Një angazhim më i madh në dukje për normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë ndodhi kur Ramiz Alia gradualisht po zëvendësonte Mehmet Shehun, i cili në dhjetor të vitit 1981 do të bënte vetëvrasje. Alia, më 1 dhjetor 1981, duke marrë shkas nga një bisedë me një drejtues kryesor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i dha disa orientime lidhur me marrëdhëniet me Republikën Federale të Gjermanisë. Në këto orientime, një argument interesant që përdor lideri komunist ishte edhe qëndrimi objektiv ndaj çështjes së Kosovës. Për Qeverinë e Tiranës ishte një element pozitiv që shtypi edhe mjetet e tjera të informacionit gjermano-perëndimor mbanin “qëndrime realiste dhe objektive” lidhur me demonstratat studentore të vitit 1981 në Kosovë
Me qëllim të progresit dhe lëvizjes nga rrethi vicioz i bisedimeve, pala gjermane, respektivisht ambasadori Maximilian Graf von Podewils-Dürniz, kërkoi nga pala shqiptare që gjatë komunikimeve dhe bisedave dypalëshe të përdorej një gjuhë më diplomatike, termi reparacione të zëvendësohej me formulimin “çështjet që rrjedhin nga Lufta e Dytë Botërore”. Në këtë rrethanë, Tirana zyrtare u detyrua ta zbuste tonin e saj dhe ishte pikërisht Enver Hoxha që në Kongresin 8-të të Partisë së Punës në nëntor 1981 bëri një formulim më elastik, lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me RFGJ-së. Ai deklaronte se midis dy vendeve nuk ekzistojnë pengesa të pakapërcyeshme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, duke shtuar se “me një mirëkuptim nga ana e të dy palëve për disa çështje të mbetura pezull që nga Lufta e Dytë Botërore, kjo gjendje mund të rregullohet.” Edhe pse ky qëndrim i palës shqiptare ishte mirëpritur në Bon, Tirana refuzoi kërkesën e palës gjermane për të bërë një deklaratë me shkrim përmes së cilës nënvizohej se pala shqiptare ishte për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe pas kësaj të procedohej me zgjidhjen e problemeve të tjera.
Udhëheqja shqiptare – peng i koncepteve dogmatike
Ishte e qartë se autoritetet gjermano-perëndimore po kërkonin nga Tirana që përpara hyrjes në bisedime zyrtare me palën shqiptare të shmangej çdo detyrim për të paguar reparacione dhe për të qenë në përputhje me Marrëveshjen e Londrës. Fundja, kjo kërkesë nuk ishte vetëm për Shqipërinë, por udhëheqja shqiptare ishte peng i vetë koncepteve dogmatike në politikën e jashtme dhe i sistemit të saj kushtetues që nuk lejonte pranimin e kredive me interes të ulët, që RFGJ-ja e kishte praktikuar edhe me vendet të tjera. Ishte e habitshme se pala shqiptare, edhe pas shumë komunikimesh të ambasadorëve të dy vendeve në Beograd dhe në Vjenë, nuk kishte treguar asnjë përpjekje serioze për të eliminuar diferencat që ekzistonin ndërmjet dy vendeve lidhur me aktin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe atë të zgjidhjes së çështjeve materiale ose ekonomike. Ajo shpresonte se me këmbënguljen për reparacione do ta detyronte Bonin që të paktën plotësonte kërkesave dhe pritjet e mëdha të Tiranës, të cilat synonin të ndiqnin modelin e vjetruar të ndihmës nisur nga përvoja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën.
Një angazhim më i madh në dukje për normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë ndodhi kur Ramiz Alia gradualisht po zëvendësonte Mehmet Shehun, i cili në dhjetor të vitit 1981 do të bënte vetëvrasje. Alia, më 1 dhjetor 1981, duke marrë shkas nga një bisedë me një drejtues kryesor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i dha disa orientime lidhur me marrëdhëniet me Republikën Federale të Gjermanisë, të cilat u përdorën për përcaktimin e një platforme të re bisedimesh me gjermanët në atë periudhë.
Alia, në mes të tjerash, në këto orientime konfirmonte se vendet socialiste në të kaluarën kishin mbrojtur qëndrimin se nuk do të vendosnin marrëdhëniet diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë pa u nënshkruar Traktati i Paqes dhe pa njohur Republikën Demokratike Gjermane. Ndërsa, krejt i pavend ishte orientimi i Alisë në pikën se Shqipëria është kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, kur dihej se orientimi strategjik i RFGJ-së ishte marrëdhënia e veçantë me SHBA-në dhe anëtarësimi në NATO, si instrument i garancisë së sigurisë kundrejt kërcënimit sovjetik. Po ashtu, pa asnjë sens diplomatik konsiderohej edhe orientimi se Qeveria shqiptare nuk kishte dashur të lidhte marrëdhënie diplomatike me qeveritë e Adenauerit dhe Straussit, pasi nuk kishin pasur besim te dy politikanët.
Argumenti i liderit komunist për Kosovën
Në këto orientime, një argument interesant që përdor lideri komunist – përveç konstatimit se Qeveria e RFGJ-së mban qëndrim progresiv ndaj Shqipërisë – ishte edhe qëndrimi objektiv ndaj çështjes së Kosovës. Për Qeverinë e Tiranës ishte një element pozitiv që shtypi dhe mjetet e tjera të informacionit gjermano-perëndimor mbanin “qëndrime realiste dhe objektive” lidhur me demonstratat studentore të vitit 1981 në Kosovë, në të cilat ishte shtruar kërkesa për ngritjen e Kosovës në statusin e republikës (Kosova Republikë), por në takime ky argument nuk është se u përdor gjatë bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike apo edhe më vonë. Për ironi, Kosova, edhe pse krahinë autonome, në kuadrin e politikës së jashtme jugosllave kishte kontakte dhe marrëdhënie mjaft intensive ekonomike dhe kulturore me RFGJ-në. Veç kësaj, gazetarë të shumë gjermano-perëndimorë më shumë informoheshin për ngjarjet me përfaqësues të ndryshëm nga Kosova, sesa nga shteti shqiptar, i cili edhe më tej ishte tokë e pashkelur për gazetarët e jashtëm perëndimorë.
Përgjigja e prerë e palës gjermane
Por, takimi i 26 shkurtit 1982 midis dy ambasadorëve në Vjenë, i lëvizi bisedimet e nisura në rrjedhën tjetër. Në deklaratën e palës shqiptare pranohej se nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare se pala gjermane kishte pengesa reale juridike për njohjen e termit reparacione dhe për realizimin e pagesës mbi këtë bazë. Dhe se qeveria shqiptare ndante përfundimisht çështje e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike nga çështja e reparacioneve si dhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, nëpërmjet shkëmbimeve tregtare ekzistuese, të gjendej forma e përshtatshme nga gjermano-perëndimorët “për të paguar shumën përkatëse”.
Për herë të parë me këtë deklaratë pala shqiptare pranonte se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ishte prioritare, ndërsa çështja e dëmshpërblimeve konsideroj si problem i dytë. Ky formulim i Qeverisë shqiptare ishte një lëvizje diplomatike, por jo heqje dorë nga dëmshpërblimet, e kushtëzuar nga vendosmëria e palës gjermane për të mos paguar asgjë në emër të reparacioneve të luftës. Edhe në këtë deklaratë pala gjermane kishte vërejtje dhe, sikurse e kishte theksuar edhe herë të tjera, ajo nuk mund të bisedonte për reparacione, sepse ia ndalonte Marrëveshja e Lodrës dhe se ndihmat që ajo u kishte dhënë vendeve të Evropës Lindore nuk cilësoheshin si pagim i reparacioneve. Në deklaratën gjermane, e cila iu dorëzua ambasadorit shqiptar në Vjenë, Idriz Bardhi, shprehimisht konstatohej se Boni është në parim gati të hyjë në bisedime me Qeverinë shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, duke nënvizuar se “këto bisedime do të kenë kuptim, atëherë kur pala shqiptare do të heqë dorë dhe t’i lidhë ato me kërkesën e reparacioneve”. Për më tepër, në deklaratë thuhej se RFGJ-ja nuk do të bisedojë për kërkesa të tilla, as para dhe as pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Dhe në të njëjtën kohë, gjermanët propozonin që bisedimet zyrtare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të vazhdojnë në Paris ose në një vend tjetër që palët do të bien dakord.
Një përgjigje kaq e prerë e palës gjermane ishte zhgënjyese për palën shqiptare. Prandaj, ajo e konsideroi të papranueshme. Me gjithë pritjet e palës shqiptare, Qeveria gjermano-perëndimore nuk dëshironte të merrte angazhim për bisedime dhe nuk do të bisedohej as para, as pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në lidhje me reparacionet e luftës. Ndonëse pala shqiptare i deklaroi palës gjermane se pozicioni i saj mbetej deklarata e 26 shkurtit 1982, ishte e qartë se Tirana zyrtare duhej të adoptonte një qëndrim më pragmatik, për shembull në vend të reparacioneve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike “mund të ngrejë kërkesa për individë të dëmtuar nga nazizmi”.
Si pasojë e këtyre pozicioneve të papajtueshme për 15 muaj me radhë u ndërprenë takimet ndërmjet ambasadorëve të dyja vendeve në Vjenë. Sërish ishte pala gjermane që propozoi takimin me dy ambasadorëve Hans Heinrich Noebel dhe Idriz Bardhit më 20 qershor 1983. Në këtë takim ambasadori gjerman i dorëzoi ambasadorit Bardhi promemorien e Qeverisë federale, në të cilën nënvizohej se Boni do t’i përmbahet plotësisht deklaratës së marsit 1982. Noebel edhe një herë ia bëri të qartë ambasadorit shqiptar se Gjermania “nuk i ka paguar askujt asgjë”, por u ka paguar dhe vazhdon t’u paguajë “pensione individëve të dëmtuar nga nazizmi”.
Bisedimet zyrtare në Bon
Në ndërkohë, në Bon konsiderohej se kanali i komunikimit ndërmjet dy ambasadorëve në Venë ishte konsumuar tashmë dhe se ishte e nevojshme që bisedimet të zhvilloheshin direkt mes përfaqësuesve të një niveli më të lartë të dyja vendeve. Përmes kanaleve diplomatike në fund të vitit 1983 dhe gjatë vitit 1984 palët u rakorduan për të zhvilluar takimin e parë të nivelit të lartë me 27 prill 1984 në Bon. Pala shqiptare, në vend të një diplomati profesionist dhe të karrierës, në krye të delegacionit emëroi Sofokli Lazrin, njeri i afërt dhe ndihmës i Ramiz Alisë, si dhe drejtor i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe anëtar i KQ të PPSH-së. Sofokli Lazrin në takimin e Bonit e shoqëronin edhe Engjëll Kolaneci dhe Sazan Bejo. Ndërsa, nga pala gjermane merrnin pjesë Dr. Gerhard von Braunmühl, shef i sektorit të Lindjes së Mesme në Ministrinë e Jashtme gjermane, Dr. Keil, drejtor i Referatit të Evropës Lindore, Dr. Held, Referatit të Pasojave të Luftës, Albert von der Heydt, referent për Shqipërinë në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme gjermane.
Për dallim nga gjermanët, pala shqiptare në krye të delegacionit kishte vendosur një politikan të lartë të regjimit komunist, i cili me qëndrimin e tij dogmatik shpeshherë rrezikoi procesin negociues me palën gjermane, madje nga aktet arkivore diplomatike krijohet përshtypja se ai ishte frenuesi kryesore i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Bonit dhe Bonit. Mund të supozohet se prolongimi i tij për avancimin e bisedimeve me palën gjermane në këtë periudhë lidhej me luftën e brendshme për pushtet brenda qeverisë shqiptare në Tiranë. Pra, nisur nga fakti se Hoxha tashmë ishte në shtratin e vdekjes, Lazri ka preferuar që normalizimi i marrëdhënieve me Gjermaninë të ndodhte pasi të ngjitej në pushtet Ramiz Alija, i cili sigurisht dëshironte që vetes t’ia atribuonte meritën kryesore për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Bonin.
Sidoqoftë, takimi i Bonit edhe përbën një kthesë të rëndësishme në bisedimet dypalëshe Tiranë-Bon drejt arritjes së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe zgjidhjes përfundimtare të problemeve të mbetura pezull, në muajt në vijim nuk pati progres konkret. Në takimin e Bonit u la e hapur mundësia për një raund tjetër bisedimesh. Në deklaratën e qeverisë gjermane të 27 prillit theksohej se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, me të cilin Republika Federale e Gjermanisë nuk ka marrëdhënie diplomatike, si dhe rivlerësohej pozita e Shqipërisë jashtë blloqeve, duke shtarua se ky orientim “përputhet me filozofinë politike të Bonit”.
Për dallim nga deklarata gjermane, deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke i qëndruar besnik skemës politike të dhënë para këtij takimi nga udhëheqja e lartë shqiptare, tregohej e rezervuar në vlerësime lidhur me rezultatet e arritura deri në atë kohë në kontaktet diplomatike midis të dy palëve. Deklarata pasi jepte një pasqyrë të marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, Britaninë e Madhe, SHA, Bashkimin Sovjetik, duke u ndalur në pretendimet jugosllave dhe sovjetike për të aneksuar Shqipërinë, shprehte gatishmërinë e Tiranës zyrtare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me RFGJ-në.
Për herë të parë në një dokument zyrtar shqiptar nuk përmendej drejtpërdrejt çështja e reparacioneve, por theksonte se pala shqiptare “do të dëshironte që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis RPS-së të Shqipërisë dhe RF të Gjermanisë do të zhvilloheshin mbi një bazë që do të mbante parasysh interesat dhe të drejtat e të dyja palëve...”.
Raportet e Tiranës me Beogradin
Në pjesën e fundit të deklaratës, ku trajtoheshin marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, duhet veçuar trajtimin e raporteve të Tiranës me Beogradin, respektivisht çështjen e Kosovës, e cila, sipas këtij dokumenti, duhej t’i njiheshin të drejtat që i takonin ë bazë të kushtetutës jugosllave, të ndërpritej shoviniste serbomadhe, të lejohej përdorimi i gjuhës amtare, ruajtja e traditave të shqiptarëve të Kosovës dhe të zhvillohej pa asnjë pengesë kultura e tyre kombëtare. Në të njëjtën kohë, Shqipëria shprehte në vijueshmëri se ajo nuk kishte ndonjë pretendim territorial ndaj federatës jugosllave.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë