Muzeu në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” është vetëm një kapitull dëshmie e asaj që ndodhi aty më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998. Secili eksponat ka rrëfim më vete. Ato të fëmijëve lidhin dy botë dhe ciceroni i muzeut, i cili rëndom vërshon nga vizitorët në marse, ua shpalos me kujdes
Pjesa e padjegur e kamionetës lodër e Blerim Jasharit dhe zinxhiri i Vahide Jasharit nxisin kureshtjen e nxënësve filloristë të shkollës së Gllamnikut të Podujevës. Mësueset mundohen t’ua shpjegojnë me kujdes historinë e tyre. Janë dy prej eksponateve të pakta të fëmijëve të familjeve Jashari që ranë në Prekaz gjatë sulmit të 5, 6 e 7 marsit 1998. Është fëmija më i vogël që është vrarë në Prekaz. Blerimi ishte gjashtë vjeç.
Ciceroni Xhevat Imeri zgjedh fjalët kur u rrëfen.

“Ajo që i lidh dy botë është se lodrat, prej sulmit 5, 6 e 7 mars 1998 e deri më 18 qershor të vitit 1999, domethënë, diku pesëmbëdhjetë muaj, këtu kanë qenë lojërat e fëmijëve, sepse nuk ka pasur njerëz që kanë jetuar”, thekson Imeri. “Domethënë, kanë qëndruar vetëm forcat serbe. Kurse zinxhiri siç e thashë e lidh edhe atë botën më të errët, sepse është marrë prej eshtrave”.
Jo fort larg kamionetës e zinxhirit, në një vitrinë tjetër të muzeut të Kompleksit Memorial në Prekaz është edhe një sandale fëmije. Është vitrina me veshmbathje të djegura pjesërisht. “Shihet në mesin e tyre edhe ai numri i këpucëve, do të thotë i vogël, që dëshmon se kishte edhe shumë fëmijë”, thekson Imeri, duke treguar se vetëm prej familjes së Shaban Jasharit, 13 prej 20 anëtarëve të familjarëve ishin fëmijë. “Fatkeqësisht, Blerina ishte mosha e re, vetëm shtatë vjeçe, dhe kjo ka qenë e mbathur në ditë të vështira”.
Dy botë krejt të kundërta në një vend
Pas vitrinës së veshmbathjeve janë mbetjet e plumbave të kalibrit të vogël të Jasharëve. “Kjo dëshmi të jep me kuptu se këta njerëz nuk kanë pasur as armatim me luftu, por qëllimi i luftës ka qenë që në radhë të parë mos me ra gjallë në duar të serbëve”, thekson ai.
Pas tyre janë mbetjet e arsenalit të kalibrit të madh të forcave serbe që do ta rrethonin fshatin me mijëra trupa pse Jasharët refuzonin nënshtrimin. “Një realitet i kundërt i kësaj ngjarjeje këtu është pjesa e gëzhojave të armatimit serb që kanë mbetur këtu”, thekson ai. Imeri thotë se pas masakrave në Qirez e Likoshan, Jasharët ishin përgatitur që civilët të mos binin në duar të trupave serbe. “Qëllimi i dytë ka qenë që të bëhej jehonë në botë se çfarë po ndodhte këtu”, shton ai.

Në murin sipër janë fotografi të familjes Jashari dhe të sulmeve të të tri ditëve të marsit 1998. “Qëllimi ka qenë që të vritej Adem Jashari, por Adem Jashari u bë edhe simbol i luftës, edhe i lirisë, edhe i paqes”, thekson Imeri. Flet edhe për rolin e grave, teksa sheh nënën Zahide në ballë të odës e para oxhakut ndërmjet Ademit e Hamzës. “Ju e keni pa edhe gjatë periudhës 5, 6 dhe 7 mars, Shabani dhe Zahidja kanë qenë gjithmonë krah tyre”, thekson ciceroni i muzeut.
Sipër vitrinës me enët e shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit, janë kopje të plastifikuara e të zmadhuara të gazetave. “’Sulmi ri policor në Drenicë: Së paku 20 shqiptarë të vrarë”, shkruan në ballinë e “Kohës Ditore” të një numri fillimarsi. Nuk shihet data e saktë. “Ndihmë – ndaleni krimin”, është një tjetër titull. “Kriminelët e luftës nga Bosnja, të angazhuar në Kosovë”.
“Shkrime që lidhen me periudhën e luftës 5, 6 dhe 7 mars. Intervista nga burrështetas, fotografi që kanë dalë në opinion botëror për me dëshmu atë që ka ndodhur këtu dhe janë fotografi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur kanë vepruar ilegalisht dhe me maska”.
Nxënësit vizitorë nxjerrin celularët që të shkrepin fotografi e të xhirojnë pjesë të vitrinave me rreth pesëdhjetë eksponate.

Tri pasionet e Jasharëve
Rinis Haliti, nga shkolla “Liria” në Tetovë, thotë se për vite me radhë në shkollë dhe në familje ka dëgjuar për sakrificën e Jasharëve.
“Unë kam dashur të vij dhe ta vizitoj, sepse e di çfarë sakrifice kanë bërë, fëmijët, gratë, pleqtë dhe ata që luftuan për liri”, thekson Haliti, që merr mbështetjen e arsimtarit të historisë.
Rinisi dëgjon Imerin teksa tregon para motorit të Adem Jasharit se si komandanti i UÇK-së ishte i lidhur me të. “Edhe pasardhësit e kanë trashëguar këtë pasion”, thotë Imeri, duke shtuar se dy pasionet tjera janë mustaqet dhe punimi i tokës.
Te magjja e bukës, Imeri përsërit fjalën mrekulli, teksa edhe sot habitet se si, sikurse Besarta, i kishte shpëtuar një mali plumbash të forcave serbe. “Magjja dhe Besarta, tash llogarite tri ditë luftë nga të gjitha anët, nga të gjitha drejtimet, asnjë plumb do të thotë nuk e ka goditur”, thotë ai.
Por plumbave nuk u kishin shpëtuar saja e fëmijëve dhe çajnikët e familjes.
Në ballë është automatiku i Adem Jasharit, me të cilin ishte ushtruar në fillimvitet nëntëdhjetë në Shqipëri për të kryer pastaj me të sulme kundër forcave serbe në Kosovë.
“Edhe gjatë periodës 5, 6 e 7 mars, por fati ka mbetur në duar të Bashkimit, i cili atëherë ishte në moshën 21 vjeç dhe e ka këtë vend këtu”, thotë ai. Krah tij në vitrinën tjetër është arma e Hamzës, punuar mjeshtërisht me duart e veta. “Hamza ka qenë një njeri universal, i këngës, i artit, i pushkës. Në realitet vetë kënga”, thekson ai. “E kemi parë në shumë raste se Ademi nuk është ekspozuar dhe gjithherë primatin e merr Hamza, Ademi do ta thoshte: ‘Nëse unë jam trupi, Hamza ishte koka’”.
Jashtë fëmijët në kor këndojnë: “Çohu Adem”.