“Presioni dhe vështirësitë nuk prekin mendjen e njeriut të guximshëm... Ai është më i fuqishëm se rrethanat e jashtme”, Lucius Anaeus Seneca
Projektpropozimi i ri i Edi Ramës për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në rolin e palës neutrale në raport me Kosovën dhe Serbinë si dhe anulimi i mbledhjes së dy qeverive shqiptare (13 qershor 2023), rikonfirmon vazhdimësinë e rrymës politike shqiptare të përfaqësuar në vitet e pasluftës (1944-48) nga Koçi Xoxe (ministër i Punëve të Brendshme), Kristo Themelko (drejtor i Drejtorisë politike të ushtrisë), Pandi Kristo (shef i Shërbimit të Fshehtë Informativ), e më vonë Panajot Plaku (ministër pa portofol), sipas të cilëve më i afërt për Shqipërinë ishte Beogradi se Prishtina. Kjo rrymë “internacionaliste” asokohe përpiqej që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë, edhe pse zonat shqiptare ishin ndarë ndërmjet Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë (në kuadër të së cilës mbeti Kosova), si dhe rrezikohej që edhe ajo Shqipëri e cunguar, të dobësohej, duke lidhur Kishën Autoqefale Shqiptare me Patriarkanën e Serbisë dhe njëkohësisht favorizimin dhe forcimin e elementit etnik grek e sllav brenda saj.
Fatmirësisht, ky projekt dështoi falë ndryshimit të rrethanave ndërkombëtare dhe nacional-komunistëve shqiptarë (Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, etj.). Ndërsa këmbëngulja e elitave politike dhe intelektuale në Shqipëri dhe Kosovë që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në vitet e 90-a solli mbështetjen e SHBA-së dhe intervenimin e NATO-s.
Prandaj ju faleminderit SHBA që e çliruat Kosovën nga çizmja serbe. Ju faleminderit, që përkundër kundërshtimeve të shumta të hapura dhe të fshehura, ndihmuat në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ju faleminderit për mundësinë që të votojmë të lirë për opsionin ose partinë që preferojmë. Ju faleminderit për vetësundimin dhe mundësinë që të jemi pjesë e kombeve të lira.
Përkrahësit e hapur dhe të fshehur të Serbisë nacionaliste
Por? Por nuk po kuptoj pse atë vijë të kuqe të vendosur në lumin Ibër që më 1999, nuk e përfunduan në kohë, ata anëtarë të Bashkësisë Ndërkombëtare, përkrahësit e hapur dhe të fshehur të Serbisë nacionaliste, duke shpallur Republikën Serbe në Kosovë! Kjo do të ishte zgjidhja e imponuar dhe do të ishte e qartë se Kosova nuk do të mund të mbrohej e as të rezistonte. Por jo, Ju e latë pjesën formale të Kosovës, që me nënshkrimet tona t’ia dorëzojmë Serbisë nacionaliste, në formë të një Bashkësie të Komunave me shumicë serbe dhe që herët a vonë do të sjellë një Republikë Serbe sikur Republika Serbe e Bosnjës, si mënyrë për të penguar me vullnetin tonë funksionimin e Kosovës si shtet. Të bëhet Kosova si Bosnja! A thua të jetë rastësi! Dhe cili do të ishte rezultati i kësaj “shpirtmadhësie” të Kosovës? Pranimi i Kosovës nga Serbia dhe mbyllja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi si dhe integrimi në BE e NATO? Ndërkohë që vetëm për liberalizim të vizave për Kosovën u deshën 15 vjet dhe përsëri as kjo nuk është e sigurt dhe rrjedhimisht, sa dekada do të duhen për të hyrë Kosova në BE? Në anën tjetër, Spanja, Sllovakia, Rumania e Greqia, janë pengesë e pakalueshme për hyrje në NATO. Pra orientimi për BE dhe NATO janë vetëm ëndrra të largëta dhe ndoshta të paarritshme. Ndërsa synimi i BE-së dhe tani edhe SHBA (të cilëve u është bashkangjitur edhe Shqipëria e Edi Ramës) për të kënaqur Serbinë, dëshmojnë se përkundër Marrëveshjes së Brukselit (2023) dhe Aneksit të Ohrit (2023), J. Borell, M. Lajçak, G. Escobar, kalojnë në heshtje këmbënguljen e palës serbe për të mos e nënshkruar marrëveshjen e as aneksin e zbatimit të saj.
Kërkesa për Kosovën si “violinë e tretë”
Dhe a pati ndëshkime apo vërejtje për Serbinë që hapur deklaronte se do të zbatonte vetëm ato pika që i konvenonin? Bashkësia Evropiane e tash edhe SHBA-ja, kërkojnë që Kosova të pranojë rolin e “violinës së tretë” si shtet i papranuar dhe i kontestuar në “Ballkanin e hapur” apo në “Botën Serbe” dhe ku Shqipëria, tashmë ka zënë vendin e “violinës së dytë” ndërkohë Serbia (Rusia e vogël) është në rolin e rezervuar të “violinës së parë” sepse ata kanë frikë nga nacionalizmi agresiv serb dhe potenciali i saj shkatërrues. Prandaj nuk habit fakti se amerikanët gjatë luftës së Bosnjës (1992-1995), të brengosur nga kërcënimi për zgjerimin e konfliktit, pranuan si të vërtetë kërcënimin e Momir Bulatoviqit (kryetar i Republikës së Malit të Zi) se nëse bie Trebinja në duar të forcave kroate, kjo do të nxiste luftën civile në Mal të Zi dhe amerikanët e besuan ose u bënë se besuan dhe parandaluan rënien e Trebinjës. Rasti identik ishte edhe në shembullin e rënies së Banjallukës, kur Sllobodan Millosheviqi, në mënyrë të njëjtë, kërcënoi se në rast se pushtohet Banjalluka, Serbia do të hynte në luftë. Dhe përsëri amerikanët parandaluan rënien e Banjallukës. Sot zbatohet e njëjta metodë: Serbia kërcënon, dërgon trupa ushtarake në kufi të Kosovës, përsërit se do të ndërpresë eksportin e municionit dhe armatimit në Ukrainë (ngase i nevojiten për t’u “mbrojtur” respektivisht sulmuar Kosovën) dhe si rezultat i kësaj BE-ja e SHBA-ja alarmohen dhe ndëshkojnë, jo agresorin dhe belaxhiun serb, por Kosovën. A thua aq e fortë është Serbia si në vitet e ’90 apo është lojë që e mbështesin disa në BE? Dhe si e rrezikshme që është dhe për të mos lejuar të bëjë trazira në kohën e luftës Ukrainë-Rusi, është kjo arsyeja kinse kryesore që BE dhe tash edhe SHBA-ja t’i bëjnë asaj lëshime në kurriz të Kosovës? Apo në lojë janë edhe arsye të tjera të pashpallura!? Ndoshta pse serbët për Evropën konsiderohen më të afërt në krahasim me shqiptarët!! Duket e pabesueshme që ky të jetë një nga arsyet e vërteta të BE-së, që hapur dhe ashpër është kundër Kosovës! Por qëndrimi i pashpallur publik se Turqia edhe pse e modernizuar dhe e ndërtuar sipas shembullit evropian (shumë kohë para ardhjes në pushtet të T. Erdoganit) përsëri si “myslimane” nuk mund të bëhet kurrë pjesë e Bashkësisë Evropiane dëshmojnë për një qasje të njëjtë, të fshehur dhe diskriminuese në baza etnike dhe kulturore të Brukselit edhe kundër shqiptarëve.
E vërteta është se qëndrim favorizues Beogradi kishte nga Brukseli që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës (2008) dhe sidomos pas vendimit që si ndërmjetësues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të caktohen përfaqësues nga shtetet që se kanë njohur Kosovën, M. Lajçak (Sllovaki) dhe Josep Borrell (Spanjë). Dhe nga këta të presim ndonjë “referim” të paanshëm? Kosova sot është më e vetmuar se më 1981, kur kundër saj ishin, pak a shumë, të gjitha republikat në ish-RSF të Jugosllavisë dhe kur në Lindje, BRSS heshtte, ndërkohë që Perëndimi kishte njëlloj mirëkuptimi të heshtur për Kosovën dhe RPS të Shqipërisë. Po të mos ishte kjo përkrahje dhe unitet kombëtar Shqipëri-Kosovë, vështirë që sot do të kishim edhe këtë shtet të cenuar dhe të kontestuar. Prandaj nuk duhet harruar se shteti shqiptar, më 1981, mbështeti Kosovën, edhe pse RSF e Jugosllavisë ishte shteti i tretë në këmbimet tregtare me Tiranën, si dhe përkundër faktit se Shqipëria rrezikohej nga bllokimi i transportit hekurudhor dhe rrugor që kalonte nëpër Jugosllavi. Ndërkohë, sot, 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është e vetmuar dhe e braktisur nga BE (ku 5 vendet mosnjohëse kanë peshë më shumë se vendet e tjera evropiane që e kanë njohur) dhe më së rëndi edhe nga SHBA-ja, për të cilën peshë ka Serbia, të cilën dëshiron ta shkëpusë nga përqafimi rus, por në kurriz të Kosovës. Natyrisht, SHBA-ja, si superfuqi ka projekte e plane të veta, që jo domosdoshmërisht përputhen me interesat shqiptare apo në këto rrethana vetëm të Kosovës, por atëherë po vërtetohet propaganda ruse, e cila sa e sa herë po ia përsërit Ukrainës: SHBA-ja dhe BE-ja, në një moment të caktuar, do të braktisin. Pra, lënia në baltë e Kosovës, duke mos përmbyllur shtetësinë e saj, është njëkohësisht edhe humbje e autoritetit ndërkombëtar të SHBA-së dhe fitore e “bad boy-it” të Ballkanit, Serbisë. Në anën tjetër, Shqipëria e “kozmopolitit” Edi Rama, me braktisjen e Kosovës, pos që sillet si shtet i huaj në raport me Kosovën, po ndihmon edhe në forcimin e rrymave përçarëse ndërmjet shqiptarëve në dy shtetet e tyre. Prandaj pasuesit e këtij botëkuptimi politik si dhe një pjesë e elitës kulturore në Shqipëri, ndonëse nuk mund të mohojnë se nuk jemi një komb (rryma të vogla, por të fuqishme politike dhe kulturore andej e këndej kufirit do të parapëlqenin të ndaheshim në dy kombe: shqiptare dhe kosovare), arsyetojnë se Tirana nuk mund të jetë “noter” apo përkrahës i plotë dhe në çdo rrethanë të Kosovës, ashtu sikur Prishtina “nesër” të deklaronte dhe të mos mbështeste Tiranën në mosmarrëveshjet eventuale me Athinën apo me shtetet e tjera. Po të veprohej në vitet kyçe të historisë së shtetit shqiptar (1912-1949), sipas konceptit të “real politikës” së Edi Ramës dhe mbështetësve të tij, Shqipëria, më së paku, sot, do të kishte në kuadër të saj “Vorio Epirin” si entitet politiko-territorial, por që falë luftës dhe kundërshtimit të patriotëve shqiptarë e rezistencës së armatosur të shtetit shqiptar kundër agresionit ushtarak të Greqisë (1949) si dhe përkrahjes së SHBA-së (në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919 si dhe në shumë raste të tjera pas vitit 1961) e Turqisë më 1997, asnjëherë nuk u jetësuan. Në anën tjetër, si atëherë ashtu edhe sot, Evropa e Serbia, mbështesnin “internacionalistët” dhe “kozmopolitët” shqiptarë dhe jo ata burrështetas shqiptarë që pikësëpari përpiqeshin që të mbrojnë interesat kombëtare e shtetërore, dje të Shqipërisë politike e sot të Kosovës, dhe vetëm pastaj veprojnë edhe si qytetar evropian. Mirëpo, përsëri një befasi nga “kozmopoliti” Edi Rama, i cili pas mbështetjes pasionante të “Ballkanit të hapur” dhe lëvdatave e mbrojtjes së Serbisë për të mos u dënuar si përkrahëse e Rusisë dhe pa të cilën “shqiptarët do të vdisnin për bukë” deklaron të mbyllur projektin serb të “Ballkanit të hapur” në dobi të “Procesit të Berlinit”. Edi Rama, arsyeton dhe deklaron se “Ballkani i hapur” ka përfunduar misionin e tij! Dhe cili ishte misioni i tij: izolimi i Kosovës, rehabilimi ndërkombëtar i “bad boy-it” të Ballkanit, Serbisë. Nëse ky ishte qëllimi i “kozmopolitit” Edi Rama, atëherë ky mision ka përfunduar me sukses. Në anën tjetër, ky përfundim i shpejtë i këtij projekti “emancipues të Ballkanit” vë në dyshim seriozitetin jo vetëm të “qytetarit të Ballkanit sipas masës së Serbisë”, Edi Ramës, i cili dëshmon mungesë të vizionit në politikën e jashtme, duke shpallur si aleat Greqinë (nga e cila ka tashmë qortimin e tyre për kryebashkiakun e Himarës) dhe Serbinë (armike e shqiptarëve por kinse mike e Shqipërisë së Edi Ramës dhe Partisë Socialiste), por edhe vetë SHBA-së që duket se ose ka mbështetur këtë projekt afatshkurtër për të kënaqur publikisht Serbinë ose ka humbur durimin dhe interesin se si të rregullojnë ngatërresat e pafundme të nxitura nga Serbia, faturat e së cilës i paguan Kosova. Në këtë rast fituese është Serbia, e cila përkundër pakënaqësive të mëdha publike, mungesës së demokracisë përmbajtjesore dhe refuzimit të jetësimit të marrëveshjeve me Kosovën, dhe ku Republika Serbe në Bosnje hapur kërcënon me shkëputje; të vetmin ndëshkim që merr Beogradi nga BE-ja është një lutje dhe kërkesë që të respektojnë marrëveshjet dhe si shpërblim ka të hapur bankomatin e BE-së! Ndërkohë, Edi Rama, për të mbuluar dështimin e projektit të tij vizionar “Open Ballkan”, solli në Tiranë për ditëlindje të tij (4 korrik 1964), ish-presidentin e SHBA-së dhe çliruesin e Kosovës, Bill Clinton. Natyrisht, Edi Rama, shfrytëzoi prezencën e ish-presidentit të SHBA-së për të nxirë Kosovën dhe për të lartësuar vetveten. Por fajtori dihet për të gjithë ata që duan të shohin pos për të “verbrit” në BE dhe “ndërkombëtarin” Edi Rama! Dhe tani ky “burrështetas i madh” do të bëjë një tur ballkanik, duke u munduar të rivendosë autoritetin e tij si “protagonisti” kryesor i përpjekjeve për paqe dhe përparim në Ballkan! A thua do të mbështetnin serbët, grekët apo kroatët një kryeministër ose kryetar si Edi Rama?
Cila është rruga përpara?
Logjika e shëndoshë të thotë se pala që nuk e ka pranuar Planin Ahtisaari nuk ka të drejtë të kërkojë zbatimin e pjesërishëm të tij duke përjashtuar pranimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, si pjesë thelbësore e këtij plani. Mirëpo në realitet kjo është qasja e BE-së dhe disa shteteve të tjera evropiane (Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania e Qipro), me çka haptas po bëhet e qartë se janë këto shtete dhe institucione ndërkombëtare që po mbështesin politikën nacionaliste të Serbisë, shkaktar i vërtetë i krizave të përsëritura në Veri të Kosovës, që nga viti 2008 e këndej.
Në rrethana të tilla kur mungon bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si mund të shpresojmë se Bashkësia Evropiane do të trajtojë me drejtësi dhe korrektësi interesat e Republikës së Kosovës, aq më tepër që nga viti 1999 ka një pajtim perëndimor për aspiratat territoriale serbe në zonën përtej Ibrit. Pra ky kancer i quajtur “Veriu i Kosovës” po konsiderohet nga qendrat vendimmarrëse si përkohësisht “tokë e askujt” dhe me qëllim pengohet çdo lëvizje sado e vogël për integrimin e saj dhe që për herë të parë ka bërë bashkë: Kinën, Rusinë, Korenë e Veriut, Iranin, Bashkësinë Evropiane dhe SHBA, në dënimin e palës më të dobët, Kosovës, duke heshtur çdo kritikë ndaj nxitësit kryesor, Serbisë. Janë këto veprime shumë të habitshme dhe një dyfytyrësi e hapur e demokracive perëndimore e për më shumë të SHBA-së, krijuese dhe mbështetëse kryesore e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, nga qëndrimi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të tyre (pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve) do të varet se në fazën finale, a do të kemi: 1) marrëveshje për mini-republikë serbe në Kosovë, me të cilën Serbisë do t’i legalizohej ndërhyrja në Kosovë, propozim i cili ka përkrahje nga BE-SHBA; 2) “status quo” me rivendosje të KFOR-it në veri të lumit Ibër (ashtu siç do të kërkojë Serbia), duke përjashtuar juridiksionin e Kosovës në pjesën veriore, si mundësi ndëshkuese kundër Kosovës; 3) inskenimin e variantit Qipriot, mbyllja e syve para invazionit serb në veriun e Kosovës (sikur po kërcënon Serbia); 4) marrëveshje për një vetëqeverisje lokale të serbëve dhe me kufizime për ndërhyrje të Serbisë vetëm në financimin e sistemit arsimor, shëndetësor dhe kulturor të tyre (sikur është e gatshme të pranojë Kosova); 5) Rikthimi i idesë së shkëmbimit territorial (në një situatë të tillë do të binte poshtë edhe Kushtetuta e Ahtisaarit dhe ndalimi për bashkim me Shqipërinë, gjë që vështirë do të realizohej, jo vetëm se nuk do të lejonin Fuqitë e Mëdha, por ky proces është i pamundur për sa kohë në pushtet është Edi Rama dhe rryma politike “xoxiste” e tij).
Si do të jetë fundi?