Në ditëvdekjen e Kadaresë, për habinë time më të madhe, një vranësirë e madhe e vetmuar e ndjekur prej disa të tjerave më të vogla, po largohej drejt veriut, drejt Brukselit dhe nuk vonoi shumë nisi të binte shi! Por, ky nuk ishte ai “shiu kadareian!” I përmalluar e i thelluar në kujtime, nisa të ëndërroja se sa bukur do të kishte qenë, që Ismail Kadare të vinte “në tokën e ndaluar” për të, në vendlindjen time në Preshevë dhe ta përjetonte rënien e shiut preshevar, errësirën e vranësirave që gjithherë paraqiten mbi “Majat e Mëdhaja” që në të gjitha hartat e botës shkruhen dhe emërohen “Majat e Mëdha” mu ashtu siç ua kanë vënë emrin ata që i banojnë kahmoti këto vise
Lugina e Preshevës është ndër krahinat e vetme shqiptare ku nuk shkeli këmba e shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Edhe pse vepra e tij arriti në këtë krahinë menjëherë pas botimit në vitet e tetëdhjeta të shekullit XX, pengesë kryesore e mosprezencës së tij ishte përkeqësimi i situatës së përgjithshme në ish-Jugosllavi, por edhe fushata e politika antishqiptare e nxitur dhe përkrahur prej të gjitha institucioneve shtetërore. Megjithatë, duhet theksuar se falë bashkëpunimit të ngushtë kulturor Kosovë – Luginë e Preshevës, përgjatë viteve 1970 – 1998 ishte arritur edhe bashkimi i hapësirës unike kulturore në ish-Jugosllavi dhe si rezultat i këtij unifikimi kulturor para së gjithash ishte arritja e veprës së shkrimtarit tonë të madh në këto hapësira. Ndërsa interesimi i Ismail Kadaresë për fatin e shqiptarëve të Luginës ka qenë i vazhdueshëm dhe ai është dëshmuar në deklaratat, por edhe në shkrimet e tij
Unifikimi dhe shpërbërja e hapësirës unike kulturore shqiptare
Si fillim i krijimit të hapësirës unike kulturore shqiptare në ish-Jugosllavi, mund të merret një deklaratë e politikanit të njohur të Kosovës, Fadil Hoxha (1916 – 2001) e publikuar në shtypin beogradas në fillim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të XX. “Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të kishin rëndësi jetike për pavarësinë e të dy vendeve”, kishte deklaruar ai troç dhe deklaratën, si të tillë e kishte publikuar e përditshmja “Politika” e datës 25 shkurt të vitit 1969. Këto ishin vitet pas Planumit të Brioneve dhe mund të themi se ishin vitet e para të çlirimit të Kosovës, pas përjetimit të një terrori të egër të Aleksandar Rankoviqit dhe klikës së tij, dhe nuk do të gabonim nëse themi se Kosova e ndjeu frymën e çlirimit vetëm nga vera e vitit 1966, e jo si vendet tjera menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945!
Pra, duke filluar nga viti 1970 e deri në vitin 1998, në planin e marrëdhënieve kulturore përfshirë arsimimin, mund të themi se Lugina e Preshevës arriti t’i bashkohej hapësirës së përbashkët unike kulturore të shqiptarëve që atëbotë jetonin në ish-Jugosllavi. Pikërisht ky bashkëpunim e mundësoi edhe arritjen e librave nga Shqipëria, fillimisht në Kosovë e më pastaj edhe në Luginë të Preshevës. Pra, vitet e tetëdhjeta të shekullit XX, shënojnë edhe arritjen e veprave të Ismail Kadaresë në duart e lexuesve shqiptarë të kësaj treve.
Mirëpo pas Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ashtu siç qarqet e politikës kosovare e përfshinë Luginën e Preshevës me një plotësi si kurrë më parë në agjendat e tyre, i të së njëjtës mënyrë ishte reagimi i shtetit jugosllav, që me aparaturën policore dhe ushtarake në pranverën dhe verën e vitit 1981 bëri “nivelizimin” e Luginës së Preshevës me Kosovën në përndjekjen, dënimet dhe identifikimin e të rinjve luginas si “armiq potencialë” të Jugosllavisë!
Në rrjedhën e ndikimit dhe të intervenimit të drejtpërdrejtë të politikanëve të lartë lidhur me situatën e krijuar, në verën e vitit 1981 në Luginë të Preshevës u organizua vizita e dy figurave të njohura të skenës politike në Kosovë, Serbi, por edhe Jugosllavi. Në fakt kjo vizitë e përmblodhi në vete edhe situatën dhe qasjen e strukturave të larta ndaj demonstratave të vitit 1981, por njëherësh zbërtheu edhe pozitën e vetë shtetit serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Më 25 gusht të vitit 1981 në Preshevë, qëndroi anëtari i kryesisë së RSFJ-së, Fadil Hoxha dhe kryetari i Kryesisë së Republikës së Serbisë, Dobrivoje Vidiq. Ata morën pjesë në mbledhjen e aktivit politik të punëtorëve të arsimit. Fadil Hoxha në fjalën e tij u përqendrua rreth lidhjeve që kishte krijuar me Luginën e Preshevës gjatë vitit 1942, ndërsa Dobrivoje Vidiqit, thuajse nga fundi i mbledhjes “i ra ndërmend aty për aty” se duhej lënë edhe një porosi luginasve, dhe të cilën porosi për nga mënyra se si e paraqiti para të pranishme dukej se vështirë ta kishte biseduar me bashkudhëtarin e tij rrugës për në Preshevë, por ja që ajo iu shfaq “befas”: “Tekstet shkollore dhe librat e tje¬rë nga Tirana kanë përmbajtje armiqësore dhe ne nuk do t’i tolerojmë ato më tej. Këshilli arsimor i Serbisë, ende nuk e ka kryer analizën e nevojshme të teksteve mësimore, që shqiptarët i përdorin në territorin e Serbisë”, paralajmëroi Vidiqi, dhe njëherësh me këtë paralajmërim shënohet edhe fillimi zyrtar i fushatës kundër arsimit shqiptar në Luginë të Preshevës.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i burgosur në magazinën e një ndërmarrjeje në Stacionin Hekurudhor të Preshevës!
Kishin kaluar pesë vjet nga paralajmërimi i bërjes së analizës së librave dhe teksteve nga Shqipëria, kur më në fund kishte nisur zyrtarizimi i politikës e cila nuk do t’i luftojë vetëm arsimin, kulturën dhe librin shqiptar, por Kosova dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi do të vihen në shënjestër të zhbërjes së përgjithmonshme.
“Kah fundi i pranverës së vitit 1986 e lutëm akademik Pavle Iviqin (1924 -1999) që ta bënte redaktimin dhe harmonizimin e tekstit përfundimtar të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve” , ka shkruar njëri prej ideatorëve të “fletëlajmërimit të vdekjes së ish – Jugosllavisë”, akademiku Mihaljo Markoviq (1923-2010). Ndërsa, sipas dëshmisë së Markoviqit versioni përfundimtar i “Memorandumit” u bë gati pas dy takimeve të Këshillit për Përgatitor që u mbajtën më 19 dhe 23 shtator të vitit 1986.
Dhe në verën e vitit 1987, kur nxënësit luginas për sukseset e arritura kishin marrë dhuratë nga Qendra Arsimore “Skënderbeu” në Preshevë libra, midis tyre dhe të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, që përgjatë viteve të mëparshme ishte sulmuar pareshtur nga shtypi i Beogradit, për shkak se i kishte përkrahur hapur kërkesat e rinisë dhe popullit të Kosovës, tashmë gjithashtu në gazetat kryesore dhe në veçanti në shtypin ditor beogradas u publikuan një sërë tekstesh me personazhin kryesor mësimdhënësin e nacionalitetit serb i punësuar në Qendrën Arsimore “Skënderbeu” në Preshevë, i cili kërkonte për¬gjegjësi për kolegët shqiptarë dhe udhëheqësit e shkollës, sepse, sipas tij, nxënësve që kishin arritur sukses të shkëlqyeshëm në vitin paraprak u kishin dhuruar libra të autorëve nga Shqipëria!
Përveç largimeve nga puna, pushteti i atëhershëm i konfiskoi të gjitha librat nga Shqipëria midis tyre edhe romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe ato u mbyllën në magazinën e një ndërmarrje në Stacionin Hekurudhor të Preshevës!
Lugina e Preshevës në agjendën e Ismail Kadaresë në kohët moderne
Njëri prej interesimeve të drejtpërdrejta të shkrimtarit Ismail Kadare, për fatin e shqiptarëve të Luginës erdhi pikërisht në prag të konfliktit në Luginë të Preshevës në dimrin e vitit 2000, dhe të ndërmarrjes së veprimeve të armatosura nga ana e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
"I njohim vuajtjet e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, por këto veprime mund të prishin punë për momentin, që ndoshta janë të parakohshme”, porosiste Ismail Kadare. (deklarata i është dhënë gazetarit preshevar Nefail Maliqi).
Ndërsa, ndër deklaratat më të fuqishme të shkrimtarit Ismail Kadare që ndërlidhet me fatin e Luginës së Preshevës është kundërshtimi i shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jenë drejt
Evropës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…”, thekson shkrimtari i madh duke shtuar se “duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit të Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës, nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptarët dhe serbët, dialog e marrëveshje po në Bruksel, por assesi në dëm të sovranitetit të Kosovës!”, ishte deklarata e tij e transmetuar në shtypin shqiptar në vjeshtën e vitit 2018.
Kujtime nga bisedat
Me rastin e një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit të madh Ismail Kadare në Paris, përveç tjerash ai rrëfeu në detaje për ngërçet që delegacioni i Kosovës i kishte pasur në Konferencën e Rambouillet. Padyshim se rrëfimi i tij ishte plot emocione, ai fliste me fjalë të zgjedhura dhe me plot tolerancë, por herë pas here në to shfaqej ai dramaticiteti kadareian tashmë i njohur, që lexuesi jo vetëm vendor por edhe i huaj e ka hasur por edhe shijuar në librat e tij. Padyshim se ajo që më së shumti e kishte pezmatuar gjeniun Kadare kishte qenë “të sjellët folklorist të një pjesë, të delegacionit kosovar që ishte e pafalshme kur merrej parasysh momenti i rëndësishëm historik, në të cilin ishte gjetur kombi shqiptar dhe Kosova”.
Meqë është e padenjë të flas për detaje tjera të këtij rrëfimi, derisa e dëgjoja, m’u kujtua libri i intelektuales dhe shkrimtares amerikane, Susan Sonatg “Regarding the Pain of Others”, të cilin e kisha lexuar kohë më parë, prandaj përpjekjet e shkrimtarit tonë të madh i përjetoj si sakrifica që më në fund të dilnim nga situata e rëndë dhe të ndalonim që në sytë e huaj të paraqiteshim vetëm si imazhe të vuajtjes së tjetërkujt!
Derisa sa po e përmbyllja këtë tekst, në ditën e varrimit të gjeniut Ismail Kadare qielli në qytetin ku tashmë jetoj për tetëmbëdhjetë vjet, ishte i ngrysur, ashtu siç zakonisht në të shumtën e kohës është në Evropën Perëndimore. Për habinë time më të madhe, një vranësirë e madhe e vetmuar e ndjekur prej disa të tjerave më të vogla, po largohej drejt veriut, drejt Brukselit dhe nuk vonoi shumë nisi të binte shi! Por, ky nuk ishte ai “shiu kadareian!” I përmalluar e i thelluar në kujtime, nisa të ëndërroja se sa bukur do të kishte qenë që Ismail Kadare të vinte “në tokën e ndaluar” për të, në vendlindjen time në Preshevë dhe ta përjetonte rënien e shiut preshevar, errësirën e vranësirave që gjithherë paraqiten mbi “Majat e Mëdhaja” që në të gjitha hartat e botës shkruhen dhe emërohen “Majat e Mëdha” mu ashtu siç ua kanë vënë emrin ata që i banojnë kahmoti këto vise.
Verë 2024, Sint-Truiden, Belgjikë