Romani “I mbeturi në Beograd” – Botimet KOHA, Prishtinë, 2022 – është një vazhdim i prosedeut realist e dokumentar të romaneve të Ibrahim Kadriut, që shquhet sidomos me prodhimtari të shumtë krijuese që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar e deri më sot. Është për t’u përshëndetur konsekuenca e krijimtarisë letrare të Ibrahim Kadriut në shkrimin dhe botimin e romaneve e tregimeve për më shumë se gjysmë shekulli
Romani zakonisht paraqet një ligjërim metonimik që pretendon ta prezantojë një realitet në kohë dhe rrethana të caktuara, e që për shkrimtarin Ibrahim Kadriu, që në fillimin e krijimtarisë së tij, dokumentarja është prosedeu kryesor i veprave të tij letrare në prozë. Në romanin “I mbeturi në Beograd”, shkrimtari Kadriu e çon më tutje angazhimin për një rrëfim krejtësisht në formë të reportazhit, ku personazhet veprojnë në kohë dhe hapësirë të caktuar, të mirënjohur nga lexuesi.
Bekim Përroi, një gazetar nga Kosova, zihet ngushtë kur shefi i tij e cakton për të raportuar për protestat e kualifikuara nga pushteti i atëhershëm si kundërrevolucionare. Drama në formë të dilemës për të mos i kualifikuar protestat e kombit të vet si të kundërligjshme, shpejt zgjidhet me mirëkuptim nga redaktori i tij, që e dërgon për ta realizuar një reportazh me një personazh jo të zakonshëm në Beograd. Pra, shenjat referenciale të formës së romanit paralajmërohen që në fillim dhe krejt subjekti i romanit vazhdon në formë të reportazhit, ashtu siç niset për të bërë një reportazh protagonisti i romanit.
Duke treguar për nisjen e realizimit të reportazhit, shkrimtari Kadriu e ndërton edhe atmosferën e kohës së represionit serb në Kosovë, ku secili shqiptar ishte i mbikëqyrur nga milicia, që rezulton me keqtrajtime të qëllimshme në relacionin pushtues i pushtuar. Madje, shqiptari i Kosovës së atëhershme maltretohej edhe vetëm pse lexonte libra të botuar në gjuhën shqipe, siç është rasti me shprehjen e dyshimit të milicisë pse protagonisti Bekim Përroi e lexonte në gjuhën shqipe një libër-roman të botuar në Shqipëri. Bekim Përroit i bën përshtypje të madhe fati i një shqiptari, bir i një kaçaku të dikurshëm, që jeton për kohë të gjatë në Beograd, por që nuk di të flasë në gjuhën amtare. Ky lajm i bujshëm bën që lexuesi të presë me kureshtje takimin e gazetarit me të birin e kaçakut që nuk di shqip, të një kaçaku, luftëtar kundër pushtuesve serbë.
Ashtu si në konstruksionin e ndërtimit të rrëfimeve të “Njëmijë e një netëve”, ku përfundimi i një ngjarjeje mbetet peng për t’u rrëfyer në kapitullin e radhës, edhe në romanin “I mbeturi në Beograd” zgjidhja zgjatet me probleme rrethanore të karaktereve të tjerë, që paraqesin fate të tjera përplotësuese. Kështu, një boksier shqiptar, bie pre e nacionalizmit serb për ta diskualifikuar nga kampionatet e boksit pa fajin e tij. Vetë Bekim Përroi dërgohet si i dyshimtë në stacion të milicisë në Beograd pa asnjë faj, duke u munduar ta padisin si fajtor të fajit që nuk e ka bërë, vetëm e vetëm pse kuptohet se është i nacionalitetit shqiptar.
Ndërkaq, rrëfimi për fatin e të birit të kaçakut shqiptar që jeton në Beograd e nuk di shqip është tregim në vete. Përmes fatit të tij të portretuar në disa kohë rrëfehet edhe për fatin e përgjithshëm të etnisë sonë përgjatë dekadave, duke filluar nga pushtimi i Kosovës nga serbët në vitin 1912. Familja e Azem Behlulit mbahet peng nga xhandarmëria serbe për ta detyruar babanë e tij të dorëzohej. Fati i Azem Behlulit është fat dokumentar i qindra e mijërave familjeve shqiptare të internuara nëpër Serbi si pengje detyruese për dorëzim të nacionalistëve që i pretendonin ata. Në letërsinë shqipe rrallë është trajtuar tema e të internuarve të familjeve shqiptare në Serbi dhe tema e mbajtjeve të pengjeve. Prandaj, ky roman e sforcon edhe më shumë obsesionin krijues të shkrimtarit Kadriu në letrarizimin e dokumentaritetit. Azem Behluli si fëmijë i marrë peng nëpër kampet serbe, i vetëm e pa familje serbizohet në kuptimin gjuhësor, por trauma e kujtimit të fëmijërisë mbetet e pashlyeshme. Prandaj, fati i tij jepet me krejt tragjedinë e vet.
Një kolorit ndryshe, për t’iu shmangur qasjes bardhezi, janë biseda, kontakti e simpatia e Zdenkës, një femre të zakonshme serbe nga Beogradi me Bekim Përroin shqiptar. Edhe pse të ndodhur në një kohë të ndezjeve nacionaliste e shoviniste të kryesuara nga ai serb kundër fqinjëve e kryesisht kundër shqiptarëve, relacionet njerëzore e simpatitë e krijuara kanë mesazhin se respekti dhe dashuria njerëzore janë të përtejshme kundrejt nacionalizmit e paragjykimit. Relacioni simpatik Zdenka-Bekim e mbyll romanin me mesazhin optimist se në jetë, para së gjithash, njerëzimi është dhe duhet të jetë i gjithëkohshëm, që i tejkalon paragjykimet, urrejtjet nacionale e racore.
Romani “I mbeturi në Beograd” është një vazhdim i prosedeut realist e dokumentar të romaneve të Ibrahim Kadriut, që shquhet sidomos me prodhimtari të shumtë krijuese që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar e deri më sot. Është për t’u përshëndetur konsekuenca e krijimtarisë letrare të Ibrahim Kadriut në shkrimin dhe botimin e romaneve e tregimeve për më shumë se gjysmë shekulli. Veprat e tij, duke e përfshirë edhe romanin e radhës me titull “I mbeturi në Beograd”, paraqesin një kronikë balzakiane të së kaluarës së etnisë sonë.