E emri i tij lidhet më pas me zhvillimet më të rëndësishme diplomatike që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës. Emri i tij lidhet me dokumentin gjithëpërfshirës për adresimin e statusit final të Kosovës, i njohur si Plani i Ahtissarit, sipas të cilit Parlamenti i Kosovës deklaroi pavarësinë e vendit më 17 shkurt 2008. Pas angazhimit të tij si emisar special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në dialogun Kosovë-Serbi, në harkun kohor 2006-2007, Martti Ahtisaari mori çmimin “Nobel” për Paqe në dhjetor të vitit 2008 në Oslo
Emri i ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari, lidhet ngushtë edhe me aktivitetet diplomatike në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Aktivitetet e tij të drejtpërdrejta në Ballkan kanë filluar që në vitin 1992 kur Ahtisaari ishte një prej figurave kyçe në përpjekjet për zgjidhjen me mjete paqësore të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërsa dy vjet më vonë ai është zgjedhur për herë të parë president i Republikës së Finlandës, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2000. Njihej edhe si një profesionist në diplomacinë shumëpalëshe.
E emri i tij lidhet më pas me zhvillimet më të rëndësishme diplomatike që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës. Emri i tij lidhet me dokumentin gjithëpërfshirës për adresimin e statusit final të Kosovës, i njohur si Plani i Ahtissarit, sipas të cilit Parlamenti i Kosovës deklaroi pavarësinë e vendit më 17 shkurt 2008. Pas angazhimit të tij si emisar special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në dialogun Kosovë-Serbi, në harkun kohor 2006-2007, Ahtisaari mori çmimin “Nobel” për Paqe në dhjetor të vitit 2008 në Oslo.
Martti Ahtisaarit në fillim të muajit maj 1999, vetëm disa javë pasi ishte bërë publik plani i paqes nga ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, iu kërkua të ndërmjetësojë në luftën e Kosovës, pasi ai vinte nga një vend që nuk ishte pjesë e fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe.
I dërguari i BE-së, presidenti Ahtisaari së bashku me ndërmjetësin rus, Viktor Çernomirdin, më 1 qershor 1999 (gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s) u takuan me Slobodan Millosheviqin, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore të luftës në Kosovë. Ata e sollën në Beograd propozimin i cili mbështetej në parimet e G-8-shes dhe i hapte rrugë protektoratit ndërkombëtar në Kosovë.
Ahtisaari në vitin 2005 u kthye edhe njëherë në Ballkan për të zgjidhur statusin final të Kosovës. Ai ka drejtuar edhe ekipin e ndërmjetësve, së bashku me austriakun Albert Rohan, në dialogun e zhvilluar në Vjenë, mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Pas dështimit të këtij dialogu, ai me ekipin e tij ka hartuar edhe dokumentin që në opinion njihet si Plani i Ahtisaarit dhe që paraqet bazat e shtetësisë së sotme të Kosovës. Ahtisaari ka drejtuar edhe misione të tjera paqësore në botë. Për këtë është nderuar me çmimin “Nobel” për Paqe, në vitin 2008, dhe kështu u bë finlandezi i parë që fitoi këtë çmim.
Propozimi amerikan për emërimin e Ahtisaarit si emisar i BE-së
Të mërkurën, më 5 maj 1999, ra zilja e telefonit në Mӓntyniemi, në rezidencën e presidentit të Finlandës. “Zoti president, këtu Strobe Talbot, jam mirënjohës që e pranuat telefonatën time pas një kohe kaq të shkurtër përgatitjeje”.
Talbot asokohe ishte zëvendëssekretar i Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilin Ahtisaari kishte biseduar për luftën e Kosovës. Pasi kishin ndërruar përshëndetjet, Talboti i kërkoi Ahtisaarit të ndërmjetësonte te Millosheviqi, presidenti i Jugosllavisë së mbetur, për të pranuar një plan paqeje. Iniciativën për emërimin e Ahtisaarit në detyrën e emisarit të paqes e kishte përmendur Madeleine Albright gjatë një takimi të saj në Washington me presidentin Bill Clinton, zëvendëspresidentin Al Gore dhe Viktor Çernomërdin. Ajo çfarë i bënte optimistë amerikanët ishte reagimi pozitiv i Çernomërdinit për emrin e Ahtisaarit. Ky emërim po vinte në kohën kur rusët mendonin se Millosheviqi ishte duke kërkuar një rrugëdalje dhe mënyrë për t’u dorëzuar, por që amerikanët dhe evropianët asnjëherë nuk do ta përdornin këtë fjalë publikisht. Në ndërkohë, edhe zëdhënësi i Aleancës, Jamie Shea, kishte deklaruar se Millosheviqi po jepte shenja se dëshironte kompromis, por ai kërkonte që këtë gjë Millosheviqi duhej ta deklaronte qartë dhe hapur duke pranuar që të qesë kushtet e NATO-s, të cilat tashmë ishin të ngjashme me ato të G-8-shes. Beogradi po tentonte edhe përmes afrimit me Bonin të gjente një rrugëdalje në konfrontimin me NATO-n. Jovanoviq në këtë kohë i kishte dërguar një letër shefit gjerman të diplomacisë, Joschka Fischer, përmes së cilës provonte të krijonte edhe çarje brenda faktorit ndërkombëtar.
Por tashmë kohët e zhvillimeve ishin në duart e amerikanëve, të cilët përmes Çernomërdinit dëshironin ta përfshinin në procesin e paqes edhe Rusinë e Jelcinit, i cili thuhej se nuk e honepste Millosheviqin, qëkur ai në vitin 1991 kishte mbështetur puçistët rusë kundër Gorbaçovit. Për më tepër, Çernomërdini ishte mjaft optimist se Millosheviqi tashmë anonte nga marrëveshja.
Përpjekja e rusëve për t’ia shpëtuar fytyrën Millosheviqit
Ishte kjo edhe një përpjekje e rusëve për t’ia shpëtuar fytyrën Millosheviqit. Ose, shprehur me terma klasikë ushtarakë, ishte i rëndësishëm personi, të cilit ai ia dorëzon shpatën. Dhe, njeriu të cilit ai mund t’ia dorëzonte shpatën e tij, si më i përshtatshmi nga amerikanët ishte vlerësuar presidenti Martti Ahtisaari. Përparësia e tij ishte se Finlanda nuk i përkiste Aleancës Veriatlantike dhe ishte e paanshme, pasi Finlanda kishte marrëdhënie të mira me Lindjen dhe Perëndimin, se presidenti Ahtisaari kishte përvojë të konsiderueshme në OKB dhe në Ballkan, se ai, po ashtu, gëzonte në reputacion dhe respekt ndërkombëtar.
Për emrin e Ahtisaarit, amerikanët kishin biseduar me ambasadorin gjerman, Wolfgang Ischinger, ngase Gjermania ishte kryesuese e BE-së dhe amerikanët dëshironin që gjermanët të mos jenë të indinjuar me anashkalimin eventual. Ideja për përzgjedhjen e Ahtisaarit u pëlqeu gjermanëve, pasi presidenti finlandez konsiderohej si njeriu që mund ta vendoste në binar bashkëpunimin diplomatik maksimal me rusët. Tani shtrohej pyetja nëse misioni i Ahtisaarit do të kishte sukses. Nëse do të dështonte Ahtisaari, alternativa ushtarake do të ishte mundësia e vetme, madje me trupa tokësore. Duke pasur parasysh mundësinë që Millosheviqi do të përkulej, ishte e domosdoshme që të punohej së bashku me Rusinë. Pa Rusinë në Këshillin e Sigurimit nuk mund të merrej një vendim i duhur. Rusisë dhe Jelcinit u krijohej, pra, mundësia që të vepronin në estradën e diplomacisë ndërkombëtare, siç do të shprehej Jacques Chiracu. Kjo u jepte amerikanëve, gjithashtu, mundësi që t’i korrigjonin të çarat në marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Rusisë, të krijuar për shkak të bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave ushtarake.
Arsyeja pse amerikanët e angazhuan Ahtisaarin, në të vërtetë, ishte mjaft e natyrshme. Finlanda ishte vendi i ardhshëm kryesues në BE, pozitë kjo që i jepte anëtarësi në organin e së ashtuquajtur Treshe e BE-së për përgatitje të çështjeve. Për arsye historike, Gjermania kryesuese e atëhershme e BE-së, nuk vinte në shprehje. Pasi që Ahtisaari kishte punuar në vitet 1992-1993 në çështjet e Bosnjë-Hercegovinës në kornizën e OKB-së, tashmë ai kishte, deri diku, njohuri për situatën dhe kushtet në Ballkan. Me sa dukej edhe përvoja e Ahtisaaarit si udhëheqës i procesit të pavarësimit të Namibisë llogaritej në favor të tij. Edhe një gjë, që shpesh është e rëndësishme, Strobe Talbot, ishte shoku i tij i vjetër, i cili, edhe për këtë arsye, kishte menduar për emrin e Martti Ahtisaarit.
Në politikën ndërkombëtare, bashkëveprimi në mes të njerëzve, kohës dhe situatës e përcakton shpesh rezultatin përfundimtar. Situata në Ballkan ishte e tillë që politikanët në rolet kryesore e sidomos Millosheviqi, tashmë ishin të bindur se duhej të gjenin një mënyrë për t’i ndaluar bombardimet e NATO-s dhe se, ndoshta, e parandjenjë se një invazion tokësor do të thoshte edhe përfundim tragjik për të. Në të njëjtën kohë, Milloshevqi, si kusht për zgjedhje kërkonte që ta ruante pozitën e tij në udhëheqjen e Jugosllavisë së mbetur.
“Isha i gatshëm ta pranoja këtë detyrë...”
“Isha i gatshëm ta pranoja këtë detyrë edhe për arsye se, edhe vetëm pjesëmarrja, për Finlandën ishte përfituese dhe nder [...] Ndoshta arsyeja ime kryesore pse e pranova ishte, megjithatë marrëveshja që, procesi të përfundonte para fillimit të korrikut, deri atëherë kur Finlanda do të bëhej kryesuese e BE-së”, do të thoshte Martti Ahtisari.
Fushata e bombardimeve të NATO-s, që kishte filluar më 24 mars, deri në fillim të majit, nuk kishte pasur ndikimin e pritur në Jugosllavinë e mbetur. “Nuk doli e saktë, as pritja në NATO se Millosheviqi do të bindej e shumë shpejt të lëshonte pe. Kështu, në vlerësimet e zbulimit, të cilat i mora, thuhej se Millosheviqi madje nuk besonte se NATO-ja do të ndërmerrte fushatë të bombardimeve, por, nëse kjo do të ndodhte, ai do të ishte i gatshëm për paqe pas bombardimeve disaditëshe”, shkruan Ahtisaari në librin “Detyra në Beograd”.
Fillimisht Ahtisaari dëshironte që të vepronte edhe me mandatin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, pa qenë përfaqësues special. Por, Annani, megjithatë, dyshonte në suksesin e përpjekjeve të presidentit finlandez dhe nuk donte të merrej me një veprim të pasigurt. Më 6 maj, Annani i emëroi, madje, dy përfaqësues të tij: ish-kryeministrin e Suedisë, Carl Bildt, dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Eduard Kukan. Sekretari i përgjithshëm nënvizonte se ai donte që përfaqësuesit e tij specialë të kishin kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët dhe, gjithashtu, me G8-shin. Annani besonte se përfaqësuesit e sapoemëruar do të punonin në detyrën e tyre me përkushtim të plotë.
Kjo shkaktonte, në fillim, përzierje të panevojshme, pasi që Bildt, veçanërisht, mendonte se detyra e tij ishte disi e pavarur prej përpjekjes së Ahtisaarit, por e njëkohshme dhe e të njëjtit drejtim me të. Telefonata e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, më 6 maj, një ditë pas bisedës së zhvilluar ndërmjet Talbot dhe Ahtisaarit, bëri të qartë se në këtë proces kishte shumë lojtarë dhe shumë interesa.
“Kuptohet që Annan ishte i hutuar. Ai mendonte se unë isha i angazhuar në diçka që e kisha refuzuar kur kishim biseduar për këtë çështje në fund të prillit. Ndoshta amerikanët ia kishin shpjeguar situatën e re jo shumë qartë, sado që në atë fazë askush nuk do të mund të tregonte më qartë. Annani, ndoshta, e ndiente se tashmë ndodhej para një fakti të kryer”, sqaron Ahtisaari.
Natyrisht, Annanin e bezdiste fakti i tepërt se OKB-ja, edhe një herë, për zgjidhjen e krizës së Kosovës, ishte anashkaluar. Por, për veprimin e Ahtisaarit, aktiviteti i OKB-së nuk ishte i dobishëm në këtë fazë. Ndërkohë, Annan ishte pajtuar me idenë për përpjekje jashtë OKB-së. Ai i kishte thënë Albright: “Jam i gatshëm të pres se çka mund të arrihet me propozimin e Ahtisaarit dhe Çernomërdinit. Nëse ai do të jetë i suksesshëm, mirë, nëse jo, ne duhet të vendosim se çfarë përpjekjesh do të bëjmë pastaj”.
Ashtu kishte ndodhur në gusht të vitit 1995, kur NATO-ja me ndihmën e bombardimeve gjashtëmbëdhjetëditore dhe të operacionit të përbashkët të kroatëve dhe myslimanëve të Bosnjës, i kishte shtyrë serbët që ta ndërprisnin rrethimin e Sarajevës dhe të hiqnin dorë nga rrethimi i qytetit. Atëherë Millosheviqi e kishte kuptuar se çka nënkuptonte përdorimi i forcës, të cilën ai vetë e përdorte në masë të gjerë, dhe kishte pranuar Konferencën e Daytonit për zgjidhjen e problemit të Bosnjës. Në librin e tij “To end a War”, diplomati amerikan, Richard Holbrooke, pohon se Marrëveshja e Daytonit kishte mangësi dhe gabime të mëdha, të cilat e ngadalësonin realizimin e saj.
“Unë mendoj se një arsye shumë e rëndësishme për palët kundër Millosheviqit ishte vendimi i njoftuar publikisht nga Bill Clintoni”, thotë Ahtisaari, sipas të cilit, në asnjë rast, duhej të shmangej një luftë tokësore. Thirrja në sovranitet, megjithatë, nuk e shpëtoi Millosheviqin. NATO-ja e anashkaloi OKB-në për arsye se Këshilli i Sigurimit nuk do t’i kishte miratuar veprimet e planifikuara nga NATO-ja. Për herë të parë, në OKB, nuk u morën në konsideratë sovraniteti dhe pranimi i konsensusit të shteteve energjike.
Veprimet e Serbisë në Kosovë nuk konsideroheshin drejtpërdrejt si kërcënim serioz kundër sigurisë së fqinjëve nga Millosheviqi që përbënte rrezik të vazhdueshëm për stabilitetin e rajonit.
Më 6 maj 1999, në ditën që Grupi i Tetëshes ishte mbledhur në kështjellën e Petersbergut, në afërsi të Bonit, bie në ujdi për parimet e “Planit Fischer”, kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schröder, i cili, në rolin e kryetarit të atëhershëm të BE-së, e emëroi edhe formalisht presidentin finlandez Martti Ahtisaari në rolin e përfaqësuesit të BE-së për procesin e paqes për Kosovën. Sipas Ahtisaarit, Schröder mendonte se kornizat për zgjidhje ishin bukur të qarta. Sipas tij, ishte e rëndësishme që në këtë fazë të fillonin të mendohej për kohën pas fazës ushtarake. Schröder kishte biseduar për këtë edhe me presidentin francez Chirak dhe e kishte rekomanduar marrëveshjen për ndarjen e ngarkesës në “qarkullimin e etiketës së çmimit”. Ishte e qartë se rindërtimi do të kushtonte shtrenjtë, sepse ai nuk do të kufizohej vetëm në Kosovë.
Përveç ksaj, me emërimin Ahtisaarit në rolin e përfaqësuesit special të BE-së, procesi diplomatik në kërkim të zgjidhjes paqësore të krizës së Kosovës kishte filluar të rrjedhë në tre binarë: BE, Grupi 8 dhe kontaktet bilaterale. BE-ja, nëpërmjet angazhimit të diplomacisë gjermane, luajti një rol të rëndësishëm gjatë lojës përfundimtare diplomatike, respektivisht të futjes në bord edhe të Rusisë. Si rezultat i kësaj, tani vepronte Treshja ndërkombëtare, e përbërë nga Ahtisaari, nga Talboti dhe nga Çernomërdin, që përfaqësonin BE-në, SHBA-në dhe Rusinë.

Ndërkohë, në G-8 vazhdonte puna paralele e drejtorëve politikë dhe e ministrave të Jashtëm, e cila u përqendrua para së gjithash në hartimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit, e cila do t´i hapte rrugë bërjes së paqes, administrimit ndërkombëtar dhe dislokimit të trupave paqeruajtëse, bërthama e së cilës do të përbëhej nga trupat ushtarake të NATO-s. Ministrat e Jashtëm të vendeve të G-8-shes në Petersberg/Gjerrmani, do të marrin seriozisht në shqyrtim “Planin Fischer” dhe do të pajtohen për parimet bazë të zgjidhjes politike, megjithëse Rusia bëri të qartë se një zgjidhje politike do të mund të arrihej vetëm pasi të jenë ndalur bombardimet. Ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, duke raportuar për rezultatin e Takimit të Petersbergut, theksonte se me mbështetjen e planit të tij është bërë një hap i rëndësishëm përpara, për dhënien fund të dëbimit dhe të vrasjes së shqiptarëve të Kosovës.
Negociatat paraprakisht u zhvilluan përgjatë vijës ndarës 7 plus 1. Rusia negocionte me të gjitha shtetet e tjera të Grupit G-8, të kryesuara nga SHBA-ja. Përkundër, trysnisë ruse, që favorizonte vetëm pesë pika të deklaratës, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të G-8-shes miratuan parimet e përgjithshme e njohur si Deklarata e Petersbergut, e cila në këtë fazë u bë bazament për zgjidhjen politike të krizës së Kosovës:
- Tërheqja e ushtarëve, e policëve dhe e formacioneve paraushtarake nga Kosova;
- Vendosja e një pranie ndërkombëtare civile efektive dhe të sigurisë në Kosovë, e cila do të miratohej dhe do të vendosej nga Kombet e Bashkuara dhe që do të jetë në gjendje për të garantuar arritjen e synimeve të përbashkëta;
- Krijimi i një administrate kalimtare civile në Kosovë në harmoni me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara;
- Kthimi i sigurt dhe i lirë i të gjithë refugjatëve dhe i të dëbuarve dhe hyrja e papenguar në Kosovë e organizatave humanitare ndërkombëtare;
- Fillimi i proceseve politike me qëllim që, në bazë të Marrëveshjes nga Rambouillet, të krijohen themelet për Kosovën autonome, duke marrë parasysh kërkesat e Jugosllavisë për respektimin e integritetit të saj territorial, si dhe për çmilitarizimin e UÇK-së; dhe,
- Marrja e vendimeve gjithëpërfshirëse për ekonominë dhe për stabilizimin e mbarë rajonit.
Krahas këtyre parimeve, G-8 ngarkoi drejtorët politikë që të fillojnë hartimin e projektit të rezolutës të Këshillit të Sigurimit të KB-së dhe programit me të cilin do të caktohej një orar, sipas të cilit do të përcaktoheshin hapat e tjerë konkretë në drejtim të arritjes së paqes në Kosovë. Pika e katër të deklaratës e ngarkonte Gjermaninë, që si kryesuese e G-8-esh dhe e BE-së, që të informonte Qeverinë e Kinës për rezultatet e takimit. Po kështu, edhe Treshja ndërkombëtare
Ahtisaari, Talbot dhe Çernomërdin, duke pasur për bazë katalogun e kërkesave të lartpërmendura, filluan të hartojnë detajet dokumentit të paqes të cilin duhej t’ia dorëzonin Beogradin. Natyrisht, një dokument i tillë përmbante 10 pika dhe disa interpretime, të cilat pothuaj ishin identike me konkluzionet e G-8-shes dhe me parimet bazë të Planit Fischer. Sipas Dokumentit Ahtisaari-Talbot-Çernomërdin, Beogradi nuk do të kishte kurrfarë ndikimi në përbërjen, udhëheqjen dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare. Për ato gjëra do të vendosnin NATO-ja, BE-ja, Rusia dhe ato vende neutrale të cilat donin të merrnin pjesë në operacion. Nga ana tjetër, kushti për themelimin e trupave ishte që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ta pranonte rezolutën ekzekutive. Por, thelbi i këtij dokumenti ishte se “Kosova qëndronte si pjesë e Jugosllavisë së mbetur, gjë që e garantonte unitetin e këtij shteti. Por, në të njëjtën kohë, ky propozim e kufizonte në një masë sovranitetin e Jugosllavisë së mbetur”.
Udhëtimi në Beograd
Më 2 qershor Ahtisaari dhe Çernmërdini arritën në Beograd, ku i priti ministri i Punëve të Jashtme të “Jugosllavisë”, Jovanoviq, dhe atasheu i Suedisë (tërë personeli i Ambasadës së Finlandës ishte evakuuar). Të pranishëm ishin edhe shumë gazetarë. Një nga bashkëpunëtorët e Ahtisaarit vërejti se nën strehë të terminalit kishte dhjetëra aeroplanë bombardues, të cilët nën mbulesa, në aeroportin civil, ishin të mbrojtur mirë nga bombardimet e NATO-s.
Pasi delegacioni arriti në ndërtesën e qeverisë, Ahtisaari dhe Çernomërdin, sipas zakoneve të mirësjelljes, u takuan me Millosheviqin. Ky ishte takimi i parë dhe vendimtar. Ahtisaari e filloi bisedën duke përmendur se kishte ardhur me Çernomërdinin për të biseduar për Kosovën dhe se tani kishte ardhur koha që Beogradit t’i krijohej një mundësi për një fillim të ri dhe t’i sigurohej një vend në Evropën demokratike. Ahtisaari, pasi i shtroi pyetjen më shumë retorike se me çfarë kushtesh mund të arrihej paqja, i tregoi Millosheviqit parimet në bazë të cilave kriza e Kosovës mund të zgjidhej. I lexoi pikë për pikë dokumentin, për të cilin ishin pajtuar në bisedimet e Petersbergut para se të niseshin për në Beograd.
Ahtisaari nënvizoi se as Finlanda dhe as Rusia nuk kishin marrë pjesë në bombardimin e Serbisë. Qëllimi i tij dhe i Çernomërdinit ishte një marrëveshje, e cila do t’i plotësonte kushtet për ndaljen e bombardimeve.
Millosheviqi ishte i interesuar të mësonte edhe qëndrimin e Çernomërdinit, për të kuptuar nëse kishte ndonjë mundësi për ndryshimin e dokumentit. Çernomërdin vuri theksin mbi rolin e OKB-së në zgjidhjen e krizës si dhe mbi atë se parakusht për zgjidhjen është edhe kontributi i Beogradit. Çernomërdin vazhdoi në idenë se më parë duhej të krijoheshin parakushtet për paqen dhe për ndaljen e bombardimeve, e pastaj të krijohej marrëveshja për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Çernomërdini përmendi, gjithashtu, se NATO-ja do të merrte pjesë në trupat ndërkombëtare të sigurimit të paqes në Kosovë.
Edhe në këtë pikë Çernomërdin rrinte luajal pranë Ahtisaarit. “Në të vërtetë, unë nuk mund të kisha menduar ndonjë partner më të mirë për këtë proces. Ai ishte i aftë dhe tërë kohën përpiqej, në mënyrë të sinqertë, për përpunimin e një dokumenti i cili do të mundësonte paqen në Kosovë”, shkruan Ahtisaari.
Më pas Millosheviqi e kërkoi dokumentin, të cilin e kishte prezantuar Ahtisaari. Edhe pse Çernomërdini kishte menduar paraprakisht se dokumentin ndoshta nuk duhej t’ia dorëzonin, Ahtisaari dorëzoi një ekzemplar, por duke i fshehur referimin ku konstatohej se NATO-ja do ta përbënte thelbin e trupave të ardhshme ndërkombëtare.
Millosheviqi pyeti se pse trupat serbo-jugosllave duhej të tërhiqeshin nga Kosova para se Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta miratojë rezolutën.
“Ia shpjegova se kur Jugosllavia të ketë filluar tërheqjen në mënyrë të vërtetueshme, në Kosovë do të krijohej një administrim civil, se BE-ja do të kishte përgjegjësinë për rindërtim, zhvillimi i institucioneve do të bëhej me ndihmën e OSBE-së, kthimi i refugjatëve do të bëhej nën kontrollin e komisares së përgjithshme të OKB-së për refugjatë, ndërsa OSBE-ja dhe OKB-ja do të kishin përgjegjësinë për organizimin e sektorit policor. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do ta emëronte udhëheqësin e misionit”, shkruan ai.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Millutinoviq do të pyeste se kush do ta vërtetonte tërheqjen, OKB-ja apo ndonjë organizatë tjetër, duke nënvizuar se “Kosova ishte pjesë e Serbisë dhe e Federatës Jugosllave” Millutinovqi ua solli ndërmend ndërmjetësve se edhe Marrëveshja e Rambouillet kishte për qëllim rivendosjen e autonomisë së Kosovës. Ishte e dukshme se tani elitës serbe në Beograd i pëlqenin referencat e Rambouillet, por tani ishte tepër vonë për një marrëveshje të tillë. Ndërsa Milloshevqi kishte insistuar se Kosova nuk kishte kufij as me Serbinë dhe as me Jugosllavinë.
“Probleme lidhur me kufijtë nuk kishte pasur kurrë, por tani UÇK-ja kishte nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit”, kishte deklaruar Millosheviq gjatë takimit. Ndërsa akuzës së Millosheviqit se UÇK-ja ishte kanceri i rajonit dhe se pjesëtarët e saj u përkisnin mafive të drogave dhe se ishin edhe përndryshe maskarenj, Ahtisaari i ishte përgjigjur se për UÇK-në ishin shfaqur mendime të ndryshme.
Millosheviqi po kërkonte rrugëdalje nga situata e pashpresë. Në vazhdim të takimit ai do të pyeste Ahtisaarin dhe Çernomërdinin nëse ata kishin autorizim për bisedime. “A mund të ndërrohet diçka në propozim?”, do të pyeste Millosheviq. Përgjigja e Çernomërdinit ishte se ndërmjetësit ndodheshin aty vetëm për të dëgjuar, por jo për ta negociuar dokumentin. “Kjo është oferta më e mirë, të cilën mund ta merrni”, do të deklaronte Ahtisaari, duke shtuar se sa i përket ndërrimin e tekstit nuk mund ta diskutonin pasi Finlanda nuk ishte anëtare e Këshillit të Sigurimit. Por thelbi i këtij propozimi ishte se “Kosova mbetej pjesë e Jugosllavisë, por propozimi e kufizonte në masë sovraniteti e Jugosllavisë”. Por, rëndësia e sovranitetit ishte duke u zvogëluar edhe me përparimin e globalizimit, prandaj ky dokument nuk do të mund ta ndalonte rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë.
Në këtë fazë dukej se Millosheviqi do ta pranonte marrëveshjen. Prandaj, palët u pajtuan që takimi të vazhdohej edhe të nesërmen me 3 qershor, kur Millosheviqi përfundimisht i tha dy ndërmjetësve ndërkombëtarë: “Ne pranojmë propozimin e paqes.”
“Një pije e hidhur” për palën serbe
Pas kësaj, palët u morën vesh edhe për një takim në orën trembëdhjetë. Delegacioni i Ahtisaarit vuri re se në një dhomë, mënjanë, ushtarakët e delegacionit të Rusisë zhvillonin një bisedë të ndarë me gjeneralët serbë. Ky informacion tregon tërthorazi se aty mund të jetë hartuar skenari serbo-rus për dislokimin e parakohshëm dhe të njëanshëm të trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës.
Në orë 13:00 delegacioni sërish shkoi te Millosheviqi, i cili i njoftoi se qeveria federale dhe parlamenti e kishin miratuar propozimin e paqes të sjellë nga Ahtisaari dhe Çernomërdini. Takimi përfundoi në orën 13:25. Atmosfera ishte e zymtë. Gjeneralët serbë kishin vështirësi ta fshinin zhgënjimin e tyre. Beogradit sapo kishte shijuar “një pije të hidhur” të ofruar nga Ahtisaari.
Ishte e qartë se Beogradi tani kishte humbur më shumë sesa pas bisedimeve në Rambouillet. Me ndihmën e luftës kishte arritur vetëm një qëllim: shkatërrimit të vendit të tij. Suksesi i Ahtisaarit e kishte eklipsuar edhe Samitin e Këshillit të BE-së, i cili po zhvillohej në të njëjtën ditë në Köln të Gjermanisë. Me këtë rast, kryesuesi i këtij samiti, kancelari gjerman, Gerhard Schröder, deklaroi: “Kjo është një ditë e mirë për Evropën dhe sipas meje, edhe populli i Jugosllavisë është pjesë e saj. Kjo është një ditë e madhe edhe për Presidentin e Republikës së Finlandës, Martti Ahtisaari, sepse durimi, diplomacia dhe respekti i parimeve nga ana e tij, e kanë mundësuar këtë rezultat përfundimtar”.
Dhe, pas kësaj, G-8 kreu punën e vet, përpiloi projektrezolutën e Këshillit të Sigurimit (1244), e cila më 10 qershor u miratua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, pasi një ditë më parë ishte arritur Marrëveshja Ushtarako-Teknike të Kumanovës ndërmjet NATO-s dhe Armatës së Jugosllavisë së mbetur. Lufta e Kosovës kishte marrë fund dhe bashkë me të edhe sulmet 78-ditore të NATO-s kundër objektivave ushtarake të Jugosllavisë së mbetur. Bashkë me fundin e luftës së Kosovës mori fund edhe misioni i të dërguarit special të BE-së për Kosovën, Martti Ahtisaari. Duke i bërë një rezyme gjithë angazhimit ndërkombëtar ushtarak dhe diplomatik në luftën e Kosovës, Ahtisaaari do të konstatonte: “Është e vërtetë se bashkësia ndërkombëtare u desh ta cenojë Këshillin e Sigurimit për ta ndalur krimin, por kjo, sipas meje, ishte e justifikueshme. Pa luftën ajrore dhe pa diplomaci situata, me siguri, do të vazhdonte të ishte, mbase edhe sot, e vështirë, nëse jo, edhe e pamundur”.