Muhamed Kërveshi shquhet, mbi të gjitha dhe para së gjithash, si poet, si poet me një zë të veçantë artistik. Qoftë edhe nga një lexim panoramik, por i kujdesshëm, konstatohet se poeti Kërveshi është poet i variacioneve poetike, i këndvështrimeve origjinale e të papërsëritura, të reja, nga libri në libër
Të përpiqesh të ndërtosh portretin krijues të Muhamed Kërveshit, duke përfshirë tiparet, dimensionet dhe karakteristikat e shumta e të ndryshme të këtij portreti, është pothuajse e pamundshme në një ngjarje a akademi letrare me karakter ceremonial e prezantues. Pra, ta rindërtosh portretin i tij krijues, qoftë edhe në vija të trasha, është një përpjekje komplekse. Përse e them këtë? Krijimtaria e këtij krijuesi shtrihet në një hark kohor mbi gjysmë shekulli dhe, po ashtu, opusi i tij krijues numëron mbi 60 vepra zhanresh e formash të ndryshme artistike. Kur e ke këtë parasysh, atëherë nuk mbetet tjetër pos që, ashtu në vija të trasha, ta prezantosh në ato dimensionet që mendohet se janë karakteristika esenciale të veprës së tij, qoftë kur ke parasysh Muhamed Kërveshin si poet, qoftë si tregimtar e romancier, qoftë si dramaturg, qoftë si studiues të letërsisë, qoftë si përkthyes të prozës e të poezisë.
Zë i veçantë artistik
Sado në të gjitha fushat ku ka zhvilluar aktivitetin e tij krijues ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë dhe në kulturën shqiptare, profesori Muhamed Kërveshi shquhet, mbi të gjitha dhe para së gjithash, si poet, si poet me një zë të veçantë artistik, vitaliteti i të cilit, as nuk është pakësuar e as nuk është zbehur. Që nga artikulimet e hershme poetike, që nga “Ngjyrat e dashurisë”, të botuar në vitin 1964, në përmbledhjen me poezi “Portretet në miniaturë” dhe “Hijet”, të gjitha të botuara në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar; që nga përmbledhjet poetike “Rrathët”, “Piramidat” e deri te “Ura”, të botuara në vitet ‘70, që nga “Sheshi i ditës” dhe “Loja në vazhdime” të viteve tetëdhjetë, le të përmend vetëm disa përmbledhje të këtij dhjetëvjetëshi poetik, përkatësisht qysh nga përmbledhjet poetike “Trokitje”, “Syri i Kosovës” apo “Shirat flasin”, të botuara në vitet nëntëdhjetë, “Jetë guri”, “Zjarri i përqafuar”, “Liria e vonuar”, “Shkodra ime”, “Rrënjët”, “Mërzia e Mitrovicës” dhe “Zanoret”, përmbledhje e libra poezish të botuara në shekullin tonë, madje këto dy të fundit, të botuara këtë vit, të gjitha vepra poetike, po edhe ato që nuk u përmendën, në rrugëtimin e tyre kohor, shquhen për një thellim dhe zgjerim të temave, të motiveve, të ideve, koncepteve, observacioneve dhe meditimeve poetike. Njeriu, qoftë si studiues, qoftë si lexues i zakonshëm, kur mendon për një produksion të këtillë poetik në këtë shtrirje kohore, natyrshëm pyetet lidhur me energjinë krijuese, lidhur me burimet e kësaj energjie, lidhur me frymëzimin poetik dhe kultivimin e frymëzimit poetik, lidhur me gjuhën poetike dhe larminë e saj. Dhe, qoftë edhe nga një lexim panoramik, por i kujdesshëm, konstaton se poeti Kërveshi është poet i variacioneve poetike, i këndvështrimeve origjinale e të papërsëritura, të reja, nga libri në libër. Përse e them këtë? Mjafton, le të marrim vetëm disa nga librat poetikë të botuar këtë dhjetëvjetëshin e fundit, dhe le të konstatojmë se, e para, disa nga temat dhe motivet e përhershme, siç janë guri, qëndresa, malli, mërzia, melankolia, shpresa, Drini i Bardhë, Mitrovica dhe të tjera, janë objekt këngëtimi prej libri në libër, objekt këngëtimi, i cili pasurohet e zgjerohet, po ashtu, prej libri në libër. Mjafton të shihet se si poeti i këndon gurit, dhe këtë e bën që nga rinia e tij krijuese, dhe, kur i këndon, në ciklin e dytë të librit poetik “Gurët e lartësive”, i këndon në nivel cikli, në njëzet variacione, nga Guri i Kuq e deri te Guri i vetmuar, përkatësisht përshëndetjet e gurëve të lartësive, kur poeti këngëton, te “Guri plak”; “Nuk di askush/ sa vjet i ka/ as yjet as dielli/ stinët flasin me të/...” apo te “Guri i qiellit” – “flet me zë qielli/me largësitë kur zgjohen/ mundohet t'i afrojë/ qiellin e tokën...”. Në po këtë libër poetik, të botuar në vitin 2015, poeti i këngëton, në 11 variacione, Drinit të Bardhë në ciklin poetik Drini i Bardhë në kujtesë. Në të vërtetë, ky libër poetik, si edhe pjesa më e madhe e librave poetikë të Muhamed Kërveshit, janë të ndërtuara nga cikle koherente tematike, motivore dhe ideo-filozofike, ku shquan qasja meditative dhe observacioni artistik i objektit të këngëtimit nga këndvështrime të ndryshme, nga perspektiva dhe nga disponime origjinale e të ndryshme artistike, gjë që leximin e poezive të këtyre cikleve apo të librave poetikë e ruan nga monotonia, nga përsëritja e vetvetes dhe njëtrajtësia poetike.
Obsesioni artistik – Mitrovica
Dua të marr vetëm edhe një shembull, i cili flet për logjikën e këtillë funksionale të ndërtimit të cikleve poetike, atë që, me të drejtë, mund të quhet obsesion, obsesion artistik i poetit: Mitrovicën. Topika Mitrovicë është një nga topikat më të shpeshta të Muhamed Kërveshit dhe atë e gjejmë, në formacione të ndryshme, te disa përmbledhje poezish. Pra, le ta shohim, sipas rendit kronologjik, paraqitjen e obsesionit poetik: e gjejmë në librin “Në jetën tonë ka gjelbërim” (2014), te poezia “Veriu i Mitrovicës pasqyrë”, ku me ndjeshmëri të hollë dhe në frymën e përgjithësimit të qëlluar artistik thuhet: “Secili nga ne/ shihemi mirë/ në këtë pasqyrë/ aty/ e njohim/ njëri-tjetrin/ edhe shihemi/ se kush jemi/ kush nuk jemi/ sa afër/ sa larg kjo pasqyrë.” Libri poetik “Gurët e lartësive” (2015) hapet me ciklin poetik “Mërzia e Mitrovicës”, që përbëhet nga 16 njësi poetike, në të cilat, në secilën prej tyre, i këndohet qytetit të ndarë nga perspektiva të ndryshme, me tone e intonacione të ndryshme, me amplituda emocionale e psikologjike të ndryshme. Në vitin 2018 poeti boton librin poetik “Mërzia e Mitrovicës”, i cili, i tëri, fund e krye, i kushtohet këtij qyteti, i cili ka pushtuar hapësirën e botës artistike të poetit dhe, me këtë dua të vë në spikamë faktin se krijuesi Muhamed Kërveshi rrugëtimin e tij të gjatë poetik e realizon jo vetëm në gjerësi, por edhe në thellësi, në thellimin sistematik në botën e objektit të këngëtimit të tij poetik.
Observacionet për probleme teorike e estetike
Prof. dr. Muhamed Kërveshi, përkthyes i letërsisë franceze, është edhe një nga studiuesit e përkushtuar të kësaj letërsie, me të cilën është shumëfish i lidhur: fillimisht si studiues i saj, si profesor i letërsisë frënge me dhjetëvjetësha të tërë e pastaj apo krahas studimit akademik të saj, edhe si përkthyes i kësaj letërsie, posaçërisht i poezisë frënge të të gjitha periudhave dhe formacioneve stilistike. Libri, i cili e përfaqëson një dimension adekuat të portretit krijues të Muhamed Kërveshit është libri me ese, me titullin “Thellësitë e hapësirave poetike” (2017). Ky libër përbën një rezultat të natyrshëm dhe të pritur të veprimtarisë së gjatë e të frytshme të këtij krijuesi të letërsisë shqiptare dhe studiuesi të letërsisë franceze. Libri me ese e studime “Thellësitë e hapësirave poetike” është organizuar në dy pjesë, të cilave iu prin një hyrje, e cila shtjellon dhe zbërthen kategorinë artistike të frymëzimit si pjesë e pashmangshme e procesit krijues, që, në një mënyrë, artikulon jo vetëm konceptin dhe vetëdijen teorike kritike të autorit, por zbulon edhe një pjesë të intimes krijuese të këtij poeti, të laboratorit të tij artistik. Në kreun e parë të këtij libri janë tema universale të shkruara me një gjuhë tipike eseistike, siç janë: esetë “Imazhi poetik”, “Poezia jonë portret i së përditshmes sonë”, “Natyra”, “Piktura më e përsosur e pranisë së padukshme”, “Sizifi diku njeri, diku popull”, siç e tregojnë edhe titujt e këtyre eseve, artikulojnë shestimet dhe observacionet e krijuesit Muhamed Kërveshi për probleme të natyrës teorike e estetike, për probleme të cilat e përcjellin krijimin dhe aktin krijues në dimensione esenciale të të qenit artistik. Këto ese janë të shkruara, që është karakteristikë e këtij libri me ese, me gjuhën dhe me vetëdijen paralele të krijuesit dhe të teorikut, e cila sajohet natyrshëm si kombinim i rrafshit konotativ dhe denotativ të artikulimit intelektual e artistik dhe dëshmon edhe një herë atë përparësinë e kombinimit të artit dhe të vetëdijes poetike e imagjinatave me gjuhën dhe me logjikën racionale, diskursive.
Kreu i dytë i librit “Thellësitë e hapësirave poetike” përqendrohet në autorët më eminentë të trashëgimisë kulturore, artistike e letrare franceze, në autorë të mëdhenj, që nga periudha e mesjetës, si eseja “Fransua Vijon, nga periudha e romantizmit” eseja “Hygoja jehonë e shekullit të tij”, apo në autorë kapitalë të letërsisë moderne franceze, siç është fokusimi i posaçëm në Sharl Bodlerin dhe esetë e shkruara për te “Jeta dhe vepra e Sh. Bodlerit”, “Disa veçori të poezisë së Sh. Bodlerit”, “Mërzia e Parisit”, “Portreti i Sharl Bodlerit”, apo përqendrimi në poezinë e autorëve të tjerë simbolistë, si: Stefan Malarme, Pol Verlen, Artyr Rembo, pastaj në ata modernë, si: Gijom Apoliner, Pol Elyar, Pol Valeri, Zhak Prever dhe nobelisti Albert Kamy, të cilët me ndjeshmërinë e tyre edhe sot e kësaj dite janë shumë aktualë dhe komunikojnë me lexuesin bashkëkohor. Do të doja të theksoja posaçërisht esetë “Konfrontimi i idealit dhe i së përditshmes në poezinë e Stefan Malarmes”, “Artur Rembos - Jeta dhe arti shtinë në ferr”, “Metafora në poezinë e Pol Elyarit”, si ese të shkruara me një përqendrim të veçantë.
Përkthyes i përkushtuar i letërsisë franceze
Do theksuar edhe një fakt të rëndësishëm, i cili flet në një mënyrë të veçantë për frymën e autorit, të krijuesit Muhamed Kërveshi, i cili njihet si një nga përkthyesit më të përkushtuar të trashëgimisë letrare e artistike franceze: faktin se krijuesi Muhamed Kërveshi i ka përkthyer të gjithë poetët e sipërpërmendur, që nënkupton një komunikim në një rrafsh të veçantë të përkthyesit me poetët e me poezinë e tyre dhe atë rrafshin tjetër të komunikimit, të komunikimit prej një pozicioni eseistik të analizës, të interpretimit dhe të vlerësimit të këtyre poetëve, të cilin e shquan një kulturë dhe një përvojë e gjerë letrare e artistike. Këtu do theksuar përparësinë evidente, që e krijon njohja në nivel të përkthimit dhe të komunikimit me origjinalin e tekstit poetik, i cili, duke kaluar nëpër procesin e përkthimit, që përbën një nivel specifik të përjetimit të botës artistike të këtyre poetëve, krijon parakushte dhe kushte për një njohje më të thellë, për një komunikim më të shumanshëm edhe në nivel të analizës e të interpretimit të autorëve më të mëdhenj të trashëgimisë kulturore letrare franceze me çka mbushet një zbrazëti e madhe e studimit dhe e komunikimit me autorë shumë të njohur, letërsia e të cilëve e ka begatuar kulturën tonë letrare.
Kjo kumtesë e lexuar në Akademinë letrare në Pejë, 13 tetor, 2018 kushtuar Muhamed Kërveshit, është botuar për herë të parë në “Shtojcën për kulturë” të “Kohës Ditore” më 27 tetor 2018. Ribotohet pa ndërhyrje madhore, në shenjë kujtimi të poetit, përkthyesit e profesorit Kërveshi i cili vdiq të premten më 14 shkurt të vitit 2025 në moshën 90-vjeçare.
Ars Poetica
Muhamed Kërveshi
(1935 – 2025)
Kosova
Është
diell i vogël
Fle me gjumin e qiellit
flet
edhe me gjuhën e gurit
edhe të flakës dhe të zjarrit
sytë e saj
etje e hënës
shikimet e saj
shigjeta të yjeve
perdet e terrinës
po dridhen
është
diell i vogël
me dhëmbë