E kuptueshme tashmë, është një prej ngjarjeve më të mëdha të artit në Evropë, ka sjellë artistë e vepra të shquara bashkë me jo pak vizitorë të huaj. Veprat siç bën rëndom edhe arti bashkëkohor, shtrojnë pyetje njashtu siç bën edhe “Manifesta 14”. Por, një tjetër pyetje është edhe ajo se çfarë do të mbetet pas 100 ditëve
“Paracetamol”, është një prej fjalëve që e zë në gojë disa herë Astrit Ismaili gjatë performancës me bashkëpunëtorët e tij. Është një lojë brenda kufijve të artit që prezanton Ismaili, por në Prishtinë ka zgjedhur të jetë më i veçantë. Një sot përballjeje me të kaluarën e fije shprese edhe për të ardhmen. Gjatë përballjes synon që të shuajë edhe plagë të mëhershme kur jetonte në Kosovë si pjesë e komunitetit “queer”.
Ismaili, që për gati një dekadë jeton në Holandë, ka qenë ylli i mbrëmjes së hapjes së bienales nomade “Manifesta 14” në Prishtinë. “Paracetamolin” e ka përmendur si lloj ilaçi kundër dhimbjes. Mbi platenë e Pallatit të Rinisë të premten mbrëma anglishtja ka dominuar si gjuhë e “bota” e artit ka nisur maratonën 100-ditore “Manifesta 14”. Bashkë me krejt defektet në organizim, garën e politikanëve për të qenë sa më afër me këtë ngjarje, pikëpyetjet se çfarë do të mbetet pas tre muajsh e deri te financimi i majmë nga shteti, “Manifesta 14” e ka bërë Prishtinën të frymojë si vend i artit bashkëkohor.

“Invazioni” i turizmit artistik
Kryeqyteti i Kosovës zakonisht në fund të korrikut dhe në gusht është nikoqir i vizitorëve të shumtë, kryesisht mërgimtarë që një pjesë të pushimeve verore i kalojnë në Kosovë. Por ditëve të fundit është vërejtur një tjetër gjallëri. Ajo e “invazionit” artistik. Pa shkuar mbi plate, instalacioni i Petrit Halilajt, është i pashmangshëm. Në majë të ndërtesës më ikonike të Prishtinës, hotelin “Grand” e ka “zhdukur” me “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”. Halilaj emër i njohur botërisht në art bashkëkohor pasi ka dërguar copëza të historisë së Kosovës gjithandej është kthyer në zemër të saj. E ia ka kthyer edhe yjet hotelit që dikur ishte konak i personaliteteve më të rëndësishme që vinin në Kosovë. Halilaj bën thirrje që të diskutohet për “Grandin” e të mos lihet si në këta 23 vjet, ku ndërtesa është e gjithkujt dhe e askujt njëkohësisht. Si “Grandi” janë edhe 24 lokacione të tjera që janë “veshur” me ndërhyrje.
si Sislej Xhafa – që provokon te Varrezat e LNÇ-së – e deri tek Alban Muja, Flaka Haliti e të tjerë, përbëjnë “flotën” e artistëve vendorë. Nga 103 pjesëmarrës përbëjnë 39-përqindëshin e bashkë me ata të rajonit shkojnë në 65 për qind.
“Grandi” strehon numrin më të madh të veprave, ish-Fabrika e Tullave është prej lokacioneve kryesore bashkë me ish-bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani”, ku është ngritur një lloj qendre e mbledhjes së rrëfimeve. Artistët ndërkombëtare, si japonezja Chiharu Shiota apo zvicerani Ugo Rondinone, janë alamet emrash në artin bashkëkohor në botë. Njëkohësisht edhe artistët më të komercializuar në këtë edicion të Bienales Nomade. Për 100 ditë Prishtina do të përjetojë turizmin artistik si asnjëherë më parë e kush e di se kur do të mund të përsëritet. Pas dy vjetësh “Manifesta” do të jetë në Barcelonë. E në Prishtinë erdhi nga Marseja.
Qyteti si muze i hapur
Një pjesë e mirë e kryeqytetit të Kosovës është shndërruar si njëfarë muzeu i hapur i artit bashkëkohor. Përshkrim të tillë i jep edhe artisti Sislej Xhafa, përfaqësues i Kosovës në Bienalen e Venecias më 2017 e pjesë e grupit të artistëve që përfaqësuan Italinë më 2013. Historia e tij me atë Bienale nis në fund të viteve ’90 kur me “Pavijonin ilegal” u bë përfaqësues i Shqipërisë atje.
“’Manifesta’ krijon një dimension të një përvoje të re, ku qëndrimi kritik merr prioritet. Prishtina është qytet i hapur dhe kompleks, ku vetë qyteti është shndërruar në muze të artit të bashkëkohor”, thotë ai. Në perspektivën e tij, Bienalja është një mrekulli ku hap dhe ofron mundësi.
“Mos të harrojmë, nuk lind pranvera me një lule, por kjo lule është e betonuar. Krijon një monument kohor”, thotë ai. Hapja e këtij edicioni të premten mbrëma njëmend ka kthyer sytë nga arti bashkëkohor. Profesionistë të artit, gazetarë vendorë e të huaj, por edhe qytetarë të shumtë kanë mbushur hapësirën. Me kordonë ka qenë e ndarë pjesa e politikës, menaxhmentit të “Manifestas” e për disa artistë më në zë. Politika zor t’i ketë qëndruar afër Bienales në ndonjë vend tjetër më shumë se në Kosovë. E kjo është njëfarë pjese e atij që duket muze i artit bashkëkohor në ambient të hapur.
Shteti në shërbim të “Manifestas”
Java e fundit ka qenë një garë se kush nga politika po arrin të jetë më afër Bienales e të marrë vëmendje vendore e ndërkombëtare.
Kryeministri Albin Kurti e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kanë mbizotëruar. Të parin e ka ndihmuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e të dytit ia ka rrahur krahët kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili edhe e ka kandiduar Ramën për kryetar.
Veç Qeveria deri në këtë javë ka derdhur në llogari të “Manifestas” 2.1 milionë euro. Pa llogaritur fare ndihmesat e tjera duke i vënë në shërbim monumentet më ikonike në Prishtinë. Në këtë “faturë” hyn edhe mbyllja e syve ndaj ndërhyrjeve joligjore në hotelin “Grand” e deri te heshtja para një restaurimi të punuar krejt joprofesionalisht në një tjetër monument.
Në ceremoninë hapëse presidentja e Kosovës nga foltorja ka bërë të ditur se i është nënshkruar një kërkese të Bienales. Asaj që të flitet në anglisht. Në këtë rast protokolli i shtetit i është përshtatur atij të “Manifestas”. Njëjtë kanë vepruar të gjithë folësit. Lëvdatat për “Manifestan” kryeministri Albin Kurti i ka pasur deri në nivelin sa i ka bërë hisedarë në qeverisje.
“Për 100 ditë ‘Manifesta’ do të qeverisë paralelisht me qeverinë time”, ka thënë ai, një ditë pasi ka takuar gazetarët që mbulojnë këtë ngjarje. Për ata që konsiderohen “VIP”, organizatorët kanë përgatitur një hapësirë të veçantë të barrikaduar e me sigurim të shtuar. Fjalimet e politikanëve kosovarë janë sjellë rreth disa fjalëve që zakonisht janë kyçe tash e më shumë se një dekadë: liberalizimi i vizave, Prishtina si qytet i gjallë e dromca të tjera.

Simptomat e një ëndrre
Sikurse në krejt vendet e Ballkanit edhe në Kosovë, prania e një grupi ndërkombëtarësh e bën politikën të vrapojë pas tyre. Për shumëkënd krejt kjo është hiç më pak se provincializëm.
Dramaturgu, veprat e të cilit përkthehen e inskenohen nga Lindja e në Perëndim të globit, ka bindjen se “Manifesta” në Prishtinë është simptoma më e mirë e “një shoqërie provinciale dhe e një skene kulturore provinciale, e cila ‘sheh ëndrra me sy hapur’, njëlloj si varianti i ‘ëndrrës amerikane’, e cila, në realitet, ngelet sall ëndërr”.
“Natyrisht, në rastin e “Manifestës”, kjo ngelet një ëndërr që peshon mbi 5 milionë euro në kurriz të skenës kulturore, njërës nga më të varfrat në Evropë. Shkodranët do të thoshin: ‘dhi e zgjebosur, bishtin përpjetë’”, ka thënë Neziraj. Ka përmendur faktin se as në fund të muajit të shtatë të vitit Ministria e Kulturës nuk ka arritur që të paktën të publikojë listën e ngjarjeve të skenës së pavarur kulturore që do t’i mbështesë sivjet. Bëhet fjalë për festivalet e organizimet që e mbajnë gjallë artin alternativ në Kosovë dhe janë bërë emra ndërkombëtarë pa qenë “Manifesta” këndej pari.
Neziraj thotë se ministri i Kulturës dhe stafi i tij, të cilët përmenden me emër në çdo komunikatë të MKRS-së pozojnë në hapje dhe konferenca shtypi për “Manifestën”.
“Ndërkohë kanë prodhuar njërin prej dështimeve më kapitale të këtyre viteve: paaftësinë për të përmbyllur një proces – të thjeshtë do të thosha – të një konkursi për mbështetje për skenën kulturore”, thotë Neziraj. Por kritika nuk përfundon me kaq.
“Dhe tani, kur viti ka hyrë në muajt e fundit, skenës kulturore të këtij vendi nuk i është ndarë asnjë cent. Siç thotë ajo fjala e urtë ‘plaka krihet, qyteti digjet’”, ka thënë Neziraj, duke e futur në lojë në këtë rast edhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Sipas tij, Rama “spërkat me ca centë turpi skenën kulturore të kryeqytetit”.
Kur Yll Rugova asokohe drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, qysh më 2018 kishte ftuar e këmbëngulur që Bienalja të vinte në Kosovë, krejt kjo prezantohej si një mundësi e mirë për ta rishikuar funksionimin e qytetit, hapësirat publike, ndërtesat ikonike e dhjetëra gjëra të tjera.
Ndërhyrjet e deritanishme nëpër ndërtesa, kryesisht monumente janë estetike dhe të përkohshme. Përjashtim bën ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” që është restauruar – jo në parametra profesionalë dhe ka raporte ekspertësh për këtë – ku është ngritur një qendër për praktikimin e rrëfimeve.
Se çfarë do të bëhet më pas e ku do të ngelet stafi bashkë me rrëfimet, nuk e di kush.
Arkitekti Carlo Ratti është i angazhuar nga Bienalja që të merret me studimin urban, intervenimet urbane e projeksionet për të ardhmen e qytetit ka treguar se kanë bërë hartëzimin e qytetit. Në konferencën për media të mbajtur të enjten, ai nuk ka folur gjatë. Ka përmendur disa prej ndërhyrjeve kryesore.
Mënyra se si e ka shpjeguar një “transformim” të rrugës “2 Korriku” krahas Ministrisë së Kulturës ka ngjarë sikur aty të kishte ndodhur ndonjë alamet projekti.
“Është bërë hapësirë e përhershme vetëm për këmbësorë. Kjo është bërë në bazë të informatave që kemi marrë nga njerëzit. Njerëzit thanë: ‘o Zot asnjëherë nuk kemi menduar se mund të përdoret kështu kjo pjesë e qytetit’”, ka thënë ai duke ftuar të gjithë që të shkojnë te pjesa që njihet edhe si “Kafet e rakisë” për të parë ndryshimet. Realisht në atë rrugë janë shtuar veç disa vija të verdha.
Në pritje të shenjave në vjeshtë
Trashëgimia që do të ngelet pas 100 ditësh në skemën edhe financiare të “Manifestas” ende nuk dihet. Një pyetje për këtë e ka trazuar fort drejtoreshën Hedwig Fijen në konferencë për medie. Maria Lind, bashkautore e edicionit të dytë të po kësaj bienaleje, ka ngritur disa çështje në konferencë dhe në një bisedë të shkurtër me KOHË-n pas asaj ngjarjeje.
“Cila do të jetë trashëgimia e këtij edicioni? Përse po prezantohet si diçka shumë e madhe? Përse nuk u përmend fare ‘Autostrada Bienale’ që mbahet në Kosovë? Sa ka kapacitete buxhetore ky vend të ndajë ato para për këtë edicion dhe sa ka afektuar ky financim në skenën kulturore vendore?”, janë pyetjet që shtron ajo. Sipas Lind, për këto pyetje duhet përgjigjur njerëzit kompetentë.
Në konferencë ajo ka marrë një përgjigje për trashëgiminë që do të mbetet pas edicionit.
Drejtoresha Fijen ka thënë se trashëgimia bashkë me ndikimin do të analizohen nëpërmjet anketimit publik nga një organizatë e pavarur pas përfundimit të edicionit më 2023. Sipas saj, në shumicën e qyteteve kthimi i investimit të qeverive ka qenë 2.5 fish më shumë se investimi. Ka thënë se kanë të angazhuar 53 punëtorë kosovarë dhe 150 veta në staf mbështetës.
Dramaturgu Neziraj është shumë skeptik me atë që do të ngelet pas “Manifestas”.
Në perspektiven e tij bëhet fjalë për “ëndërr provinciale” kur flitet se Bienalja do të rishikojë mundësinë e shfrytëzimit të monumenteve dhe hapësirave publike.
“Duhet të jesh fort budalla dhe edhe fort naiv të besosh që ‘Manifesta’ do ta vetëdijesojë këtë kastë politike në raport me hapësirat publike, e siç kanë qejf ta thonë ata ‘kthimin e hapësirave publike’”, thotë Neziraj. “Vërtet do të besoni se ‘Tulltorja’ do të ngelet një hapësirë kulturore ‘në shërbim të komunitetit artistik’? Përralla. Po, këta hajvanët e politikës e kanë lënë teatrin ‘Oda’, në qendër të Prishtinës, tash e mbi 20 vjet pa asnjë investim të vetëm, pa ngrohje dhe pa kurrfarë mbështetjeje”, thotë ai.
Krejt këtë e ka përkufizuar si një “mendësi provinciale, mendësi e logjikë të robit”. Sipas tij, pas edicionit të Bienales krejt çka do të ngelet janë disa ego artistësh eventualisht të papërmbushura. “Dhe ndërkohë, ca bojë e ca kordele e ‘knauf’ artistik, si shtesa ‘artistike’ në objektet e ndryshme të kryeqytetit”, thotë ai. Më pas ka ironizuar duke thënë se me 5 milionë euro do të kishte hapur një kapitull të ri po si “Manifesta”. Sipas tij, një kapitull me bojëra nëpër rrugë e dhjetëra darka e koktej.
Shpresa në kontrast
Por për Sislej Xhafën hapësirat publike dhe objektet e braktisura gjatë Bienales janë zhveshur si dukuri. E në pyetjen se çfarë do të mbetet pas Bienales ka pasur një përgjigje të prerë: “Gjurmët e një zëri të muzikës për taksista pa faturë”.
Në anën tjetër, skulptori Luan Mulliqi që të dyja grupeve u jep të drejtë. Thotë se sikurse përkrahësit edhe kritikët kanë të drejtë. Sipas tij, padyshim se secili vend do të dëshironte që një bienale e tillë të mbahej në qytetin e vet. Sipas tij, një grup mendon se kjo bienale është për qytetet e pasura.
“Mendoj që të dyja palët kanë të drejtë pasi është një prej ngjarjeve më të mëdha që mbahen në Evropë. Sikur të mundnim edhe Bienalen e Venecias është mirë ta kemi këtu. Ato veç e avancojnë për të mirë imazhin e Kosovës”, thotë ai. Ka një fije shprese se nga ai buxhet që është ndarë për këtë organizim, pos imazhit të ndikojë që t’i ngelet Prishtinës edhe diçka tjetër.
“Shpresoj që do të jetë një shembull i mirë për të iniciuar muzeun e artit bashkëkohor. Pos të mirave e ka edhe kontrastin që s’kemi muze. Situata duket sikur ai fukaraja që bën dasmë të madhe e nuk ka as shtëpi”, thotë Mulliqi. Tregon se është përkrahës i ngjarjeve të tilla e po ashtu se shpreson shumë që Bienalja të jetë përvojë e mirë për artistët vendorë. Sa i përket përvojës, sigurisht që ajo do të mbetet, këtë e pohojnë shumë veta. E sa i përket faktit se çka do të ngelet tjetër, pikëpyetjet janë shumë të mëdha. Janë disa vepra të instaluara të cilat “Manifesta” pavarësisht kontratës me artistët apo institucionet nuk ua ka mbuluar ende as 10 për qind të shpenzimeve. Pos kësaj, aspekti logjistik shpesh ka dështuar. Instaluesit e veprave janë detyruar të bëjnë zgjidhje të atypëratyshme.
Sipas drejtoreshës Fijen, ndikimi do të matet. E si do të jetë ai mbetet të shihet. Në bazë të rrethanave të deritanishme, gjasat për ndonjë trashëgimi të madhe janë të vogla. E mundësia që ndikimi e trashëgimia të jenë veç një “paracetamol” i paguar shtrenjtë sa për imazh e ego duket e madhe. Së paku tash.