Shtojca për Kulturë

Mbijetesa e festivaleve midis shuarjes e transformimit

“Festivalet e letërsisë: Çfarë formati na duhet sot?”, ka qenë tema që për gati dy orë të shtunën në teatrin “Oda” ka mbledhur shkrimtarë e themelues festivalesh letrare

Në një lloj konteksti edhe shuarja e festivalit letrar do të ishte njëfarë reagimi. “Polipi” e ka hapur temën e ekzistencës së vet e të festivaleve të kësaj natyre. Ka paralajmëruar se do ta ndërpresë rrugëtimin pas edicionit të 13-të dhe kjo nuk ka të bëjë me shkaqe financiare. Ka të bëjë me pamundësinë për ndikim dhe në këtë mes hyjnë në lojë edhe politika në Kosovë e më shumë në Serbi. “Polipi” po të shtunën ka përuruar edhe monografinë “Sea of Change: Polip – Prishtina International Literature Festival (12 editions in 13 turbulent years 2010-2022)” të gazetares britanike, Natasha Tripney

Festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” në edicionin e 13-të ka bërë një vetëreflektim, e nëpërmjet kësaj, ka zbërthyer edhe misionin e fuqinë të festivaleve të tilla. Pas një kafeje me përkthyesit Zuzana Finger, Milena Selimi, Svetlana Rakoçeviq, Eleana Zhako dhe Sebastien Gricourt, “Polip” ka vazhduar aktivitetet e ditës së dytë me diskutime të shumta. Kryefjalë ka qenë e ardhmja e vetë “Polipit”. Ka pasur dilema nëse festivali do të ndërpritet apo do të ndërrojë formë. Në po këtë ditë u promovua edhe monografia “Sea of Change: Polip – Prishtina International Literature Festival (12 editions in 13 turbulent years 2010-2022)” e gazetares britanike, Natasha Tripney.

“Lodhja” e audiencës, shkrimtarët në lëvizje

“Festivalet e letërsisë: Çfarë formati na duhet sot?”, ka qenë tema që për gati dy orë ka mbledhur shkrimtarë e themelues festivalesh letrare. Në të vërtetë tema lidhej edhe me vetë “Polipin”. Qysh në ditën e parë, në hapje të festivalit ishte paralajmëruar se festivali ishte duke kërkuar një format të ri, megjithëse nuk ka ende diçka konkrete. E mundshme është edhe ndërprerja e plotë e tij.

kjo nuk është një çështje e panjohur. Është konstatim gati i përbashkët se letërsia ka audiencë të ngushtë. Një gjë e tillë dëshmohet edhe në promovime librash, nëpër diskutime kur flitet për libra apo edhe në festivale të ndryshme të letërsisë. Panelistët kanë nënvizuar se adhuruesit e librit dinë të lodhen shpejt nga festivalet. Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe organizatorët e “Polip”. Ndonëse sivjet ky festival ka mbushur trembëdhjetë vjet, organizatorët kanë vërejtur rënie impakti a interesi nga publiku.

Shkrimtari e përkthyesi nga Shqipëria, Arian Leka, ka thënë se ai është ndër të paktët që i është gëzuar mbylljes së “Polipit”, por me shpresë se ai do të vijë në një format tjetër.

“Vërtet kam qenë ndoshta në të paktët e kënaqur që ‘Polip’ po e mbyll këtë cikël, duke menduar që një formë tjetër do të vijë në jetë. Kur më kanë ftuar, unë u thash se unë mund të ju tregoj se si mund të mbyllet një festival e jo si mund të vazhdojë sepse kam përvojë të madhe në ndryshimin e formave të festivalit”, ka thënë ai duke qeshur.

Në rolin e themeluesit e udhëheqësit të festivalit “Poeteka”, Leka ka folur për ndryshimet që festivalet pësojnë gjatë kohës. Ai ka folur edhe për transformimet e shumta që ai i ka bërë festivalit të tij.

“Festivali ‘Poeteka’ ka filluar në vitin 2005. Brenda kësaj periudhe janë bërë më shumë se një dekadë dhe na është dashur që herë pas here duke parë lodhjen tonë, lodhjen e strukturës – struktura është bërë e rëndë – mërzinë e audiencës që çdo vit e njëjta formë. Shkrimtarët e mirë janë po aq që jo gjithmonë mund t’u ofrosh më të mirën, më të mirët janë në lëvizje. Kemi thënë. Në rregull, këtë kubin po e bëjmë piramidë, piramidës po i japim një formë dymbëdhjetëkëndëshe që të mos duket njëlloj”, ka thënë ai.

Image
Në kuadër të aktiviteteve të ditës së dytë të “Polipit”, përurimi i monografisë “Monograph Promotion: Sea of Change: Polip – Prishtina International Literature Festival (12 editions in 13 turbulent years 2010-2022)” i gazetares britanike Natasha Tripney ka qenë njëra prej ngjarjeve kryesore

Shkrimtari e përkthyesi nga Serbia, Vladimir Arsenijeviq, ka folur për përvojat e tij si themelues i festivalit “Krokodil” në Beograd. Ka kujtuar themelimin e tij në vitin 2009 dhe entuziazmin e madh të njerëzve.

“Filluam me idenë se ne zbuluam një platformë aktuale që i lejuam njerëzit të mblidheshin dhe të lexonin së bashku. Pra, kjo u bë një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe jo vetëm për ne, por për audiencën. Ne mbanim shumë aktivitete përpara muzeve apo teatrove. E mbaj mend vitin e parë ra aq shumë shi sa ne u detyruam të futeshim brenda në muze. Po binte aq shumë shi, sa ne nuk mund as t’i shihnim njerëzit dhe pas pak ne pamë se ata vinin me kapele në kokë”, ka thënë ai. Ka pranuar se festivalet duhet të ndryshojnë dhe të sjellin forma të reja që tërheqin audiencën. Me qëllim transformimin apo tërheqjen e audiencës, e cila me kalimin e kohës nis të lodhet nga një format i njëjtë, Arsenijeviq ka thënë se në edicionin e fundit kanë inkuadruar edhe lojërat brenda festivalit. E ka pranuar se ka lojëra të cilat mund t’u përshtaten festivaleve të letërsisë dhe të shërbejnë për të dhënë mësime të vlefshme.

Shpërbërjen e festivalit e kishte përjetuar edhe profesoresha e Universitetit të Vjenës, Alexandra Millner. Ndonëse festivali i saj “Literature March” kishte pasur një jetëgjatësi prej 35 vjetësh, prapëseprapë ai nuk kishte arritur të ecte tutje.

“Unë kam themeluar festivalin ‘Literature March’, që ishte jo vetëm festivali më i madh jo vetëm në Vjenë, por edhe në Austri. Por, m’u desh ta përjetoj fundin e tij, i cili ishte në vitin 2005. Ishte një festival shumë i njohur veçanërisht në Vjenë. Filloi më 1970 dhe kishte shumë të bënte me lëvizjen feministe. Mendoj se qëllimi i parë ishte t’i jepnim shumë liri edhe letërsisë për të siguruar që fëmijët e vegjël do të vinin në një vend ku të gjithë brezat merrnin pjesë. Ajo nuk zhvillohej gjithmonë në vendin e njëjtë, por në teatro, muze, qendra të ndryshme dhe ishim bashkë për tri ditë e gjysmë”, ka kujtuar ajo. Ka bërë të ditur se arsyet se pse festivali ishte ndërprerë nuk kishin të bënin me problemet financiare.

Në panelin i cili u moderua nga Izabela Kisiq, pjesëmarrës ishte edhe shkrimtari nga Bosnjë-Hercegovina, Faruk Shehiq. Ndonëse ai nuk kishte ndonjë përvojë me themelimin e ndonjë festivali, ka treguar për festivalin më interesant të letërsisë që kishte marrë pjesë si shkrimtar. Ishte një festival në Rumani, ai që i kishte lënë shumë përshtypje këtij shkrimtari të njohur boshnjak.

“Në mendjen time më vjen një festival në Rumani, në qytetin e Iași. Ndoshta nuk ishte më i mirë, por ndoshta më interesanti sepse kisha mundësi të shihja të gjithë llojet e famës, famës letrare. Takova një shkrimtar nga Spanja që shiste me miliona kopje si një ushqim i zakonshëm. E pashë një tjetër shkrimtar nga SHBA-ja për të cilin nuk kisha dëgjuar kurrë, por që ishte dy herë fitues i çmimit ‘Pulitzerit’ dhe pastaj ishte Mihail Shishkin dhe ai ishte si një yll rocku, sikur David Bowie. Kishte muzikë dhe ai erdhi në skenë si Muhamed Ali i letërsisë. Është mirë kur shkon në këso lloj festivalesh. Ata kishin një audiencë tepër të madhe, ndoshta 300 veta”, ka treguar ai duke qeshur.

Vitet e “Polipit” dhe pikëpyetjet në edicionin e 13-të

Në kuadër të aktiviteteve të ditës së dytë të “Polipit”, përurimi i monografisë “Monograph Promotion: Sea of Change: Polip – Prishtina International Literature Festival (12 editions in 13 turbulent years 2010-2022)” i gazetares britanike Natasha Tripney ka qenë njëra prej ngjarjeve kryesore. I janë dashur 283 faqe që të përmbledhë punën që festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” ka bërë në 12 vjet. Ajo është e ndarë në dymbëdhjetë kapituj. Pas parathënies Tripney përshkruan në një kapitull vitet e para të këtij festivali, më 2010 e 2012 për të vazhduar pastaj me vitet e tera deri tek edicioni i dymbëdhjetë i vitit të kaluar. Përmend edhe disa nga temat e trajtuara ndër vite si: literaturën në ekzil, krijimin e paqes nëpërmjet letërsisë e të tjera. Aty dokumentohet edhe nëpërmjet fotografive, të cilat shpërfaqin aktivitetet e shumta për gjatë edicioneve: shfaqje teatrale, panele diskutimi, koncerte e të tjera. Në faqet e fundit, Tripney ka publikuar edhe letrat që ajo kishte shkëmbyer me dy themeluesit e Festivalit, Jeton Nezirajn dhe Sasha Illiq.

Redaktorja e gazetës “The Stage”, Natasha Tripney, ka treguar se kishte qenë ideja e dy themeluesve të “Polip” që ajo të shkruante këtë vepër.

“Sasha dhe Jetoni më kontaktuan dhe më thanë se ata kanë një propozim për mua. Fillimisht isha e habitur, por isha shumë e interesuar të shoh se për çka bëhet fjalë. Ata ishin duke folur për dokumentimin e një dekade gjatë së cilës u zhvillua festivali ‘Polip’ në ndërlidhjen e kulturave, gjë e cila më pëlqeu. Si gazetare unë iu ktheva së kaluarës së ‘Polip’-it, aktiviteteve, intervistave me pjesëmarrës nga të gjitha edicionet”, ka thënë ajo.

Tripney ka folur edhe për përvojën e saj në shkrimin e këtij libri. Ka treguar se si qysh në fillim i kishte kuptuar idetë kryesore të këtij festivali: misionin e përkthimit dhe hapësirën e diskutimeve në krye me respektin e ndërsjellë.

“U bë e qartë për mua se një lloj mozaiku kishte nevojë të vihej në vend dhe ishte një lloj hulumtimi sepse mu desh të bëja kërkime për disa njerëz, t’u shkruaj njerëzve, kishte shumë fije për t’u lidhur bashkë. Por dy gjëra u bënë të qarta qysh në fillim: Njëra ishte se ky ishte një festival me një mision ideologjik që kishte të bënte me përkthimin, nevojën që shkrimtarët dhe lexuesit të kenë mundësi të shkëmbejnë dhe të bien në kontakt me punën e njëri-tjetrit, gjë e cila çoi në përkthimin e dy antologjive, që ishte një gjë esenciale procesit të komunikimit. Gjeja tjetër që ishte shumë e qartë ishte që ‘Polip’ krijoi këtë hapësirë ku u diskutuan shumë tema në një formë që ishte e respektueshme për të dyja palët”, ka treguar ajo.

Meqenëse monografia kishte të bënte me “Polipin” edhe diskutimi i mëtutjeshëm u zhvillua rreth së ardhmes së këtij festivali.

Publicisti Shkëlzen Maliqi ka kujtuar vitet e para të “Polipit”. Ka thënë se në fillim nuk e kishte besuar se “Polip” do të mbërrinte kaq larg.

“Nuk e di në fillim a kemi besuar që ka me qenë kaq i gjatë, por është edhe lajmi i trishtueshëm që ndoshta ky është edicioni i fundit, por shpresoj të mos jetë ashtu. Që të gjendet ndonjë format tjetër. Ky festival ka qenë specifik sikurse edhe disa të tjerë që u patën mbajtur këtu. Është nisur nga një grup entuziastësh me shumë pak përkrahje nga vendi ynë. Fondet e këtushme gjithmonë kanë munguar dhe është mbajtur me fondet e huaja”, ka thënë ai.

Lucia Genova-Zimmermann, e cila për një periudhë kishte punuar si menaxhere projekti në “Qendrën Multimedia”, ka treguar se kishte propozuar që në këtë festival të ftoheshin edhe shkrimtarë nga Ballkani e më gjerë.

“Unë kam punuar në ‘Qendrën Multimedia’ prej vitit 2009 deri më 2011 me Jetonin dhe kur erdha këtu e kuptova që ka shumë projekte në fushën artit dhe teatrit, por jo në atë të letërsisë kështu që unë i sugjerova Jetonit të krijonte një platformë që të ftonte shkrimtarë nga shtete të ndryshme që të vinin në Kosovë dhe të njihnin shkrimtarët këtu si ‘Beton’, autorë të tjerë nga Ballkani dhe ata erdhën këtu, shumica për herë të parë”, ka thënë ajo nën emocione të shumta.

“Serbia s’do të dëgjojë për festivale të tilla”

Shkrimtari nga Serbia Milosh Zhivanoviq ka thënë se festivalin e ka parë si një rigjallërim të një hapësire kulturore jugosllave. Megjithatë, sipas tij, tani një gjë ka ndryshuar. Teksa në Jugosllavi shqiptarët ishin të shkelur, në “Polip”, sipas tij, arti dhe kultura e shqiptarëve ka përjetuar një moment lulëzimi.

Bashkorganizatori i “Polip” nga Serbia, Sasha Illiq, kishte qenë ai që kishte dhënë idenë e ndërprerjes së këtij festivali. I pyetur për këtë, Illiq ka thënë se ai nuk e sheh festivalin si një vend për t’u argëtuar. Fakti se festivali nuk kishte arritur të ushtronte impaktin që ai kishte dashur, e që nënkuptonte që ndikimi i tij të shtrihej edhe në Serbi, ishte arsyeja se pse ai nuk dëshironte të vazhdonte më.

“Mësova nga dita në ditë. Ne patëm tekstin e Arben Idrizit dhe ne patëm edhe tekste të tjera, patëm Kujtimin, poezitë e Elvinës ishte një botë e tërë që po hapej dhe për mua ishte një eksperiencë revolucionare që po më ndryshonte. Jetoni dhe unë ishim duke shkuar drejt një transformimi. Tani pas 13 vjetësh ne shpresonim që impakti i ‘Polipit’ në kohë do të ishte më i madh dhe që ne do të kishin një transformim institucional midis Kosovës dhe Serbisë, sepse festivalet e këtij lloji do të ishte më mirë të mbaheshin me ndihmën e ministrive të Kulturës në Kosovë dhe Serbi apo për ta pasur një vit në Kosovë e një herë në Serbi. Unë vij nga një vend që nuk duan të dëgjojnë për këso lloje festivalesh, kështu që ai mbahet vetëm në njërën anë. Meqenëse ne sot nuk mund ta bëjmë këtë hap, unë nuk jam i interesuar të argëtohem”, ka thënë ai. Ka kujtuar se përkthimet në serbisht të autorëve shqiptar nuk kishin arritur të shiteshin pothuajse fare në Serbi.

Bashkorganizatori i Festivalit, Jeton Neziraj, ka thënë se gjatë viteve të fundit kanë parë një rënie të interesimit të publikut. Ka thënë se arsyet se pse “Polip” mund të mos vazhdojë tutje nuk kanë të bëjnë aspak me mbështetjen financiare.

“Problemi ose pyetja që kemi shtuar ne rreth ekzistencës së festivalit, për të ardhmen e tij më së paku është financiare. Jemi duke folur për çështje konceptuale. Pse një festival si ky duhet të vazhdojë? Pse do të duhej të mos ekzistojë. A e ka kryer atë mision apo jo dhe cili ka qenë ai mision? Ekzistenca e një festivali letrar është gjithmonë e mirëseardhur. Ka shumë arsye pse duhet të ekzistojë një festival i tillë. Megjithatë, pse ky festival është themeluar dhe pse ka pasur kuptim për krejt këto vjet, kjo ide ka filluar të tejkalohet. Jo pse dosja politike dhe ky mision është përmbyllur, por sepse kemi pasur përshtypje se ka filluar ta humbasë fokusin, impaktin që ka pasur te publiku”, ka thënë ai. Përgjigje e prerë nuk është dhënë. E megjithatë, “Polipi” vazhdon në ditën e tretë. Të dielën do të promovohet dy libra: “Shëtitje nëpër Srebrenicë” nga Faruk Shehiq dhe “Jazra Grozni Khaleed” nga Jazra Khaleed.