të heqin dorë nga nënshtetësia, duhet të japin deklarata para organeve të pushtetit duke dëshmuar se në afatin e caktuar do të shpërngulen prej shtetit tonë dhe për veprimet e tilla ata do t’i gëzojnë këto lehtësira (në origjinal është privilegje – S. L.): atyre do t’u jepen pasaporta migruese, madje edhe kolektive, do të lirohen prej pagesës së të gjitha tatimeve, mandej nëse personat që kanë vendosur të migrojnë kanë borxhe, hipoteka apo edhe borxhe ndaj personave privatë ato do t’u shlyhen atyre në këmbim të vlerësimit material të pasurive të tyre dhe të paluajtshme! Ata që kanë vendosur të largohen nga vendi ynë do të transportohen falas deri në Selanik apo Svilengrad (kufiri bullgaro – turk - S. L.) por kjo do të ndodhë vetëm nëse ata deklarojnë se pasurinë e paluajtshme do t’ia lënë shtetit tonë! Të u bëhet lirim deri në 75% personave që më herët i kanë shitur pronat e tyre...”. Megjithatë, ky komitet nuk mjaftohej vetëm me kaq, prandaj si masa konkrete të veprimtarisë drejt qërimit sa më të shpejtë të hesapeve me shqiptarët përveç tjerash kërkoi që “të rinjtë shqiptarë të thirreshin në ushtrime ushtarake sa më shpesh që ishte e mundur, më pastaj të rinjtë shqiptarë duhej të detyroheshin të punonin në punët e ndryshme si në hapjen e rrugëve strategjike apo të ngritjes së objekteve fortifikuese”. Megjithatë pikat goditëse që pushteti i synonte ishin shkollimin fillor i shqiptarëve që duhej dalëngadalë të harronin gjuhën amtare dhe kolonizimi i viseve shqiptare.
Mirëpo, pasi që shteti ishte i pakënaqur me nivelin e njohjes së gjuhës serbe nga përfaqësuesit e institucioneve fetare të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e Sanxhak, në qendrën e Shkupit si të privilegjuar dhe me benefite të ndryshme u soll një pjesë e figurave të njohura fetare por edhe laike nga Bosnja e Hercegovina! Të kujtojmë se qendra e Shkupit atëbotë ishte seli me ndikim e myftinisë supreme e cila ishte përgjegjëse myftinitë e Shkupit, Prizrenit, Manastirit, Novi Pazarit dhe Plevles. Përkundër veprimit në planin e sllavizimit në planin e organizmit fetar, strukturat filoserbe të sjella nga Bosnja e Hercegovina ishin futur në veprim dhe influenca e tyre si dorë e zgjatur e pushtetit vinte në shprehje sidomos në institucionin shkollor të Medresesë së Madhe në Shkup, ndërsa njëri prej tyre, Hasan Rebac i lindur në Mostar, ishte vendosur edhe në krye të Direkcionit të Vakëfeve po ashtu me seli në Shkup.
Aleksandar Rankoviq
Ndonëse Mbretëria e Jugosllavisë u shpërbë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore, qarqet nacionaliste të këtij shteti ngelën të dëshpëruara, pasi nuk ia dolën që në plotësi t’i realizonin planet e parapara të dëbimit dhe të kolonizimit të viseve shqiptare. Por, nga përfundimi i luftës nuk kaluan as dhjetë vjet të plota kur u rilindën të njëjtat plane dhe ato tashmë ishin pjesë e agjendës së “njeriut të hekurt” të ish – OZNA-s dhe UDB-së Aleksandar Rankoviq, shteti që do t’i përkrahë këto plane tani njihej si Republika Popullore Federative e Jugosllavisë.
Leka sllav, kundër pasardhësve të Lekës së Madh
Sipas dëshmisë së vetë Aleksandar Rankoviqit, nofkën Leka ai e kishte marrë për shkak të emrit Aleksandar, prandaj shokët e tij më me dëshirë midis tyre e shihnin atë si Leka i Madh! Ndërsa, nofkën tjetër Marko e kishte që nga viti 1938 kur u bë pjesë e udhëheqësisë së ngushtë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë.
Dhe padyshim se Aleksandar Rankoviqi ambicioz do të ketë qenë i njoftuar edhe me këto projekte e plane famëkeqe antishqiptare të sipërpërmendura të jo bashkëmendimtarëve të tij politik, pasi ato madje i përkasin periudhës kur ai u pranua si anëtar aktiv në Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ndërsa në fund të vitit 1944 siç dihet ai do të vendoset në krye të (Odeljenje za Zastitu Naroda) OZNA-s famëkeqe. Por, si kryepolic dhe kryeideator i Shërbimeve të Sigurisë, ai do të përpiqet deri në fund që ta fshehë çdo gjurmë të veprimtarisë antishqiptare e cila megjithatë falë njërit prej shkrimtarëve serbë dhe bashkëmendimtarëve të tij do të ndriçohet si është më mirë. Se çfarë ka qenë përpjekja e Rankoviqit që ta maskojë veprimtarinë e tij, këtë flet edhe dokumenti që gjendet në Arkivin e Jugosllavisë.

Shembull më ilustrues i veprimtarisë dhe sjelljes konspirative të Rankoviqit paraqet koha e pas Plenumit të Brioneve, kur ai ishte “shumë vigjilent” prandaj e manifestonte kujdesin më të madh të paraqitjes në publik, gjë që shkaktoi edhe pezëm te bashkëmendimtarët e tij të dikurshëm me heshtjen e gjatë ndër vite. Thjesht, Rankoviq ruhej prej Shërbimeve të Sigurisë Shtetërore, bazat e të cilit i kishte hedhur vetë ai. Pra për dallim prej Millovan Gjillasit (1911-1995) apo liberalëve të Serbisë të cilët edhe pse u larguan nga politika, megjithatë ishin dhe mbetën pjesë aktive të opinionit publik dhe ata bile ishin të gatshëm që në çfarëdo kohe t’i vlerësonin apo të deklaroheshin për ngjarjet politike në ish – Jugosllavi, përkundrazi Rankoviq kurrë nuk e mori guximin të deklarohej publikisht për ndonjë çështje që i përkiste politikës apo rreth ndonjë ngjarjeje të caktuar të kohës.
Pra siç shihet nga dokumenti i mësipërm, vetë Rankoviqi midis bashkëpartiakëve të tij në mbledhjet me rëndësi të kohës deklarohej ndryshe për shqiptarët, ndërsa në anën tjetër madje edhe historianët serbë kanë gjurmuar dhe konstatuar për shembull se “gjatë vitit 1955/56, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë në krye me Aleksandar Rankoviqin kishte zhvilluar fushatë të ngjeshur drejt dëbimit të shqiptarëve për në Turqi, ndërsa midis diplomatëve turq, ai vlerësohej si zyrtar i cili “e kontrollonte për së afërmi” zbatimin e Marrëveshjes Xhentëlmene të vitit 1953, ka shkruar historiani Vlladan Jovanoviq.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë