Synimi i Mulliqit mbeti “ngjallja” e figurave nga kujtesa historike. Ndryshe të shikohen ato dhe t’i iket ikonografisë së realizmit socialist. Përballemi me të përkryerën dhe praninë e hyjnive që mund të jenë dhe njerëz të përditshëm. Latimi në bronz dhe mesazhet e dhëna përmes detajeve të bindin se ajo ishte punë vetmie, do të thoshte Heminguej. Në të dy brigjet e Drinit, veprat e Mulliqit sollën freski në të konceptuarit e ideve dhe dëshmuan së në skulpturë ai sillte diçka të veçantë që ka munguar
Mjafton të zbulosh një detaj në secilën vepër të artit që të depërtosh në qenësoren. Ai bën të jetë dhe çelësi fatlum, ku interpretuesi vazhdon leximin e mesazheve dhe njihet me konceptin e krijuesit mbi problemin që shtron. Në ekspozitën personale të Luan Mulliqit në Nju-Jork (1995) ishte ekspozuar dhe instalacioni “Eksodi”. Ishin hedhur hapa, ca lodra nga bota fëmijërore dhe në një skaj një abetare, që te shikuesi zgjonin dhe frikën se ku shpinte udha e panjohur. Njeriu gjendej në hapësirën, e cila u bë sinonim i zbrazëtisë. Ngërthente tragjizëm, që e kishim hasur edhe me parë te krijues të tjerë.

Në mes dy luftërave eksodet shqiptare, të shkaktuara nga gëlltitjet e fqinjëve ose gjendja e rëndë sociale në vend bënë të ndodhnin probleme edhe me kujtesën. Ato ishin të shpeshta dhe nuk pranin. Ishin shndërruar në problem të qenies. Piktorit të njohur me origjinë gjakovare Abdurrahim Buzës nuk i shpëtoi elaborimi i këtij fati të zi që e kishte goditur popullin e tij. Zbrazjen e hapësirës e kishte vënë në spikamë. Disi u bë çështje hamletiane për kombin. Në instilacionin “Eksodi” të Luan Mulliqit derdhja ishte më e theksuar, ku me pak elemente jepet tragjedia e atyre, që u mungojnë atdheu dhe identiteti. Ndjekjet e eksodet merrnin përmasa gjenocidale. Edhe tej shkretëtirave të Anadollit, shkelej udhë e zezë, ku shkallëzoheshin dhe fatkeqësitë. Madje edhe harrimi, që kërcënonte kujtesën. Ndeshemi me një poetikë të zymtë. Po qe se vazhdojmë të lexojmë edhe gjësendet e tjera të hedhura në udhë, nuk mund të mos i mbyllim sytë.
E shohim se dhimbja është pika më e lartë e krijimit. Përgatitja librin me shkrime diskursive me titull rrëqethës “Tkurrja e atdheut”. Xhuxhllëku ishte bezdisës, rrugët e boshatisura të lagjes, të qytetit tim, të vendit tim. Ç’forcë djalli i kapërdinte njerëzit?! Tek e shikoja katalogun e Mulliqit, m’u zgjuan asociacione tronditëse. Ishte fragment nga tragjedia e të ekzistuarit.
Synimi i Mulliqit mbeti “ngjallja” e figurave nga kujtesa historike. Ndryshe të shikohen ato dhe t’i iket ikonografisë së realizmit socialist. Përballemi me të përkryerën dhe praninë e hyjnive qe mund të jene dhe njerëz të përditshëm. Latimi në bronz dhe mesazhet e dhëna përmes detajeve të bindin se ajo ishte punë vetmie, do të thoshte Heminguej. Në të dy brigjet e Drinit veprat e Mulliqit sollën freski në të konceptuarit e ideve dhe dëshmuan se në skulpturë ai sillte diçka të veçantë që ka munguar. Nuk janë vetëm arti apo shqetësimet krijuese ndaj skulpturës që “ngacmonin” deri në përsosjen e latimit. Nga krijimtaria e tij e vonshme do të veçoja disa nga skulpturat monumentale:
1. Shtatorja e "Nënës Terezë”, e instaluar në aeroportin e Tiranës, që mban emrin e humanistes dhe nobelistes sonë nga Dardania, për të cilën në një takim me miqtë e vet Ismail Kadare tha: “Kjo shtatore ka një metaforë të rrallë që duke mbirë nga toka dëshmon për autoktoninë".
2. Monumentaliteti i veçantë vërehet edhe te shtatorja “Skënderbeu”, e parë nga një sfond tjetër, ku vlen të theksohet fiziku i tij me qëndrim të një diplomati të kohëve tona, i cili qendrave të vendosjes u sillte, me gjasë, pergamenën e fitores. Pra, pa shpatë e kalë të lënë në ndonjë muze historik.
Mirëpo, skulptori nuk merret vetëm me të kaluarën. Kujdes i ka kushtuar edhe së tashmes, duke spikatur figura dh momente dramatike të Kosovës nëpër të cilat kaloi. “Qielli i shpresës” për mua është vepër monumentale: dy duar që dalin nga thellësia e tokës me gisht të drejtuar kah qielli nga kishte ardhur shpëtimi ynë, thuajse dëshiron të na thotë: atje ishte Zoti ynë, NATO-ja kuptohet dhe bijtë tanë, pra fuqia hyjnore, amshueshmëria.
Ky tekst i akademik Ali Podrimjes (28 gusht 1942 – 21 korrik 2012) është marrë nga katalogu i ekspozitës së Luan Mulliqit, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në tetorin e vitit 2016