Ajo që më së shumti u digjte kritikuesve të konventës konsullore turko – serbe, ishte paraqitja para gjyqeve turke të qytetarëve serbë të cilët nuk e gëzonin të drejtën sikur që kishin qytetarët e shteteve evropiane. Por, me punën dhe sjelljet e konsujve nuk ishin të kënaqur as shqiptarët, sidomos ata të zonave kufitare të Vilajetit të Kosovës. “Sot më 19 gusht 1896, mytesarifit të Prishtinës i ka mbërri depesha e shifruar se diku në rrethinën e Preshevës është vrarë konsulli turk në Vranjë, Shereffudin beu”, është shënimi që e përshkruan ngjarjen
Konventa Konsullore e miratuar midis Stambollit dhe Beogradit më 6 mars të vitit 1896, krijoi pakënaqësi te qarqet e Beogradit, pasi deri në kohën e arritjes së kësaj konvete, konsujt e Serbisë i gëzonin të gjitha imunitetet të cilat i gëzonin edhe konsujt tjerë të shteteve krishtere, ndërsa konsujt e Turqisë në vendet krishtere, pra edhe në Serbi nuk mund t’i gëzonin imunitetet e njëjta. Atëbotë për imunitetin e konsujve ekzistonin dy principe që e kishin bazën në të drejtën ndërkombëtare evropiane; njëri ishte për shtetet jokrishtere, ndërsa tjetri për shtetet krishtere apo siç thuhej shpeshherë për “shtetet e kulturuara”. Mirëpo, ajo që më së shumti u digjte kritikuesve të konventës konsullore turko – serbe, ishte paraqitja para gjyqeve turke të qytetarëve serbë të cilët nuk e gëzonin të drejtën sikur që kishin qytetarët e shteteve evropiane, pasi kur në gjyq paraqitej ndonjë evropian atëherë krahas të pandehurit ishte prezent edhe ndonjëri prej përfaqësuesve të konsullatës prej nga vinte i pandehuri. Më pastaj në njërin prej paragrafëve të konventës thuhej “në bazë të reciprocitetit të plotë” dhe pala serbe e shihte gabim pranimin e këtij parimi.
Sipas palës serbe, Turqia i kishte kushtuar vëmendje të veçantë faktit që konsujve serbë të mos u jepte pozitë të veçantë, të tillë siç e kishin konsujt e vendeve të krishtera. Pra konsujt gjeneralë, konsujt, zëvendëskonsujt, agjentët konsullorë, shkrestarët por edhe sekretarët, duke u mbështetur në reciprocitet, do t’i gëzonin të gjitha imunitetet të cilat njëkohësisht i gëzonin edhe konsujt e Turqisë”.
Sipas palës serbe “Neni 14 i konventës nuk ishte dashur të pranohej sepse në të thuhet se “në kontekstet gjyqësore që kanë të bëjnë me përkatësinë fetare, nënshtetasit turq në Serbi dhe nënshtetasit serbë në Turqi do t’i nënshtrohen veprimeve të njëjta, sikur të gjithë nënshtetasit e të dyja vendeve”.
Por, me punën dhe sjelljet e konsujve nuk ishin të kënaqur as shqiptarët, sidomos ata të zonave kufitare të Vilajetit të Kosovës.
Siç dihet Kazaja e Preshevës e përbënte zonën lindore të Sanxhakut të Prishtinës. Në këtë pjesë të kufirit kosovar interesat e shqiptarëve konfliktoheshin me ato serbe, pra me Vranjën në veri dhe me ato bullgare në verilindje, pasi kufijtë e Bullgarisë së atëhershme në fqinjësi të Kazasë së Preshevës, njëherësh ishin kufijtë midis Vilajetit të Kosovës dhe Bullgarisë. Të kujtojmë se në zonat lindore të Preshevës, popullata joshqiptare e kishte një identitet shumë të padefinuar, që vazhdon të jetë i tillë edhe sot e kësaj dite. Në deklarimet publike kjo popullatë e përcaktonte veten herë si shqipe, herë bullgare e herë serbe. Pra, manifestimi i identitetit duhej t’u përgjigjej rrethanave të momentit të caktuar, me të cilat në fakt ballafaqohej ajo popullatë.
Ndërsa në vitet e fundit të shekullit XIX, në planin e rregullimit të çështjeve agrare, gjegjësisht në vitin 1896 pushteti e kishte sjellë vendimin për pagesën e taksave me çmim mesatar.
Duke u mbështetur në shifrën e mesme të pagesave që duhej ta jepte kazaja e Preshevës, shifër kjo që iu ishte ndarë disa fshatrave, dhe secili prej kmetëve paraprakisht ishte i njoftuar se çfarë shume iu ishte ndarë secilit fshat veç e veç, rezultatet nuk mungonin dhe për këtë dëshmuan vetë nëpunësit e arkës shtetërore, që pohonin ”se të ardhurat nga kjo kaza ishin të rregullta, ndërsa në zona tjera përkundrazi kishte rënie ekonomike, por edhe të prodhimtarisë”. Fatkeqësisht për pushtetin, ky ishte vetëm njëri prej sukseseve të rralla në ato vite.
“Ai (Allahu) është Ai që krijon gjithmonë, O Krijuesi Im! Ata që kanë dashur me qëllim të qëllojnë; Në jetën e këtij shehidi që i është bërë zullum; Bëji jetët e tyre të brengosura (kahër); Nipi i Edib Efendiut (Drejtori i Mallrave të Shenjta të Padishahut në Siri), konsullit të Vranjës, shehidit Sherefuddin-it, të birit të Asif Begut. Për shpirtin e tij këndo Fatihanë. Viti: 1314 (1898/99).
Këto janë fjalët në epitafin e varrit të konsullit të vrarë turk Shereffudin beut që sot e kësaj dite gjendet në Preshevë. Transkripitimin e ka bërë studiuesja preshevare Hatixhe Ahmedi.
“Sot më 19 gusht 1896, mytesarifit të Prishtinës i ka mbërri depesha e shifruar se diku në rrethinën e Preshevës është vrarë konsulli turk në Vranjë, Shereffudin beu. Mytesarifi me një hetues, një shkresar të gjyqit dhe me policin kryesor nëpërmes Gjilanit ka udhëtuar për në Preshevë. Komisioni inspektues që në këto momente u kthye nga Sanxhaku i Novi Pazarit, gjithashtu iu bashkëngjit mytesarifit dhe menjëherë e vazhdoi rrugën për në Preshevë.

“Mbrëmë konsullata jonë në Prishtinë, e mbijetoi një natë të rëndë”
“Rreth kësaj ngjarjeje deri më tani kam mësuar se Shereffudin beu kishte ardhur në gjueti në Preshevë (apo kishte ardhur si mysafir i kajmekamit) më 17 gusht, ndërsa dje në shoqërim të një kapiteni të ushtrisë (redifëve) ai kishte dalë jashtë Preshevës në largësi prej 20 minutave ku ishte përgatitur drekë për të. Sulmuesit kishin sulmuar në ato çaste dhe dy plumba e kishin qëlluar duke e plagosur konsullin, i cili me plagët e shkaktuara jetoi vetëm deri në mbrëmje, kur edhe dha shpirt. Ndërsa i vrarë në vend kishte mbetur kapiteni i ushtrisë, një xhandar ishte plagosur, ndërsa kajmekami fatmirësisht kishte arritur të ikte pa pësuar gjë. Deri më tani janë duke qarkulluar zëra se sulmuesit e kishin cak të sulmit kajmekamin dhe konsulli ishte viktimë e rastit. Mbrëmë konsullata jonë në Prishtinë, e mbijetoi një natë të rëndë pasi këtu u përhapën lajme se konsulli turk ishte varë në Vranjë dhe sikur të mos arrinte informacioni zyrtar se vrasja kishte ndodhur në Preshevë, ishte shumë vështirë që atë keqinformim të mos e paguante popullata e pafajshme”, ka raportuar vicekonsulli Nushiq prej Prishtine.
Katër ditë më vonë, informacionet më të plota rreth ngjarjes në Preshevë qartësonin se “ishe verifikuar se sulmuesit e kishin planifikuar ta vrisnin kajmekamin e Preshevës. Vrasësit ishin nga Bujanoci, ndërsa inspiruesit nga Presheva. Ata ishin burgosur dhe ishin katër veta, ndërsa përveç tyre pushteti i kishte burgosur edhe tridhjetë veta. Hetimet janë duke vazhduar dhe mytesarifi është akoma në Preshevë, ndërsa konsulli është varrosur në Preshevë”, përfundonte raporti.
“Ne nuk i njohim shqiptarët”
Midis viteve 1890 – 1912, në kryeqendrën e sotme të Kosovës në Prishtinë shërbyen gjithsej dhjetë konsuj të Serbisë. Pa dyshim se midis tyre, gjurmë të pashlyeshme la zëvendëskonsulli Branisllav Nushiq, por megjithatë ai veçohet edhe për përpilimin e planeve kundër shqiptarëve dhe Kosovës, por veprimet e tij ishin perfide dhe mjaft të maskuara. Ndërsa për nga zjarri i tyre nacionalist dhe urrejtja ndaj shqiptareve veçohen paraardhësit e tij, konsujt Milan Rakiq, Mirosllav Splalakoviq dhe i fundit Millan Gj. Millojeviq. Alkibijad Nusha alias Branislav Nushiq, siç dihet është emër i njohur në fushën e krijimtarisë letrare, udhëpërshkrimeve dhe në veçanti ai shquhej si autor i komedive. I lindur si cincar, Alkibijad Nusha ia mveshi vetes një identitet të pajisur me emër e mbiemër si Branislav Nushiq.
Në kudër të angazhimit si zëvendëskonsull përveç tjerash, lidhur me shqiptarët, me interes është edhe një letër e Nushiqit drejtuar kryesuesit të Këshillit të Ministrave dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë.
Kur në njërën prej ditëve të zymta të fillimit të shekullit XIX në kufirin turko – serb, që atëbotë nuk shtrihej më larg se në rrethinat e qytetit të sotëm të Nishit, në Supovc arriti një familje shumantërashe nga Epiri, nuk mund të besohej se anëtarët e saj e dinin ndonjë gjuhë tjetër pos shqipes, greqishtes dhe ndoshta nga pak edhe turqishtes. Kjo familje së cilës i printe gjyshi me mbesën e ve dhe katër nipërit, po vinte nga fshati i Furkas, siç e përmendem më lart nga Epiri. Në pikën kufitare ata u deklaruan se ishin cincarë, ndërsa pas vendosjes në Serbi lindi edhe një pasardhës që u pagëzua me emrin Vlladan dhe i cili përveç që e studioi mjekësinë, u bë i njohur edhe për veprën e tij “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”, vepër kjo që bën pjesë në kolonën e librave më raciste të shkruar ndonjëherë kundër shqiptarëve. Vlladani me origjinë nga Furka, që në fund të shekullit XIX kishte arritur të bëhej kryeministër i Serbisë, më 20 tetor të vitit 1897 i kishte mbërritur një letër nga Serrezi dhe atë ia kishte dërguar Branisllav Nushiq, që tashmë ishte larguar nga Prishtina.
“I kam kaluar katër vjet midis shqiptarëve, i kam kontaktuar të gjitha fiset shqiptare, e kam hulumtuar organizmin e tyre fisnor dhe politik, jetën e tyre, zakonet, traditën. Krejt këto i kam bërë duke e mbledhur lëndën studimore për ta (mbi të cilën tani jam duke punuar)… Është realitet se ne i njohim shqiptarët shumë pak apo aspak. Unë mendoj se kjo vjen nga fakti se ne besojmë thellë se i njohim ata, duke i njohur vetëm disa poture që rreth kufirit tonë kinse ‘i përfaqësojnë’ shqiptarët…Mirëpo, ne do të duhej të ishim të parët që do t’iu kushtonim vëmendje shqiptarëve, në mos për asgjë tjetër, atëherë për faktin se për gjeneratat tona të ardhshme rezistenca e tyre do t’u shkaktojë atyre shumë kokëçarje, shumë më tepër sesa të gjitha hordhitë evropiane, por edhe ushtritë e rregullta turke. Unë e di se përfaqësuesve të politikës sonë, shumë vonë iu ra në mend për shqiptarët, mu para luftës turko – serbe kur ata e dërguan një emisar për të biseduar me shqiptarët. Sipas pakujdesisë sonë, që ne kemi paraqitur para një përvoje të tillë, me siguri se neve do të na bjerë në mend shumë vonë për shqiptarët dhe do t’ua dërgojmë atyre edhe ndonjë farë emisari, në vend se t’u qasemi ngadalë dhe me kujdes dhe më pastaj në çastin e duhur t’i kemi shqiptarët pranë vetes dhe kurrsesi të mos i kemi kundër nesh…Ne i njohim shqiptarët vetëm nëpërmjet artikujve gazetareskë. Shqiptarët janë masë kompakte dhe e fuqishme. Një milion e treqind mijë shqiptarë, janë në gjendje të japin një forcë prej 300 000 luftëtarëve të armatosur. Kjo është një fuqi për të cilën në Ballkan duhet llogaritur mirë. Prej nga do të kishte kaq pak kurajë te turqit, që disa prej kryengritjeve shqiptare ata i shuajnë duke vendosur kontakte me krerët e tyre dhe si zakonisht kryengritjet përfundojnë me negociata midis pushtetit dhe shqiptarëve, apo kur pushteti i shuan kryengritjet shqiptare duke iu dhënë prijësve grada e rroga, me te vetmin qëllim që t’i largojë ata prej vendlindjeve të tyre. Ashtu siç ka ndodhur me Bibë Dodën, me Mulla Zekën dhe me mytesarifin e Prishtinës...”
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë