Shtojca për Kulturë

Manipulimi me shtatore dhe injoranca artistike

“Nuk u thuhet artistëve ma heq pushkën dhe ma bëj me libër! Kjo është po aq bizare sa ajo që kanë bërë skulptorët e socrealizmit nga Tirana. Thjesht, bëhet një konkurs ndërkombëtar, përfshirë edhe debate me artistë dhe estetë e urbanistë dhe u thuhet artistëve bëjeni më të mirën të mundshme, bazuar në kreativitetin tuaj dhe në fund përzgjidhe më të bukurën me një juri kredibile”, kishte thënë filozofi Kadri Metaj për “Kohën Ditore” në intervistën tematike për shtratoret e Kosovës, Shtojcën për kulturë të 24 marsit të vitit 2012. Ribotohet me rastin e vdekjes së profesor Metajt

Mënyra se si janë realizuar përmendoret dhe shtatoret, kryesisht në Kosovën e pasluftës, për filozofin dhe estetin Kadri Metaj, reflektojnë gjithë dramën e dhimbjes, të padijes, e të manipulimit me ndjenjat e njerëzve për humbjen e më të dashurve të tyre. Sipas tij, ato erdhën bashkë me anarkinë. Metaj thotë se ato janë mbetje të soc-realizmit, shumica prej të cilave u bënë nga skulptorë nga Shqipëria, që kishte lënë pa punë tashmë këta artistë. E kur punuan kosovarët, shumë skulptura dolën të shëmtuara.

KD: Si i shihni përmendoret dhe shtatoret që janë vendosur, sidomos pas luftës në pjesë të ndryshme të Kosovës?

Metaj: Është pothuaj e pamundur të bësh ndonjë vlerësim të sinqertë jashtë kontekstit në të cilin ato janë bërë, dhe siç e dimë të tilla janë gjithandej Kosovës. Megjithatë, duke qenë ato tashmë aty, si një realitet ontologjik e kemi për detyrë që si qytetarë dhe intelektualë të themi sinqerisht se ato erdhën bashkë me tranzicionin e jetës në të gjithë sektorët. Ato reflektojnë gjithë dramën e dhimbjes, por edhe të padijes, aty-këtu të manipulimit me ndjenjat e njerëzve për humbjen e më të dashurve të tyre, por gjithashtu erdhën bashkë me anarkinë dhe stilin “laisez faire” të ndërtimeve pa plan dhe pa leje, që prishën edhe qytetet e hapësirat, si pasojë e paaftësisë për menaxhim dhe qeverisje në pothuaj të gjithë sektorët e jetës.

KD: Për shumëkënd, arti në skulpturat anekënd Kosovës, janë mbetje e soc-realizmit. Cili është komenti juaj?

Metaj: Është e vërtetë se janë dëgjuar shumë komente se ato monumente në masë të madhe janë të proveniencës socrealiste dhe reflektojnë përputhje shijesh midis porositësve dhe realizuesve të tyre, por do të ishte e padrejtë nëse stigmatizojmë vetëm këtë aspekt: Derisa skulptorët e proveniencës socrealiste nga Shqipëria aplikuan stilin socrealist, të papërshtatshëm dhe anakronik për kohën, por nuk deformuan figurat, autorët kosovarë improvizuan me një joseriozitet të jashtëzakonshëm figurat deri në deformim me elemente të së shëmtuarës dhe për këtë “punë” morën para të majme nga fondet publike, si në rastin e shtatores së profesor Fehmi Aganit, para Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

KD: Si u reflektua vonesa e socrealizmit, te përmendoret në Kosovë?

Metaj: Secili vend në tranzicion është përballur me trashëgiminë e simboleve dhe përmendoreve nga e shkuara ideologjike, por Kosova pothuaj nuk pati kohë as mundësi të merrej fare me atë periudhë, kështu që sot kur flasim për përmendoret, kryesisht mendohet për këto të pasluftës dhe këtu kemi një paradoks të llojit të vet. Derisa në Shqipëri skulptorët e socrealizmit mbeten pa punë dhe atje përmendoret e trashëgimisë po i nënshtroheshin një rishqyrtimi, në Kosovë disa nga ata gjeten punë madje të leverdishme dhe bënë monumentet e fundit në Evropë me tematikë socrealiste, duke qenë të angazhuar qoftë nga familjarët, qoftë nga bashkëluftëtarët, në të shumtën e rasteve pa ndonjë procedurë, pa konkurs dhe pa juri kompetente të përbërë nga njohës të artit, apo edhe duke përfshirë ndonjë syresh pa kredibilitet intelektual dhe artistik.

KD: Sa mund të flitet për vlera estetike te shtatoret dhe përmendoret në Kosovë?

Metaj: Përgjithësisht mund të them se shtatoret e bëra në Kosovën e pasluftës kanë vlera të pakta estetike dhe shumica prej tyre, përveç që janë anakronike për kohën e pluralizmit dhe demokracisë dhe për shekullin XXI, janë deficitare edhe nga pikëpamja e shtresimit dhe strukturës së tyre si vepra artistike. Ato nuk janë të hapura për më shumë se një interpretim dhe natyrisht janë OK për ata që kanë ose janë të interesuar vetëm për një interpretim. Por të mos harrojmë se një interpretim artistik, por edhe politik na shpien në logjikën dhe praktikat e monizmit, të cilin po shpresojmë se e kemi lënë prapa.

KD: Në këtë kontekst, thoni se ato prezantojnë një nivel të prapambetur të artit...

Metaj: Mund të them se ato duke qenë të mangëta në pikëpamje artistike dhe thellësisht ideologjike apo të proveniencës socrealiste, fatkeqësisht të fundit në Evropë, sepse të tilla nuk gjen as në Bosnjë-Hercegovinë dhe as në Kroaci, ku po kështu ka pasur luftë, prezantojnë një nivel të prapambetur, madje do të shtoja shumë të prapambetur të artit, të pavlerësuar jo vetëm nga ne, por as nga intelektualët dhe njohësit e artit në Shqipëri, përveç në ndonjë rast kur ata duan të jenë të mirësjellshëm apo edhe më keq kur bëjnë hipokrizi.

KD: Si mund të korrigjohen gabimet e bëra. Ose a konsideroni se kanë mundur të bëhen ndryshe?

Metaj: Sigurisht se kanë mundur të bëhen ndryshe dhe kjo pak ka rëndësi tani. Mendoj se është thelbësore të korrigjohet diçka atje ku planifikohen rirregullime sheshesh dhe hapësirash publike...

KD: Ta zëmë, a mundet në shtatore luftëtari të paraqitet pa armë, e shkrimtari pa libër në dorë?

Metaj: Kam dëgjuar të flitet për projektin e sheshit “Zahir Pajaziti”. Duhet inkurajuar korrigjime esenciale, por të mirëfillta. Nuk u thuhet artistëve ma heq pushkën dhe ma bëj me libër! Kjo është po aq bizare sa ajo që kanë bërë skulptorët e socrealizmit nga Tirana. Thjesht, bëhet një konkurs ndërkombëtar, përfshirë edhe debate me artistë dhe estetë e urbanistë dhe u thuhet artistëve bëjeni më të mirën të mundshme, bazuar në kreativitetin tuaj dhe në fund përzgjidhe më të bukurën me një juri kredibile.

Botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore”, më 24 mars 2012