Eliott Behar në librin “Tregoji botës” përpiqet t’u japë zë viktimave – njerëzve të zakonshëm që përjetuan tragjedi të mëdha, por që shpesh mbetën të heshtur në rrëfimet dominuese politike. Edhe kur regjimi serb bënte marrëveshje, realiteti dëshmonte të kundërtën. “Nisën t’i armatosin civilët serbë, duke mbërritur t’u shpërndanin armë nja 50 mijë njerëzve ashtu që ata të mund të merrnin pjesë në operacione të përbashkëta”, shkruan Behar
Masakra e Izbicës
“Videoja dukej si xhirim amator – i papërpunuar dhe i pamontuar, një pamje që zëvendësohej prerazi me një tjetër. Një datë shihet e shënuar në këndin e poshtëm të ekranit: 31 mars 1999... Pritet xhirimi dhe tash dalim tjetërkund – një grumbull trupash të vdekur të hedhur mbi barin e gjelbër... Ky xhirim qe hera e parë që kisha parë vrasje në masë në Kosovë. Ishte xhiruar në komunën e Skenderajt menjëherë pasi kishte ndodhur ajo që u bë e njohur si Masakra e Izbicës”, shkruan Eliott Behar në librin e tij “Tregoji botës: Drejtësia ndërkombëtare dhe fushata për t’i fshehur vrasjet në masë në Kosovë”, Botimet KOHA, Prishtinë, 2018, në pjesën e librit të tij kur flet për dëshmitë rreth masakrës së Izbicës (fq. 117-119). Edhe pse si prokuror në Kanada kishte përvojë me pasojat e dhunës, Behar e pranon se rasti i Izbicës kishte dimension dhe ashpërsi tjetër.
Kjo dëshmi filmike që ishte bërë nga mjeku shqiptar Liri Loshi ishte dëshmia kryesore e Tribunalit për masakrën e Izbicës. Po ashtu, në libër autori sjell edhe detaje nga dëshmia e banorit Milazim Thaçi, i cili sjell dëshmi rrëqethëse për mënyrën e ekzekutimit të civilëve në Izbicë dhe për dëbimin për në Shqipëri të grave dhe fëmijëve, si dhe për mënyrën se si krejt rastësisht e mbijetoi këtë masakër.
Xhirimet nga afër dëshmonin se “viktimat ishin pothuaj të gjithë të moshuar, me bastunët dhe shtagat pranë tyre mbi bar. Kishin plagë të mëdha, që tregonin se ishin vrarë nga afër”, shkruan Behar duke komentuar dëshmitë e regjistruara në video të vrasjes masive në Izbicë, e cila ishte e rrallë, pasi Beogradi i kishte larguar para se të fillonin bombardimet e NATO-s të gjitha mediet ndërkombëtare nga Kosova dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pra, kishte shumë pak dokumentacion të xhiruar për t’i mbështetur rrëfimet personale për atë që po ndodhte në Kosovë.
Duke e vlerësuar dëshminë e këtij incizimi, Behar na jep detajet sesi Liri Loshi ia arriti ta nxirrte videoxhirimin e tij jashtë Kosovës dhe t’ia dorëzonte në Tiranë CNN-it dhe BBC-së, imazhet e të cilave shkaktuan reagim të menjëhershëm ndërkombëtar.
Në lidhje me këtë masakër, autori thekson se pas përfundimit të luftës, më 11 qershor, kur kishin filluar të ktheheshin banorët e dëbuar, kur arritën në vendin e krimit me dy gazetarë të BBC-së, zbuluan se shumica e varreve ishin zhdukur dhe toka ishte rrafshuar. Nuk kishte shenjë të trupave. Në përpjekje për fshehjen e masakrave në Kosovë, kreu shtetëror serb kishte vendosur që civilët shqiptarë të rivarroseshin në territorin e Serbisë, pasi largimi i tyre nga Kosova do të pamundësonte KFOR-in dhe organizatat e specializuara të zbulonin dëshmitë e krimeve serbe mbi popullatën civile shqiptare.
“Disa fshatarë iu thanë se forcat serbe kishin ardhur aty, i kishin zhvarrosur trupat dhe i kishin marrë me vete. Fotografitë satelitore të transmetuara nga State Departement Amerikan do të konfirmonin këtë: pamjet e vargjeve të gjata varresh të dukshme nga mesi i majit kishin ndryshuar radikalisht dhe tash toka dukej e rrafshuar në qershor”, shkruan Behar (fq. 132).
Natyrisht kjo ishte një përpjekje e shtetit serb për fshehjen e gjurmëve të krimit. Dhe kjo përpjekje tregonte se komanda e lartë serbe ishte e përfshirë në fshehjen e gjurmëve. Por, një ekip francez i forenzikës ndërmjet 29 dhe 30 qershorit, pasi kontrolloi vendvarrimin në Izbicë, kishte identifikuar 139 varre që ishin mihur dhe konfirmuar. Dhe se nuk kishte mbetur asnjë trup në to. Ishin konstatuar po ashtu tri vende të qarta ku kishte ndodhur ekzekutimi.
Viktimizimi i serbëve dhe fushata demonizuese ndaj shqiptarëve
Në kapitullin e shtatë “Rrënjët e padrejtësisë”, Behar shpjegon rrethanat e nxitjes në pushtet të Sllobodan Millosheviqit, si dhe për fushatën represive ndaj shqiptarëve të Kosovës, e cila shoqërohej me viktimizimin e serbëve të Kosovës, që ilustrohet me rastin e vetëlëndimit të Gjorgje Martinoviqit në vitin 1985. Në kontekst të viktimizimit të serbëve, përmendet fushata demonizuese e medieve serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët paraqiteshin si dhunues të grave serbe, edhe pse ekspertët e pavarur të juristëve kishin konstatuar se dhunimet në Kosovë ishin më të rralla sesa në pjesët e tjera të Jugosllavisë. Në këtë kontekst, Behar përmend se “Memorandumi” i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë ishte një zjarrvënës dhe që i paraqiste serbët si viktima të regjimit komunist dhe që kërkonte eliminimin e krahinave autonome të Kosovës dhe të Vojvodinës. Në kontekst të përgatitjes së agresionit ndaj shqiptarëve, Beogradi i paraqiste viktimat si fajtor për “gjenocidin” mbi serbët e Kosovës. Memorandumi ishte një festë për ekspansionizmin e Serbisë së madhe. Ky ishte sfondi i ngjarjeve mbi të cilat u ngjit në pushtet Millosheviqi.
“Askush nuk guxon t’ju rrahë”, u tha Millosheviqi serbëve të Fushë-Kosovës. Duke paraqitur serbët si viktima të padrejtësisë, fjalët e Millosheviqit e elektrizuan opinionin serb, nxitën krenari dhe i mbushën kurajë”, thekson Behar.
Krijimi i një perceptimi të tillë viktimizues, se serbët ishin viktima të krimeve të vazhdueshme, nënkuptonte se veprimet represive serbe, të diktuara nga Beogradi, mund të shërbenin si përgjigje e arsyetueshme për një padrejtësi të vazhdueshme. Në këtë kontekst, dy vjet më vonë, Beogradi shfuqizoi autonominë e Kosovës dhe mbylli institucionet kulturore, ekonomike dhe shëndetësore për shqiptarët. Pra, gjakderdhjes i parapriu në të gjithë Jugosllavinë në vitet ‘90, rrëfenjat e padrejtësisë në të cilat serbët paraqiten si viktima. Duke analizuar historinë e bashkëpunimit të Serbisë me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), studiuesja e njohur Nevenka Tromp, konstaton se autoritetet e Beogradit përzgjodhën pjesë të provave të rëndësishme dhe i vendosën nën mbrojtje për të mos u bërë të ditura dokumentet të cilat dëshmonin shkallën e përgjegjësisë penale të Millosheviqit në TPNJ, por edhe përgjegjësinë shtetërore që mund të ishte vërtetuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Kjo qasje e Serbisë u shpërblye, pasi në vitin 2007, GJND-ja e liroi Serbinë nga përgjegjësia si shtet për gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë. Mbrojtja e dokumenteve edhe në rastin e Kosovës e mbron Serbinë dhe interesat e saj kombëtare dhe për më tepër tregon se Serbia ka arsye të forta që të mos e pranojë krimin e gjenocidit jo vetëm në Bosnjë, por as në Kosovë.
Masakra mbi familjen Berisha në Suharekë
Në kapitullin e radhës, të tetin, autori flet për rastin e masakrës mbi tre brezat e familjes Berisha nga Suhareka, të cilët ishin ekzekutuar në një piceri të këtij qyteti. Ishte kjo familje ku ishte vendosur misioni monitorues i OSBE-së. Nga kjo masakër mbijetuan vetëm Shyhretja, Gramozi dhe Vjollca, të cilët ia dolën të kërcenin nga kamioni i cili po bartte trupat e familjarëve të ekzekutuar të familjes Berisha.
“Veljkoviqi shpjegoi se ngarkimi i trupave ishte mbikëqyrur nga dr. Boban Vuksanoviqi, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit dhe njeriu që kishte përjashtuar Halit Berishën si kryetar komune më 1991.
‘Bobeku’ urdhëronte, derisa punëtorët nga kompania komunale e Suharekës ndihmonin me ngarkimin e trupave në kamion”, citon Behar rrëfimin e dëshmitarit të Tribunalit.
Krahas kësaj masakre, autori flet edhe për krimet serbe në Gjakovë, ku menjëherë pas nisjes së sulmeve të NATO-s, forcat serbe ndërmorën një operacion të koordinuar, duke shkatërruar shtëpi e dyqane të shqiptarëve, objekte fetare dhe historike në vetë qytetin e Gjakovës, duke përfshirë edhe dyqanet e Çarshisë së Madhe, bibliotekën, një medrese dhe Xhaminë e Hadumit.
Politika e serbizimit të dhunshëm për zgjidhje përfundimtare
Në kapitullin tjetër vijues, Behar përshkruan përpjekjet ndërkombëtare për paqësimin e konfliktit, duke u ndalur me theks të veçantë te çështja e misionit të OSBE-së, i cili ishte ngritur pas Marrëveshjes Hoolbrole – Millosheviq në tetor të vitit 1998. Por, siç dokumentojnë ngjarjet, regjimi serb, megjithatë, nuk e kishte qëllimin të respektonte marrëveshjen.
“Në vend që të zvogëlojë numrin e policëve dhe ushtarëve, ai i shtoi ata. Nisën t’i armatosin civilët serbë, duke mbërritur t’u shpërndanin armë nja 50 mijë njerëzve ashtu që ata të mund të merrnin pjesë në operacione të përbashkëta”, shkruan Behar (fq. 192). Ky pohim vërteton se shteti serb pjesë të spastrimit etnik dhe të vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës, e cila ishte projektuar edhe me planin e koduar “Patkoi”, po e bënte edhe popullatën civile serbe, e cila në fund të luftës braktisi Kosovën nga frika e hakmarrjes për atë çfarë kishin bërë gjatë luftës mbi fqinjët e tyre shqiptarë. Kjo formë e mobilizimit të shtetit serb për “zgjidhjen përfundimtare“ në Kosovë është emblematika e politikës së serbizimit të dhunshëm, të hartuar nga kreu i lartë politik dhe ushtarak i Serbisë.
Në këtë kontekst, autori jep një pasqyrë të rrethanave të ndodhjes së masakrës së Reçakut më 15 janar 1999, ku kishte shenja të qarta të ekzekutimit të 45 civilëve shqiptarë, duke përfshirë tri gra dhe një djalë dymbëdhjetë vjeç, por kjo masakër duket qartë se nuk është pjesë e trajtimit të drejtësisë ndërkombëtare. Sidoqoftë, “hetimin” e Danica Markoviqit, hetuese e regjimit të Millosheviqit, e konsideronte si “një përpjekje institucionale për fshehjen” e krimit shtetëror. Pas vrasjes së Reçakut, armëpushimi i brishtë u shua tërësisht. Ky moment shënon pikë kthese në luftën e Kosovës, e bën të domosdoshëm shqyrtimin e opsionit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s, të cilën, sipas autorit, “shumë zyrtarë – ndër ta më e zëshmja sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright – e shihnin përmes ‘mësimeve nga Münichu’, duke insistuar se Millosheviqi duhej përballuar, e jo injoruar” (fq. 195).
Krimi mbi familjen Bogujevci
Në kapitullin e dhjetë, Behar përshkruan rrethanat e masakrës mbi familjes shqiptare Bogujevci në Podujevë, më 28 mars, ku mbijetuan asokohe dy fëmijët Saranda dhe Fatos Bogujevci.
“Si Saranda, ashtu edhe Fatosi ishin bërë shoshë nga plumbat. Sarandën e kishin qëlluar dy herë në këmbën e djathtë, një herë në shpinë dhe trembëdhjetë herë në krahun e majtë... Fatosi u qëllua tri herë në këmbën e majtë dhe dy herë në të djathtën”, shkruan Behar, duke shtuar se “asnjë nga gratë e fëmijët e tjerë nuk i mbijetuan ekzekutimit në oborr. Katërmbëdhjetë veta u vranë, të gjithë gra dhe fëmijë. Mjekët serbë, sipas modelit të mjekëve nazistë, ishin përpjekur që t’i bindin fëmijët që të thoshin se ishin viktima të bombardimit të NATO-s”. Beogradi po përpiqej që edhe viktimat e policisë serbe t’ia atribuonte NATO-s, duke luajtur viktimizimin para publikut ndërkombëtar. Masakra ishte bërë në bashkëpunim me policinë e rregullt serbe dhe formacionet paramilitare të “Shkorpionëve”, të cilët ishin të njohur për operacionet e tyre të spastrimit etnik në Bosnjë dhe Kroaci gjatë viteve ‘90.
Por provat e Tibunalit kishin dëshmuar se kishte qenë Vllastimir Gjorgjeviqi ai i cili i kishte përfshirë edhe “Shkropionët” famëkëqij brenda një njësie të Policisë nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë. Në këtë kuadër, autori ndalet edhe te një ngjarje jashtë sallës së gjyqit: ekspozita e hapur në Beograd në vitin 2013 nga fëmijët e familjes Bogujevci, ku ata rrëfenin jetën e tyre përpara dhe pas masakrës që ndryshoi përgjithmonë jetët e tyre. Edhe pse në ekspozitë ishte kryeministri i atëhershëm Ivica Daçiq, shteti serb nuk ka bërë asnjë përpjekje për një ballafaqim kritik me të kaluarën, madje në mënyrë sistematike është përpjekur të komprometojë proceset gjyqësore para gjykatave ndërkombëtare.
Elita politike dhe intelektuale serbe ka punuar pa reshtur për të mohuar krimet e kryera nga formacionet e armatosura, duke u përpjekur të përmbysë narrativën për atë çfarë kishte ndodhur në Kosovë më 1989-1999. Kështu Serbia synon të dalë me një histori më të pastër sesa e meriton, ndërkohë që nuk heq dorë nga ideologjia e saj e njësimit të të gjithë serbëve në një shtet të madh.
Sistemi gjyqësor kishte bërë përpjekje të minimizonte spastrimin etnik në Kosovë, duke ngritur pretendime se vrasjet e shqiptarëve nuk ishin planifikim politik, ushtarak dhe policor, porse ishin akte të një grushti kriminelësh individualë që vepronin kokë më vete. Ky qe rrëfimi i cili shpesh u përsërit në publik dhe mbrojtja shpesh e kishte aplikuar në Tribunalin e Hagës. Por, siç shkruan autori i këtij libri, spastrimi etnik në Kosovë ishte i planifikuar nga lart. “Forcat serbe lëviznin nëpër Kosovë në një operacion të koordinuar për t’i dëbuar shqiptarët. Për ta bërë këtë, vranë, abuzuan dhe ndoqën me mijëra civilë, shkatërruan objekte fetare dhe kulturore, dogjën shtëpi dhe shumë fshatra deri në themel”, shkruan Behar (fq. 254). Se ishte fjala për aksione të planifikuara nga lart, dëshmon fakti se kur shqiptarët mbërritën në kufi, policia, ushtria dhe forcat paramilitare të vendosura në pikat kufitare sistematikisht ua morën pasaportat, patentëshoferët dhe letërnjoftimet që të mos mund të ktheheshin kurrë.
Sipas këtij libri, aktgjykimi për “Rastin Kosova 6”, i shpallur më 26 shkurt 2009, i cili kishte zgjatur dy vjet, dhe ku ishin paraqitur 235 dëshmitarë dhe 4.300 prova materiale, pa asnjë dyshim gjeti se forcat serbe e kishin planifikuar dhe zbatuar një fushatë të gjerë të dhunës kundër shqiptarëve, me qëllim të ndryshimit të balancës etnike në Kosovë. Po ashtu krimet e kryera nga shteti serb, duke përfshirë edhe dëbimet në masë, vrasjet, ndjekjet dhe shkatërrimi i pronës fetare, nuk ishin rezultat “i incidenteve të izoluara të kryera nga individë të rastësishëm”, siç kishte pretenduar mbrojtja e të akuzuarve serbë për krime të luftës. Dhoma e Tribunalit gjeti se aksionet e policisë dhe të ushtrisë serbe ishin të drejtuara kundër civilëve shqiptarë. Shablloni i zbatuar nëpër disa lokalitete u përcaktua: armata do të garantonte, banorët iknin; policia do të hynte me këmbësori, shpesh duke i djegur shtëpitë dhe duke i plaçkitur dhe në shumë raste duke i ekzekutuar burrat dhe djemtë më të rritur, dhe më pas do t’i dëbonin të gjithë në masë, duke i drejtuar nga kufiri në këmbë me vetura apo trena” (fq. 334). Po ashtu, Dhoma kishte konstatuar se Gjorgjeviqi kishte udhëhequr operacionin e zhvarrosjes dhe të transportimit të trupave me qëllimin e fshehjes së tyre në masë, në Batajnicë, në Petro Selo dhe në liqenin Peruçac.
"Të flasim për të vdekurit që ata të mos kenë vdekur kot.”
Përveç analizës së thelluar juridike, Eliott Behar në librin “Tregoji botës” përpiqet t’u japë zë viktimave – njerëzve të zakonshëm që përjetuan tragjedi të mëdha, por që shpesh mbetën të heshtur në rrëfimet dominuese politike. Me qartësi dhe ndershmëri intelektuale, Behar argumenton se për shkak të interesave gjeopolitike dhe presionit të fuqive të mëdha, shumë krime masive mbetën të pandëshkuara, duke kontribuuar në krijimin e një narrative të manipuluar për ngjarjet e luftës.
Autori ndërthur faktet e pamohueshme me përjetime personale dhe dëshmi prekëse, duke ndërtuar një rrëfim që është njëherësh analitik dhe njerëzor. “Tregoji botës” është më shumë se një libër – është një thirrje për drejtësi, një përpjekje për të rikthyer kujtesën kolektive në qendër të vëmendjes, dhe një reflektim i thellë mbi dështimet institucionale përballë mizorive njerëzore.
Ky është një libër thelbësor për të gjithë ata që janë të interesuar në drejtësinë ndërkombëtare, të drejtën humanitare dhe pasojat e luftës në Kosovë. I vështirë për t’u lexuar për shkak të përmbajtjes së tij autentike dhe tronditëse, por i domosdoshëm që – ashtu siç ka shkruar “Life Magazine” për publikimin e fotografive tronditëse të luftës civile spanjolle nga Robert Capa në vitet 1930 – “të flasim për të vdekurit që ata të mos kenë vdekur kot”.
© KOHA Ditore