Shtojca për Kulturë

Lidhjet dhe ndërveprimet midis filozofisë dhe poezisë

Konferenca shkencore ndërkombëtare “Filozofia dhe poezia”, e cila u mbajt në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 3 maj, tuboi studiues të shquar nga fusha e filozofisë dhe letërsisë nga Prishtina, Tirana dhe Parisi. Në pjesën e parë të kësaj konference ishte i pranishëm edhe ambasadori i Francës, z. Olivier Guérot

Konferencën e hapi me fjalën përshëndetëse akademikja Justina Pula-Shiroka, për të vijuar me prezantimin që i bëra synimit që kishin anëtarët e Këshillit organizues (Muhamedin Kullashi, Shaban Sinani, Adriana Anxhaku, Hasnije Ilazi dhe Ag Apolloni) me përkufizimin e temës “Filozofia dhe poezia”, duke theksuar se raportet midis filozofisë dhe poezisë janë tematizuar gjatë shekujve nga filozofë, poetë e kritikë letrarë të vendeve të ndryshme. Në kërkimet dhe studimet mbi këto raporte është vërë në pah shpesh gërshetimi midis të menduarit filozofik dhe vizioneve poetike, por edhe tensionet midis tyre. Ky gërshetim është shoqëruar në vepra të ndryshme edhe me dallimet midis filozofisë poetike dhe poezisë filozofike, midis ligjërimit filozofik dhe ligjërimit poetik. Disa hulumtues të tjerë ndërkaq janë orvatur të nxjerrin në shesh “një solidaritet të ngushtë midis filozofisë dhe poezisë”, i cili manifestohet me synimin e të parës që të bëhet mendim mbi “ të pamendueshmen”. Për ta realizuar këtë filozofia do të ndiejë nevojën që të zbulojë një ngritje me “një dije, e cila nuk është filozofike, me një ligjëratë, e cila e begaton të menduarit abstrakt me fuqinë konkrete të imazhit dhe shprehet me ndihmën e simboleve dhe metaforave plastike” (François Chenet)

Mbi krijimtarinë poetiko-filozofike në mesjetën franceze

Kumtesën e akademikut të shquar francez Jean-Yves Tilliette me titullin “Gërshetimet mesjetare të poezisë dhe filozofisë – ‘Shkolla e Chartreit’” e lexoi, të përkthyer në gjuhën shqipe, profesoresha Nerimane Kamberi. Autori trajton në kumtesën e vet “dy monumentet më të bukura të krijimtarisë poetiko-filozofike të mesjetës: Kosmografia e Bernard Silvestre (1150) dhe l’Anticlaudianus i Alain de Lille, një epope alegorike me 4.500 vargje, në të cilën shpalohet “krijimi i botës dhe i njeriut (“Megakosmi” dhe “ Mikrokosomi”). Tilliette vuri në pah, në veçanti begatitë stilistike të të dy veprave poetiko-filozofike.

Strategjitë diskursive te poetët e angazhuar kundër nazizmit

Filozofi francez Gérard Raulet, autor i çmuar veprave filozofike në gjuhën franceze dhe gjermane, në kumtesën “Midis poezisë dhe politikës – Miti i Gjermanisë sekrete”, shoshiti forma të ndryshme të ndërdiskursit të shpërfaqur, veç të tjerash në veprat e Alfred Bauemler dhe Johannes R. Becher. Analizat e autorit mbi strategjitë diskursive te poetët e angazhuar kundër nazizmit, në veçanti te poetët e shkollës së George, orientohen te ndriçimi i rolit të poetit të madh Hölderlinit brenda rrjedhave të kësaj rezistence.

Arti i ironisë

Profesoresha e filozofisë Hasnije Ilazi në kumtesën e titulluar “Refleksione filozofike dhe poetike në romanin e Milan Kunderës” merr në shqyrtim në veçanti artin e ironisë dhe ironinë si perspektivë e romanit në të cilin shfaqen koncepte themelore dhe format dominuese të prodhimtarisë letrare të Milan Kunderës. Supozimi fillestar i autores është se brenda romaneve të Milan Kunderës filozofia dhe poetika bashkekzistojnë në kontekstin tematik dhe në mënyrën e shpërfaqjes së tyre: mendimet filozofike dhe imagjinata ndërthuren këtu për të eksploruar ekzistencën dhe përvojën njerëzore. Në kuptimin tematik, romanet e Kunderës zhveshin raportin e individit me shoqërinë dhe historinë, lidhjen me kujtesën, identitetin dhe kohën. Shkrimet e tij tregojnë kërkimin filozofik mbi kuptimin e jetës, dashurisë, artit, ndërsa imagjinata bëhet mjet për të transformuar koncepte abstrakte në konkreten dhe të prekshmen.

Poezia filozofike në mendimin pers

Profesor Abdulla Rexhepi në kumtesën “Poezia filozofike dhe filozofia e poetizuar në mendimin pers: Omer Hajam dhe Mahmud Shabestari”, pasi trajtoi konceptimin, analizoi edhe poezinë filozofike të Omer Hajamit dhe temat filozofike të veprës poetike të Mahmud Shabestarit. Ai zhvilloi një kundrim mbi ndërveprimin dhe mbase pamundësinë e shkëputjes së poezisë nga mendimi filozofik dhe anasjelltas, në kulturën intelektuale perse. Duke analizuar veprat e Hajamit dhe Shabestarit, Rexhepi vuri në pah se në këtë kulturë “e vërteta” nuk lokalizohet vetëm në gjykimin racional, por deri tek ajo mund të arrihet edhe nëpërmjet imagjinatës, intuitës dhe përjetimit. Ai njëherësh ndriçoi orientimin e filozofëve persë, të cilët poetikën dhe estetikën e kanë përdorur për t’i shprehur dhe përhapur idetë e tyre filozofike. Prej tyre shquhej Mahmud Shabestari (1288–1340) si përfaqësuesi më i njohur i filozofisë së poetizuar perse.

Relacionet e filozofisë me poezinë te Nietzsche

Në fillim të kumtesës sime “Relacionet e filozofisë me poezinë te Nietzsche” vihet në pah se

të menduarit e Nietzsches është cilësuar shpesh si poetik jo vetëm pse në shkrimin e tij hasim rregullisht një gërshetim të dendur midis koncepteve thellësisht të elaboruara dhe kritike ndaj koncepcioneve të tjera, por edhe me imazhe e figura stilistike (metafora, alegori etj.), që janë më karakteristike për shkrimet letrare e poetike në veçanti. Domethënia e poetikës brenda aforizmave filozofike të Nietzsches nuk reduktohet në këtë gërshetim e mbrujtje të mendimit filozofik me imazhe të begatshme dhe me një imagjinatë artistike, por edhe me momentin që bashkon filozofinë me letërsinë. Të përkujtoj këtu se për filozofët e antikitetit “poiesis” emërton dimensionin krijues, prodhimin krijues te një autor, qoftë filozof apo poet.

Disa autorë e kanë theksuar anën poetike të të menduarit të Nietzsches kryesisht në veprën e tij “Kështu fliste Zarathoustra”, Heideggeri ndërkaq mendon se vepra e tij e papërfunduar “Vullneti për fuqi”, si vepër kapitale, është po aq konceptuale sa edhe poetike dhe jo vetëm në fragmentet ku bëhet fjalë për artin. Ai shton njëherazi se, në anën tjetër, “Kështu fliste Zarathoustra” është sa poetike aq edhe konceptuale. Pra, Heideggeri, si disa interpretues të tjerë të mendimit të Nietzsches ka cekur lidhshmërinë e ngushtë midis të menduarit konceptual dhe shprehjes poetike e artistike të shkrimeve të tij. Për ta cilësuar këtë art të transfigurimit në krijimtarinë filozofike të Nietzsches, autori e sheh të udhës të përkujtojë se ai që e realizon këtë art të transfigurimit nuk është qenie e përbërë vetëm nga mendja, fryma e shpirti, por qenie e përbërë nga trupi dhe shpirti, trupi dhe fryma. Veçorinë e formësimit të relacionit midis filozofisë e poezisë në kumtesë analizohen në disa tekste të Nietzsches nga “Agu i mëngjesit” dhe “Dija e gëzuar”.

Lojërat e gjuhës nё poezinë e Martin Camajt

Profesoresha Adriana Anxhaku nga Universiteti i Tiranës, në kumtesën “Lojërat e gjuhёs nё poezinё e Martin Camajt”, synon të vërë në pah se poezia e Camajt ngjason me rolin qё ia njeh poezisё Witgensteini, si njё lojё gjuhe e kushtёzuar fort prej situatave kulturore. Teksa, sensi i masёs sё vargut poetik, saktëson autorja, e shtyn Witgensteinin tё zbulojё te poezia atё formё tjetёr mendimi, e cila mund ta ilustrojё mendimin filozofik, paksa tё vёshtirё ndonjёherё.

I hedhur si ekzistencё brenda ndёrveprimit shoqёror gjuhё-kulturё shqiptare, shton Anxhaku, Camaj bёhet me poezinё e veprёn e tij edhe njё “shёrbyes i lirisё sё shqiptarёve, pasi rikthehet pёrherё nё motivet e poetikёs sё tij tek atdheu i kënaqësive tё humbura, tё pakthyeshme nё kohё, atdhe qё dёshiron ta shohё sa mё afёr vendeve tё tjera evropiane, gjё pёr tё cilёn ai punon deri nё pikёn e fundit tё gjakut”. Ndonёse shpesh këmbëngul pёr pёrparёsinё estetike tё vlerave tё veprёs sё tij, autorja thekson se kjo vepёr pёrfshin edhe njё grup vlerash tё tjera tё ndryshme pёrpos atyre estetike. Ajo mё sё pari ёshtё gjuhё, konstruksion social, qё bart njё mendim tё ndёrtuar brenda kulturёs shqiptare duke dёshmuar shumëçka se çfarё ndodh nё kornizat e kёsaj mendësie.

Interpretimet e rolit të Migjenit

Profesor Ag Apolloni në kumtesën “Migjeni mes nihilizmit dhe komunizmit” trajton veçorinë e viteve ‘30 të shekullit të kaluar për formimin e vetëdijes së elitës shqiptare mbi rëndësinë e zhvillimit të mendimit filozofik. Është hera e parë, saktëson ai, që bëhen përpjekje serioze për ta interpretuar shoqërinë dhe për ta emancipuar atë sipas frymës moderne. Në këtë periudhë, theksoi autori, përveç që u krijua shkolla e parë e mendimit shqiptar, u shfaqën edhe shkrimtarë me prirje filozofike. Një shembull i kësaj periudhe, “i përfshirë në këtë frymë, por i ndikuar nga literatura e huaj, është Migjeni me poezinë, prozën dhe esetë e tij”.

Aktiviteti krijues i Migjenit, nënvizoi Apolloni, nuk zgjati as një dekadë, mirëpo vepra e tij zgjoi interesim të madh në çdo dekadë pas tij. Ai është ndër shkrimtarët më të dashur, më të lexuar, më të studiuar dhe më të abuzuar. Është e çuditshme se si një shkrimtar nihilist, skajshmërisht niçean dhe dostojevskian, u pëlqye dhe u përdor aq shumë nga komunistët, kur dihet që nihilizmi dhe komunizmi janë dy botëkuptime të kundërta. Autori vë në pah edhe një paradoks të veçantë: “të gjitha modelet e Migjenit (Nietzsche, Dostojevski, Freud etj.) ishin të ndaluar në Shqipëri, ndërsa ai që ishte, në njëfarë mënyre, rezultat, apo produkt i tyre, ishte i adhuruar”. Apolloni në këtë kumtesë orvatet në veçanti ta shpjegojë këtë “fenomen të instrumentalizimit të këtij autori”.

Vdekja dhe poezia

Blerina Rogova-Gaxha në kumtesën “Vdekja dhe Poezia” trajton fenomenin e vdekjes në poezinë moderne. Ajo sqaron se tema e madhe e njeriut dhe tema më e injoruar po nga njeriu, subjekti që ka frymëzuar letrat e bukura, religjionin dhe filozofinë, “muza e filozofisë” siç e quajti Arthur Schopenhauer, do të bëhet muzë edhe për krijimet poetike të autorëve të ndryshëm. Vdekja në literaturë, saktëson autorja, bart në vete një sërë implikimesh simbolike, duke qenë e lidhur ngushtë me idenë e vetmisë, të ikjes, të tjetërsimit dhe thellësisht me kuptimin dhe krijimin e vetë letërsisë. Ajo merr në shqyrtim po kështu mendimin teorik, letrar e filozofik mbi fenomenin e vdekjes dhe konceptet themelore mbi vdekjen të disa prej autorëve eminentë në fushë të literaturës e të filozofisë.

Mbi mendimin e Platonit për poezinë

Profesori Astrit Salihu në kumtesën “I lehtë, me krahë dhe i shenjtë, përjashtohet nga shteti” zhvillon një interpretim sipas të cilit qëndrimi i mirëfilltë i Platonit për artin dhe poezinë, për atë që është magjepsëse, tërheqëse dhe e fuqishme në art dhe poezi, nuk implikon kundërshtimin rrënjësor të artit dhe poezisë. Në analizën e dialogut të Platonit “Joni” Salihu vë në pah një mendim të thellë filozofik për artin dhe poezinë. Që të hetohet kjo thellësi e mendimit, Salihu kërkon ta çlirojmë veten “nga përpjekja e të menduarit të shoqërisë në pajtim me projeksionet e Platonit” sepse kësodore “na shpaloset qëndrimi i vërtetë i tij për artin dhe poezinë” . Fundja, mendon autori “nuk ka si dhe pse të zbutet qëndrimi i Platonit për artin dhe poezinë dhe se nuk ka arsye që t’u bëjmë vend artistëve dhe poezisë në një shtet si ai i Platonit, sepse më e mira do të ishte që as shtetit të tij të mos i bëhet fare vend askund, për më të mirën e të gjithëve”. Për këtë arsye, Salihu, në dialogun “Joni” vë në pah se Platoni, mu aty e ka definuar qëndrimin e tij ndaj artit dhe të kuptuarit të poezisë, duke e hapur udhën për trajtimin e mendimit të tij sa i takon tematizimit të raportit midis filozofisë dhe poezisë.

Përvoja estetike e krijimtarisë poetike

Profesor Haqif Mulliqi në kumtesën “Mbi aspektet e caktuara filozofike në përvojën estetike të poezisë” niset nga teza se poezia mund të jetë e lidhur me filozofinë, pra, të jetë filozofike e njëherësh mëton të vërë në pah se në çfarë konsiston përvoja estetike e atyre poezive që ngërthejnë brenda vetes dimension filozofik. Në vijim ai solli disa shembuj konkretë nga praktika poetike, duke vënë në pah se në thelb të disa poezive qëndron pikërisht një temë e caktuar filozofike. Përvoja estetike e këtyre krijimeve poetike, saktëson autori, është e lidhur pazgjidhshmërisht me reflektimin filozofik. E kjo e shpie Mulliqin tek interpretimi dhe vlerësimi i poezive të autorëve shqiptarë dhe të huaj, me dimensione të theksuara filozofike.

Profesoresha Valbona Gashi-Berisha në kumtesën e saj “ Diskursi i carpe diem në poezinë e Pierre de Ronsard” e zhvilloi një analizë pertinente të poezisë së poetit të madh francez Pierre de Ronsard (1524–1585), i njohur për sonetet e tij për dashurinë. Falë poezisë së Ronsardit, thekson autorja, bukuria e të dashurës së tij ishte cekur veçanërisht në poezinë “Kur do të jesh shumë e vjetër”, e cila është marrë nga përmbledhja “Sonet për Helenën”, botuar më 1578. Ai i drejtohet Hélène de Surgères dhe në kohën kur e shkruan, tanimë ai është një poet i njohur. Ronsard i bën lajka asaj, duke parashikuar faktin se ajo së shpejti do të jetë e vjetër dhe e shëmtuar dhe se ajo duhet për t’i bëjë homazhe bukurisë së saj, t’i dorëzohet joshjes.

Temën e carpe diem autorja e dikton gjithashtu në poezinë “Zemër le të shohim nëse trëndafili”, e cila fokusohet në paralelizmin mes lules dhe bukurisë, që të dyja me jetë të shkurtër. Në formulimin e tij të lëvdatave për Kasandrën, Ronsard frymëzohet drejtpërdrejt nga Petrarka, duke marrë interpelancën e drejtpërdrejtë “Për Kasandrën” dhe duke bërë të njëjtën analogji të gruas me bukurinë e natyrës.

Poezia lirike e Ronsard, nënvizon autorja, zbulon një lidhje të përjetshme me rininë dhe një frikë të theksuar nga pleqëria. Këto shqetësime të Ronsardit, sipas autores, gjejnë shprehjen e tyre më të fuqishme në motivin carpe diem, i cili përfaqëson përpjekjen përfundimtare të poetit për të triumfuar kalimin e kohës. Në diskursin e Ronsardit, gruaja (Helena dhe Kasandra) duhet të përfitojë me bukurinë e saj dhe t’i dorëzohet joshjes së poetit.

 

Image