Janë dashur tetë vjet që vepra e maestros Gani Jakupi të vijë edhe në shqip. Përurimi i “Kthimit në Kosovë” ka qenë jo pak simbolik si ardhje e kësaj vepre në vendin e vet, aty ky gjëllin rrëfimi. Romani grafik me të cilin Jakupi u rikthehet kujtimeve të ditëve të para të pasluftës është vlerësuar si vepër unike
Ka bërë xhiro gjithandej teksa botës ia ka shpalosur në disa gjuhë rrëfimin për luftën e fundit në këto anë, por tek tash romani grafik “Kthimi në Kosovë” kthehet në vendin e vet, në shqip. I janë dashur hiç më pak se tetë vjet që nga botimi i parë në frëngjisht. Është vepra me të cilën Gani Jakupi, gazetari, shkrimtari e muzikanti unik në krejt këto fusha, flet për muajt e parë të paqes.
Të premten mbrëma, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u promovua kjo vepër mjeshtërore e Jakupit, me ilustrime nga ilustruesi i njohur argjentinas, Jorge Gonzales. Romani qe botuar në frëngjisht qysh më 2014 për t’u përkthyer edhe në spanjisht, italisht, polonisht e të tjera gjuhë, por në mesin e të cilave mungonte shqipja.
Në Kosovë romanin e ktheu “ProArte Institute”, ndërsa është përkthyer nga Gazmend Bërlajolli, i cili kohëve të fundit ka përkthyer edhe disa romane të tjera grafike.
Rruga deri te përkthimi dhe botimin e këtij romani ka qenë e gjatë. I pyetur se pse këtij romani i janë dashur kaq shumë vjet për të ardhur në Kosovë, Gani Jakupi ka thënë se si fillimisht botimi i tij ishte parë si diçka që nuk ia vlente barra qiranë.
“E ka pasur dikush në dorë më 2012, por menaxheri i shtëpisë botuese ka thënë: ‘Shumë i shtrenjtë! A shpenzon njeriu pare në këtë’?!”, ka thënë Jakupi në përurim.
Megjithatë, shumë miq, kolegë e lexues të tij kanë qenë kuriozë edhe lidhur me faktin se përse kishte pritur kaq shumë vjet për ta hedhur në roman grafik rrëfimin e tij për ditët e para të pasluftës. Jakupi asokohe erdhi si gazetar mediash të huaja. Kujtimeve iu rikthye tek pas gati 15 vjetësh.
“Veprën e kam shkruar, sepse nuk munda më të duroja. Sepse po vuaja nga kujtimet dhe se, në anën tjetër, më ka befasuar edhe fakti se sa shpejt është harruar ajo, gjë e cila është normale. Luftëra dhe valë refugjatësh kemi non-stop, për çdo sezon dhe bota ‘ngihet’ shumë shpejt”, është përgjigjur ai teksa ka shtuar se ideja ka qenë që të lërë diçka prapa dhe edhe pse libri është botuar më 2014 njerëzit ende kërkojnë autografe për të.
Por një gjë që e bën shumë kurioz gjithsecilin që e njeh Gani Jakupin është arsyeja se pse ai nuk e kishte ilustruar vetë librin, por ia kishte dhënë dikujt tjetër. Duke marrë shembuj të autorëve të tjerë, të cilët e kishin përjetuar vetë luftën, Jakupi ka thënë se kjo kishte qenë një gjë e pamundur për të. Të ilustruarit e librit do të nënkuptonte një ripërjetim i krejt asaj gjendjeje nëpër të cilën ai kishte kaluar kur e kishte përcjellë vazhdimisht luftën nga jashtë vendit. Megjithatë gjetja e një njeriu i cili do të arrinte ta shfaqte, në mënyrë të duhur, krejt atë për të cilën kishte shkruar Jakupi, nuk kishte qenë aspak e lehtë.
“Unë e pata sjellë njëherë në Prishtinë një portugez, një vizatues shumë i mirë, i cili ka qëndruar në Kosovë dhjetë ditë. E kam dërguar kudo, por nuk ishte njeri i dëgjueshëm. Vizatimet e tij nuk ishin ato çka unë dëshiroja të shprehja”, ka shpjeguar Jakupi.
Por, e tërë përpjekja e tij kishte përfunduar atëherë kur e kishte takuar argjentinasin Jorge Gonzales i cili është artisti që përfundimisht e realizoi pjesën ilustruese të romanit, në atë mënyrë siç e donte Jakupi.
“Rrallëherë në jetën time kam pasur më shumë fat. Vetëm përgatitja e romanit grafik ka zgjatur diku dy vjet a tri. Së bashku me Gonzales kemi përjetuar diçka që nuk e kam përjetuar asnjëherë më përpara. Ai m’i niste tablotë, dialogët e të gjitha dhe kur i merrja shihja se tekstet e mia dhe vizatimet e tija po shprehnin të njëjtin emocion”, ka bërë të ditur Jakupi.
Por në këtë mbrëmje Gani Jakupi nuk kishte harruar ta ftonte në një diskutim me publikun as vetë Jorge Gonzales, i cili u paraqit në formë virtuale.
Në një paraqitje të shkurtër para publikut, Gonzales, i cili nuk kishte qenë asnjëherë në Kosovë, ka treguar se kishte qenë mënyra se si Jakupi e kishte rrëfyer këtë histori, ajo që e kishte shtyrë të pranonte të ishte ilustruesi i veprës.
“Mua natyrisht se nuk më pëlqen lufta dhe mendoj se askujt nuk i pëlqen. Megjithatë gjatë punës unë përpiqesha ta dëgjoja Ganiun, sepse ky nuk ishte tregimi im. Më bëri për vete pikëvështrimi i tij dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për mua, sepse kur nuk më pëlqen tema, unë s’mund as ta vizatoj atë”, shpjegoi ai në anglisht.
I pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili u shpreh i gëzuar që ky libër më në fund erdhi edhe në shqip.
“’Kthimi në Kosovë’ i prishtinasit tonë Gani Jakupi, si dhe ilustruesit argjentinasit Jorge Gonzalez më në fund erdhi edhe në vendin tonë ku zhvillohet vetë fabula e këtij romani grafik. Shkurt, ‘Kthimi në Kosovë’ më në fund erdhi edhe vetë në Kosovë”, ka thënë Rama.
Tutje duke folur për rrugëtimin që ky libër ka pasur që nga koha kur u botua, “Kthimit në Kosovë”, Rama ia ka dhënë epitetin e kryeveprës.
“Kemi dëgjuar shumë nga mediat e huaja, kemi parë nëpër internet edhe ilustrimet apo pasazhet e tij, kemi marrë vesh se ai është përkthyer në disa gjuhë të mëdha evropiane, por sot më në fund e kemi nder që këtë kryevepër ta kemi në gjuhën shqipe”, ka thënë ai.
Ndërkaq përkthyesi i librit, Gazmend Bërlajolli, shpjegoi se si romanet grafike të Gani Jakupit nuk kishin të bënin fare me ato që ai si fëmijë i kishte njohur me emrin “stripa”.
“Ndeshja me Ganiun ishte me të vërtetë një ndeshje me një shkrimtar të madh. Kur mora ta përktheja romanin e tij grafik fillimisht më bëri shumë përshtypje, sepse nuk ishte asgjë prej atyre që ne i kemi quajtur stripa në fëmijëri. Nuk ka një protagonist që dikur i shfaqet një antagonist gjatë kohës dhe e presim atë ndeshjen e madhe gjatë kohës kur lexon. Se si po rritet tensioni e po zhvillohet konflikti. Nuk është ai lloj i shabllonit”, ka thënë Bërlajolli
Sipas Bërlajollit, profesionalizmi që Jakupi shfaq te “Kthimi në Kosovë” lidhet me ato që ai i ka quajtur “fijet e këputura të njerëzillëkut”.
“Te ky lloj kthimi është shumë lehtë të gjesh dëshmi, me fotografi qoftë varreza masive, bagëti të cofëta, shtëpi të kallura dhe gjithçka tjetër. Por mjeshtëria e Ganiut nuk qëndron aty, sepse Ganiu shkon dhe gjen diçka që unë vetë kurrë nuk do kisha ditur ta gjeja e këto janë ato që unë i quajta ‘fijet e pakëputura të njerzillëkut’, edhe kah ana e serbëve, edhe kah ana e shqiptarëve. Dhe në fund, nëse diçka e kthen këtë roman grafik në kryevepër është fiks aftësia e tij për t’i qëmtuar e për t’i gjetur aty ku janë e ku s’janë këto fije”, ka vlerësuar Bërlajolli.

Shkrimtarja Majlinda Bregasi, e cila së bashku me Gani Jakupin kanë themeluar “ProArt Institut”, ka treguar se si ata dy kishin nisur krijimin e një platforme e cila synon t’i bashkojë artistët të cilët bëjnë punë të ngjashme me ta.
“Kemi parë që jemi dy artistë të shpërndarë pak. Merremi me video, merremi me krijime, me piktura, me muzikë me shumë gjëra dhe kemi menduar pse mos ta kemi një platformë tonën ku t’i bashkojmë punët tona por jo vetëm tonat. Kështu menduam që ‘ProArtin’ ta kemi një platformë ku t’i bashkojmë tërë miqtë tanë dhe edhe ata të tjerët që do t’i kemi”, ka bërë të ditur ajo.
Ndër të tjera Bregasi ka folur edhe për atë se fillimisht ishte njohur me Jakupin nëpërmjet disa teksteve të cilat ai vazhdon të refuzoj t’i botojë. Para të pranishmëve ajo kërkoi nga ai që të hiqte dorë nga ky refuzim në mënyrë që edhe publiku ta ketë atë kënaqësi t’i lexojë ato.
Gani Jakupi u lind më 1956 në Nishec të Kosovës. Stripin e tij të parë komik e botoi qysh në moshën 13-vjeçare, në revistën e njohur “Pionieri”. Ndërsa në moshën 17-vjeçare botoi në gazetat dhe revistat e shumicës së republikave të Jugosllavisë.
Në fund të viteve ‘70, Jakupi shkoi në Paris ku vizatimet e tij u shfaqën në disa nga revistat komike. Më pas në rolin e skenaristit, së bashku me vizatuesin francez Hugues Labiano krijuan serinë “Matador”, e cila u shfaq diku midis viteve 1991 dhe 1994. Pas përfundimi të kësaj serie Jakupi shkoi në Barcelonë ku jeton edhe sot.
Ai punon si ilustrator, skenarist, kompozitor, gazetar. Ka përthyer në spanjisht Danilo Kishin, Quim Monzon e të tjerë. Ka botuar disa vepra përfshirë: “Kthimi në Kosovë”, “Imazhi i fundit”, “El Comandante Yankee”, “Les amants de Sylvia” “Day of Grace”, “Le Roi Invisible” e të tjera.
Veprat e Jakupit janë përkthyer në disa gjuhë si në: frëngjisht, spanjisht, italisht, portugalisht, katalonjisht, anglisht, rusisht, polonisht, serbo-kroatisht, boshnjakisht, maqedonisht dhe shqip. Në vitin 2013, Botimet KOHA botoi “Imazhin e fundit”, e cila është edhe vepra e parë komike e botuar ndonjëherë në shqip. Shoqata kulturore greke “To Kafeneio ton Ideon” (nën patronazhin e lartë të UNESCO-s) ia dha Gani Jakupit çmimin “Aleksandri i Madh”.
Në vitin 2019, Gani Jakupi realizoi edhe ëndrrën e tij të kamotshme: një festival të librit komik në vendlindje. Që nga themelimi i tij, “GranFest” ka sjellë në Kosovë emra të shquar të romanit grafik si: Hermann, Frank Margerin, Dave McKean, Marcello Quinatanilla, Fumio Obata, Judith Vanistedael e shumë të tjerë.
Por “GranFest” po shkon duke u rritur e këtë e dëshmon edhe promovimi i veprës “Kthimi në Kosovë”, e cila vjen disa muaj pas përfundimit të edicionit të sivjetmë të festivalit. Se “GranFest” nuk do të vazhdojë të jetë festival njëvjetor, para të pranishmëve ka bërë të ditur edhe Nora Luta, projekt- menaxhere e “GranFest”.
“Ky promovim shënon edhe kursin e ri të GranFestit, i cili tashmë nuk do të jetë vetëm një festival njëvjetor që edhe këtë vit ka sjellë shumë artistë të ndryshëm nga bota në Prishtinë, por do të promovojë edhe artistët e rinj dhe do të ketë edhe shumë botime të tjera dhe punëtori”, ka bërë të ditur Luta.
Gjithashtu ajo bëri të ditur edhe planet e “GranFestit” për të ardhmen ku ndër të tjera përmendi edhe botimin e një libri tjetër.
“‘GranFest’ do të jetë edhe një mundësi shumë e mirë për ta promovuar artin në një formë ndryshe. Gjatë muajit nëntor do të jetë botimi i parë origjinal ‘Të nëmurit’ nga Shpend Kada dhe Valdet Gashi. Pastaj në dhjetor do të publikohen edhe emrat e artistëve që do të jenë në Prishtinë në vitin 2023, në edicionin më të ri të ‘GranFestit’, që është një festival që po e kthen Prishtinën si kryeqendër të romanit grafik”, ka përfunduar ajo. “GranFest” këtë vit shënoi edicionin e tij të tretë dhe u mbajt prej 20 deri më 22 maj.