Ky punim është pjesë e një hulumtimi më të gjerë që ka të bëjë me qëndrimin e shtetit shqiptar në raport me çështjen e Kosovës në kontekstin e zhbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990-të. Për analizë merret dokumenti i hartuar në vitet 1970-të nga profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ukshin Hoti, drejtuesi i parë i Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme (SKMBJ), në të cilin bëhet fjalë për kahet dhe orientimet e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Shqipëri në kontekstin e Luftës së Ftohtë, respektivisht të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë socialiste dhe Jugosllavisë Federative
Ukshin Hoti konsiderohet njëri nga ekspertët më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare që atëbotë kishte Kosova dhe ishte një nga figurat e reja të elitës politike shqiptare në Kosovë, i cili gjatë gjithë aksionit të tij politik dhe intelektual angazhohej të forconte identitetin e Kosovës në rrafshin e politikës së jashtme, si një premisë për zhvillimin dhe forcimin e subjektivitetit të Kosovës dhe bashkë me të edhe zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe kulturor të shoqërisë kosovare e forcimit të kohezionit kombëtar brenda Kosovës dhe në raport me Shqipërinë.
Mbi këto premisa dhe vizion largpamës, siç konfirmojnë dokumentet dhe aktet e ndryshme arkivore të proveniencës shqiptare, marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë merrnin një dimension të veçantë politik, kulturor dhe ekonomik në kontekstin e marrëdhënieve të Federatës Jugosllave dhe të marrëdhënieve me vendet e tjera të botës. Sigurisht kjo marrëdhënie kishte interes historik veçanërisht për Kosovën, e cila kishte nevoja më emergjente dhe më të mëdha për ta ruajtur identitetin e saj kombëtar, të goditur deri atëherë egërsisht dhe në mënyrë sistematike nga qeveritë dhe politikat nacionaliste të Beogradit. Kjo marrëdhënie bëhej akoma më e veçantë edhe për faktin se deri në fund të viteve ‘60 të atij shekulli komunikimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk ekzistonte fare.
Dhe ky izolim i gjatë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kishte shkaktuar ndarje dhe dallime si në aspektin ekonomik, politik ashtu dhe në atë kulturor e social, të cilat edhe vazhdojnë të jenë evidente sot e kësaj dite. Pas një bashkimi afatshkurtër gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944), kur Kosova dhe Shqipëria forcuan sidomos lidhjet ekonomike dhe arsimore, gjatë periudhës së regjimeve komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte tepër sporadik në rrafshin akademik dhe kulturor.
Shqipëria e izoluar përballë Jugosllavisë së privilegjuar
Në përgjithësi, gjatë një gjysmëshekulli pas Luftës së Dytë Botërore, politika izolacioniste që e ndoqi qeveria komuniste e Shqipërisë së varfër, ishte në kontrast me politikën jugosllave gjatë periudhës së Titos dhe që gëzonte një pozitë të privilegjuar si tampon-zonë midis Lindjes dhe Perëndimit. Në kulmin e zhvillimit të saj federata shumëkombëshe jugosllave, kishte relacione të privilegjuara me Perëndimin, ndërkohë që Shqipëria komuniste ishte vend pothuajse krejtësisht i izoluar nga Perëndimi dhe pa asnjë përkrahje.
Paradoksi edhe më i madh në këtë mes ishte fakti se derisa Kosova kishte marrëdhënie ekonomike me Republikën Federale të Gjermanisë, përkatësisht landet e saj, Shqipëria komuniste, për shkak të barrierave ideologjike ekstremiste dhe politikës izolacioniste, nuk mbante asnjë relacion me Gjermaninë Perëndimore deri në fundvitin 1987. Ky dogmatizëm ideologjik i shtetit shqiptar ishte edhe përballë SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera tek prodhonte një paradoks të veçantë, për aq kohë që Kosova, edhe pse nuk ishte shtet, përmes Sekretarit të Kosovës për marrëdhënie me jashtë kishte marrëdhënie me vendet lartpërmendura dhe misionet e tyre diplomatike.

Qershori i 1966-s dhe fillet e këmbimit tregtar Kosovë-Shqipëri
Pa dyshim, ky ndryshim rrënjësor nuk do të ishte i mundur pa ndryshimet e ekuilibrave të brendshëm në federatën e atëhershme jugosllave dhe vendosmërinë e një qarku politik dhe intelektual, që kishte marrë përsipër aspiratën për zhvillimin e Kosovës dhe fuqizimin dhe faktorizimin e faktorit shqiptar brenda federatës që dominohej nga faktori sllav. Dhe, sipas të dhënave të Sekretariatit të Kosovës për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, fillet e këmbimit të jashtëm tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishin vënë në qershor të vitit 1966, kur ndërmjet KBI Kosova-Export nga Prishtina dhe Agroexportit nga Tirana u bënë marrëveshjet e para.
Pikërisht ishte ky viti kur ndaj shqiptarëve filloi një periudhë më liberale nga qeveria jugosllave, e cila determinohej nga lufta e Titos për krijimin e ekuilibrave politikë dhe kushtetues ndërmjet popujve që e përbënin federatën e atëhershme jugosllave. Rrjedhimisht, pas Plenumit të Katërt të KQ-së i PKJ-së, të mbajtur në verën e vitit 1966, i cili në histori njihet si Plenumi i Brioneve, për shqiptarët e Kosovës dhe përgjithësisht për shqiptarët në Jugosllavi ndodhën ndryshime me rëndësi historike. Në atë Plenum pësoi goditje politikani nacionalist serb, ministri i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviqit, njeriu i dytë në udhëheqje pas Titos dhe politikani i cili kishte udhëhequr një politikë represive ndaj shqiptarëve, fillon një periudhë e re dhe më liberale për shqiptarët në Kosovë.
Në atë periudhë në pozita udhëheqëse në Kosovë filluan të vijnë kuadrot shqiptare sipas kuotës kombëtare, gradualisht Kosova fitoi një status më të avancuar vetëqeverisës në të gjitha segmentet. Në këtë mënyrë, shqiptarët e Kosovës përjetuan një nivel të ri të emancipimit politik dhe kombëtar. Për më tepër, me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova bëhet njësi përbërëse e Federatës së Jugosllavisë. Ngritja e statusit të Kosovës ofronte mundësi për planifikime autonome pothuajse në të gjitha segmentet, si: arsim, kulturë, planifikim hapësinore, sistem gjyqësorë, zhvillim, siguri, mbrojtje territoriale, e deri tek elementet e politikës së jashtme.
Në dokumentet e hartuara nga prof. Ukshin Hoti, si drejtuesi i parë i dikasterit për marrëdhënie me jashtë, ravijëzohet vizioni i tij në politikën e jashtme të Kosovës në konstelacionin e Luftës së Ftohtë, si dhe në kuadrin e relacioneve komplekse të marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi, të cilat, siç dihet, asnjëherë nuk arritën të vendoseshin në shina të një normaliteti afatgjatë si për shkak të dallimeve ideologjike, ashtu edhe për shkak të Kosovës.
Tezat politike të Ukshin Hotit për afrimin e shqiptarëve
Në këtë prizëm duhet parë edhe intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat asokohe zhvilloheshin në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe në një ambient kompleks dhe sfidues të rrethanave të Luftës së Ftohtë.
Sipas platformës dhe tezave politike të Ukshin Hotit ky bashkëpunim dhe kjo marrëdhënie synonte qartë zhvillimin, prosperitetin më të shpejtë të popullit të Kosovës, afrimin e shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit, duke pritur një konstelacion më të favorshëm për zgjidhjen e kauzës së Kosovës, si pjesë e kauzës shqiptare në përgjithësi. Pas formimit të Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, mund të flitet për herë të parë për fillet e diplomacisë kosovare dhe për ndërtimin e marrëdhënieve ekonomike dhe kulturore të Kosovës me botën e jashtme, pra edhe me Shqipërinë.
Ky zgjerimin i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë pati rezultat rritjen graduale edhe të shkëmbimeve ekonomike. Duke analizuar të dhënat arkivore mësojmë se struktura e këmbimit të mallrave të Kosovës dhe të Shqipërisë, veçmas në lëmin e eksportit, mund të konstatohet se ende nuk ekzistonte një përhershmëri e produkteve, të cilat për nga vlerat mund të ishin si bartëse të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve reciproke. Për këtë arsye, autoritetet e atëhershme kosovare angazhoheshin që lista e prodhimeve kosovare, jo vetëm në numër, por edhe në vlerë të ishte më e madhe. Dhe pikërisht si rrjedhim i këtij orientimi, derisa Kosovën në vitin 1976 eksportonte në Shqipëri katër deri në shtatë prodhime të vetat, në vitin 1979 ekonomia e KSA të Kosovës do të eksportonte 11 prodhime të veta në vlerë prej 29 milionë dinarë, që paraqiste shtimin e eksportit për 22 herë në krahasim me disa vjet të mëparshëm.
Nacionalizmi në Serbi, satanizimi i shqiptarëve, histeria kundër Shqipërisë
Dhe kur marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë përjetonin një dinamikë të re në planin ekonomik, politik dhe kulturor, me intencë që të arrihej njësimi në planin shpirtëror, elita serbomadhe dhe unitariste në Beograd, e cila asnjëherë nuk i kishte shikuar me simpati këto marrëdhënie ndërshqiptare, kërkonte që të rishqyrtohej pozita kushtetuese e Kosovës. Dhe pikërisht demonstratat e marsit dhe prillit 1981 në Kosovë, të cilat tronditën Jugosllavinë dhe imazhin e saj si vend model i zgjidhjes së çështjeve nacionale, qarqet nacionaliste në Serbi i përdorën për satanizimin e shqiptarëve dhe filloi histeri e përgjithshme kundër Shqipërisë.
Në këtë situatë, marrëdhëniet e deriatëhershme morën goditjen më të rëndë. Dhe jo rastësisht në krye të listës së represionit sistematik të Beogradit ishte elita e re intelektuale shqiptare e Kosovës, respektivisht Ukshin Hoti, i cili bashkë me një grup intelektualësh të njohur shqiptar u burgos në nëntor të vitit 1981 dhe këtë goditje do ta merrnin të gjitha dikasteret e Kosovës, duke përfshirë edhe Sekretariatin për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, duke i kufizuar kështu Kosovës mundësitë që të marrë pjesë dhe të mbajë përgjegjësi për krijimin dhe realizimin e politikës së brendshëm dhe të jashtme.
Tezat dhe vizioni në dokumentin sekret të 20 nëntorit të vitit 1974
Natyrisht ky orientim strategjik për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri në një kontekst të ndërlikuar gjeopolitik nuk mund të ndodhte pa një mendim të qartë politik të shprehur nga drejtuesi i Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, që lidhet ngushtë edhe me zhvillimet politike dhe gjeostrategjike rajonale globale.
Një vizion i tillë është shpërfaqur edhe në tezat e Ukshin Hotit në dokumentin sekret (tepër rezervat) të titulluar “Marrëdhëniet midis RSF të Jugosllavisë dhe të RP të Shqipërisë-Pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saj”, të hartuar më 20 nëntor 1974 dhe i cili i ishte adresuar Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në shkresën përcjellëse, Hoti kërkonte sugjerime dhe vërejtje paraprake për materialin e dorëzuar mbi marrëdhëniet me RP të Shqipërisë në kontekstin e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi.
Duke hulumtuar në Arkivin Shtetëror të Kosovës, përkatësisht dosjet e Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, i cili në vitet ‘70 të shekullit të kaluar drejtohej nga profesori dhe politologu i njohur Kosovar, Ukshin Hoti, i njohur edhe si disident i regjimit komunist jugosllav, gjetëm shënime dhe dokumente të rëndësishme mbi marrëdhëniet diplomatike, ekonomike dhe kulturore të Kosovës me vende në ndryshme të botës. Ndonëse asokohe Kosova ishte vetëm një krahinë autonome, autoritetet e atëhershme kosovare përpiqeshin t’i jepnin një përfaqësim sa më cilësor me botën e jashtme në kontekstin e marrëdhënieve të shtetit jugosllav me vendet të ndryshme të botës. Nga këto akte arkivore, të cilat na japin një pasqyrë interesante të aktiviteteve të para të diplomacisë kosovare (Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme - SKMBJ) është evidente se Ukshin Hoti, mbase edhe në linjë me drejtuesit e tjerë të elitës së atëhershme politike kosovare, një hapësirë të veçantë po i kushtonte ndërtimit të relacioneve sa më intensive dhe më përmbajtjesore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo intencë e Hotit ishte në përputhje me synimet e shqiptarëve në Kosovës, të cilët gjithnjë ishin përpara politikës zyrtare në kërkesat e tyre për marrëdhënieve me Shqipërinë. Në fakt marrëdhëniet e jashtë të Kosovës në vitet ‘70 të shekullit të kaluar janë një histori e tërë përpjekjesh në kërkim të forcimit të identitetit kombëtar dhe kulturor të Kosovës, të cilat do të shërbenin vetëm si një fazë e ndërgjegjësimit kombëtar për shtrimin e kërkesave për statusin e republikës dhe më pas edhe të shtetësisë së Kosovës.
Në këtë mes pa dyshim, marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë, të cilat duhet të zhvilloheshin në sinkroni me kornizën politike dhe juridike të shtetit jugosllav, kishin një rëndësi strategjike jo vetëm për ndërtimin e kohezionit të brendshëm kombëtar shqiptar, por edhe për karakterin e sigurisë së Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe qëndrueshmërisë rajonale në kontekstin e konfrontimeve Lindje-Perëndimit. Analizuar në këtë këndvështrim, mendimet dhe vizioni i politikës së jashtme të Ukshin Hotit, në konstelacionin e atëhershëm politik dhe historik, paraqesin një navigim të kujdesshëm të Kosovës në identifikimin e balancave të brendshëm në kontekstin jugosllav për adresimin e kërkesave dhe nevojave të Kosovës në planin ekonomik, arsimor dhe kulturor. Në këtë kuadër, është përvijuar bashkëpunimi i Kosovës, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me shtetet e tjera të Evropës Lindore dhe Perëndimore.
Kur Kosova në vitin 1974 në Kushtetutën e re e fitoi statusin konstituiv të Federatës dhe e mori të drejtën që interesat e veta mund t’i realizonte në mënyrën e vet, edhe pse një pjesë e elitës politike në Serbi nuk pajtohej me këtë avancim kushtetues të Kosovës, u krijuan mundësi për vetëqeverisje për shqiptarët pothuajse në të gjithë fushat si: arsimi, kultura, sporti, gjyqësia, ekonomia, mbrojtja territoriale e deri te formulimi i politikës së jashtme. Në këtë kontekst, Sekretariati Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme gjithnjë e më shumë po i jepte ton drejtimit të marrëdhënieve të Kosovës me botën e jashtme dhe në këtë mes marrëdhëniet tregtare, kulturore dhe arsimore me Shqipërinë përbënin një prioritet të lartë dhe në pajtim me interesat e dyanshme. Sigurisht, ky ishte një kontribut i rëndësishëm edhe për marrëdhëniet e përgjithshme dhe për stabilitetin e këtij rajoni të Evropës Juglindore. Duke qenë drejtuesi kryesor i Sekretarit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, që në fakt ishte një lloj Ministrie e Jashtme e Kosovës, Ukshin Hoti hartonte dokumente me rëndësi për politikën e jashtme të Kosovës si dhe analizonte aktivitetet ndërkombëtare të Kosovës me vendet e interesuara në mënyrë të posaçme si dhe jepte mendime mbi dokumentet dhe materialet e tjera të organeve dhe jepte propozime e ndërmerrte iniciativa për çështjet të cilat ishte i interesuar Këshilli Ekzekutiv ose Kuvendi i Kosovës. Në këtë kuadër, ky institucion përgatiste analiza lidhur me zhvillimet e marrëdhënieve ekonomike me botën e jashtme, si dhe gjendjen e këtyre marrëdhënieve në atë periudhë. Krahas kësaj, Sekretariati Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme merrte pjesë edhe në përgatitjen e materialeve edhe nga lëmi i marrëdhënieve arsimore dhe bashkëpunimi shkencor me botën e jashtme, si dhe formulonte material dhe analiza të tjera për nevojat e Këshillit ekzekutiv dhe Kuvendit të Kosovës.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturës