Shtojca për Kulturë

“Luftë a tifo” godet me ironi në mbylljen e sezonit në “Oda”

Alban Nimani dhe Shpëtim Selmani në “Luftë a tifo” të premten mbrëma në teatrin “Oda”

Ironike e thumbuese ndaj realitetit ka qenë festa e “Odës” për një sezon me plot ngjarje e publik tok me “Qendrën Multimedia”. Poeti e aktori Shpëtim Selmani, e muzikanti Alban Nimani, me “Luftë a tifo” nëpërmjet artit i kanë folur së tashmes e së tejkohshmes, problemeve të përhershme, por këtë e kanë bërë me finesën e artit

Performanca satiriko-ironike “Luftë a tifo” e dyshes Shpëtim Selmani e Alban Nimani, ka mbyllur sezonin 2022/23 të teatrit “Oda”. Ka ardhur pas dy shfaqjeve në Tiranë dhe ky ka qenë debutim në Prishtinë. Është një miksim fushash të ndryshme të artit, ka diçka nga muzika, poezia, performanca e aktrimi. Nëpër vargjet e poezive, të shkruara nga vetë Selmani, dyshja përqesh në rend të parë politikat kombëtare e ndërkombëtare. S’i kursen as veset shoqërore.

Ka nisur në mënyrë krejt spontane. Është poeti i njohur e njëherësh aktori Shpëtim Selmani ai që hap performancën. Teksa mban në dorë një gotë rakie, i drejtohet publikut, i përshëndet dhe në një mënyrë që duket sikur është duke vazhduar komunikimin me publikun, nis e reciton poezinë e vet me titull, “Një poezi”. “Jam Shpëtim Selmani”, është vargu i parë i saj. Teksa kalon nëpër vargjet e njëpasnjëshme, Selmani sikur rrëfen jetën e vet, flet për letërsinë, poezinë, ndikimin nga shkrimtarët e mëdhenj, teatrin dhe përfundon me: “Përgjithmonë hajvan/ vetmitar duke i dhënë/ Botës diçka, për të cilën ajo/ nuk /Ka fare nevojë./ Një poezi”.

Recitimin e kësaj poezie e bën krejt i vetëm dhe nën qetësinë e sallës. Publiku është përqendruar të dëgjojë fjalët e tij. Menjëherë pas saj, në skenë hyn artisti e këngëtari Alban Nimani. Në kontrast me pjesën e parë, tani atmosfera nis të ndryshojë. Nimani nis e luan me kitarë dhe përveç kësaj, si një DJ, nis e manovron edhe me tavolinën e DJ-it. Në sallë shpërndahen tinguj techno dhe shfaqje merr të tjera ngjyra.

Nën tingujt e muzikës dyshja nis e reciton njëra pas tjetrës poezi si: “Vjershë politike”, “Kosova”, bazuar në një vjershë të Ali Podrimjës dhe për të kaluar te “Amerika” e Allen Ginsbergut a “Të gjithë i këndojnë dashurisë së humbur”. Veprojnë në mënyrë të sinkronizuar. Herë është Selmani ai që reciton e Nimani ai që i mban ison a këndon, e herë e kundërta. Gjatë recitimit e këndimit të poezive e një kënge të shkruar nga vetë Nimani, publiku ka mundësi t’i shohë edhe teksa këndojnë, aktrojnë a luajnë në skenë. Poezitë rëndom janë thumbuese, satirizuese, përqeshëse e plot ironi për situatat politike në Kosovë e nëpër botë, por edhe sistemet politike e shoqërore. Mund të merren edhe si ironi të situatave të sotme, aktuale. Gjatë kohës sa Selmani reciton “Amerika”, Nimani e rrit intensitetin e saj ironik, teksa vazhdimisht përsërit togfjalëshin “Amerika”, e këtë e bën edhe herë të tjera.

I pyetur për revoltën që del nëpër vargjet e tij, Selmani ka thënë se mendon që problemet e shumta në botë janë nyjë.

“Jam i revoltuar, sepse mendoj që ka shumë arsye për të qenë i revoltuar. Unë ndihem pjesë e komplet një sistemi më jashtë se këtu, sepse mendoj që të gjitha problemet janë zinxhirore. Çdo gjë që ndodh në botë, ka një efekt, një lloj ndikimi. Kjo është shumë e dukshme nëse është brenda një kontinenti. Mendoj që ironia dhe satira janë gjithmonë evidente. Ne mund të kemi ide të ndryshme për të, por nëse ato mbijetojnë do të thotë se kjo është e bukur”, ka thënë Selmani.

“Luftë a tifo” ishte dhënë në Tiranë, fillimisht në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në qendrën “Tulla”. Selmani ka folur për idenë dhe krijimin e kësaj performance. Ka thënë se ajo ka lindur krejt rastësisht.

“Ideja ka lindur spontanisht me Albanin. I kemi bërë dy performanca më herët në Tiranë dhe kjo është hera e parë që e bëjmë në Kosovë dhe jam shumë të lumtur që kemi arritur ta gjejmë njëfarë lloj energjie, një lloj kimie. Kam respekt për Albanin mbi të gjitha si artist i ‘Asgjë Sikur Dielli’. Unë kam qenë shumë i ri kur i kam dëgjuar këta dhe sot me e nda skenën me ta është me të vërtetë një privilegj”, ka thënë Selmani.

Për performancën ka folur edhe vetë Nimani, i cili është edhe drejtor e themelues i qendrës “Tulla” në Tiranë. Ka zbërthyer edhe formulën e daljes para publikut.

“Është një eksperiment spontan që ka ndodhur rastësisht ku i kemi futur disa lloj fushash: muzikën, poezinë me performancën, aktrimin ngapak. Më së pari ne jemi kënaqur me këtë dhe gjëja kryesore është që të kënaqesh vetë në skenë e që më pas të mund t’ia përçosh publikut. Ne kemi kaluar mirë dhe me sa po shoh edhe këtu u prit mirë... Po ndihem shumë mirë dhe ndoshta edhe duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë këtë lloj formati”, ka thënë Nimani.

Performanca e dyshes Nimani – Selmani ka mbyllur edhe sezonin 2022/23 të “Odës”. Nimani është shprehur i lumtur dhe i privilegjuar që shfaqja e tyre ishte zgjedhur për këtë mbrëmje të rëndësishme.

“Është njëfarë nderi që na kanë ftuar ‘Oda’ dhe ‘Qendra Multimedia’ që janë dy prej institucioneve më të suksesshme të Kosovës me programet e tyre dhe për ne është nder me qenë në mbylljen e këtij sezoni”, ka thënë ai teksa ka uruar një sezon të ri edhe më të mirë për teatrin “Oda” e “Multimedia”.

Kushtrim Sheremeti, drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar është shprehur i lumtur që më në fund pati mundësi ta shihte këtë performancë.

“Realisht sonte u kënaqa duke i përcjellë dy miq të mi, Albanin e Shpëtimin me një performancë jashtëzakonisht të këndshme, shumë politike, shumë filozofike, shumë poetike, shumë artistike dhe ishte kënaqësi me qenë këtu. E di që kanë qenë në Tiranë, por s’kam arritur të shkoj t’i shoh atje kështu që isha i lumtur që i pash sot”, ka thënë ai.

Themeluesi e drejtori artistik i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj ka folur për aktivitetet e shumta që ka pasur “Oda” gjatë këtij sezoni. Është shprehur i lumtur me pjesëmarrjen e publikut i cili ka qenë përherë i pranishëm në organizimin e këtij teatri. “Multimedia” gjeti strehë në “Oda” pasi në korrikun e vitit 2020 mbeti pa shtëpinë në lagjen “Dardania”, ku veproi për më shumë se një dekadë. Tash në “Oda” bart dhe bashkorganizon programin teatror.

“Ka qenë një periudhë dinamike me ngjarje aktivitete të shumta, kryesisht fushës së teatrit, pra teatrin si fokus kryesor. Ka pasur edhe ngjarje të tjera si lexime, festivale e ngjarje si kjo e sotmja. Pra ‘Oda’ ka qenë pikë reference por është rikthyer fuqishëm si pikë reference kulturore e kryeqytetit dhe mendoj që me këtë ritëm do të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim, por jam i lumtur që publiku na ka përcjellë gjatë këtyre muajve dhe jam i sigurt që do të na përcjellë edhe në muajt në vazhdim, në pjesën e dytë të vitit”, ka thënë ai.

I impresionuar me këtë performancë ka qenë edhe moderatori e aktori Mentor Shuki, i cili ka thënë se është fans i Selmanit. Ka shtuar se performanca të tilla e ofrojnë teatrin më shumë me format moderne të shfaqjeve.

“Unë jam fans i Shpëtimit. Në fakt është i vetmi poet që më pëlqen dhe që i jep kuptim këtij profesioni që quhet poezi dhe poet. Për këtë edhe kam ardhur, sepse nuk e kam parë më herët. Ishte një performancë shumë e mirë. Duhet me dalë prej idesë dhe me e heqë mendimin që teatri është diçka tepër zyrtare dhe e paarritshme. Kjo është dëshmi që kohët po ndryshojnë dhe që performancat janë moderne dhe sigurisht që janë më aktuale dhe na prekin ne të gjithëve që jetojmë në këtë kohë”, ka thënë ai.