Prishtina, e cila numëronte dy bujtina: “Internacional” dhe “Imperial”, ishte sipas Franz Babingerit, pikënisje e shkëlqyeshme për vizitë në Fushën e Kosovës, e njohur nga beteja e famshme e 1389-s. Jo shumë larg vendit, kishte ndodhur Beteja e Fushë-Kosovës, të cilën profesori e cilëson si betejë mes Sulltan Muratit I dhe serbëve nën udhëheqjen e Llazarit plak, në të cilën vdiqën këta të dy e së bashku me ta humbi edhe liria e serbëve. Si dukej, aspak e papritur për kohën, ngjarje të tilla historike, shumë të nevojshme për propagandën politike të shtetit jugosllav, nuk kishin si të mos silleshin në këtë formë, pavarësisht famës së atij që qëndronte pas makinës së shkrimit. Babingeri në vizitën e radhës më 1929
Jemi në vitin 1929. Është vizita e radhës e Franz Babingerit nëpër Ballkan, i cili orvatet për të mbledhur dorëshkrime osmane. Deri tani kishte bërë një punë të mirë, duke marrë qindra të tilla, sidomos në Bosnjë. Akademia Jugosllave e cila e kishte angazhuar këtë të fundit për shërbimin, kujdesej që profesori bavarez të paguhej në kohë e të kishte lejet e kalimit që i nevojiteshin. Ofrimi i kushteve komode për kryerjen e punës qe një prioritet, meqë reputacioni i tij kalonte kufijtë e njohjes së zakonshme të një studiuesi nga bota akademike. Por, natyrisht që gjithë ky projekt nuk kaloi pa incidente dhe pakënaqësi. Ankesat për të do të kumbonin në zyrat e Akademisë në Zagreb, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, tri dekada pasi kishte kryer punën. Nuk është për t’u habitur aspak kur njohim karakterin e Franz Babingerit. Ai si dukej, arrinte të bashkonte miqtë e armiqtë në një pikë të veçantë: të gjithë pajtoheshin për karakterin e tij impulsiv.
Energjik si personalitet, Babinger nuk do të mjaftohej me pagën e ndarë nga Akademia për punën e tij në terren, që si dukej, e bënte me shumë kënaqësi. Ai kishte përfunduar shkrimet e tij për Shqipërinë, si në gazeta ashtu dhe për “Baedeker”. Kishte shkruar edhe një artikull për Gjakovën dhe familjen Kryeziu, ndërsa tani kishte gjetur edhe një shtëpi botuese, të cilës do t'i ofronte udhëpërshkrimet për të ashtuquajturën Serbi Jugore, që atëbotë përfshinte ndër të tjerash edhe territorin e sotëm të Kosovës. Tani do shkruante për “Jugoslovenski Turizam”, organ propagandistik i Turizmit në Mbretërinë Jugosllave.
Udhëpërshkrimet si duket i bënte me shumë kënaqësi, jo vetëm për vendet e Ballkanit. Më 1920, për shembull, njoftonte publikun gjerman mbi udhëtimin me makinë në Liban. Tani, pas 9 vjetëve, jo për hesap të të përditshmeve gjermane, por për shtetin jugosllav, Babinger do ta shkruante artikullin “Wegweiser durch Südserbien”, që i bie pak a shumë një lloj ciceroni për Serbinë Jugore.
Ky shkrim, rreth 10 faqe, koncentrohej në zonat, në të cilat vizitorët mund të udhëtonin duke përdorur linjat rrugore ose hekurudhore të cilat ekzistonin në atë kohë. Kështu, Babinger do ofronte 8 linja udhëtimi që shtriheshin nga i ashtuquajturi Sanxhak i Pazarit të Ri deri në pikën më jugore në Manastir. Ky artikull do ndalet në dy të tilla, duke u fokusuar në territoret që sot i takojnë shtetit të Kosovës. Por, para se të fillojmë me përshkrimet, çfarë do të thoshte Babingeri për vendin dhe popullsinë e “Serbisë Jugore”?
E quajtur ndryshe edhe si Maqedoni, kjo zonë përbëhej nga territore që në periudhën e Perandorisë Osmane bënin pjesë në Vilajetet e Selanikut, të Manastirit, të Kosovës dhe të Sanxhakut të Pazarit të Ri. Kështu, historia e këtij regjioni duket të ishte e larmishme. Këtu, Babinger, pa dyshim duke qenë në vijë të politikës propagandistike të kohës, nisi me përshkrimin e apogjeut të zhvillimit të rajonit nën udhëheqjen e carëve serbë, arritjet dhe ndërtimet e të cilëve, do të përmenden jo pak herë më tej. Ndër karakteristikat më interesante të zonës, që e bën interesante për të huajt është ajo që profesori e quante përzierje të çuditshme të njerëzve me tradita dhe kostume të ndryshme. Por cilët ishin këta njerëz? Popullsia e “Serbisë Jugore”, sipas Babingerit, qe një “përzierje shumëngjyrëshe racash”. Lista e tij do të fillonte me serbët dhe do të vazhdonte në këtë drejtim: bullgarët, grekët, turqit, shqiptarët, arumunët (vllahët), hebrenjtë dhe në fund ciganët. Se në sajë të cilit kriter kishte vendosur këtë renditje, është vështirë e kuptueshme. As numri i popullsisë e as rendi alfabetik nuk gjejnë bazë në këtë vijë.
Duke shkuar më tej, Babingeri shprehej se kjo zonë i takonte rajoneve më së paku të vizituara të vendit. Sipas tij, vetëm një pjesë e vogël e këtij territori ishte e qasshme për botën. Pyetja përse, që aq natyrshëm do të lindte nga një lexues i kohës, për fatin e keq të një mendjeje të tillë kureshtare, nuk do të merrte përgjigje konkrete, meqë shpjegimet nuk shkuan më larg se aq. Sado që Babingeri tentonte të sillte një observim të jashtëm, me një paanësi të hamendësuar për një studiues të kalibrit të tij, kufijtë e asaj që duhej thënë dhe mos thënë qenë të qarta, e do të bëheshin edhe më shumë, tre vjet pas botimit të parë të këtij shkrimi.
Profesori bavarez përgatiti dy linja udhëtimi në territoret që sot i takojnë shtetit më të ri të Evropës. Të fillojmë me të parën. Nëse dikush gjendej në stacionin e trenit në Shkup, qytet ky ideal për shkak të lidhjeve të rëndësishme rrugore dhe hekurudhore, ai ose ajo do të mund të priste një biletë me destinacion final Mitrovicën, ku do të përshkonte një rrugë prej 120 kilometrash, me ndalesa në disa vendbanime të karakterizuara me atraksione, të cilat, pa përtesë, por dhe me përjashtime të caktuara, Babingeri do t’i ofronte mes faqeve.
Linja hekurudhore Shkup – Fushë-Kosovë – Mitrovicë (120 kilometra)
Treni me udhëtarë i nisur nga Shkupi, do të kalonte Vardarin dhe do të vinte përmes Grykës së njohur të Kaçanikut, rreth rrjedhës së Lepencit, në këmbët e Lubotenit, për të kaluar më pas në Ferizaj, nga ku përmes rrugëve automobilistike mund të udhëtohej drejt Prizrenit. Nga Ferizaj, treni do të vazhdonte në drejtim të Prishtinës, përmes Lipjanit, i njohur nga vendbanimi romak i Ulpianës. Prishtina gjendej 7 kilometra larg stacionit të trenit dhe numëronte një popullsi prej 18.000 banorësh, (gati dy herë më pak se komuna e Klinës sot), me shumicë myslimane shqiptare dhe shërbente si qendër administrative e rrethit. Si atraksion turistik brenda saj, profesori i jep një vëmendje të veçantë xhamisë së ndërtuar në kohën e Mehmetit të Dytë, i njohur si Pushtuesi (Fatihu), personalitet ky, për të cilin, Babingeri do shkruante një vepër monumentale pas më shumë se dy dekadash.
Prishtina, e cila numëronte dy bujtina: “Internacional” dhe “Imperial”, ishte sipas Babingerit, pikënisje e shkëlqyeshme për vizitë në Fushën e Kosovës, e njohur nga beteja e famshme e 1389-s. Jo shumë larg vendit, kishte ndodhur Beteja e Fushë Kosovës, të cilën profesori e cilëson si betejë mes Sulltan Muratit I dhe serbëve nën udhëheqjen e Llazarit plak, në të cilën vdiqën këta të dy e së bashku me ta humbi edhe liria e serbëve. Si dukej, aspak e papritur për kohën, ngjarje të tilla historike, shumë të nevojshme për propagandën politike të shtetit jugosllav, nuk kishin si mos të silleshin në këtë formë, pavarësisht famës së atij që qëndronte pas makinës së shkrimit. Fushë-Kosova ishte e banuar në masë të madhe nga një popullsi shqiptare, të njohur si shqiptarë të Kosovës dhe në të, për dallim nga tokat pjellore e të punuara në të kaluarën, sipas tij, tani shiheshin vetëm toka të lëna djerrinë apo kullosa për bagëtinë. Në anën tjetër, në rrethinat e qytetit të Prishtinës, turistët mund të bënin një udhëtim të shkurtër me makinë për te Manastiri i Graçanicës dhe Tyrbja e Sulltan Muratit. Jo larg gjendej edhe Novobërda, e njohur në të kaluarën për minierat e arit dhe të argjendit si dhe për burimet e mineraleve, të gjetura rishtazi, për të e cilat po vazhdonte eksploatimi.
Nga ndalesa në Prishtinë, treni do të vazhdonte për në Vushtrri, dhe për pak, udhëtarët do të gjenin veten në stacionin e fundit, në qytetin e Mitrovicës. Një qytet me rreth 10.000 banorë, sipas Babingerit, ishte një terren i rëndësishëm strategjik. Nga Mitrovica mund të shihej kalaja e Zveçanit, e ndërtuar nga Mbreti Stefan Uroshi, në gjysmën e parë të shekullit XIV. Nga Mitrovica kalonte edhe një linjë e rrugës postare, që shkonte nga fshatrat Runikë dhe Pemishtë dhe lidhej me qytetin e Pejës, e vazhdonte drejt Malit të Zi dhe bregdetit të Adriatikut.
Linja rrugore Ferizaj – Prizren – Gjakovë – Deçan – Pejë (120 kilometra)
Sugjerimi i dytë, përmes linjës rrugore, do të niste nga qyteti i Ferizajt dhe do të përfundonte në qytetin e Pejës, duke përçuar një distancë të njëjtë, sikurse linja e përshkruar më lart, rreth 120 kilometra. Ndërsa itinerari paraprak përbënte një udhëpërshkrim gati të drejtë nga juglindja në veri, ky i dyti që niste nga pjesa juglindore e Kosovës së sotme dhe përfundonte në krahun perëndimor të saj, mund të dukej sa më i vështirë, aq dhe interesant.
Rruga që do të kalonte një vizitor që nisej nga Ferizaj, do të përfshinte Shtimen, Carralevën, Duhlën, Suharekën dhe pas 62 kilometrave, do të arrihej në Prizren. Një nga qytetet më të pasura të Gadishullit Ballkanik gjatë periudhës osmane si dhe prodhuesi më i madh i armëve atëbotë, Prizreni, i shtrirë në pjesën jugore të fushës së Dukagjinit, të cilës Babinger i referohej si Metohi, qe historikisht një qendër e rëndësishme kulturore dhe ekonomike. Numëronte tri bujtina (“Shumadija”, “Car Dushan” dhe “Central”) dhe një kuzhinë (“Jugoslavija”). Profesori bavarez do të përshkruante se qyteti në dukje mesjetar turk, së bashku me kalanë madhështore, pazarin e gjallëruar e mbi 20 xhami, të jepte edhe në atë kohë përshtypjen një vendi oriental. Ai nuk la pa përmendur edhe rëndësinë tregtare që Prizreni kishte luajtur, sidomos me lidhjen drejt Dubrovnikut (Raguzës). Ai lajmëronte se një linjë rrugore në zgjatje e sipër, rreth 165 kilometra, lidhte Prizrenin me brendinë e Shqipërisë, me destinacion Shkodrën, ndërsa nuk la pa përmendur edhe prodhimet e qeramikës, të filigranit, të thurjeve dhe të zejeve të tjera, aq të njohura për vendin.
Pas kalimit të rreth 30 kilometrave, udhëtari do ta gjente veten në Gjakovë, një qytet në të kaluarën i gjallëruar, por që tani nuk numëronte më shumë se 14.000 banorë, meqë banorët, shumica prej tyre shqiptarë, kishin kaluar kufirin drejt atdheut të tyre të vjetër dhe sipas tij, në vend të tyre ishin vendosur ardhacakë malazezë. Kolonizimi dhe shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nuk do zinin vend në këtë artikull, andaj, nuk u tha më shumë për Gjakovën, dhe u vazhdua drejt Deçanit dhe Manastirit të ndërtuar në shekullin XIV, nga Stefan Uroshi III, në një stil të veçantë me elemente romanike. Ky Manastir do të ishte subjekt i mbrojtjes edhe në periudhën osmane. Destinacioni final do të arrihej shumë shpejt, me qytetin e Pejës, i cili për nga popullsia, qëndronte aty-aty me Prishtinën, me rreth 19 000 banorë. Peja përbëhej nga 4 bujtina: “Imperiali” i ri dhe i vjetër si dhe bujtina “Moskva” dhe “Amerika”, këto dy të fundit, sado që mund të shiheshin si simbole të kundërta politike e ideologjike, si bujtina qenë të dyja modeste në gjendje. Peja, e njohur me Patrikanën e saj, ishte një destinacion që sipas këtij të fundit, nuk duhej humbur. Kështu, shumë shpejt përfundojnë sugjerimet e profesorit bavarez për territorin e sotëm të Kosovës, për të vazhduar me Tetovën, Dibrën, Manastirin e Sanxhakun. Por, çfarë na thotë shkrimi i Franz Babingerit për të dhe kohën?
Në mes oportunizmit dhe prehjes së mendimit
Franz Babinger nuk qe shembull i një studiuesi të zakonshëm gjerman të shekullit XX. Kureshtja dhe insistimi i tij për të arritur qëllimet e veta nuk janë vështirë të dokumentueshme kur dikush u hidhet pas komunikimeve dhe veprave që ai la pas. Babinger nuk përtonte t’i hakërrehej çdokujt që konsideronte se e kishte gabim a ndihej se e cenonte atë në ndonjë formë, ashtu siç edhe nuk i kursente komplimentet, lavdet e lajkat kur i konsideronte të nevojshme, që t’i hapin a t’i mbanin dyert e komunikimit. Lidhja e tij me studiues jugosllavë qe e hershme, siç qe edhe puna me ta. Ai ishte shpesh kritik i punës dhe organizimit të kolegëve të tij në Beograd e Zagreb dhe nuk hezitonte të shprehte pakënaqësitë ndaj tyre, gjithmonë në rolin e dashamirit. Por, ku qëndrojnë mendimet e vërteta të Babingerit, mbi një çështje shumë të ndjeshme për aparatin shtetëror jugosllav, atë të shqiptarëve të Kosovës?
I fokusuar në aspektet joshëse për turistët, nuk do të pritej që profesori bavarez, në udhëpërshkrimin e tij të ndalej në shpjegimin e krizës politike në vend, reprezaljet që popullsia vendase shqiptare po kalonte si pasojë e politikës së dhunshme të shtetit jugosllav, apo pasojat e programit të kolonizimit të Kosovës ku 10 milionë dinarë u dhanë vetëm mes vitit 1928-29, vite, në të cilat ky i fundit po vizitonte zonat. Kufijtë editorialë, në sytë e sotëm, na duken të qartë, si e bardha në të zezë: një theksim i lartë i elementit serb, një paraqitje e ngjarjeve historike në vijë të tezave zyrtare serbe, dhe një devijim faktesh ku elementi shqiptar u përmend, sado pak që një përmendje e tillë u bë.
E vërteta thuhet se nuk humbet kurrë, por në këtë rast, fati duket se do e lë mister. Mendimin e mëvetësishëm që Franz Babinger mund ta mbante të shkruar diku, në korrespondencat mes tij dhe të tjerëve, mbi shqiptarët në Jugosllavi, përfshirë pozitën, historinë dhe gjendjen e tyre, e hodhën në ajër bombardimet ajrore kundër vendbanimit të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në botën e re, kontakti i Babingerit me institucionet jugosllave do të zbehej, pjesërisht për arsye se disa nga personalitetet më të afërta për të kishin ndërruar jetë, por edhe pse fusha e tij e interesit kishte ndryshuar. Tani, dalëngadalë, ai do të rilidhej me Shqipërinë, për të cilën, mund të mësohet më shumë në artikullin e radhës.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Edona Rexhepi studion pranë Institutit të Historisë Bashkëkohore dhe Institutit të Historisë Ekonomike dhe Sociale në Universitetin e Vjenës. Gjetjet e mësipërme janë rezultat i një hulumtimi të gjerë shkencor të realizuar në Zagreb, Tiranë, Mynih dhe Vjenë.