Shtojca për Kulturë

Krye-veprat, ose vepra për krye

Ag Apolloni, “Predikimet e Pragës”, Bard Books, Prishtinë, 2025, 150 faqe

Ag Apolloni, “Predikimet e Pragës”, Bard Books, Prishtinë, 2025, 150 faqe

Në këtë ligjëratë do të flasim për dy vepra që lindën pothuajse në të njëjtën kohë dhe që mbetën vepra të veçanta në letërsinë botërore: “Mbrëmje me zotin Teste” dhe “Zemra e errësirës”. Si ndodhi që këto vepra të vogla u bënë kaq të mëdha, kaq të famshme dhe kaq me ndikim?

Dy rrëfime për kryet

Në dekadën e fundit të shekullit 18 u botuan dy novela mjaft të çuditshme: e para, “La Soirée avec Monsieur Teste” nga Paul Valéry, në revistën franceze “Le Centaure”, më 1896; e dyta, “Heart of Darkness” nga Joseph Conrad, në revistën angleze “Blackwood’s Magazine”, më 1899. Të dy autorët po përpiqeshin të gjenin shtigje të reja në mënyrën e rrëfimit, dhe po kalonin nga rrëfimi i thjeshtë në rrëfime thellësisht filozofike.

Paul Valéry, që kishte katër vjet që po përjetonte një krizë të thellë në raport me letërsinë, poezinë dhe ndjeshmërinë, sapo e botoi këtë novelë, e braktisi letërsinë për njëzet vjet. Studiuesit supozojnë se kjo erdhi pasi e lexoi tekstin e E. A. Poe-s, “Filozofia e kompozicionit”, ku poeti amerikan flet për një estetikë ekzakte të strukturimit të poezisë. Valéry, një simbolist premtues, i kuptoi kufijtë e frymëzimit dhe u largua nga diskursi i mjegullt poetik.

Joseph Conrad, që po përjetonte një ngritje si autor që kishte marrë vendimin e vështirë të shkruante në një gjuhë të huaj, po e mbyllte me sukses dekadën e tij të parë krijuese me një novelë meditative mbi krimet në Afrikë. Ajo nuk ishte thjesht një rrëfim për një vend të panjohur, por një depërtim filozofik në të panjohurën frikësuese. Ai mendonte se ishte më mirë për të që anglishten nuk e kishte gjuhë amtare, sepse kështu i duhej të mendohej më shumë derisa shkruante dhe e dinte se mendimi i bën mirë rrëfimit.

Kështu, këta dy autorë krijuan dy personazhe krejt të veçanta në letërsinë botërore, Monsieur Teste dhe Mistah Kurtz, njëri që imponohet si krye (kokë) dhe tjetri që na shfaqet me një krye si top fildishi. Njëri përfaqëson krizën e njeriut modern mes mjegullës dhe qartësisë, tjetri krizën e qytetërimit që, duke shkaktuar miliona vdekje në Afrikë, e ka kthyer në varrezë vetë Evropën, një vend fantazmash, një vend ku ecin njerëz pa shpirt.

Këto dy novela mund të quhen vepra për krye dhe kryevepra të krizës së civilizimit perëndimor.

Monsieur Teste

Paul Valéry ka shkruar një novelë për mendimin, për kokën. Në frëngjishten e sotme kokës i thonë Tête, por në frëngjishten e vjetër i thoshin Teste, sepse në atë kohë lidhja ishte më e fortë me latinishten, në të cilën kokës i thuhej Testa. Kështu, Teste përfaqëson kokën që injoron zemrën. Ai është mendimtar, pa asnjë dhimbje shpirtërore, por herë pas here me një dhimbje trupore. Po edhe dhimbja për të s’është tjetër, veçse një ide.

Zoti Teste është 40 vjeç. Narratori e ka përgjuar atë për një kohë, dhe e ka parë gjithmonë natën, njëherë në bordel, herëve të tjera në teatër. Një natë kur po e shoqëronte nga teatri në shtëpi, zoti Teste e fton të hyjë brenda. Mysafiri habitet që në shtëpi nuk gjen asgjë që do ta shpërfaqte personalitetin, ose profesionin e tij, por vetëm orenditë e nevojshme. Asnjë libër, asnjë letër, asnjë pendë. Një banesë shumë e zakonshme. Narratori nuk arrin ta kuptojë se si një njeri që ishte një Hipogrif, një Kimerë e mitologjisë intelektuale, jetonte ashtu. Si ka mundësi që ky demon i mundësisë jetonte në atë banesë pothuajse boshe?

Narratori duke qenë brenda universit diegjetik, s’ka si ta dijë se autori, që i ka konstruktuar ata dy, nuk e ka vënë rastësisht emrin Edmond para mbiemrit Teste. Edmond, që ka kuptimin mbrojtës i pasurisë, krijon kontrast me banesën, por jo edhe me mbiemrin e tij. Ai është një mbrojtës i pasurisë mendore që e zotëron brenda kokës së tij. Zoti Teste nuk impresionon së jashtmi, por së brendshmi. Janë mendimet e tij që e magjepsin narratorin: “Sikur ky njeri ta kishte përmbysur drejtimin e meditimeve të tij të brendshme, sikur ta kishte kthyer kundër botës fuqinë e rregullt të mendjes së vet, asgjë s’do të mund ta kishte ndalur. Më vjen keq që flas për të ashtu siç flitet për ata që u ngremë përmendore. E di mirë se midis “gjeniut” dhe atij ekziston një masë e brishtë dobësie. E megjithatë, ai – aq i pastër! Aq i ri në thelb! I çliruar nga çdo mashtrim e magji, aq i ashpër e i prerë! Entuziazmi im personal ma mjegullon disi figurën e tij… Por si mund të mos ndjesh entuziazëm për një njeri që s’ka thënë kurrë asgjë të turbullt?”

Kjo novelë rrëfen pak, përshkruan pak, por thotë shumë. Dhe, kur e dimë që kjo histori po tregohet nga dikush që e ka takuar zotin Teste para dy vitesh, na duket sikur të menduarit të ishte sëmundje ngjitëse. Rrëfimi reflekton dije edhe nga narratori, jo vetëm nga mendimtari Teste. Pastaj, edhe në fragmentet që ia bashkoi novelës, pas njëzet vitesh, ne e shohim se ai e kishte infektuar me ide edhe gruan e vet dhe të gjithë ata që në njëfarë mënyrë prekeshin nga ai. Ai është mendim që ecë.

Michel Tournier ka thënë se ky libër ndjek modelin e “Diskursit mbi metodën” të Dekartit. Në fakt, zoti Teste është qartësia dekartiane e mendimit, një qartësi që lufton me mjegullën. Ai e konsideron veten njeri të vëmendjes, mendimit, idesë, madje edhe vuajtjen e sheh si një ide: “Të vuash do të thotë t’i kushtosh diçkaje vëmendjen më të lartë – dhe unë jam disi një njeri i vëmendjes”.

Me një efekt elipse dhe sfumatoje, ne e kuptojmë që zoti Teste flet, tjetri dëgjon, dhe në fund, kur ky i fundit e sheh se zotëria nga fjalët ka kaluar te numrat dhe nga numrat te pija, çohet për të shkuar. Zoti Teste i drejtohet shumë qetë: “Rri edhe pak, tha ai. Pa merak! Unë do të futem në shtrat. Pas pak do të jem në gjumë. Mund ta marrësh kandilin kur të zbresësh”.

Paul Valéry dhe Joseph Conrad, portrete të realizuara nga Alessandro Lonati

Kështu, mendimi i qartë vjen duke u turbulluar, pak nga pija, pak nga gjumi. Kur zhvishet për të fjetur, ai duket si një dërrasë: “Jam si dërrasë. Po pluskoj! (…) E adhuroj lundrimin natën”.

Ai mendon aq shumë sa tashmë nuk e di nëse fle, apo mendon se po fle. Ai thotë se të gjitha vendet e tokës janë të zëna, vetëm shtrati i tij ka mbetur i lirë. Prandaj, i pëlqen të shtrihet si i vdekur.

Që në kohën antike mendohej se gjumi ishte vëllai i vdekjes. Kështu, ne shohim një zotëri që në fillim është i qartë, pastaj i dehur, pastaj i përgjumur dhe në fund duke gërhitur. Sapo ndërpritet mendimi, mbaron rrëfimi. Narratori s’ka çfarë të thotë më, prandaj merr kandilin dhe del duke ecur në majë të gishtave.

Kjo novelë duket e thjeshtë, por është e thellë. Nëse e parafrazojmë subjektin, ai duket i parëndësishëm: njëri e takon njëfarë zoti Teste, të cilin e përcjell deri në shtëpi, pastaj ftohet prej tij të hyjë brenda. Zotëria flet, mysafiri e dëgjon me adhurim. Ne, si lexues, na jepen vetëm ca thërrime nga biseda. Pastaj zotëria pi pak nga faqorja e tij, zhvishet dhe shtrihet në shtrat, flet si mjegullt dhe pas pak nis e gërhet. Mysafiri e merr kandilin dhe del.

S’mund të ketë një novelë më të thjeshtë se kaq. Vetëm se, përtej subjektit, kemi mendimin. Ne nuk jemi duke lexuar një rrëfim, por një mendim. Jo një bisedë të lidhur, por fragmente dhe sentenca që na vijnë sipas qejfit të narratorit. Pra, ne nuk e njohim zotin Teste siç e njeh narratori, as narratori nuk e njeh atë siç e njeh autori. Madje shumë studiues të tij pajtohen që zoti Teste është vetë Paul Valéry, i cili një kohë ka banuar në apartamentin e August Comte-it, ku banon edhe personazhi i tij.

Kjo novelë nuk është shkruar për të treguar një histori, por për të reflektuar për një moment krize të njeriut modern. Kjo sprovë është një simposium, në kuptimin origjinal të fjalës. Një bashkëpirje dhe bashkëbisedim për mendimin, për luftën dhe fitoren, ose disfatën e tij. Prandaj në një fragment të bashkuar njëzet vjet më vonë, të quajtur Fundi i Monsieur Teste, ai, që herë pas here vuante nga një dhimbje fizike, më në fund vdes, dhe kjo vdekje që është tunduese, e dashur dhe tmerruese, është edhe vdekje e mendimit: “E megjithatë, çfarë tundimi është vdekja. Një gjë e paimagjinueshme që hyn në mendje në formë dëshire dhe tmerri, përmbysjeje. Fund intelektual. Marsh funebër i mendimit”.

Pra, vdekja vjen në formën e dëshirës dhe tmerrit. Tmerr, tmerr, janë edhe fjalët e fundit të Kurtz-it, këtij vëllai ideor të Teste-it, kësaj koke mendimtare dhe dëshmitare të betejave të brendshme të modernitetit.

Mistah Kurtz

Zemra e errësirës është një akuzë ndaj Evropës së bardhë për katastrofat e politikës kolonizuese në Afrikë. Duke e ditur që vetëm nën pushtimi brutal të mbretit belg Leopold II, në Kongo janë vrarë dhe janë lënë të vdesin nga uria, rreth 15 milionë kongolezë, dhe duke pasur përvojat e veta të udhëtimit, Joseph Conrad shkroi një roman që, me kalimin e kohës, ka ardhë duke u popullarizuar, kritikuar dhe lavdëruar. Bazuar në të, përveç dramës televizive të vitit 1958 dhe një filmi të vitit 1993, është realizuar edhe filmi i famshëm “Apocalypse Now”.

Ky roman që akuzon Evropën për tragjeditë e shkaktuara në Afrikë, është kritikuar ashpër nga autori afrikan Chinua Achebe, i cili e akuzon Conrad-in për racizëm radikal ndaj të zinjve, për shkak se ua mohon të folurën dhe, sipas tij, i ndërton sipas stereotipit perëndimor. “Kritika e Achebes”, sipas David Damrosch, “reflekton mosdurimin e romancierit realist ndaj ambiguitetit modernist të Conradit”.

Të njëjtën gjë si Achebe, por me një ton më të zbutur, e thotë edhe Edward Said, duke nënvizuar perspektivën eurocentrike të Conrad-it. Ndërsa, kritiku Tzvetan Todorov, shkruan dy herë për këtë roman: njëherë i bën një interpretim letrar, pastaj një interpretim kulturor, dhe e konsideron perspektivën narrative të romanit si një paqartësi morale dhe krizë psikologjike të përballjes me tjetrin. Megjithatë, ai konstaton se autori, në luftën mes të zinjve dhe të bardhëve, ua mban anën të zinjve: “Aventurieri i Conrad-it nuk kërkon të mposhtë, por të dijë. Ngjitja përpjetë lumit është një mbërritje tek e vërteta, hapësira simbolizon kohën, aventurat shërbejnë për të kuptuar. Simpatia e autorit është në anën e banorëve vendasë të kontinentit të zi”.

Por, pavarësisht rrëmujës që ka shkaktuar në qarqet akademike ky roman, unë këtu do të merrem vetëm me karakterin e Kurtz-it dhe ngjashmërinë e tij me Teste-n. Të dy romanet rrëfehen nga narratorët që kanë vetëm një qëllim: të na rrëfejnë për takimin me personazhet mistike, Teste dhe Kurtz, të cilët i adhurojnë. Të dy narratorët kanë fatin t’i takojnë shumë shkurt këta karaktere, dhe të magjepsen gjithë jetën prej tyre. “Budallallëku nuk është pika ime e fortë”, thotë narratori i zotit Teste, prandaj vendos të tregojë diçka për dijen, mendjen, mendimin, të mishëruar në personin e Edmond Teste. Ai nuk flet gjepura, ai flet mençur për një të mençur që e ka njohur.

Njëjtë edhe Marlow ëndërron për një takim me Kurtzin: “kisha udhëtuar gjithë këtë rrugë për të vetmin qëllim, të flisja me zotin Kurtz. (...) dhe e kuptova se ajo ishte pikërisht çka po kërkoja – një bisedë me zotin Kurtz”.

Nëse Teste është figurë simbolike e qartësisë, apo e mendjes karteziane, Kurtz është figurë simbolike e mendjes së padepërtueshme, të errët: “E tija ishte një errësirë e papërshkueshme. E shikoja, siç do ta shikonit një burrë që është shtrirë në fund të humnerës ku dielli nuk ndriçon kurrë”.

Derisa Teste shtrihet për të fjetur, Kurtz shtrihet për të vdekur: “‘Jam shtrirë në errësirë duke pritur vdekjen’. Drita ishte diku tridhjetë centimetra larg syve të tij. Mezi pëshpërita, ‘Oh, marrëzi!’ dhe qëndrova mbi të si i mpirë. Nuk i kisha parë kurrë më parë gjithë ato ndryshime që pësuan tiparet e tij dhe shpresoj të mos i shoh kurrë më. Oh, nuk u preka. U mahnita. Dukej sikur ishte grisur një perde. Pashë në atë fytyrë fildishi shprehjen e krenarisë së ngrysur, të pushtetit të pamëshirshëm, të tmerrit të mallkuar – të një dëshpërimi të fuqishëm e të pashpresë. A e jetoi përsëri jetën e tij në çdo dëshirë, tundim dhe dorëzim gjatë atij çasti vendimtar të dijes së plotë? Ai klithi duke i pëshpëritur një përfytyrimi, një lloj vegimi; klithi dy herë, një thirrje që nuk ishte më shumë se një frymë: ‘Tmerr! Tmerr!’ I fryva qiriut dhe dola nga kabina”.

Pasi Teste bie në gjumë, narratori merr kandilin dhe del nga dhoma. Pasi vdes Kurtzi, narrator i fryn kandilit dhe del nga kabina. Në të dy romanet, drita, ndriçimi, kandili, simbolizojnë diçka. Kolonizimi i vendeve afrikane ishte projekt iluminist për ndriçimin e kontinentit të errët. Shkuan kinse për të çuar kulturë, dhe u shquan për torturë. Kurtz që nuk e sheh dritën që ka afër fytyrës, është një figurë që përfaqëson njeriun e verbër pas pasurisë, pushtuesin e verbuar për fildish. Kandili mund të lexohet simbolikisht. Vizitori i Teste-it e merr kandilin me vete, vizitori i Kurtz-it e fik kandilin. Vizitori i parë përfiton nga drita e mendjes së Teste-it, vizitori i dytë distancohet prej kandilit kuazi-iluminist.

Edhe pse janë dy vepra të vogla, këto i kanë bërë lexuesit të reflektojnë më shumë se cilido roman voluminoz. Njeriu duke i njohur këta dy karaktere mistike, nis e reflekton gjatë. Ata provokojnë të menduarit. Figura e Teste-it na bën të mendojmë për mendimin: “Ai s’mund t’i duronte pretendimet e pakuptimta të poetëve – as ato të rënda e të fryra të romancierëve. Këmbëngulte se një ide e qartë mbi atë që po bën jep rezultate shumë më të habitshme dhe më universale sesa gjithë marrëzitë mbi frymëzimin”.

Ky njeri që shpreh mosbesimin në frymëzim, është vetë Valéry që, si njeri enciklopedik, e braktisi diskursin lunatik (poetik) për kohë të gjatë. Ai është Teste-i dhe njëkohësisht narratori që dëshiron ta njohë Teste-in. Autori e krijon alter-egon e tij për t’u përballur me të, për ta kuptuar. Por kjo nuk është e lehtë: “Njeriu duhet të hyjë në vete i armatosur deri në dhëmbë”, thotë Teste.

Njësoj na bën të reflektojmë edhe figura e Kurtz-it. Duhet ta kuptojmë njëherë e mirë që letërsia nuk është vetëm tekst, por edhe efekt i tekstit, diçka që e tejkalon gjuhën. Valéry na ka treguar qartë se “leximi letrar është i papajtueshëm me përpikërinë e skajshme të gjuhës”.

“Fjala është e frytshme”, thoshte Goethe. Madje edhe fjala fryt përmban më shumë se katër shkronja, përmban idenë për mollën, dardhën, qershinë, rrushin, portokallin etj. Prandaj, një tekst letrar është një teksturë që zgjon një variant të ndryshëm historie dhe interpretimi te secili lexues. Sa ka lexues, aq ka edhe Monsieur Teste dhe Mistah Kurtz.

Zoti Teste “ishte mjeshtër i mendimit të vet”. Zoti Kurtz ishte mjeshtër dhe mizor. Ai duke ndenjur shtrirë në errësirë, i bërtet errësirës së xhunglës: “do të ta shkul zemrën!” i bërtiti xhunglës së padukshme”. Ironia e këtij kërcënimi është se, në fakt, pas pak, vetë zemra e tij do të varroset në zemër të errësirës së xhunglës.

Narratori i Valérysë na nxjerr përpara një mistik pa Zot, një Sfinks, një Centaur, një Krye me mend. Narratori i Conrad-it, gjithashtu, na nxjerr përpara një mistik pa Zot, një idhull dhe monstër, që jeton sipas një metode të marrë, një koke të mençme, të marrë dhe mizore. Të dy flasin pak, si me ndërprerje, dhe pastaj bien në heshtje. Këto janë mendime që ndërgjegjja i ka heshtur. Ata, me fjalitë e tyre të ndërprera, duket se shfaqin vështirësinë që kanë në luftën kundër mjegullës së mendimit, apo errësirës së botës së tyre. Flasin shumë pak. Ndoshta e gjithë biseda e tyre nuk përmban më shumë se dy faqe në romanet përkatëse. Për atë që heshtin, imponohen si më të ditur, përpara rrëfimtarëve që na flasin pa pushim. “Heshtja është oqean, ndërsa fjala është lumë”, thoshte Rumi. Në këto dy novela kemi përballë dy oqeane.

Kurtzi dëshiron ta shkulë zemrën e errësirës, pa e kuptuar që errësira e vërtetë është brenda tij. Teste insiston ta zhdukë mjegullën e mendimit, dhe thotë se vetëm nga dhimbja fizike s’mund ta shpërqendrojë veten. Ajo futet në mes të mendimit, si një ide e panënshtrueshme, dhe klith. Megjithatë, Teste e kishte parashikuar edhe sëmundjen, edhe fundin. Ai nuk e kishte parashikuar vetëm fillimin. Siç thotë narratori: “Zoti Teste kishte lindur rastësisht”. Mirëpo, ai e dinte se jeta njerëzore është rrethore: “Shkojmë nga zeroja në zero. Dhe kjo është jeta. Nga e pandërgjegjshmja dhe e pakuptimta, tek e ndërgjegjshmja dhe e pakuptimta”.

Për Teste-n, dashuria ishte budallaki dhe kafshëri, pra nuk lidhej me mendjen. Ne këtë e kuptojmë nga letra e gruas së tij, e cila e adhuron, ashtu siç e adhuron edhe gruaja e Kurtzit burrin e vet. Dashuria turbullon arsyen, prandaj ai s’merret me të. Emili Teste e përshkruan burrin e saj si “një dije me muskuj”.

Valéry e zhvesh njeriun nga cilësitë, ia lë vetëm mendimin, për ta kaluar theksin te qartësia. Madje që në fillim ai e vendos një moto latine: Vita cartesii est simplicissima (Jeta karteziane është shumë e thjeshtë). Kjo novelë, si një sprovë narrative karteziane, shtrihet mes askezës dhe ekstazës. Jeta është shumë e thjeshtë, thuajse asketike. Mendimi shkon në pikën më të lartë, arrin ekstazën. Krejt rrëfimin e përshkon një dehje e mendimit, një luftë mes idesë dhe mjegullës.

Valery refuzon një poetikë, Conrad refuzon një politikë. Të dy novelat, nëpërmjet të dy antiheronjve, janë ftesa për autorët, narratorët dhe lexuesit, që “të bëhet një inspektim brenda vetes”.

Ligjëratë e mbajtur në Universitetin e Pragës, gjatë muajve tetor-dhjetor 2024. Kjo ligjëratë, bashkë me nëntë të tjera, janë përfshirë në librin “Predikimet e Pragës”, që do të dalë nëpër librari këtë të hënë