Shtojca për Kulturë

“Kosova në 100 fotografi” gjurmëve të trashëgimisë dhe identitetit

Nuk është thjesht një shpalosje albumi fotografish, por “Kosova në 100 fotografi” i Elona Gjatës e Hysni Ndreut, gjurmon nëpër monumente, tradita e shenja identitare. Ka ardhur si botim tok me ekspozitën ku janë shpalosur një pjesë e imazheve. Libri flet në katër gjuhë dhe ofron edhe një rrugëtim në historinë e vendit

Trashëgimia kulturore e krejt Kosovës dhe jo vetëm, mblidhet në një vend me projektin “Kosova në 100 fotografi”. Ekspozita në kuadër të saj, e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, vizitorin e shëtit nëpër çdo cep të vendit nëpër objekte me objekte kulti, peizazhe, veshje, e në festa. Përthekohet njëfarë historie e popullit deri në monumentet e komplekset që rrëfejnë për vitet ‘90. Aty takohet me lashtësinë dhe krejt materialet vijnë edhe si fakte historike.

Njëra prej hapësirave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë është kthyer edhe një tjetër herë në vend ekspozues. Fotografi të vendosura në mbajtëse pikturash kanë përshkruar në formë harkore të tri anët e hollit në katin e sipërm. Shëtitjen nëpër 23 fotografi e kanë shoqëruar ritmet “Bareshës”. Ato janë shkrepur nga fotografi Kron Krasniqi. Janë veç disa fotografi prej materialeve që përfshin në atë që vjen si ekspozitë digjitale. Janë diku 4 a 5 sekonda që mund të eksplorohen me sy. Përfshihen veç emra objektesh, megjithatë zgjerimit të njohurive i kontribuon libri si një tjetër version më i kompletuar i ekspozitës. Krejt projekti në përgjithësi ka për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore e historike duke e vënë fokusin në vende e ngjarje e të tjera materiale që lidhen me identitetin e vendit.

Të premten kur është përuruar ekspozita, është bërë e ditur se libri e bart peshën kryesore të projektit. Pos fotografive, krahas secilës qëndron një tekst i shkurtër informues që vjen në shqip, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Sipas bashkautores Elona Gjata, përkthimi i tekstit është parë edhe si mundësi për qasje më të lehtë në tekste për të rinjve që jetojnë në diasporë në mënyrë të mësojnë dhe kuptojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe historinë e vendit. Por edhe të zgjerohet rrethi i informacioneve që përfshihen në libër.

“Qëllimi kryesor i këtij libri ka qenë promovimi i trashëgimisë kulturore dhe historike brenda dhe jashtë vendit të Republikës së Kosovës. Pra qëllimi nuk është vetëm promovimi brenda, por edhe në diasporë ku gjeneratat e reja e kanë mundësinë të njihen me vendin e tyre, me trashëgiminë kulturore. Janë shumë aspekte brenda saj dhe nuk janë vetëm me vlera për specialistët e fushës”, ka thënë Elona Gjata, e cila librin e ka përgatitur bashkë me Hysni Ndreun.

Sipas Gjatës, libri i kontribuon edhe shkencës për shkak të informacioneve që përfshin.

“Fokusi është vënë në ngjarje të ndryshme, në vende dhe objekte që lidhen ngushtë me identitetin e vendit. Një nga qëllimet kryesore ka qenë transmetimi se si janë ruajtur traditat te banorët e këtij vendi nga tranzicione të ndryshme, sidomos pas shpalljes së Pavarësisë, duke parë se si ka ndryshuar jeta, se si ka ndodhur progresi e kështu me radhë”, ka thënë ajo.

Sikurse ekspozita “Kosova në 100 fotografi”, ashtu edhe libri është ndarë në kategoritë: objekte historike, trashëgimi kulturore, kulturë materiale dhe shpirtërore, objekte kulti, etnografi, gatime tradicionale dhe peizazhe natyrore.

Në kategorinë e objekteve historike bën pjesë Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, Kullat e Junikut, monumenti NEWBORN, shtëpia e familjes Hertica, Muzeu i Pavarësisë e shtëpia e Shtjefën Gjeçovit. Mes të tjerash, si objekt historik përfshihet edhe kompleksi memorial “Adem Jashari”, ai i Zonës Operative të Llapit, shtëpia-muze e Ferdonije Qerkezit e Kulla e Azem dhe Shotë Galicës.

Image
Sikurse ekspozita “Kosova në 100 fotografi”, ashtu edhe libri është ndarë në kategoritë: objekte historike, trashëgimi kulturore, kulturë materiale dhe shpirtërore, objekte kulti, etnografi, gatime tradicionale dhe peizazhe natyrore

Kroi i Lotit si objekt në zonën e Hasit të Prizrenit përcjell në libër historinë e trishtë të ndarjes së familjeve kur ishte ndarë edhe zona e Hasit në dy pjesë në vitin 1948.

“I vetmi vend ku mund të takoheshin familjet me lidhje gjaku të mbetura në të dyja anët e kufirit dhe të merrnin informacione mbi fatet e të afërmeve të tyre ishte Kroi i Lotit, në të cilin mbushnin edhe ujë. Për shkak se kroi ruhej me ushtarë nga të dyja shtetet, gratë bisedonin dhe jepnin informacione me kode ndërmjet njëra-tjetrës”, shkruhet në tekstin bashkangjitur me fotografinë e objektit.

Libri në kategorinë e trashëgimisë kulturore përfshin Kalanë e Prizrenit, Urën e Gurit në këtë qytet, Kullën e Sahatit në Prishtinë, Muzeun Kombëtar të Kosovës e Muzeun e Kristaleve të Trepçës. Ky i fundit ishte themeluar në vitin 1964 me nismën e minatorëve të Trepçës. Në libër shkruhet se aty janë të ekspozuara 1560 eksponate që paraqesin lloje të ndryshme të kristaleve. “Aty janë të ekspozuara edhe shumë eksponate të kristaleve nga vende të huaja, të tilla si Meksika, Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Brazili. Në këtë muze ndodhen grupe të ndryshme të mineraleve, por si minerale me vlerë të çmuar veçohen vivianiti dhe lludoniti”, vijon përshkrimi për Muzeun e Kristaleve të Trepçës.

Varrezat e Hebrenjve aty shpalosin një tjetër histori në vend. Rrëfen për gjurmët e komunitetit hebre në vend. përfshihen edhe Shadërvani i Prizrenit, Kalaja e Artanës, Guri Monumental i Ritit Varror Dardan e Parku Arkeologjik i Ulpianës.

Shkolla e filigranit, saraçët, poçaria, mjeshtëria e gurit, sofra e plisi janë disa prej të përfshirëve në pjesën e ndarë të librit për kulturë materiale dhe shpirtërore. Aty janë gjithashtu edhe instrumentet lahuta, çiftelia e okarina. “Eksponati origjinal i okarinës është gjetur për herë të parë në vitin 1968 në fshatin Runik, në Komunën e Skenderajt. Kjo gjetje e rëndësishme arkeologjike e ka renditur okarinën si instrumentin frymor më të vjetër të zbuluar deri më tani në Kosovë, por ndoshta edhe në Evropë”, tregohet në libër për okarinën.

Në pjesën e objekteve të kultit, mes tjerash gjenden Xhamia e Sinan Pashës në Prizren, Xhamia e Hadumit në Gjakovë, katedralja “Nënë Tereza” e kisha “Shenjtërorja e Zojës së Letnicës”. Kjo e fundit që gjendet në fshatin Letnicë të Vitisë “më 15 gusht 1928, Gonxhe Bojaxhiu, një vajzë 18-vjeçare, kishte marrë vendimin përfundimtar për të filluar rrugëtimin e saj si motër misionare, e cila më vonë u bë e njohur në gjithë botën si Nënë Tereza”, siç shkruhet në libër.

Libri i bazuar në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme dhe atë nën mbrojtje të përkohshme të Ministrisë së Kulturës, përfshin edhe veshje, valle rite dhe festivale. Në librin që përfshin njëqind fotografitë e ekspozitës është veshja tradicionale e Opojës, e Gjonajt të Hasit, e Zymit, Medvegjës, Drenicës, vallja me shpata, vallja e Shotës, pikturimi i fytyrës.

E veçantë është Nata e Buzmit, festë që kremtohet më 25 dhjetor si datë e kthyer në traditë popullore e komunitetit të krishterë që tash festohen si Krishtlindje. Megjithatë, ende mbahet tradita e kësaj feste. Siç shpjegohet në libër, “për Natën e Buzmit pritet një copë dru qarri ose bungu dhe sillet nga i zoti i shtëpisë për t’u djegur pranë vatrës së zjarrit, ku zhvillohen rituale të ndryshme magjike”.

Gatimet dhe pijet tradicionale s’kanë si të mos përfshihen në trashëgiminë e vendit. Pitja, djathi i Sharrit, tespishtja, vera e rakia vijnë me ilustrime e shpjegime për shijet autentike vendore. Bukuritë natyrore nuk mungojnë. Në peizazhe natyrore është natyra e Brodit, Prevallës, ujëvara e Drinit të Bardhë, gryka e Rugovës, Liqenati i Kuqishtës, mali i Pashtrikut e Brezovica, e të tjera. Në këtë pjesë përfshihet edhe raca autentike e qenit – Qeni i Sharrit.

Njëra prej autorëve të librit, Elona Gjata, ka thënë se “janë zgjedhur objekte që transmetojnë dhe përmbajnë histori të ndryshme të vendit”.

Valon Shkodra, hulumtues nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, ka qenë këshillues shkencor i librit.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme. Ndihem shumë krenar dhe i lumtur që kam qenë pjesë e këtij projekti shumë të rëndësishëm me fotografi të ndryshme. Janë përzgjedhur ato më reprezentative, më të bukura. Ajo që është më e veçantë në lidhje me këtë libër se është në katër gjuhë. Jo vetëm për diasporën që është e rëndësishme, por edhe për turistët e huaj, sepse e dimë se ka vite që vizitojnë këto vende”, ka thënë Shkodra.

Ndërsa studiuesi i trashëgimisë kulturore, Qazim Namani, ka thënë se përtej përmbajtjes, e veçantë është se botimi është punuar nga dy studiues të rinj nga Shqipëria dhe interesimi i tyre për kulturën e Kosovës. Për nga përmbajtja, theksin e ka vënë te pjesa e veshjeve tradicionale.

“Nga burimet historike na kanë mësuar se shqiptarët e kishin të ndaluar veshjen kombëtare gjatë sundimit osman. Kështu ka ndodhur edhe më vonë. Kjo pjesa këtej kufirit, në Malësi e braktis veshjen dhe kemi rastin e një familje të njëjtë në fshatin Sfishtë, ajo që ka mbetur në pjesën tjetër të kufirit e ka praktikuar artin tradicional, veshjen kombëtare shqiptare, ndërsa kjo këtej e ka braktisur. Kjo e tregon vështirësinë e sakrificën që ka pasur populli ynë për të ruajtur kulturën, gjuhën”, ka thënë Nimani.

Kontribuuesit e projektit “Kosova në 100 fotografi” kanë bërë të ditur se janë zgjedhur objekte, peizazhe, veshje e ushqime që e përfaqësojnë më së miri kulturën e Kosovës.