“Këtë vit, pra në pranverën e 1889-s, një mosmarrëveshje midis igumenit të tanishëm Sofronie dhe disa njerëzve (serbëve) me ndikim në Pejë, e nxiti edhe përfshirjen e rugovasve bashkë me vojvodën e tyre, duke u mbështetur në të drejtën zakonore ‘të mbrojtjes së manastireve’. Në këtë mosmarrëveshje u përfshi edhe fisniku i vjetër i Pejës, mytesarifi Halil pashë Mahmut Begolli”, ka shkruar Stojan Novakoviq 1842 – 1915. “Krerët rugovas dhe vojvoda i kishës ia kishin bërë me dije Halil pashë Mahmut Begollit se ‘rugovasit do ta mbrojnë nderin dhe fytyrën e igumenit Sofronie deri në pikën e fundit, deri sa të vriten të gjithë shqiptarët e katërqind shtëpive, ashtu siç më herët kishte ngjarë me shqiptarët e Deçanit!’” , ishte rrëfimi autentik që Novakoviq e sillte në detaje
“Ruajtja e pronave të manastireve edhe kishave nga rojat shqiptare në Serbinë e Vjetër, në zonat e malit të Sharrit, maleve rreth Ibrit e Limit, ndikoi edhe në emërtimin serb të këtyre zonave si Metohi”, ka shkruar Stojan Novakoviq (1842 – 1915) në trajtesën e tij të titulluar “Të dhënat në një krisobulë të Patrikanës së Pejës për një zakon popullor të asaj zone” të botuar në vitin 1889. Ai më tej ka vazhduar se “dëshmitë që i ofrojnë dokumentet e kohës e vërtetojnë se njëri prej manastireve që ruhej dhe mbrohej prej shqiptarëve ishte edhe ai i Banjës (i njohur për ngjarjet e fundit) por më i mbrojturi prej shqiptarëve megjithatë ishte manastiri i Shën Arsenies në Pejë, që deri në fund të shekullit XIX kishte arritur t’i ruante pasuritë dhe pronat e veta.
Pasi në vijim do të paraqesim fragmente të plota të vështrimit të Novakoviqit rreth organizimit të vojvodëve shqiptarë, megjithatë duhet bërë të ditur se ai është mjaft i paqartë kur flet për Manastirin e Shën Arsenies, sepse këtë faltore ai e quan herë manastir e herë kishë, ndonëse në informacionet zyrtare ajo emërtohet kisha e Shën Arsenies.
Siç mësohet, Novakoviq kishte qëndruar në Pejë dhe rrethinë pikërisht në kohën kur shqiptarët i kishin afruar ndihmë konkrete igumenit të kishës, serbit Sofronie. Lidhur me gjendjen që atëbotë ka mbretëruar në Pejë ai ka shkruar se “në zonat e Pejës ndodhet edhe prona apo pasuria e kishës së Shën Arsenies prej së cilës në fund të shekullit XIX kishin ngelur shumë pak gjurmë, prandaj edhe pasuria e saj nuk ishte aq e madhe”. Mirëpo, mungesa e krisobulës (dëshmitë e shkruara mbi ngjarjet e karakterit juridik, që ndryshojnë sipas vendit, kohës dhe ngjarjes juridike. Kjo formë e akteve mesjetare e kishte origjinën nga Perandoria Bizantine - S. L.) sipas Novakoviqit ishte pengesa kryesore e përcaktimit të pasurisë së kësaj kishe, pasi jo vetëm që mungonin të dhënat elementare, përveçse informacioneve të pakta që flisnin për obligimet e rojës dhe për zonat prej nga zakonisht zgjidhej mbrojtësi apo roja shqiptare. Por Novakoviq, ishte i bindur se kishte afruar të dhëna konkrete për këtë zakon.
Zakoni i vjetër i shqiptarëve për mbrojtjen e Manastirit të Pejës
“Kisha e Patrikanës së Shën Arsenies ndodhet mbi Pejë”, ka shkruar ai duke precizuar se “ajo ndodhet në lumin e Lumbardhit, në rrugë që prej Pejës të çon për në Beran dhe Guci. Në luginën e Lumbardhit, në malet që ngrihen mbi Pejë, gjendet krahina e quajtur Rugovë, në të cilën tani (viti 1889) jetojnë 400 – 500 shtëpi shqiptare. Këto shtëpi janë të shpërndara në 14 - 15 fshatra të vogla që ndodhen fare pranë rrugës dhe në malet përreth. Jeta në këto fshatra është shumë e thjeshtë, ashtu siç janë të thjeshta edhe nevojat e vetë banorëve të këtyre zonave. Fshatrat e para ndodhen menjëherë mbi manastir. Njeriu që m’i ofroi informacionet më tha se fshatrat në rrugën Pejë - Beran janë: Shtupeli i Vogël dhe i Madh, Rugova e Moçme, Boga, Bardhani, Shkreli e të tjera. Të gjithë banorët e këtyre fshatrave flasin shqip dhe i përkasin besimit mysliman. Ekzistojnë mjaft dëshmi se në shekujt e mëhershëm para se të islamizoheshin, banorët e këtyre fshatrave kishin qenë besimtarë katolikë. E tërë zona e Rugovës me vullnet të plotë i përmbahet një zakoni të vjetër, të organizimit të rojeve për mbrojtjen e manastirit të Pejës. Për këtë qëllim rugovasit midis tyre e zgjedhin përgjegjësin për ruajtjen e manastirit dhe ai quhet “vojvoda i kishës”. Cilido qoftë shqiptarë që këto fshatra e zgjedhin, ata më pas ia paraqesin igumenit (kryemurgut) të manastirit të Pejës, por edhe igumeni është i obliguar që ta pranojë të zgjedhurin e banorëve shqiptarë pa kurrfarë kundërshtimi. Sipas zakonit të vjetër (të kishës ortodokse) shqiptari i porsazgjedhur si vojvodë, e ka vendqëndrimin e tij apo konakun që ndodhet në kullë mbi portën e manastirit, prej nga shihet mirë se kush hyn dhe del prej manastiri”, ka precizuar Novakoviq.
Pra, siç shihet njëfarë eksterritorialiteti i brendshëm i kishave dhe manastireve serbe që sot po i imponohet Kosovës në përmasa më të gjera, dikur u lihej në duar vetë kosovarëve, ndërkaq sqaruar me të drejtën zakonore shqiptare në rastin konkret fshatrat e Rugovës e kishin marrë, por edhe e ruanin në besë manastirin apo kishën, përfshirë këtu edhe garantimin dhe mbrojtjen e jetës së vetë igumenit apo kryemurgut!
Por, Novakoviqi më tej i ka numëruar edhe obligimet e vetë manastirit ndaj rojës shqiptare dhe ato ishin si në vijim: “manastiri gjithmonë i garanton vojvodës shqiptar rrogë në vlerë 150 groshë, ushqim, veshmbathje dhe ia siguron atij armët dhe municionin”.
“Rugovasit e dëgjojnë vojvodën shqiptar për gjithçka”
Ndërsa vojvoda vihet në përcjellje të igumenit sa herë që ai niset të shkojë diku, qoftë larg apo afër. Ndërkaq roja shqiptare përveç që ishte i detyruar të mbrojë dhe të kujdesej për kishën apo manastirin, në raste të veçanta ai duhet të ishte i gatshëm që të vriste apo plagoste sulmuesit eventual të igumenit apo kryemurgut. Nëse do të ndodhte që rrugës dikush ta sulmonte igumenin, ndërsa vojvoda shqiptar në çfarëdo mënyre nuk i kishte dalë në mbrojtje, atëherë atij nuk do t’i mbetej asnjë vend mbi tokë dhe ai as që mund të ëndërronte se pas atij turpi mund të mbetej akoma në funksionin të cilin ia kishin besuar shqiptarët vendorë. Obligim tjetër i vojvodës shqiptar si mbrojtës i kishave dhe manastireve, ishte edhe të përcjellja dhe pranimi i mysafirëve të manastirit. Përcjellja e mysafirëve të manastirit zgjaste me orë të tëra, mirëpo në raste të veçanta manastiri me leje speciale ia lejonte vojvodës që ai të thërriste në ndihmë numrin e nevojshëm të shqiptarëve nga Rugova dhe vetë igumeni i paguante ata. Detyrë tjetër e rojës shqiptare ishte që ai të kujdesej për gjithçka si për shembull, që diçka të mos vidhej në manastir qoftë prej pasurisë apo prej kafshëve që i përkisnin atij dhe në raste të tilla roja duhet të bënte çmos që t’i identifikonte vjedhësit.
Se vojvoda apo mbrojtësi shqiptar i kishave dhe manastireve ishte njeri autoritativ dëshmi ka afruar vetë Novakoviqi: “Rugovasit e dëgjojnë vojvodën shqiptar për gjithçka dhe në fakt ai është njëfarë oficeri i vërtetë përgjegjës. Sa herë që ai urdhëron që dikush t’i dalë në ndihmë atij, rugovasit i përgjigjen kërkesës duke u vendosur nën urdhrat e tij”.
Sjelljet e gjeneralëve dhe vullnetarëve rusë në Serbi
Në ndërkohë që nga koha e veprimit të Komitetit Sllavofil rus dhe aktivitetit të agjenturës së Garashaninit të mbështetur në kushtetutën e “Naçertanies” në tokat shqiptare pritej edhe realizimi i politikës konkrete të dalë prej veprimtarisë së deritanishme. I autorizuari i Komitetit Sllavofil gjenerali rus, Dandivil, i cili u përfshi në shërbimin serb dhe komandonte me vullnetarët rusë në vitin 1876, ishte njeri shumë i ngritur dhe me plot dëshira të “mira” e përshkruanin burimet serbe të kohës këtë personalitet ushtarak duke e tërhequr vërejtjen se gjenerali rus megjithatë nuk i njihte nevojat e vetë vullnetarëve. Duke qëndruar gjithnjë në Beograd, ai nuk kishte informacione të sakta për gjithçka që ishte duke ngjarë në Klladovë (qytet në lindje të Serbisë) që njëherësh ishte pika ku tuboheshin fillimisht vullnetarët rusë. Ishte e domosdoshme që dikush t’i priste vullnetarët në kufirin serb, të sillte rend midis tyre, të mbante disiplinë qysh kur ata e hidhnin hapin e parë në tokën serbe me qëllim që të arrihej që të përjashtoheshin sjelljet e tyre skandaloze, shkruanin më vonë autorët serbë që nuk e kishin guximin ta zbulonin identitetin e tyre. Shënimet e autorit (autorëve) serbë për sjelljet e gjeneralëve dhe vullnetarëve rusë në Serbi, janë botuar në një libër të veçantë në vitin 1893 në Beograd të titulluar “Vullnetarët rusë në Serbi, në vitin 1876”.

“Në nahinë e Leskocit prej 320 fshatrave, 180 ishin shqiptare...”
Megjithatë gjenerali rus Dandivil tanimë e kishte të gatshëm planin dhe informacionet e agjenturës së Garashaninit se në “nahinë e Leskocit prej 320 fshatrave, 180 ishin shqiptare ndërsa në nahinë e Prokuples prej 190 fshatrave, 120 ishin shqiptare dhe vetëm 70 serbe” dhe ky gjeneral bashkë me ushtrinë serbë në dy vitet në vijim duhej t’i rrafshonin me tokë këto fshatra shqiptare, fatkeqësisht jo vetëm në viset e sipërshënuara por gjithandej ku flitej shqip.
Kështu në vitet 1876 – 1878 kur u zhvilluan luftërat midis Perandorisë Osmane dhe Serbisë, rreth kishave dhe manastireve në Kosovë u shtua vigjilenca dhe në mënyrë të vazhdueshme ishin prezent nga 10 – 15 roje shqiptare për t’i mbrojtur këto objekte prej ndonjë sulmi eventual.
“Rojet u organizuan në masën që e kërkonte vetë vojvoda shqiptar, por me këtë rast manastiri duhej të siguronte pritjen dhe strehimin e rojeve të angazhuara enkas”, ka dëshmuar Novakoviq. “Këto roje shqiptare arrijnë në manastir zakonisht të premteve, kur ata shkojnë në treg në Pejë dhe pasi e kalojnë një natë aty ata kthehen nëpër shtëpitë e veta. Nëse vijnë dy apo tre, ata vendosen në kullën mbi portë të vojvodës por nëse janë më tepër, atëherë ata vendosen në konakun e veçantë që është më i madh”, ka sqaruar ky autor.
Të dhënat e afruara në vijim dëshmojnë momente kur rugovasit i kanë dalë në mbrojtje igumenit Sofronie dhe kur ata ishin në gjendje që ta ruanin me besnikëri edhe autonominë dhe rendin brenda kishës serbe, gjë që një mbrojtje e tillë nuk duhet të ketë munguar edhe në viset e tjera të Vilajetit të Kosovës në atë kohë.
“Rugovasit do ta mbrojnë nderin dhe fytyrën e igumenit Sofronie”
Novakoviq më tej ka dëshmuar “këtë vit, pra në pranverën e 1889, një mosmarrëveshje midis igumenit të tanishëm Sofronie dhe disa njerëzve (serbëve) me ndikim në Pejë, e nxiti edhe përfshirjen e rugovasve bashkë me vojvodën e tyre, duke u mbështetur në të drejtën zakonore ‘të mbrojtjes së manastireve’. Në këtë mosmarrëveshje u përfshi edhe fisniku i vjetër i Pejës, mytesarifi Halil pashë Mahmut Begolli”.
Igumeni Sofornie ishte nga rrethina e Zvornikut të Bosnjës. Ai njihej si njeri i mirë, i butë dhe tolerant.
Qysh prej kohësh Sofronie e drejtonte manastirin duke iu përmbajtur me përpikëri së drejtës zakonore, që këtu është trashëguar ndër breza por kundër tij janë ngritur katër përfaqësues serbë në Komunën e Pejës. Për çështje banale dhe pa kurrfarë baze këta katër përfaqësues pas Pashkëve ortodokse e kanë iniciuar kërkesën te mitropoliti i Prizrenit, Milentie për t’ia marrë të drejtën Sofronies që tutje ai të mos e administrojë manastirin! Pra gjithçka duhej të bëhej sipas dëshirës së këtyre katër përfaqësuesve serbë, të cilat me automatizëm me ligjet ekzistuese kishin të drejtë të përziheshin edhe në drejtimin e kishës.
Në një gjendje të tillë nuk dihet se me vetë kërkesën e Sofronies apo të tjetër kujt, në zyrën e mytesarifit Halil Pashës në Pejë ishte paraqitur vojvoda shqiptar me katër krerë rugovas të cilët ia kishin bërë me dije pashait se “mileti i krishterë” është i kënaqur me Sofronien dhe e vërteta ishte se vetëm pesë apo gjashtë individë ishin ngritur duke iu ankuar mitropolitit dhe ata e kanë për qëllim “t’ia merrnin fytyrën Sofronies!” Pashai e dinte mirë se kisha e Pejës është nën “bajrakun e Rugovës” dhe se rugovasit e ruajnë atë për treqind vjet e më tepër. Në fund krerët rugovas dhe vojvoda i kishës ia kishin bërë me dije Halil pashë Mahmut Begollit se ‘rugovasit do ta mbrojnë nderin dhe fytyrën e igumenit Sofronie deri në pikën e fundit, deri sa të vriten të gjithë shqiptarët e katërqind shtëpive, ashtu siç më herët kishte ngjarë me shqiptarët e Deçanit!’” , ishte rrëfimi autentik që Novakoviq e ka përshkruar në detaje.
Më tej rugovasit kishin dëshmuar se “kishin kaluar 10, 15 vjet që Sofronie është kryemurg, dhe për këto vite ai i kishte hequr të zitë e ullirit prej ushtrisë e njerëzve të këqij, duke pritur e përcjellë njerëz të mirë e të këqij në manastir dhe tani ata pyesnin sesi ishte e mundur t’iu lejohej katër - pesë vetave që “t’ia marrin fytyrën këtij njeriu me autoritet!”
Halil pashë Mahmut Begolli, që e mori postin e mytesarifit në fillim të vitit 1889, sipas Novakoviqit “u përkiste familjeve të moçme pejane dhe duke e pasur parasysh se vetë kisha qysh prej pesëqind vjetësh ishte vakëf i Pejës, më në fund i kërcënoi përfaqësuesit e rebeluar serbë dhe ata nxitimthi kërkuan shpëtim te mitropoliti Miletnie i cili pa kurrfarë kundërshtimi ia ktheu të drejtën e mëparshme Sofronies”.
Historiani dhe diplomati serb në fund e ka përmbyllur trajtesën e tij duke qenë i bindur se në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare e drejta zakonore kishte luajtur rol të veçantë jo vetëm në planin e organizimit fetar.
“Siç e pamë nga historia e sipër përshkruar, në ‘Serbi të Vjetër’ edhe më tej gjithçka zhvillohej sipas së drejtës zakonore, por edhe jeta këtu rrjedh mbi binarët e dikurshëm, edhe pse shumë gjëra nuk janë ashtu siç kanë qenë dikur. Në këto faqe të materialit të trajtuar, unë kam shënuar atë që e kam dëgjuar dhe mësuar atje, por para së gjithash, dua ta nxisë dikë që të më plotësojë apo të më përmirësojë, pasi më duket se në zakonet e vjetra mund të gjejmë lëndën dhe materialin më të mirë e më të plotë për njohjen e jetës civile, komunale dhe administrative në Serbinë mesjetare”, ka përfunduar ai.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë