Fatkeqësisht, sikur shumë herë përgjatë shekullit XX, shoqëria kosovare e manifestoi harresën dhe neglizhencën ndaj ngjarjeve që tashmë ishin pjesë e historisë së dhimbshme të viteve të pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta të shekullit XX, dhe kjo u pa sidomos në “shfaqjen e harresës kronike” dhe një sjellje e tillë i irritoi edhe qarqet intelektuale të Kosovës. Mungesa e akuzave konkrete, mungesa e dëshmive në vazhdimësi do ta kenë irrituar kreun e së përditshmes “Rilindja” që në gjysmën e nëntorit të vitit 1966 ta publikojë një shkrim me titull “Për çka po heshtni” dhe kjo thirrje në formë revolte vinte, për shkak të mungesës së paraqitjes së njerëzve para komisioneve përkatëse, ku ata mund të flisnin për përjetimet e tyre, pësimet, dhunën etj., pra dëshmitarë dhe përjetues të drejtpërdrejtë të ngjarjeve të rënda përgjatë viteve 1956 – 1966
“E kishim një njeri që luftonte kundër Shqipërisë, që Kosova të mos i bashkohej asaj!”
Në vijim do të paraqesim pjesë nga reagimet që atëbotë u manifestuan gjithandej ish-Jugosllavisë pas mbajtjes së Plenumit të Brioneve. Ndër materialet e arkivuara janë edhe reagimet e ndryshme të qytetarëve të radhitura nën emërtimin “Disponimi i përkohshëm”, por edhe i nëpunësve të ndryshëm, duke filluar nga niveli lokal e deri te strukturat e larta të shtetit.
“Në Krahinën Autonome të Kosovës, vendimet e Plenumit të Katërt patën jehonë të madhe. Qytetarët u dhanë përkrahje të fuqishme vendimeve të KQ dhe i gjykuan deformimet e paraqitura në Shërbimin e Sigurimit. Qytetarët janë veçmas të pezmatuar me sjelljet e Svetislav Stefanoviqit. Qytetarët i kanë përcjellë me vëmendje lajmet lidhur me plenumin, por duhet potencuar se ato ditë edhe shtypi ditor është shitur shumë shpejt” – thuhet në këtë dokument të cilit i është bashkëngjitur edhe një deklaratë e një qytetari serb nga Mitrovica.
“E kishim një njeri që luftonte kundër Shqipërisë dhe që Kosova të mos i bashkohej asaj. Prandaj pyes se kush do të na mbrojë tani prej Shqipërisë!” Ndërsa një serb nga Leposaviqi pyeste “se pse Plenumi i Katërt ishte mbajtur në Brione e jo në Beograd”, po ashtu një qytetar në Ferizaj pyeste se a “janë të vetëdijshëm Rankoviqi dhe Stefanoviqi se çfarë gabimesh kanë bërë, pasi ato do të reflektohen në zhvillimin tonë...”. Ndërsa një qytetar shqiptar në Prishtinë pyeste se “a vlenin vendimet e plenumit edhe për Shërbimin e Punëve të Brendshme apo vetëm për UDB-në?” etj.
Në spektrin e gjerë të reagimeve janë ruajtur edhe reagimet siç thuhet “në baza nacionaliste” në territorin e RS të Serbisë (përfshi edhe deklaratat e serbëve të Kosovës) që janë sistemuar më 11 korrik të vitit 1966. “Ja e kishin një politikan serb dhe atë e shkarkuan”, është deklarata e një qytetari serb në Mitrovicë. “I dëbuan serbët” etj.
Ndërsa prej reagimeve në republikat e atëhershme të Jugosllavisë i kemi veçuar reagimet në komunën e Ulqinit ku shqiptarët e kishin ngritur shqetësimin se “athua vallë vendimet e Plenumit të Brioneve do të zbatohen deri në fund! Se deri më tani UDB-a kishte jetuar në kurriz të qytetarëve” madje uliqinakët e kishin përdorur edhe një shprehje tallëse që ka zënë në vend ndër materialet e evidentuara dhe ajo thotë. “Urdhëroni, hyni lirisht në këtë hapsirë se aty nuk janë vendosur mjetet e përgjimit”.

Është interesant edhe reagimi nga Universiteti i Ljubljanës, ku përveç tjerash thuhet se “është e domosdoshme që të kemi sa më tepër kuadro të diplomuara që nuk duhet të jenë vetëm ekspertë në kuptimin e ngushtë dhe të jenë të lidhur vetëm për makinat e prodhimit, por ata të jenë ekspertë të dijeve më të zgjeruara”. Ndërsa nga RS e Maqedonisë reagimet kishin ardhur nga Tetova ku madje potencohet veçmas “se diskutuesit kanë qenë të guximshëm dhe kërkesa e tyre është që pastrimi të fillojë nga niveli i Kuvendit Komunal dhe të vazhdojë deri në nivelet më të larta. Veçmas duhet qëruar hesapet me individët e UDB-së, pasi veprimtaria dhe keqpërdorimet e tyre kanë ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe maqedonasve”.
Në radhën e letrave dërguar KQ të LKJ dhe Titos është edhe ajo nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Prishtinës. “Jemi të vetëdijshëm për deformimet burokratike që vitet e fundit e kanë përfshirë shërbimin, por jemi të gatshëm që të çlirohemi prej këtyre telasheve”, thuhet në të.
Ndërsa në Gostivar përfaqësuesit e strukturave lokale (shqiptare) kishin kërkuar “dënime për Aleksandar Rankoviq dhe Svetislav Stefanoviqin”.

Përkrahja ndërkombëtare dhe letrat kërcënuese drejtuar Titos
Lidhur me ngjarjet rreth Plenumit të Brioneve me interes të veçantë janë edhe reagimet ndërkombëtare. Sa i përket qëndrimit të State Departamentit të SHBA-së, në reagim është thënë se “State Departamenti është i befasuar me vendimet e aprovuara në plenum dhe se ekziston bindje e plotë se aksioni i KQ të LKJ të Jugosllavisë mundet t’i përshpejtojë proceset ekonomike dhe reformat në Jugosllavi, me çka forcohet prestigji i shtetit në botë”. Më pas nga State Departamenti është tërhequr vërejtja se “është e rëndësishme që çështja është zhvilluar në mënyrë të hapur dhe publike, pa përdorim të mjeteve ekstreme me çka është dëshmuar se njëherësh në këtë vend ka përparuar procesi demokratik”. Në fund të këtij reagimi është thënë se “State Departamenti është duke e përcjellë situatën me kujdes sidomos në planin e marrëdhënieve midis kombeve!”
Ndërsa reagimi nga Bashkimi Sovjektik ka ardhur nga biseda që kreu i shtetit Leonid Brezhnjev, atëbotë e ka pasur me ambasadorin e shtetit jugosllav në Moskë.
“Brezhnjev përpiqej që të distancohej nga mundësia që Rankoviqi personalisht i është referuar dhe i ka besuar atij dhe se marrëdhëniet ndërshtetërore kanë qenë dhe mbeten të mira”, thuhet në materialin e emërtuar shkurt “Brezhnjev”.
“Likuidimi i Aleksandar Rankoviqit, të cilin ipeshkvit katolikë e kanë akuzuar për shkak të përndjekjes së Kishës Katolike, është manifestim i krizës së brendshme që e ka përfshirë shoqërinë jugosllave në të gjitha fushat e jetës. Vatikani edhe më herët ka pasur informacione për rrymat “demokratike” të Kardel dhe “totalitare” të Rankoviqit. Vlerësojmë se ky qërim hesapesh në Jugosllavi nuk do kalojë pa pasoja, veçmas midis qarqeve serbe”, është shkruar në reagimin e Vatikanit rreth shkarkimit të Aleksandar Rankoviqit.
Por, megjithatë duhet të kujtojmë se në materialet e Komisionit Verifikues është konstatuar se “Aleksandar Rankoviq dhe grupi i tij ka shfaqur interes të veçantë për marrëdhëniet e Jugosllavisë me shtetet e Bllokut Lindor, prandaj edhe është synuar që të arrihet kontrolli i plotë mbi ato marrëdhënie. Kështu shumica e pozitave në përfaqësitë diplomatike jugosllave, në vendet e Bllokut Lindor është plotësuar me njerëz nga radhët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror. Shërbimi i Kundërzbulimit të UDB–së, kishte arritur që praktikisht të realizojë kontrollin e plotë mbi politikën tonë të jashtme ndaj Shqipërisë”, thuhet qartë në njërin prej materialeve të arkivuara. Ndonëse ndër masën e madhe të materialeve mungon reagimi i Shqipërisë zyrtare, megjithatë ai është përfshirë në rubrikën e shkrimeve të shtypit ndërkombëtar lidhur me ngjarjet rreth Plenumit.
“Shtypi shqiptar po e shfrytëzon Plenumin e Katërt për forcimin e fushatës kundër Jugosllavisë. Komentet rreth ngjarjeve janë përplot fyerje në llogari të shtetit të Jugosllavisë dhe në këto shkrime gjithkund është prezente teza e dëshmimit të qëndrimit të drejtë të vlerësimeve zyrtare shqiptare në raport me Jugosllavinë”.
Me interes janë edhe letrat që i janë dërguar Josip Broz Titos, dhe ato janë karakterizuar si “armiqësore”. Janë të arkivuara 11 sosh të gjitha anonime, 8 janë nga Serbia 1 prej Sllovenie por që është verifikuar se nuk është e shkruar prej qytetarit të përkatësisë sllovene, 1 prej Kroacie dhe 1 prej Parisi.
“Rankoviqi dhe Stefanoviqi janë degraduar sepse janë serbë, prandaj në mënyrë ultimative duhet anuluar vendimet e Plenumit”, është shkruar në letrat anonime, por ato në përgjithësi bartin tone dhe ngjyrime kërcënuese se “se Titoja deri më tani e ka ndërmarrë veprimin më të gabuar, pasi ai nuk duhet të harrojë se në duart e serbëve janë ushtria dhe policia. Serbia nuk do të pajtohet kurrë me këtë goditje”, është shkruar në to.
Përgjegjësit, përgjegjësia, harresa dhe heshtja në Kosovë
Mirëpo, fatkeqësisht sikur shumë herë përgjatë shekullit XX, shoqëria kosovare e manifestoi harresën dhe neglizhencën ndaj ngjarjeve që tashmë ishin pjesë e historisë së dhimbshme të viteve të pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta të shekullit XX, dhe kjo u pa sidomos në “shfaqjen e harresës kronike” dhe një sjellje e tillë i irritoi edhe qarqet intelektuale të Kosovës. Mungesa e akuzave konkrete, mungesa e dëshmive në vazhdimësi do ta kenë irrituar kreun e së përditshmes “Rilindja” që në gjysmën e nëntorit të vitit 1966 ta publikojë një shkrim me titull “Për çka po heshtni” dhe kjo thirrje në formë revolte vinte për shkak të mungesës së paraqitjes së njerëzve para komisioneve përkatëse, ku ata mund të flisnin për përjetimet e tyre, pësimet, dhunën etj. pra dëshmitarë dhe përjetues të drejtpërdrejtë të ngjarjeve të rënda përgjatë viteve 1956 – 1966. Padyshim se një qëndrim i tillë pasiv i kishte gëzuar vetë ideatorët e “Aksionit të mbledhjes së armëve”. Kështu sipas dëshmisë së vetë Vojin Lukiqit, numri i përgjegjësve të Shërbimit Brendshëm që u dënua ishte fare i vogël dhe madje ky kryekriminel është ankuar se edhe ata pak funksionarë që janë dënuar nuk e bartnin ndonjë faj!
Në radhën e funksionarëve të dënuar ishin, kryeshefi i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Pejë -Vujo Vojvodiq që ishte dënuar me pesë vjet burg nën akuzën se i kishte hedhur në kurth disa shqiptarë të cilët ishin vrarë nga forcat e sigurisë, më pastaj kryeshefi disavjeçar i Shërbimit të Punëve të Brendshme në Gjakovë dhe Mitrovicë, Jovo Bajat që ishte dënuar vetëm me gjashtë muaj heqje lirie, edhe pse u akuzua për vrasjen e tre shqiptarëve, kryeshefi i Shërbimit Shtetëror të Sigurisë në Gjakovë, Mirko Iliqi u mbajt në burg vetëm dy muaj për shkak se e vrau Rexhë Dervishajn, gjithashtu me dy muaj burg u dënua kapiteni i milicisë Vllado Dashiq, edhe pse u akuzua për vrasjen e dy shqiptarëve, ndërsa punëtori (inspektori) i Shërbimit të Sigurisë së Shtetit në Pejë, Mile Vujoviq u dënua me dy muaj burg, për shkak të “detyrimit me dhunë” të pranimit të veprës të një qytetari shqiptar! Nga puna u përjashtuan kryeshefi i stacionit të Punëve të Brendshme në Pejë, Mile Kostiq dhe inspektori i milicisë po ashtu në Pejë, Golub Dançiq”.
Ndonëse Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Krahinës së Kosovës në fund të shtatorit e kishte formuar Komisionin për Hetimin e Deformimeve dhe Keqpërdorimeve në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror në Kosovë, po ashtu më vonë u ngritën edhe komisione në nivel të shtatë qendrave: në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. Mirëpo në bazë të raporteve dëshmitë janë fare të vogla. Kjo shihet nga raporti i 3 nëntor të vitit 1966, kur Komisioni Krahinor ia dorëzoi atë kryetarit të Kuvendit të Kosovës. U verifikua se në komision kishin arritur 885 ankesa apo akuza. Prej tyre 814 me emër e mbiemër, ndërsa 71 ishin anonime. Pra, thirrja “Për çka po heshtni” e së përditshmes “Rilindja” ishte njëherësh edhe thirrje revolte, pasi ishte e pamundur që në dhjetë vjet e më tepër të ushtrimit të terrorit mbi shqiptarët gjithandej Kosovës, kur edhe vetë zbatuesi i këtij terrori Aleksandar Rankoviq por edhe bashkëpunëtoret e tij dëshmonin se në Kosovë ishin mbledhur 26.000 armë, numri i ankesave nuk e kalonte numrin 1000! Kështu më së shumti ankesa – akuza ishin ngritur në Skenderaj 164, në Gjakovë 114, Prishtinë 112, Prizren 50 dhe Pejë 44. Ndërsa duhet kujtuar se në Pejë, UDB-ja kishte eksperimentuar me qytetarët pejanë! Prandaj, dhe në këtë frymë “të heshtjes” dhe paksa të frikës nga kundërreagimi i Serbisë kundër vetë Titos, më 9 dhjetor të vitit 1966 pas leximit të raportit të Komisionit Shtetëror për “Fraksionin komplotist të grupit të Rankoviqit” dhe pasi u konstatua “veprimtaria antikushtetuese e këtij fraksioni, keqpërdorimet, nacionalizmi dhe veprimtaria politike antivetëqeverisëse, me vendim të Josip Broz Titos, Aleksandar Rankoviq u abolua, pra ai u lirua nga ndjekja e mëtejshme”.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë
© KOHA Ditore