Shtojca për Kulturë

Liria krijuese e Laura Olldashit

Laura Olldashi

Shkrimtarja, që në titull e fton lexuesin të hyjë në një botë të tabuve të mëdha, duke e bërë kureshtar të kuptojë thelbin e këtij afishimi letrar, i cili vërtet nuk përfaqësohet përmes titullit, por titulli bëhet një grishje për të menduar dimensionet e lirisë njerëzore, të cilat ndodh shpesh të preken, të kufizohen ose të vetëcensurohen

Shkrimtari Italo Calvino thotë se “prozatorët tregojnë për atë pjesë të së vërtetës së fshehur në çdo jetë”. E, Laura me guxim krijues e bën një zhbirim të tillë, duke shpalosur pjesë të të vërtetave të fshehura, qoftë kur e kthen të kaluarën si kujtesë që dhemb, qoftë kur flet për personalen dhe për dramat e ëndrrat e fashitura të njeriut të kohës së saj. Dhe ajo rrëfen çiltërsisht, duke i thyer klishetë e të menduarit për çështje specifike, rrëfen me një qartësi narrative, me një stil linear e gjallëri letrare, që lexuesin përherë e befason

Letërsia, prej kohësh, ka shërbyer si ushqim shpirtëror, me funksione shumëdimensionale në jetën njerëzore; një funksion të cilin e kryen edhe sot, duke nxitur sensin e të bukurës, por më e rëndësishmja, duke zhvilluar sensin e të kuptuarit të lirisë personale e kolektive, si thelbi i ekzistencës njerëzore, aspekte këto që te libri i Laura Olldashit, “Dy gratë e një burri”, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, na shfaqen si kërkesë imanente shpirtërore e autores, si prani dhe mungesë, në gjakimet e saj për të rrëfyer e shpalosur gjëra të fshehura, përtej kufizimeve doktrinare, në kërkimet e shpalimet ekzistenciale, të cilat i mbarështon në tregime, ku flet për shqetësimet e njeriut bashkëkohor, e ku personazhja, tipike për prozën e saj, ajo e tregimit “Çfarë është dashuria”, “sheh aq sa mjegulla ia lejon. Bota pa njerëz. Me rrugë pa fund. Me mjegull në sy. Pa distancën, atë të duhurën, për të parë, për ta kapërcyer ose për ta bërë të veten mjegullën.” Pra, temat e motivet thelbësore të këtyre tregimeve janë shqetësime ekzistencialiste të njeriut të kohës së krijueses; aty flitet për raportin me të kaluarën, ku përthyhen e vullnetshmja dhe e pavullnetshmja, dashuria e mungesa e saj, e keqja dhe e mira, tradhtia e besnikëria, të vëzhguara nga perspektiva e kontrasteve të forta dramatike të jetës dhe fuqisë që ka arti për t’i kthyer këto në një lloj jete të dytë, në art. 

Shkrimtari Italo Calvino thotë se “prozatorët tregojnë për atë pjesë të së vërtetës së fshehur në çdo jetë”. E, Laura me guxim krijues e bën një zhbirim të tillë, duke shpalosur pjesë të të vërtetave të fshehura, qoftë kur e kthen të kaluarën si kujtesë që dhemb, qoftë kur flet për personalen dhe për dramat e ëndrrat e fashitura të njeriut të kohës së saj. Dhe ajo rrëfen çiltërsisht, duke i thyer klishetë e të menduarit për çështje specifike, rrëfen me një qartësi narrative, me një stil linear e gjallëri letrare, që lexuesin përherë e befason. 

Në shumicën e tregimeve të kësaj përmbledhjeje kërkohet liria si imanencë njerëzore, gjakimi për liri personale e kolektive, në ç’drejtim autorja rrëfen bukur, qoftë kur flet prej pozicionit personal apo kur krijon distancë dhe e objektivizon rrëfimin përmes tjetrit. Dhe kështu, përmes krijimit artistik, ajo i ndihmon lexuesit t’i kuptojë plot drama të njeriut, të kthehet në të kaluarën e krizave shqiptare dhe t’i zgjerojë kufijtë e të menduarit, rrjedhimisht të lirisë, në funksion të së cilës janë tregimet e këtij libri, fatet e personazheve, që vërtiten si gjendje e fantazisë krijuese, por të nxjerrë nga një kontekst i realitetit shoqëror. 

Shkrimtarja, që në titull e fton lexuesin të hyjë në një botë të tabuve të mëdha, duke e bërë kureshtar të kuptojë thelbin e këtij afishimi letrar, i cili vërtet nuk përfaqësohet përmes titullit, por titulli bëhet një grishje për të menduar dimensionet e lirisë njerëzore, të cilat ndodh shpesh të preken, të kufizohen ose të vetëcensurohen. Duke udhëtuar nëpër botën e këtyre tregimeve, lexuesi ndeshet me situata e gjendje të llojllojshme, të cilat shpalosen përmes rrëfimit intrigues, gjuhës së përzgjedhur, në sfondin e gjendjeve psikologjike, të raporteve burrë-grua, shoqëri – individ, pushtet – njeri, në të cilat raporte ndërfutet mjeshtërisht bota e artit, siç ngjet me dy tregimet e bukura “Piktura” dhe “Anna,” ku del në pah lidhja mes artit e jetës.

Kujt i duhet letërsia? 

Kjo pyetje është e vjetër, aq sa ekzistenca e letërsisë dhe është shtruar në të gjitha kohët e meriton të shtrohet sa herë flasim për një libër. Sepse, letërsia vazhdon të   luajë rol fondamental në formimin e sensit të së bukurës dhe të kuptuarit të lirisë, përveç funksioneve të tjera, të edukimit, pasurimit gjuhësor dhe shumë vlerave të tjera ushqyese për jetën njerëzore. 

Dhe kjo ngjet, ngaqë, “krejt çka kemi ne, janë fjalët”, thotë Samuel Backeti. Letërsia vepron pikërisht me gjuhën, si esencë, dhe flet. Dhe zëri i saj është autentik e fjalët e saj kur artikulohen, nuk mund të heshtin, ngaqë arti, përmes fjalëve u jep kuptim ngjarjeve, krijon botë përmes fantazisë krijuese, rikthen të kaluarën si kujtesë dhe rrjedhimisht lirisë i jep përmasën e ëndërruar, dukuri këto të cilat libri i Laurës i ka të mishëruara mjaft bukur. Ajo shkruan me një ndjeshmëri të veçantë dhe zotëron një potencë për zhbirime psikologjike sfiduese. Ajo futet thellë në botën e brendshme të njeriut dhe nxjerr nga ajo të fshehtat, që veç arti ka mundësi t’i kthejë në jetë të dytë. Dhe në tregimet e saj, lexuesi ndeshet me temat e motivet e njeriut të kohës, rendjes së tij në një maratonë absurde, ku e sipërfaqshmja ia zë vendin të brendshmes, e ku njeriu ngjan shpesh si instrument i fabrikuar për të shërbyer e punuar. E shkrimtarja e nxit lexuesin të meditojë e të përsiatë për tema shpirtërore, për bjerrjet që ia shkakton njeriut pavëmendshmëria për gjërat e bukura që e rrethojnë, për ëndrrat dhe pushtetin që kanë ato në jetën njerëzore, si gjendje gjumi dhe si gjakime ditore.  

Arti materien e gjen në jetë, por ka fuqi këtë realitet ta shndërrojë në kohë atemporale, përmes kombinimeve të pafundme gjuhësore, varianteve semantike e imazheve, duke shprehur edhe gjakimet më të ndrydhura e ëndrrat më të pazakonta. Këtë aspekt, në mënyrë mjeshtërore, Laura e transmeton te tregimi, sipas mendimit tim antologjik “Bukuri në pantallona” me një dedikim për tezet e mia, thotë autorja, ku ajo me një ndjeshmëri të thellë krijuese e shkathtësi narrative, sjell katrahurën komuniste, dhunimin që i bëri kjo ideologji e përdalë njeriut dhe dinjitetit të personit. 

Tregimi bën fjalë për njerëz që përjashtohen nga jeta dhe detyrohen të jetojnë si të vdekur, për njerëz që detyrohen të ndjekin deduksionet e dhunës ideologjike, ku as e bukura natyrale nuk guxon të shfaqet. Dhe duke rikthyer këtë atmosferë në tekst, shkrimtarja përmend teatrin ku dramat nuk zhvilloheshin brenda, por jashtë, dhe ku dashuria ishte e ndaluar si ai libri i verdhë i Ema Bovarisë.
Dhe përshkimet që i bën për gruan e parë që punon në ndërtim janë dridhmuese, sikurse për ato gra që duket se janë të shituara për shkak të bukurisë femërore, e ku gabimet e projektuara nga regjimi nuk të lënë të shkosh në universitet. Këto imazhe, ta kallin mërzinë. 

“Kishte dalë nga varri për të më takuar?!
- Nga vjen? - e pyes!
- Nga biruca, - përgjigjet.
- Përse, çfarë faji bëre?
- Asnjë faj, - përgjigjet. - Të dua ty. Jo sepse të dua, por sepse dua armikun që është fshehur te ti.
- Po, - i them, - unë jam vajza e një armiku të dënuar përjetësisht dhe e përjetshmja nuk ka kufi. Prandaj është mirë të mos më duash. Është mirë ta marrësh për dore dashurinë tënde dhe ta çosh në një trup tjetër. Do ta nxjerr edhe unë nga trupi im”.

Një aspekt tjetër karakteristik i prozës së Laurës është bota e ëndrrave, që shfaqet si botë onrkike dhe luan vërtet një rol specifik në botëkuptimet e saj krijuese, siç ngjet në tregimin “Ëndrrat”, ku mendimet duket se veshin pizhamet e fëmijërisë, ku përmes një dialogu dramatik mes Laurës, që duket personifikim i vetë krijueses, Tefta Tashko Koços dhe Yllkës, një vajzë nga Gjakova, viktimë e luftës, rishfaqet atmosfera e bjerrjes së njeriut nga e keqja: “Të shoh që kthehesh shpesh mbrapsht në vite dhe strukesh në prehrin e fëmijërisë. Gërmon me thonj dhe i nxjerr të gjitha ëndrrat duke i varur në drejtim të reve”.

Kurse tregimi “Gjendje”, ka një forcë krijuese magjepsëse. Shkrimtarja e përshkruan dramën e një çifti, të cilin e ka gllabëruar bota që lëviz shpejt e ku njeriu zhytet në detin e informacioneve, pavullnetshëm dhe në dialog me psikologun gruaja në një moment thotë:
“Kush më thotë që ëndrra nuk është realitet dhe realiteti nuk është ëndërr?”
Personazhja e këtij tregimi, që t’i vërtetojë ëndrrat e veta, shkon te psikologu, me të cilin bën një dialog dridhmues teksa përpiqet t’i shtjellojë shqetësimet e veta, ëndërrtat e tradhtisë bashkëshortore ose realitetin e shndërruar në ëndërr. Në këtë tregim, personazhet enden në një gjendje vetëdije e pavetëdije, ku e vullnetshmja dhe e pavullnetshmja nuk kanë kufij e ku koha duket se pllakos me forcën e vet mbi ndjesitë e tyre, gjë që bën që ajo e dëshpëruar të navigojë të gjejë shpjegim për ëndrrat. Dhe kjo grua në dramat e veta, pas dialogut me psikologun, ngelet me këtë përgjigje:“...Jemi vetëm. Kabuli u pushtua përsëri mbas 20 vjetësh. Dështoi misioni i amerikanëve, i evropianëve, i iranianëve, i pakistanezëve. Përse ikën ndërkombëtarët nga Kabuli? Përse i tradhtojnë popujt? Ndërsa gjykatësit dënojnë puthjen me vdekje! Vendi më i ftohtë në botë, Siberia, po digjet. Ndërsa rrebeshet morën gjysmën e ballkonit tim. Në Haiti vdiqën 1500 persona nga tërmeti. A është plakur toka? Ku do t’i mbështesim këmbët? Ethet hemorragjike të Marburgut janë më vdekjeprurëse se të Covid-it...Përse na japin kaq shumë informacione kur nuk jemi në gjendje t’i zgjidhim?!- 
Ju ka tradhtuar bashkëshorti? - më ndërpret psikologu”.

Pra, proza e Laurës flet për pasionet e fshehura dhe plot shqetësime njerëzore, që shoqëria nuk i trajton, e gllabëruar në një det informacionesh që lëvizin me shpejtësi marramendëse, dhe lexuesi mund t’i dëgjojë pikërisht këta zëra që flasin për gjithçka dhe në çdo mënyrë të mundshme, të dëgjojë zëra që nuk e kanë forcën të dalin në sipërfaqe dhe u jep jetë letrare. 

Kështu, proza e Laurës dëshmon, vëzhgon dhe thërret të tjerët të bëhen bashkudhëtarë nëpër udhët e saj, të hyjnë në botën e personazheve, personazhe që sjellin përvoja e shqetësime të gjithfarëllojshme njerëzore, përballë së cilës vëzhgon shkrimtarja me intuitë krijuese, siç del te tregimi “Anna”, ku ideja se personazhja mund të jetojë edhe mbas jetës, në art, e magjeps atë. Kjo është forca e artit letrar, forcë që shfaqet në librin “Dy gratë e një burri” dhe që meriton të lexohet, për gjuhën e pasur e për stilin e hollë, për ritmin e bukur stilistik, për efektet poetike gjuhësore, për portretizimet që u bën personazheve, të atyre të konkretizuar në kohë dhe atyre atemporalë, për rrjedhën e prajshme që ka ligjërimi i saj, aspak gulçues e që e bën atë krejt origjinale në krijim. Për më tepër, ky libër meriton të lexohet, për arsye kulturore, artistike e gjuhësore, për larminë tematike, për forcën që ka për të nxjerrë fshehtësi njerëzore dhe për t’i kthyer ato në art, për gjallërinë narrative e gjuhën e pasur, për dinamikën krijuese dhe forcën që ka për ta shëtitur lexuesin në kohë e hapësira të pafundme.