Dhe vjen vegimi i lajmëtarit memec. Në mesnatën e dy prillit i uroj ditëlindjen e 91-të. Pak orë më pas kumti lamtumirës i mikut nga Tirana: Margarita ka ndërruar jetë! Në mëngjesin e tre prillit lajmi kishte marrë dhênë! Duke e menduar si një ngatërrim, pyes miqtë gazetarë në Tiranë. “Po!”, më shkruajnë, “Margarita na ka lenë!”. Shkëpus bashkëbisedimin me Margarita Xhepën të realizuar më zë, në gusht të vitit 2009 në Durrës. “E desha artin pa e kuptuar se kush është ai. Lexoja një varg dhe më pëlqente. Nuk e dija pse më pëlqente. Më tërhiqte...”, thotë Xhepa në atë bisedë ku flet edhe për Kosovën. “Kam arritur në një mendim pak, pak të dhimbshëm. E them këtë se kur erdha vjet bëra një artikull ‘Për një kafe si dikur’. Më parë kur vinte teatri na ka pritur të paharruarit Azem Shkreli e Shani Pallaska mu në kufi më një dashuri të veçantë...”, kishte thënë ajo
Të parandiesh vetëm pak para atyre shndërrimeve në të cilën botët dyzohen nga jetësorja tek amshimi, është një çast që fajëson ekzistencën! Si është e mundur që prerja t’u takojë dy botëve të cilat nuk ekzistojnë pa njëra-tjetrën!? Është qenia e artit që për një moment të jep imazhin më të përsosur të krijimit. Aktorët kanë këtë fuqi sublime. Karakteret e tyre në qindra variacione të të vërtetave vijnë e bëhen të pavdekshme.
Ishte dy prilli. Pak para ndërrimit të datave në prag të ikjes kurioze, i uroj aktores Margarita Xhepa datën e lindjes. Flas për takimin pas pak ditësh. Mesi i artë mes Dritës (Pelinku) dhe Tinkës (Kurti) është aty përherë për të qenë afër. Por ishte “radha” e moshës që e kërkoi dhe e mori për ta vënë në kornizë. Ishte vepra. Ishte interpretimi për ta vënë në përjetësi. Ato në të vërtetë nuk kishin moshë. Rolet e Nënës ishin të përhershme. Ajo qëndronte drejt edhe kur lëndohej. Nëse në sheshxhirime duhej të vajtonte humbjen e bashkëshortit (te filmi “Tokë e përgjakur”, 1976) në shtëpi duhej të kujdesej për të birin në kapërcim të adoleshencës. Për Ndriçimin. Pak vjet më vonë (1982) do të interpretojnë së bashku “nënë e bir” në filmin “Shokët” (me thonjëza dhe pa to).
Edhe pse shumë vonë i takova së bashku tri ikonat e interpretimit të filmit shqiptar Drita Pelinku, Tinka Kurti dhe Margarita Xhepën. Ato e dinin se interesimi në hapësirën shqiptare të Kosovës, aty ku ndiqej TVSH-ja në periudhat e refuzimeve të mediave të dy shteteve fqinje, ishte i madh. I takova në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit Shqiptar. Vonesa prekte përvojën gjysmëshekulli të interpretimit të tyre në teatër dhe film.
Margarita Xhepa kishte interpretuar një rol figuranteje në filmin bashkëprodhimi shqiptar-sovjetik “Furtuna” (1959). Në periudhën deri në vitin 1973 që konsideroj që është periudha e parë e kinematografisë shqiptare nën aureolën e ngjyrimit bardh e zi dhe një lirie të lehtë edhe tematike të filmit shqiptar, Margarita kishte interpretuar kishte dy nga rolet antologjike Zyraken te “Vitet e para” (1965) dhe Violeten te “Gjurma” (1970) që të dy filma më pastaj të ndaluar për shkak që në të dy filmat interpretonte aktorja Edi Luarasi që u dënua pas procesit të njohur të “eliminimit” të protagonistëve të Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizon.
Margarita Xhepa deri në vitin 1972, gjithashtu do të recitojë te filmi i hershëm dhe i njohur dokumentar “Ringjallja” (1961) dhe do të jetë pjesë e filmit dokumentar “Teatri Krahinor i Prishtinës në Shqipëri” (1972).
50 vjet më pas, kur tashmë karakteret e saj në film na ishin ngulitur përmes ekranit televiziv, në vitet e vështira (1980-1990) e takoj për një intervistë. Bisedat ishin të pafundme me të tri aktoret. Liria e të shprehurit na ngacmonte që të ishim afër, përtej kapërcimit të moshës, duke qenë të barabartë në përmbajtje. Ato më flisnin si një familjar, si një nip në familje, duke shpjeguar epokat, duke ndier mall për periudhën e ndalesës! Ato më njoftuan kudo në takime më miqtë e tyre, që si gazetar më ishte aq i nevojshëm takimi. E në veçanti për ta njohur periudhën e fillimit të filmit artistik deri te Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe në vitin 1972.
Dhe vjen vegimi i lajmëtarit memec. Në mesnatën e dy prillit i uroj ditëlindjen e 91-të. Pak orë më pas kumti lamtumirës i mikut nga Tirana: Margarita ka ndërruar jetë! Në mëngjesin e tre prillit lajmi kishte marrë dhênë! Duke e menduar si një ngatërrim, pyes miqtë gazetarë në Tiranë. “Po!”, më shkruajnë, “Margarita na ka lenë!” ishin po ata që një ditë më parë kishin postuar në mediat e tyre një fotografi me aktoren gjatë një manifestimi poetik që mbeti një nga fotografitë e fundit me aktoren! Shfletoj rrëmbimthi albumin. Përherë e shoqëruar me Dritën e me Tinkën. Ndarja me njërën e bashkonte me tjetrën. Në të “kundërtën e fatit jetësor” të tyre Ato mbeten të përhershme së bashku të veçuara e madhështore në kujtimet më të mira në jetën dhe artin interpretues të “karaktereve” të papërsëritshme, që vetëm Ato ditën t’i japin publikut shqiptar.
Margarita Xhepa ka shpërfaqur karaktere të veçanta që mbesin interpretime të madhërishme në piedestalin e teatrit dhe kinemasë shqiptare, dhe jo vetëm asaj. Shkëpus bashkëbisedimin me Margarita Xhepën të realizuar më zë, në gusht të vitit 2009 në Durrës, gjatë edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës (International Film Summer Fest -Durrës)...
Fillimet? Biografia në vetën e parë?
Margarita Xhepa: Vij nga një qytezë e vogël, siç është Lushnja që është e pellgu i vogël i Myzeqesë. Nuk them pa qëllim, sepse ajo qytezë e vogël më pak njerëz, ku predominonte më shumë injoranca, sepse shkollimi qe i kufizuar, por që jam shumë krenare që vij nga andej, sepse kam mësuar shumë. Pra këta njerëz, me këto privime të jashtëzakonshme ishin punëtorë, të thjeshtë që dinin të kapërcenin çdo gjë. Në këtë pellg të këtyre virtyteve shumë t’mira, jam rritur dhe nuk dija të kuptoja ç’ishte arti. E desha artin pa e kuptuar se kush është ai. Lexoja një varg dhe më pëlqente. Nuk e dija pse më pëlqente. Më tërhiqte. Recitimi i parë ishte në çlirimin e qytetit me vargjet e Aleks Çaçit “Vajza shqiptare...”. Ishin grumbulluar njerëz. Nuk e besoja kurrë që në atë ballkon, më vonë, do të vije te filmi artistik “Koncert në vitin 36-të” në rolin e Tefta Tashkos. Kjo ishte një ecuri e talentit dhe punës. Ne kishim një grup amatorësh dhe luaja me disa aktorë atëherë pasionantë siç ishin Gzim Libohova, Ilia Shyti, Merian Meçule, çifti Rasho, etj. pra dhamë një dramë me një akt dhe një turne në Kuçovë, në Patos. Të shkoja në Liceun artistik atëherë nuk kisha kushte. Ata në fakt me quan. E dhashë një provim të vogël me një poezi. Të vijmë të fati. Sikur lashë përshtypje të mira më atë poezi që e doja. Më thanë që t’vija në teatër si probiste së bashku me një shoqe timen, Marita Kallamata, nga Fieri, me një rrogë 3800 si probiste. S’dinim kush ishte Migjeni e jo më për Shekspirin që do të kisha fat të luaja më vonë. Qysh atëherë u nxita nga ajo historia teatrale që më ngacmon akoma. Çelja e teatrit për mua qe një fat. Ndenja dy vjet në fillim pastaj me çuan në estradë. Në 52-n u krijua estrada e shtetit me Mihal Popin, Besim Levonjën. Siç thashë recitoja poezi, bëja konferenciere, bëja ndonjë rol pozitiv. Bëja ndonjë skeç. Shkova për një numër e ata pastaj nuk më linin. Dhe pastaj mbeta për katër vjet e ca. Jam rikthyer në teatër duke kërkuar vetë, sepse unë i përkas më shumë dramaticitetit sesa humorit. Dhe koha e tregoi pastaj. Njeriu i paharrueshëm Manush Myftiu më ndihmoi dhe gjithmonë e them atë fjalë, sepse ai më ndihmoi që të vij në teatër në 57-ën. U angazhova në teatër për të vazhduar edhe në film në ‘60 e ca. Ka pasur raste në të dyja njëkohësisht siç kanë bërë edhe kolegët e mi.
Përvoja juaj në teatër dhe në film? Vështirësitë?
Xhepa: Vështirësia është kjo, që në qoftë se në teatër e ka vendosur karakterin e rolit, dramaturgu na bën me dije se në leximin e parë bëjmë skicën e rolit. Po pastaj roli nuk është vetëm merita jote. Është kryesore aktori po plotësohet pastaj me punën e madhe që ndihmon regjisori, me ndihmën e madhe që merr nga sqarimi i partnereve që sqarohet edhe karakteri jonë.
Në teatër ta vendos ty veshjen se çfarë do të vishesh ti, sepse është piktori i caktuar që e ka lexuar pjesën dhe ti e di se çfarë veshje ka ky personazh. Po ashtu do të thosha edhe në film, por aktori në veçanti në film duhet të këtë kujdes nga ana e jashtme, me gjendje shpirtërore, me mendimet e tua, me qëllimet e tua. Unë shikoj edhe anën e jashtme që çon figurën. Në qoftë se unë më duhej të isha më e hollë dhe unë jam dobësuar tani dhe po të më thoni ju që unë të marr përsipër të ul disa kile për hir të rolit gradualisht. Ose më thoni një veshje aktori e plotëson atë që di që si lidhet shamia nga veriu plotëson makijazhi. Në teatër është pak larg, të shqetëson vetëm për një vetull, për një të kuq buzësh që për këtë rol nuk duhet ta lyejë. Pra në këtë anë kemi pasur vështirësi të krijimit. Përmend rolin e fundit te “Ne dhe Lenini”. Sikur të isha një fije më e dobët! Ka dramë kjo grua. Unë si aktore duke e parë dramën e kësaj do të ishte një kontrast makijazhi, një rol i një modeli të bukur prandaj plotësohet figura nga këto anë. Filmi “Vitet e para” ka qenë eksperienca ime e parë dhe për këtë falënderoj Kristaq Dhamon që ma besoi. E them këtë sepse kishin luajtur disa aktore të shquara këtë rol. Kishin marr çmime. Ishte e vështirë kjo për mua. Në fund bëra kinoprovë. Dhe thash: “Dakord, unë do ta luaj këtë me një sinqeritet të madh sikur kam rënë në dashuri më këtë.” Në planin e dytë do të luaj edhe tinëz. Nuk do ta prezantoj rol negativ që nga veshja. Qëllimi im është sikur kam rënë në dashuri fshehtas. Aty e përdor atë veshje që kjo është një grua që ka pak lekë, vjen nga jashtë ka një ndryshim se vjen nga jashtë dhe ka ndryshim nga personazhet e tjera. Gjithmonë aktori së bashku me regjisorin e ka për detyrë.
Një fjalë për Ndriçimin?
Xhepa: Jo! E di pse? Çdo njeri flet veç për vetveten! E duket sikur të mburrem unë tani?!
E ke rrahur ndonjëherë?
Xhepa: Unë jam një çikë e butë. Tashmë mosha më ka bërë të jam më e gjerë. Pse do të thoni ju? Eh, geni është gen. Pastaj merr nga jeta, nga shoqëria. Ai që është i mençur mbetet gjithmonë modest. Mbetet gjithmonë me kërkime. Lum ai që ka përkushtim ndaj artit, ndaj leximit.
Ke ndikuar te Ndriçimi?
Xhepa: Patjetër!
Lidhjet me Kosovën?
Xhepa: Të bukura shumë! Të paharruara, të gëzuara do të thosha! Bile kemi mall shumë. Kam arritur në një mendim pak, pak të dhimbshëm. E them këtë se kur erdha vjet bëra një artikull “Për një kafe si dikur”. Më parë kur vinte teatri na ka pritur të paharruarit Azem Shkreli e Shani Pallaska mu në kufi më një dashuri të veçantë. Sigurisht atëherë ishte fillimi. Por kur kam shkuar tani vonë as shfaqjen s’e kam parë ose dikush të më takojë. Ose erdhëm për pavarësi në atë të ftohtë të madh për të dëshiru. Nuk takuam kurrkënd! Nuk na priti askush! Ne erdhëm dhe unë i thash dy fjalë nëpërmjet një gazete aty. Ka një ndryshim të madh dhe nuk më pëlqen ta them këtë po e them me dhimbje: Pse dhe ku është arsyeja?! Ndoshta se kohë të reja bien veprime të reja. Paksa egërsohen, paksa ngarkohen, paksa bëhen siç themi me strese me vetë punën, më këtë gjendjen, me vetë këto gjëra të pabukura. Ka gjëra të bukura demokracia po bie edhe ca gjëra që e keqkuptojnë lirinë. Duam më shumë! E teprojmë. Kështu edhe kjo dashuria është ekshumuar pak. Do të doja të kishim bashkëpunime me filma, me teatrin. Çdo shfaqje që do të jepej atje të vinte në Tiranë, ne nga Tirana të vijmë në Prishtinë. Ndoshta edhe një rol aktori mund të vijë atje te ju, një aktore prej andej të vijë te neve. Është koha më e mirë! Shyqyr që erdhi! Dhe tash që erdhi ne s’po dimë të pajtohemi, të çmallemi, të rrimë. Unë e them me dhimbje sepse e di që nga ana juaj është dëshira! Dëshira e artistit është e pafundme. Ende nuk e di pse? Megjithatë, kujtimet mbetën të paharrueshme. Kam shkruar në një libër për gjërat e paharrueshme, saqë edhe në këtë rast ne bëmë punën tonë, erdhëm me harxhime tona duhet më kujdes një çikëz! Më shumë, sikur një kafe me pi.