Ky shkrim nuk ka titull. Kjo mund të jetë një arsye më shumë për ta lexuar. Në skenën e këtij teksti luajnë: një kritik letrar gjerman i cili di të jetë i hareshëm dhe cinik, disa shkrimtarë gjermanë (në rolin e statistëve të shpotitur), një kritike e vallëzimit, një koreograf, qeni i tij dhe diçka tjetër... Mirë se vini!
Marcel Reich-Ranicki (1920-2013) ka qenë ndër kritikët më të rëndësishëm letrarë të Gjermanisë. Për disa më i rëndësishmi. Për shumicën gjithsesi kritiku më argëtues, më zbavitës, më dëfryes. Reich-Ranicki dinte të ishte edhe i ashpër, ironik, cinik, nganjëherë edhe lëndues ndaj bashkëbiseduesve (kur në televizionin gjerman ZDF e moderonte emisionin e famshëm “Das Literarische Quartett“, pra kuarteti letrar). Gjestikulonte me duar, godiste dyshemenë me këpucë, thoshte “ah, gjepura“ kur nuk i pëlqente mendimi i dikujt tjetër. Të gjitha këto sjellje e fjalë të tij kishin cilësi gazmore.
Jeta e Marcel Reich-Ranickit i ngjan një filmi që shfaqet në kinematë e vjetra mbi kohët e vjetra. U lind në Poloni, ndoqi vitet e para të shkollës në Gjermani (“biri im, ti po shkon në vendin e kulturës”, i tha mësuesja), mbijetoi geton e Varshavës, punoi për policinë sekrete komuniste dhe për shërbimin e jashtëm sekret të Polonisë, shërbeu si diplomat në Londër, pas kthimit u ndëshkua nga partia dhe u mbajt në burg, u lirua dhe nisi të punojë për shtypin polak, u rehabilitua dhe u lejua të vizitojë vendet perëndimore.
Në Zvicër nuk i dhanë leje qëndrimi, andaj Marcel Reich-Ranicki vendosi që dekadat e ardhshme të jetës së tij t’i kalojë në Gjermani – si kritik i letërsisë i gazetave të famshme “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Die Zeit”. Një hebre në vendin e vrasësve. Libri i tij autobiografik “Mein Leben” (Jeta ime) është kryevepër, dokument i rëndësishëm mbi historinë e shekullit XX, përshkrim i saktë i vuajtjes së hebrenjve. Ky libër ka vetëm një të metë: s’është përthyer në gjuhën shqipe.
Përmes recensioneve, eseve, paraqitjeve publike, debateve në studio dhe jashtë tyre Marcel Reich-Ranicki dëshmoi se gjuha e kritikut mund të jetë e hareshme dhe jo e qullët, boshe, abstrakte, e drunjtë, e ndryshkur. Disa prej fjalive të tij legjendare: “Në letërsi më intereson vetëm njeriu. Minjtë dhe lopët nuk më interesojnë”. “Nuk mund të shkruash fare letërsi pa e tepruar. Shkrimtarët më të mëdhenj kanë qenë artistë që e kanë tepruar”. “Kur e lexoj letërsinë gjermane të njëzet vjetëve të fundit, ajo është pamatshëm joerotike. Për shembull kemi pasur Thomas Bernhardin e madh – krejtësisht joerotik. Apo (Günter) Grassi: në të vërtetë përherë joerotik. Siegfried Lenz – përherë. Martin Walser – gati përherë. Nëse populli gjerman do të sillej si shkrimtarët e tij, fare nuk do të shumohej. Këtu shihet sa i vogël është ndikimi i këtyre shkrimtarëve”. “Prozë e pavlerë, monotone dhe e palexueshme. Askush nuk i ka bërë thirrje Grassit të shkruajë për ribashkimin (gjerman). Më shumë do të më pëlqente nëse Grass do të kishte shkruar për dashurinë ndaj gruas së tij. Kjo më intereson më shumë se pikëpamjet e tij mbi ribashkimin”. “Unë kam prirje eurocentrike! Jam dhe dua të jem eurocentrik dhe këtë nuk mund të ma mohojë askush! Bota ime është mes Athinës dhe Dablinit apo mes Lisbonës dhe Stokholmit”. “E pranoj dhe kjo ndoshta flet kundër meje, por mua më interesojnë historitë e dashurive të intelektualëve. Historitë e dashurive të fshatarëve mund të jenë ndoshta interesante, por aty nuk marr vesh aq”. “Çmimin Nobel do të duhej ta merrte mbase së pari (John) Updike dhe pastaj Philip Roth, por asnjëri nuk do ta marrin, sepse sigurisht do të gjendet dikush nga Sudani. Nuk luan fare rol që ata nuk dinë të shkruajnë. Pikërisht për shkak se në Kongo nuk dinë të shkruajnë, duhet t’u jepet atyre çmimi Nobel”.
Kështu ka folur Reich-Ranicki dikur. Po të fliste sot kështu (sikur të ishte gjallë), me siguri do të gozhdohej e akuzohej për racizëm e neokolonializëm. Por siç ka thënë Reich-Ranicki: “Nuk do të pajtohemi dhe nuk duhet të pajtohemi. Miq, shohim të prekur se si po bie perdja dhe të gjitha pyetjet po mbesin të hapura”.
Nuk duhet lavdëruar shumë kohët e shkuara, ato nuk kanë qenë përherë të mira. Por në krahasim me disa artistë të sotëm, Reich-Ranicki ka qenë demonstratë e haresë (gjithnjë sipas fjalisë së famshme të dramaturgut zviceran Friedrich Dürrenmatt: “Kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë demonstratë. Unë jam demonstratë”). Artistët e sotëm: për shembull Marco Goecke, kryekoreograf dhe drejtor i baletit shtetëror në Hannover të Gjemanisë.
Më 11 shkurt Goecke atakoi së pari në mënyrë verbale një kritike të vallëzimit të gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e pyeti se çfarë ka kërkuar në shfaqjen e tij “Besim – Dashuri – Shpresë” dhe e kërcënoi se do t’ia ndalojë hyrjen në shtëpinë e operës në Hannover. Goecke ishte hidhëruar ngase kritikja e vallëzimit disa shfaqje të tij i kishte kritikuar – negativisht.
Dikur Goecke humbi kontrollin, nxori një qese prej letre me “jashtëqitje kafshësh” dhe e qëlloi në fytyrë kritiken e vallëzimit. Pas këtij akti të neveritshëm ai vazhdoi rrugën e tij. Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” protestoi dhe paralajmëroi hapa juridikë kundër shkaktuesit të deliktit. Goecke u bë sikur kërkoi falje, pa kërkuar falje, punëdhënësi i tij e suspendoi nga puna, por krejt kjo aferë fitoi një dinamikë që s’mund të ndalej më. Goecke tashmë është përjashtuar nga puna.
Ky skandal i krupshëm në fund pati edhe një anë humoristike – falë gazetës bulevardeske gjermane “Bild”. Në një hulumtim të thellë ku gazetarët s’kishin lënë thellësi pa i futur gishtat dhe hundët, “Bild” njoftoi lexuesin se prodhuesi i armës me të cilën u krye krimi ishte qeni i koreografit Marco Goecke. Gustavi, kështu quhet qeni, është 14-vjeçar dhe me lesh të shkurtër. Gjatë ditës, shkruante “Bild” me seriozitet gazetaresk, një qen si Gustavi “del në tualet” dy herë gjatë ditës dhe lë pas 30 deri 50 gramë jashtëqitje. Pasojnë edhe detaje të tjera mbi ngurtësinë, ngjyrën dhe duhmën..., por me këso detajesh nuk do ta terrorizojmë lexuesin tonë. Qentë si Gustavi kanë vetëbesim dhe janë të hareshëm. Njofton “Bild”. Faleminderit gazetës “Bild” për këtë kontribut të madh publicistik. Shyqyr që në Youtube ruhen shumë emisione të moderuara nga Marcel Reich-Ranicki (i njohur edhe si MRR). Megjithatë, nganjëherë duhet lavdëruar kohët e shkuara.