“Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”, Enver Robelli (Botimet KOHA, Prishtinë 2022)
Ka disa libra që janë libra para se të bëhen libra. Kjo nuk është gjëegjëzë, por thjesht realiteti i Facebookut. Facebooku mbledh, njëmend, shumë mbeturina që do të duheshin hedhë në kosh, por për njerëzit e mençur të penës mundet të jetë një mënyrë për ta kultivuar një ide e për të provuar se deri ku të çon. Ndaj, kur më ndodh të ndesh në Facebook në ndonjë shkrim a varg shkrimesh të ndonjë shkrimtari, e di cili libër do të botohet vitin pasues. Kjo nuk është një praktikë për t’u çuditur, publicistët botojnë shpesh përmbledhje të shkrimeve që i kanë të shpërndara nëpër gazeta.
Kështu, kur Enver Robelli vjet në verë nisi me serinë e shkrimeve në Facebook me titull “Rrëfim për një ditë të bukur”, e dija se nuk do të vononte dhe do të vinte ky libër, “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”, botuar nga KOHA. E mora hua për lexim në Stockholm, e nisur nga përvoja e shkrimeve të mëparshme brilante të Robellit. Sigurisht, nuk është e thënë se çka funksionon në një platformë, do të funksionojë edhe në një tjetër. Është si me dating. Del dhe ha darkë me dikë, disa herë ndoshta, të shkon biseda, sytë ndrijnë, madje edhe më tepër, por nuk mund ta dish se është një relacion që mban edhe në mëngjeset me flokë të pakrehur dhe në drekat pa oreks. Prandaj edhe nisa ta lexoj me drojë, a thua ma mban leximin ky libër? Ti, i dashur lexues i këtyre radhëve, ndoshta e do përgjigjen menjëherë? Eh, sikur të ishte kaq e thjeshtë me relacionet! Është e ndërlikuar, thotë Facebooku.
Rrëfimet e shkurtra të gazetarit Enver Robelli përcjellin kronologjikisht shekullin XX, me fokus më së shumti në jetën e shkrimtarëve nobelistë, por jo vetëm. Duhet ta them që në fillim se, në sytë e mi, nuk ka send më të mërzitshëm se jeta e shkrimtarëve. E gjithë ajo degë e kritikës letrare që merret me biografinë e shkrimtarëve, me interpretimin e veprës nëpërmjet ngjarjeve të jetës së tyre, më duket kaq e mërzitshme. Ç’rëndësi ka për leximin tim të “Metamorfozës”, nëse Kafka u shënua përjetë nga dënimi që i dha i ati duke e përzënë në ballkon (fq.46)? Apo për leximin e “E di të vërtetën”, nëse Cvetajeva vrau veten në moshën 49-vjeçare (fq.114)? Apo historitë e dashurive kontroverse, njohje me shkrimtarë të tjerë, simpatitë politike, gjithçka që i bën këta shkrimtarë njerëz si gjithë të tjerët? Njerëzimi është i mbushur me histori kurioze, por kjo nuk i bën të gjithë shkrimtarë. Biografia është një çelës kaq i thjeshtë interpretimi dhe hap dyer që mezi presin të hapen. Arti dhe letërsia janë, në sytë e mi, një esencë që gatitet në një plan tjetër, janë pija që çlirohet në qiellzën e lexuesit, jo në përbërësit që zihen në kazan.
Por ndërsa lexoj librin, kuptoj një dallim të rëndësishëm të tij nga copëzat e Facebookut: libri nuk ka fokus në ngjarjet e jetës nobeliste per se, por rrëfen shekullin nëpërmjet saj. Çmimi Nobel, që u nda për herë të parë në vitin 1901, s’është veçse një metaforë e shekullit. Në këtë mënyrë, jeta e shkrimtarëve është interesante jo si shpjegim i veprës, por si shfletim historik. Kjo gjetje e kornizës e mban librin. Dhe e mban fort mirë. Libri është funksional dhe e ndiej si rehatohem në kolltuk gjatë leximit, siç rehatohesh në një lidhje të mirë. Homoseksualizmi i Selma Lagerlöfit, për shembull, në një kohë kur homoseksualizmi ishte i dënueshëm me ligj (fq.23). Përndjekjet naziste të Else Lasker-Schülerit si shenjë e dhunës naziste jo vetëm ndaj hebrenjve, por edhe ndaj emancipimit të grave (fq. 87). Apo historia e “Nobelit” të Ivo Andrić (fq.158), si lexim i politikave antishqiptare të kohës.
Me sytë e Robellit shfaqet një shekull, që ashtu si komiteti i çmimit Nobel, bie gjithë kohën pre e politikave dhe interesave të klasave të caktuara, ndërkohë që arrin të nxjerrë në pah maja të shndritshme të njerëzimit. Stili është tipik gazetaresk, intensiv dhe efektiv, me një sintaksë të zhdërvjellët, që vjen si ujë i freskët burimi për lexuesin e lodhur nga ngërçi i fjalive të portaleve. Ajo që i mungon librit për një shfletim të tillë historik, megjithatë, është aparati referencial. Në fund të librit duhet të ishte lista e emrave të përmendur (që do të ndihmonte lexuesin të orientohej në libër), si edhe kategorizimi, të paktën kohor, i referencave. Nuk mjafton bibliografia e përgjithshme me libra voluminozë, pa asnjë diferencim të dallueshëm. Ashtu si nuk mjafton justifikimi, se “kemi hequr dorë nga fusnotat” (fq.6) për shkak të natyrës publicistike të librit.
Pjesët më të bukura të librit janë ato kur pena e ngjarjeve ngjyhet në kontekste shqiptare. Se sado të jenë interesante historitë, më së shumti evropiane, që rrëfehen, ato i gjen kudo nëpër enciklopedi dhe biografi. Por syri shqiptar e do të vetën. Kush përpos nesh ka dëshirë të rrëmojë në arkiva që kanë të bëjë me ne? Kështu historia e transmetimit në shqip të BBC (fq.59), Max Frisch në Manastirin e Deçanit (fq. 84), mbërritja e Joseph Rothit në Shqipëri (fq. 88), episode nga jeta e Aleksandër Moisiut (fq. 99), lidhja stërgjyshore vrastare e Nazim Hikmetit me Gjakovën (fq. 137), Ehrenburgu dhe Shqipëria (fq. 144), Peter Bartl dhe albanologjia e tij alpiniste (fq. 230), etj, etj. Detaje të tilla e bëjnë librin edhe më interesant. Gjithashtu, sa herë që libri bën një zhytje në realitetin shqiptar të kohës, ndërsa tregon diçka tjetër, atëherë krijon një paralele historike që e ndeshim rrallë, ç’po ndodhte në viset tona ndërkohë? “Kafka u dashurua në gusht të vitit 1912, kur – meqë ra fjala – kryengritësit e Kosovës kishin marshuar drejt Shkupit për t’i dëbuar sunduesit turq.” (fq. 47).
“Rrëfimet më të bukura (dhe nganjëherë më interesante) i shkruan jeta”. Kështu i përfundonte zakonisht Robelli rrëfimet e veta në Facebook. Për fat, një formulë e tillë, nuk rikthehet në libër. Të bëra bashkë në libër, rrëfimet përshfaqin qartë një kronikë të përgjakshme, në të cilën shumica e personazheve vriten nga vetja apo nga të tjerët. Nuk ka vend për romantizime facebookiane në shekullin e një çmimi që fitohet vetëm nga shkrimtarë që i kanë mbijetuar veprës së vet. Një shekull që e fituan vetëm ata që mbetën gjallë.
Ky shkrim është botuar për herë të parë në gjeli.info. Botohet në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore” me leje të autores