Baba Ali Tyrabiu (1900-1948), i njohur edhe si Baba Ali Tomorri, ishte njëri nga baballarët dhe intelektualët më të shquar të bektashizmit në Shqipëri. I shkolluar në Kozan, ai u inicua si myhib në teqenë e Prishtës, ku më vonë u gradua si dervish. Më 1922, ai e fitoi titullin ‘baba’ dhe mori përsipër teqenë e Kulmakut te mali Tomorr. Fryt i vullnetit dhe aftësive të tij organizative ishin tri kongreset botërore të bektashizmit gjatë viteve ‘20. Pena e tij përherë prodhimtare shkëlqeu duke autoruar libra të vyer mbi historinë e bektashizmit shqiptar, përfetarësinë dhe traditën e këtij urdhri si dhe plot kontribute e artikuj në shtypin e viteve ’30. Njëra prej veprave të tij është edhe “Historija e Përgjithëshme e Bektashinjvet” prej së cilës është shkëputur kjo pjesë. “Në këtë kohë pra, inteligjenca e idealizmës Shqiptare, e panë se lufta me pêndë nuk bënte punë; e më (1910-1911) pas Kr. ju përveshnë luftës me pushkë duke frymëzuar mâ parë Kryengritjet e përgjakëshme të Kosovës në Ferizoviq, Kaçanik, Gjillan dhe Gjakovë, ku u provua edhe një herë pesëqind vjet pas Skënderbeut se burrërija Shqiptare nuk kishte vdekure”, shkruan ndër të tjera ai
Vitet (1908-1909) pas Kr. duke përfituar nga çpallja e Konstitucionit të Turqisë dhe nga liria e rekllamuar prej Turqve të rinj të miemëruar “Jeune Turques” Shqiptarët intelektualë filluan t’i japin kombit të tyre mësimin e shkrimit të gjuhës së tij amtare; edhe nashti teqet e bektashinjet duke marë frymë të lirë ishin bërë po thuaj shkolla të kësaj gjuhe.
Por pas një kohe të shkurtër, Turqit e rinj, lirinë që kishin rekllamuar aqë bujarisht e abuzuanë.
Duke patur për qëllim çkombësimin e kombeve të huaj që i sundonin si dominuës shekullorë, ma parë ngjallë një intrigë për të ndryshuar shkrimin e shqipes nga germat latine në germa turqishte, por n’atë masë u gabuan, se Shqiptarët këtë herë nuk ishin në gjumë si edhe mâ parë, por ishin të zgjuarë.
Idealistët e panshqiptarizmës ju përgjeqnë me masa të preme duke mbrojtur rrebtësisht germat e gjuhës së tyre.
Metingu i Korçës q’u mbajt më (1909-1910) pas Kr. për këtë qëllim u përkrah e u shpirtësua prej Baba Hysejn Melçanit; Metingu i Përmetit u Kryesua prej Baba Abedin Frashërit; dhe ay i Beratit u përkrah prej Baballarëvet të Skraparit, Mallakastrës dhe Tepelenës, midis të cilëvet u çquajtnë Baba Shaban Prishta, Baba Behlul Therepeli dhe Baba Ismail Gllava.
E Turqit e rinj për të këthyer nga ana e tyre këta punëtorë të idealizmës Shqiptare, dërguan më (1910-1911) pas Kr. një farë Mustafa Hexhri baba nga Ankaraja, i cili shëtiti teqe më teqé në tërë Shqipërinë pa një sukses në misionin e tija.
Pas udhëtimit të Mustafa Hexhri babajt, Talaat beu (më vonë Talaat pashá) një nga krerët zhon turqë, vajti në teqen e bektashinjet në Selenik e u bë bektashi, që me anën e afrimit të tij në këtë dogmë të tërhiqte ndaj vedit Bektashinjt e Shqipërisë, por edhe kjo masë hypokritike dolli e pa frytëshme.
“Kryengritjet në Kosovë treguan se burrëria shqiptare nuk kishte vdekur”
Në këtë kohë pra, inteligjenca e idealizmës Shqiptare, e panë se lufta me pêndë nuk bënte punë; e më (1910-1911) pas Kr. ju përveshnë luftës me pushkë duke frymëzuar mâ parë Kryengritjet e përgjakëshme të Kosovës në Ferizoviq, Kaçanik, Gjillan dhe Gjakovë, ku u provua edhe një herë pesëqind vjet pas Skënderbeut se burrërija Shqiptare nuk kishte vdekurë.
Kryengritjen e Kosovës e vazhdoj mâ vonë ajo e Malësis së Shkodrës, dhe Shqipëris së mesme; viti (1911) pas Kr. siç kishin dalë nër male komitat e Elbasanit, Krujës dhe Korçës me fjalën “vdekje a liri” në gojë; alarmuan gjithë Shqipërinë Jugore edhe Çetat e Dervish Himës prej Struge, Izet Zavalanit, Namik Selim Delvinës, Musa Demit, Muharrem Kockës dhe Bektash Cakranit me shokë; vepra e të cilëvet u kurorëzua me një sukses të math në një mbledhje në teqen e Frashërit, vitin (1912) pas Kr., ku arrijti në ndihmë një bataljon Shqiptarësh të dezertuar nga armata turke nën kryesin e atdhetarit të pavdekur Tajar bej Tetovës.
Mbledhja e luftëtarëve të lirisë Shqiptare në këtë vit në teqen e Frashërit, bashkë me luftën e rrebtë të Kosovarëvet që shkelë si triumfatorë, qytetin e Shkupit, u quajt Kryengritje e përgjithëshme nga’ an’ e gjithë botës; në këtë kryengritje — ku të gjitha teqet e bektashivet muar pjesën mâ aktive — Baba Hysejn Melçani mori malet e u bashkua me Kryengritësit për të dëtyer edhe një herë flakën që i vlonte në shpirtin e tija në kohën e pleqërisë për lirin e kombit q’e nderonte si një udhërrëfenjës të shënjtëruar pa një të mettë.

Vetëqeverimi shqiptar zgjoi smirën e fqinjëve ballkanikë
Pra muajt’ e fundit të vitit (1912), Shqipëtarët triumfatorë të Kryengritjes kombëtare, kishin fituar disa privilegje nën sundimin e Turqisë që i paraqasëshin një vetëqeverimit të t
ërthortë; e ky fitim kaqë burrënor dhe i famshim, në Shtetet e Ballkanit zgjojti një nakar të math, që formoj me të shpejtë aleancën Greko-Bullgare, Sërbe dhe Malazese, të cilët në një çpallje lufte fort të shpejtë, duke dëbuar Turqinë nga Maqedonija, gadi po coptonin edhe Shqipërinë.
Por n’atë rezik e sipër, më 28 Nëntor 1912 nën kryesin e Ismail Qemalit u mbajt në Vlorë kuvêndi kombëtar i paris së Shqipërisë, çpalli me një herë indipendencën Shqiptare, e çuditërisht ndalojti rezikun e math q’i kërcënohej kombit me një humbje të përjetëshme; nër kohë që Janina dhe Shkodra — dy fortesa Shqiptare — akoma nuk ishin dhënur në dorën e armikut, se ato po mbroheshin mâ tepër prej krahnorëve të çelnikta të bijve të Shqipërisë, kur kishin marë anë edhe vetëdashës të dërguar ng’ an’ e Baba Haxhi Krujës në veri dhe ng’ an’ e Baba Abedin Frashërit në Jugë.
Por sa do që Shqipëtarët këto dy fortesat e tyre kreshnike i mbrojtën me burrëri të madhe, komandantët turqë, të cilët nuk interesoheshin mâ për kuftinjt e Shtetit të ri q’u çpall në Vlorë, vendosnë të kapitullojnë armiqt’ e Atdheut tënë — siç kishin pushtuar pjesën Shqiptare të Manastirit dhe Kosovën — pushtuan edhe mâ të shumtat pjesa të Shqipërisë Veriore dhe Jugore.
Serbët shkatërruan teqetë e Kosovës
I dëshpëruar tepër nga ky mjerim i math që i ra atdheut të dashur mi krye, Baba Abedin Frashëri në fillim të vitit (1913) pas Kr. ndëroj jetë pas një lëngimit të gjatë; para se të shuhej nga jeta ky apostoll kombëtar dhe njerëzimuer, Grekërit kishin vrarë me mizori të pashëmbëlltë Hafëz babanë në teqen e Kuçit të Devollit, dhe Serbërit kishin prishur të gjitha teqet e Kosovës e mâ të shumtat i kishin bërë kisha dhe Manastirë; veprë barbare kjo, që kurrë s’e pranonte feja e Krishtit por e provokonte karakteri i Sërbo-Grekërvet që i kanë vënë një njollë të zezë gjith sinisisë ballkanike faqeza Evropës së qytetëruarë.
Nga mes’ i vitit 1913, Shkupi dhe Manastiri ishte shkelur prej ushtërisë Sërbe, Shkodra prej Malazesvet e pastaj prej ushtërivet nërkombëtare t’Evropës, Janina, Gjirokastra dhe Korça prej ushëris Greke.
Qeverija e përkohëshme e Shqipëris së lirë — me qendrë në Vlorë — kërkonte ikjen e Greko-Sërbëvet nga viset e Saja; me shtrëngimin e Austrisë, Sërbija kish liruar viset e shënuara Shqiptare në konferencën e Londrës gjith’ atë vit; Greqija — e përkrahur shumë ng’ an’ e Francës dhe Rusisë — nuk donte të dilte prej visevet t’ona të bukura të Korçës dhe Gjirokastrësë.
Grekët dogjën teqetë e jugut
Në këtë rrëmujë pra, si në Evropë ashtu edhe në Gjirokastrë dhe Korçë ishin hapur fushatat e propagandave kundrështare në mes të Greqisë dhe Shqipërisë. Greqija duke helmuar komunitetin me anën e Kishës Grekomane; Shqipërija — me që nuk kishte ahere Kishë nacionale — duke inkurajuar në idé pan-Shqiptare Komynitetin Muhamedan me frymën e teqevet bektashiane. Si nuk u shkonte vula me dashuri, Grekërit të zënur nga forca, mâ parë prishnë teqen e Zallit në Gjirokastrë — duke kërkuar të asasinonin udhërrëfenjësin savant të bektashizmës Shqiptare Baba Selimin, i cili shpëtoj nga një mizori e këtillë duke ikur nga teqeja — e pastaj vunë një garth të rëndë spiunazhi mi të gjitha teqet e tjera.
Mandej, vitin (1914) në muajn e Qershorit, Grekërit prishnë dhe doqnë të tërë Shqipërinë Jugore — për veç Vlorës dhe Beratit — e në këtë katastrofi të madhe, këta Neronë të shekullit XX, doqnë teqenë e Frashërit, Prishtës, Turânit, Memalihanj-it dhe të gjitha teqet e tjera të vogëla, të zëmëruar sepse këto patnë qënur çerdhe të patriotizmës Shqiptare.
Kleri i këtyre çerdheve të shënjta por të prishura nga një dorë çnjerëzore, afro një qind veta dervishë dhe baballarë nga Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Skrapari dhe Tepelena muarnë udhët si rrefugjatë e u sosnë në Vlorë; por edhe atje nuk gjetnë ngushëllim kundrejt fatalitetit q’u ish platiturë.

“Hoxhallarët, turpi i kombit, prishën qeverinë kombëtare”
Disa nga vëllezërit tanë të shtyjtur nga të ashtuquajturit Hoxhë — me përjashtimin e Hoxhëve të vërtetë — kishin shkaktuar — për fatin e keq dhe turpin e madh të kombit — një trazirë të brëndëshme duke prishur qeverinë kombëtare; si të marrun vesh me grekërit, doqnë teqen e Elbasanit, burgosnë dervishët dhe myhypët, doqnë teqen’ e Krujës, teqet’ e Beratit dhe Mallakastrës; e — sikur nuk harrijtnë gjith këto mizorina — çeta rebele që hyri në Vlorë, burgosi baballarët të gjithë dhe dervishët refugjatë nga Shqipërija Jugore, nga ay vênd shum i dashur dhe i djegurë.
Baba Salih Elbasani më (1915) ndëroj jetë i burgosur nga rebelët në Durrës; Baba Sylejmanë nga Barmashi i Kolonjës, e kishin zënur në Berat me (1914) edhe e kishin bërë dëshmor me një mijë mundime; midis të burgosurvet në Vlorë çquanin Baba Shemja e Frashërit (më kâmbës i Baba Abedinit të pa harruar), Baba Ahmet Turanë dhe afro (100) shpirt dervishë të zgjedhurë.
Më kâmbës’ i Baba Ismailit të mirë, Baba Myheddin Gllava i pasuar prej djemave kreshnikë të krahinës së Tafil Buzit të pavdekur, para se të digjej teqè e tija nga rebelët, bëri me ta në mes të udhës një luftë trimnore të shkëlqyer; e për të mos rrënur në duart e tyre të pamëshirshme, kish vajtur në Bàri të Italisë si refugjatë.
Gjith si ky baba patriot dhe Shqiptar i pa trëmbur, Baba Kamber Berati kish vajtur në teqe e Gjiritit, Baba Shaban Prishta, Baba Ahmet Koshtani dhe Baba Zejnel Kruja në teqen e Kajgusëz Sulltanit në Misir, ku baba Shaban Prishta ndëroj jetë me mallëngjim të patreguar për atdhen e lënurë.
Me pak fjalë: Grekërit dhe Rebelët vitin (1914) bektashizmën Shqiptare e shkatëruan mâ keq nga Sulltan Mahmuti (100) vjet mâ parë; gjith kjo katastrofi gjith kjo mizori, u bë sepse bektashinjtë si Shqiptarë ishin patriotë dhe si njerës ushqenin mendime liberale.
Për faqen e bardhë të malësorëve Martaneshas dhe të një pjese malësie Dibrane shpëtuan pa djegur nga kjo katastrofi vetëm teqeja e Martaneshit dhe Bllacit.Vendësit e këtyre maleve të shkrepta kishin lidhur besë burrnore kondra rebelëvet, të cilët nuk hyjtën dot në vëndet e tyre. Kështu pra shpëtua këto dy teqe nga katastrofija q’i ndoqi shoqet e tjera.
Suma e teqevet të prishura dhe të djegura prej duarvet rebelo-Greke arrin më tetë-dhjetë; katastrofija e bektashinjet më 1914, ka për të mbetur një ndodhi historike tepër e dhëmpshur dhe e pa harruarë.
Titujt dhe mestituj janë nga përgatitësi i materialit: Col Mehmeti
Burimi: “Historija e Përgjithëshme e Bektashinjvet Prej Atë Ali Tyrabiut Posnishin i Teqes së Tomorit, Shkruar në Pjesa Spirituale dhe Dokumentale”, (Tiranë, Shtypshkronja ‘Mbrothësia’', Kristo P. Luarasi, 1929), fq. 87-92