Libri “Kosova në kapërcim të shekujve: Nga Luftërat Ballkanike deri te Lufta e Dytë Botërore” i Ruzhdi Jasharit dhe Donika Hotit – vëllimi I, Prishtinë 2024 – është një përpjekje e vlefshme për të ndriçuar gjysmën e parë të shekullit XX të historisë së Kosovës dhe shqiptarëve, të një periudhe e cila u përshkua me dominimin dhe represionin serb, i cili shkretoi, rrënoi, plaçkiti dhe çoi drejt ngjarjeve dhe zhvillimeve vendimtare për fatin e shqiptarëve në përgjithësi. Autorët ofrojnë një trajtim konciz dhe të argumentuar të këtyre ngjarjeve, duke kontribuuar në krijimin e një pamjeje më të mirë, më të plotë e më të qartë të historisë së Kosovës
Kosova, me trashëgiminë e saj ilire, romake, bizantine, osmane, austro-hungareze dhe jugosllave, është një rajon që historikisht ka luajtur një rol kyç si epiqendër e luftërave antiosmane dhe për emancipim kombëtar. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX, Kosova bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për rajonin, duke u shndërruar në një nga pikat më periferike të Perandorisë Osmane dhe, në të njëjtën kohë, si vendi ku u formësua ideja e shtetit kombëtar shqiptar. Ky proces kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila ka një rëndësi të veçantë në formimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe në organizimin e luftës për autonomi dhe pavarësi kombëtare.
Ndërkohë, që nga periudha e Krizës Lindore, territori i Vilajetit Osman të Kosovës u shndërrua në një epiqendër të rivaliteteve të fuqive të mëdha, si Perandoria Austro-Hungareze dhe ambiciet hegjemoniste të Serbisë dhe Rusisë.
Shqiptarët “enden poshtë e lartë në gjendje urie”
Ky kontekst gjeopolitik shpjegon edhe tensionet dhe rivalitetet që kanë karakterizuar historinë e Kosovës dhe të rajonit për shekuj me radhë. Pavarësisht ndikimit të këtyre fuqive, kur Serbia pushtoi rajonin e Toplicës, Nishit, Prokluples dhe zona të tjera në vitet 1877-1878, dëboi dhjetëra mijëra shqiptarë nga Toplica dhe Vranja, për t’u hapur rrugë kolonëve serbë. Pas këtij pushtimi, përfaqësuesi britanik për Serbi, Gerald Franci Gould, iu ankua Lordit Salisbury për brutalitetin serb. Ai shkroi: “Banorët paqësorë dhe punëtorë të mbi 100 fshatrave shqiptare në Luginën e Toplicës dhe Vranjës u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga serbët në pjesën e parë të këtij viti (1878). Këta njerëz të përvuajtur që atëherë enden lart e poshtë në gjendje urie të thellë”. Pavarësisht ankesave të diplomatëve perëndimorë, Serbia nuk u ndëshkua për këto krime. Përkundrazi, me shpejtësi dhe efikasitet, ajo arriti të ndryshonte strukturën e popullsisë në Luginën e Toplicës, duke vendosur kolonë serbë dhe duke larguar shqiptarët nga toka e tyre. Kjo periudhë është një nga momentet më të errëta të historisë së pushtimeve serbe në territoret shqiptare, dhe pasojat e saj ndikuan në strukturën demografike dhe sociale të rajonit për shumë vite më pas.
Përpjekjet serbe për zhbërjen shqiptarëve
Libri i Ruzhdi Jasharit dhe Donika Hotit analizon dhe shpjegon se si shoqëria kosovare përballet me brutalitetin dhe represionin shtetëror serb, i cili kishte si pikënisje doktrinën hegjemoniste serbe, që synonte spastrimin etnik të Kosovës dhe serbizimin e saj. Në këtë kontekst, Kosova edhe në periudhën mes dy luftërave botërore u përball me përpjekjet serbe për zhbërjen e popullatës etnike, që kishin përparësi të përshtaten me projektin nazist të Hitlerit kundër hebrenjve në Evropë. Për këto arsye, libri i Jasharit dhe Hotit është një tekst hyrës i rëndësishëm dhe informues për studiuesit dhe lexuesit e përgjithshëm.
“Kosova në kapërcim të shekujve: Nga Luftërat Ballkanike deri te Lufta e Dytë Botërore”, shqyrton historinë e vendit nga Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913 deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Jashari dhe Hoti janë të qartë dhe të drejtpërdrejtë në dënimin e dhunës në Kosovë gjatë periudhës 1912-1945. Ata theksojnë dhunën e drejtuar kundër komunitetit shqiptar nga ushtria serbe dhe formacionet paramilitare serbe, duke përmendur krahas represionit dhe krimeve të shumta, edhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore kombëtare, si pjesë e strategjisë për zhdukjen e kujtesës kombëtare në Kosovë.
Për Jasharin dhe Hotin, veprat serbe të dhunës dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve dhe shkatërrimi i monumenteve dhe objekteve kulturore, janë pjesë e një strategjie të qëllimshme për ta fshirë identitetin kombëtar të Kosovës dhe për të shuar kujtesën historike të popullatës shqiptare. Ky proces i ngjashëm me ato që ndodhen në Bosnjë, ka pasur pasoja të thella dhe afatgjata për identitetin kombëtar dhe shoqëror të Kosovës. Autorët e librit argumentojnë se përgjegjësia për represionin shtetëror dhe shkatërrimin e Kosovës qëndron kryesisht tek udhëheqja ultra-nacionaliste serbe.
Vendimet fatkeqe diplomatike të fuqive evropiane
Në këtë mënyrë, “Kosova në kapërcim të shekujve: Nga luftërat Ballkanike deri te Lufta e Dytë Botërore” ofron një shpjegim të balancuar dhe përmbledhës të historisë së Kosovës, duke theksuar se historia e Kosovës e kësaj periudhe nuk mund të shpjegohet vetëm përmes faktorëve të brendshëm, por edhe përmes ndikimeve të fuqive të jashtme dhe ndryshimeve të mëdha që ndodhën në skenën ndërkombëtare.
Libri “Kosova në kapërcim të shekujve...” vëllimi i parë, përqendrohet në historinë politike dhe ngjarjet më të rëndësishme që kanë shënuar fatin e Kosovës, duke filluar nga periudha e shpërbërjes së shtetit osman, përkatësisht nga luftërat ballkanike 1912/13, të cilat u shndërruan në barometër të politikës evropiane, dhe përmbyllet me ngjarjet politike deri në prag të Luftës së Dytë Botërore. Me fokus të veçantë trajtohet periudha e luftërave ballkanike 1912/13 dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër, si një ndërmarrje e fuqive të mëdha evropiane për ruajtjen e status quo-së dhe ekuilibrit të forcave në kontekstin e Koncertit Evropian. Është koha kur krahas përpjekjeve për rregullimin e Ballkanit post-perandorak, synohet të mbushet “vakumi i pushtetit” të krijuar në rajon si rezultat i zhbërjes së Perandorisë Osmane dhe më pas edhe të Perandorisë Austro-Hungareze. Është periudha kur fuqitë evropiane morën vendime fatkeqe diplomatike të cilat kanë ende ndikim në Ballkan si një trashëgimi e vështirë. Këto zhvillime historike, të cilat në gjeografinë shqiptare kanë pasoja të rëndë afatgjate, përkojnë me përpjekjet e Austro-Hungarisë për të ruajtur statusin e fuqisë së madhe në Ballkan dhe të krijimit të një shteti etnik shqiptar, që do të shërbente si tampon zonë ndaj synimeve serbe dhe ruse për dalje në Adriatik.
Pas negociatave të ashpra dhe presionit diplomatik, dhe sidomos pas qëndrimit ekuilibrues të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, Austro-Hungaria u detyrua të hiqte dorë nga përcaktimi i linjave kufitare sipas parimit etnik dhe të pajtohej për një rregullim politik, që kryesisht imponohej nga situata e krijuar në terren nga shtetet ballkanike.
Franca, Rusia dhe çështja e pazgjidhur e Kosovës
Rrjedhimisht, ky ishte një moment vendimtar, sepse kufijtë e vendosur në atë periudhë nga Fuqitë e Mëdha, veçanërisht nga Franca dhe me insistimin e Rusisë, bënë që çështja e Kosovës të mbetej e pazgjidhur, duke u shndërruar në një problem të rëndësishëm ndërkombëtar, që do të kishin ndikime të thella gjatë gjithë shekullit XX.
Në këtë kontekst, duhet potencuar se një faktor frenues për arritjen e synimeve shqiptare ishte edhe karakteri lokal i kryengritjeve shqiptare dhe veçanërisht mungesa e mbështetjes së krahut të Hasan Prishtinës në bisedimet shqiptaro-osmane të verës së vitit 1912 nga figurat e tjera kombëtare, si Ismail Qemali dhe të tjerë, ashtu siç ishin dakorduar në takimin historik të Taksimit. Në këtë situatë, Hasan Prishtina, një nga udhëheqësit më meritor dhe me vizion të qartë të Kryengritjes së Madhe të vitit 1912, nuk ia doli të realizonte kërkesat e tij autonomiste dhe u detyruar të bënte kompromise me krahun konservativ dhe pro-osman brenda kampit shqiptar, duke hequr dorë nga kërkesat fillestare dhe duke u pajtuar me 14 kërkesat e njohura, të cilat Stambolli i “pranoi” vetëm sa për të fituar kohë.
Mosshpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Shkup
Mosshpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Shkup u dha kohë vendeve ballkanike që të organizoheshin dhe të godisnin shtetin osman dhe bashkë me të edhe të pushtonin territoret e tyre në kohën kur gjeografia shqiptare në rrafshin e të drejtës ndërkombëtare konsiderohej akoma tokë osmane.
Një moment tjetër i dokumentuar mirë nga Jashari dhe Hoti është edhe periudha e sundimit dhe represionit sistematik midis dy luftërave botërore, e cila për synim kishte akulturimin, asimilimin dhe dëbimin masiv të shqiptarëve dhe me synim final të krijimit të “lebensraum” për kolonët serbë nga vise të tjera të mbretërisë jugosllave. Në këtë kuadër, autorët trajtojnë dhe zbërthejnë në mënyrë analitike përmbajtjen dhe synimet e dokumentit e Çubrilloviqit, sipas të cilit për transformimin demografik të Kosovës dhe serbizimit të saj duhej të ndiqeshin metodat e ngjashme hitleriane ndaj hebrenjve, dhe format e spastrimit etnik që shtetit serb i kishte përdorur për dëbimin e shqiptarëve dhe në serbizimin e rajoneve të Luginës së Toplicës me 1877/78.
“Kur Gjermania ishte në gjendje të dëbonte dhjetëra mijëra hebrenj, ndërsa Rusia të zhvendoste miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, atëherë dëbimi i disa qindra mijë shqiptarëve nuk do të provokonte fillimin e një lufte botërore”, theksonte mes të tjerash Çubrilloviqi në elaboratin e tij të vitit 1937.
Mbrojtja e shqiptarëve të persekutuar në Mbretërinë Jugosllave
Në këtë kontekst, Jashari dhe Hoti bëjnë një trajtim të thelluar edhe të rezistencës shqiptare, e cila në këtë periudhë artikulohej nga organizata “Xhemjeti (Bashkimi)”, që operonte më shumë nën petkun e imponuar fetar, pasi organizime politike mbi baza etnike nuk lejonte shtetit jugosllav, dhe nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, një organizatë e krijuar në fshehtësi në Shkodër në maj të vitit 1918 nga atdhetarët e Kosovës, si Hoxhë Kadriu, Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Halim Gostivari, Hysni Curri, Niman Ferizi e të tjerë. Ky komitet luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e rezistencës dhe ruajtjen e lidhjeve kombëtare, duke pasur si synim çlirimin e Kosovës nga Mbretëria Jugosllave, ashtu edhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, që asokohe ishte cak i ambicieve serbe dhe greke.
Pavarësisht se Presidenti Wilson në Paris po formulonte një rrugëtim të ri për popujt e Ballkanit, duke përfshirë edhe shqiptarët, Xhemjeti dhe Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës ishin të angazhuar aktivisht për të mbrojtur shqiptarët e persekutuar në Mbretërinë Jugosllave. Në këto rrethana, rol qendror kishte Hasan Prishtinës, i cili megjithatë i vetëm dhe duke vepruar në ekzil, ishte i përndjekur këmba këmbës si nga mbreti Zog ashtu edhe nga qeveria e Beogradit.
Hegjemonizmi jugosllav për kolonizimin e Kosovës
Në pjesën tjetër të librit, autorët zhvillojnë një analizë të thellë të përpjekjeve të shtetit hegjemonist jugosllav për kolonizimin e Kosovës dhe dëbimin e shqiptarëve, duke i shtyrë ata për në Shqipëri dhe Turqi. Por shumë shpejt, kreu shtetëror serb kuptoi se kolonizimi i Kosovës, hap pas hapi, nuk po jepte rezultatet e dëshiruara dhe se forma e vetme e mundshme për të arritur qëllimet e tij ishte dëbimi masiv i shqiptarëve. Elita politike serbe nuk e konsideronte si shqetësim të madh dëbimin e shqiptarëve, pasi ajo mendonte se opinioni botëror ishte tashmë mësuar me krime dhe veprime më të dhunshme dhe se ishte e zënë me çështje të tjera të përditshme.
Beogradi kishte të qartë se Evropa post-Versailles nuk do të merrej me çështjen e shqiptarëve të Kosovës, pasi e shihte këtë çështje si të parëndësishme dhe e konsideronte shqiptarët si një popull të inferiorizuar, pjesërisht për shkak të përkatësisë së tyre fetare dhe racore. Kjo mospërfillje e thellë nga ana e opinionit ndërkombëtar e bëri Beogradin të mendonte se politika e tij hegjemoniste ndaj shqiptarëve do të kalonte pa asnjë kundërshtim të rëndësishëm.
Në këtë kuadër, një rol të veçantë kishte edhe Konventa Jugosllavo-Turke (1938), e cila ishte një instrument i rëndësishëm për realizimin e këtyre qëllimeve të politikës kolonizuese serbe ndaj Kosovës. Ky proces i kolonizimit dhe asimilimit të shqiptarëve ishte pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndryshuar përbërjen etnike të Kosovës dhe për ta bërë atë një pjesë të pandashme të shtetit serb, duke synuar eliminimin e çdo gjurme të identitetit shqiptar në këtë rajon. Lidhur me këtë çështje, autorët e librit, duke iu referuar burimeve të shumta, konstatojnë se projekti serb i kolonizimit të Kosovës u zhvillua në tri faza, duke arritur arriti kulmin në vitin 1938, por që hovin e këtij projekti e ndali shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore.
Duhet nënvizuar se vitet 1918-1941 paraqesin një nga periudha e shtypjes më brutale të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve përreth, pasi Evropa e Versajës bazohej mbi vlera të tjera dhe më shumë ishte e përqendruar në rivalitetet e tyre për supermaci në Evropë, ndërkohë që mundësia e shqiptarëve të Kosovës për organizimin e ndonjë rezistence të madhe kombëtare ishte e limituar, për shkak të mungesës së një elite intelektuale dhe politike dhe për shkak të brishtësisë dhe paqëndrueshmërisë së shtetit shqiptar.
Në përmbyllje të librit, autorët kanë botuar në formë shtesë (aneksi) edhe dokumente që dëshmojnë ekzistencën e doktrinës serbomadhe, si projekti i Vasa Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve dhe kolonizimin e vendbanimeve të tyre; Dokument nga Edith Durham; Programi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”; Marrëveshja në mes Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Republikës së Turqisë – Konventa Jugosllavo-Turke e vitit 1938 për dëbimin e shqiptarëve, të cilat lexuesit i ofrojnë një pasqyrë më të gjerë për përmbajtjen dhe synimet e doktrinës për krijimin e shtetit të madh serb.
Tri ngjarje që ndryshuan rrjedhën e Kosovës në rrugëtimin për mëvetësi
Libri “Kosova në kapërcim të shekujve: Nga Luftërat Ballkanike deri te Lufta e Dytë Botërore”, është një përpjekje e vlefshme për të ndriçuar gjysmën e parë të shekullit XX të historisë së Kosovës dhe shqiptarëve, të një periudhë e cila u përshkua me dominimin dhe represionin serb, i cili shkretoi, rrënoi, plaçkiti dhe çoi drejt ngjarjeje dhe zhvillimeve vendimtare për fatin e shqiptarëve në përgjithësi. Autorët ofrojnë një trajtim konciz dhe të argumentuar të këtyre ngjarjeve, duke kontribuar në krijimin e një pamje më të mirë, më të plotë e më të qartë të historisë së Kosovës. Së fundi, Jashari dhe Hoti shpërfaqin aftësinë për të shqyrtimin dhe interpretimin e fakteve të cilat konfirmojnë se vetëm përgjatë gjysmës së parë të shekullit XX, tri ngjarje kyçe e ndryshuan rrjedhën e Kosovës në rrugëtimin e saj për mëvetësi. E para, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila krijoi çështjen e Kosovës, e dyta, vendimi i Versajës që Kosova të përfshihej një shtet të madh sllav dhe e treta ishte fitorja e komunizmit në vitin 1945, vendimi i serishëm që Kosova të mbetet pjesë e një shteti serb dhe jugosllav.
Në këtë kuptim, ky libër shërben edhe si një manual për të njohur më mirë ngjarjet e rëndësishme të shekullit XX në Kosovë dhe politikat hegjemoniste të Serbisë, të cilat na mundësojnë të kuptojmë më thellë dinamikat historike që kanë formësuar situatën aktuale në rajon dhe rreth Kosovës.
Përmes analizës së këtyre ngjarjeve historike dhe politikave, lexuesi mund të përvetësojë një kuptim më të qartë të tensioneve dhe konflikteve të vazhdueshme, si dhe të mësojë se si ato ndikojnë në marrëdhëniet dhe proceset politike që po zhvillohen edhe sot në këtë pjesë të rajonit të Evropës Juglindore.
Si i tillë, ky libër është vlefshëm jo vetëm për studentët e historisë, mësimdhënësit dhe nxënësit, por edhe për publikun më të gjerë që është i interesuar të njihet në mënyrë të përgjithshme me një nga periudhat më të rëndësishme dhe vendimtare të historisë së Kosovës.