Shtojca për Kulturë

Kosova e 1981-s në shtypin grek: prej realitetit te “Shqipëria e Madhe”

Qëndrimi i shtypit grek lidhur me ngjarjet në Kosovë dëshmon se Greqia llogariste se herët a vonë këto ngjarje mund të kishin ndikim vendimtar në stabilitetin rajonal dhe në raportet shqiptaro-greke në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, dezinformatat nga pala jugosllave, shpërndarja dhe botimi i hartave me “Shqipërinë e Madhe” ishin një përpjekje e autoriteteve jugosllave për t’i helmuar marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Athinës zyrtare dhe një përpjekje për zhvendosjen e vëmendjes nga ngjarjet në Kosovë. Fatkeqësisht, edhe dyzet vjet më vonë, një përpjekje e tillë e Beogradit nuk kanë pushuar ato vetëm kanë marrë forma të reja, herë në rënie dhe herë në ngritje, në varësi të rrethanave politike të brendshme dhe ndërkombëtare. Prandaj, Greqisë duhet qartësuar se rreziku i rajonit tonë nuk vjen nga njohja ndërkombëtare e Kosovës, por nga intenca e projektit për krijimin e Serbisë së Madhe

Demonstratat studentore të marsit dhe prillit të vitit 1981 që u zhvilluan në Prishtinë dhe u pasuan edhe në qytetet e tjera të Kosovës e në të cilat shqiptarët kërkuar statusin e republikës, shprehnin një ndërgjegjësim dhe një synim të kosovarëve që pas vdekjes së Titos të siguronin një status më të avancuar në kuadrin e federatës jugosllave dhe në një fazë tjetër, varësisht nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, realizimin e të drejtës për vetëvendosje, përkatësisht bashkimin me Shqipërinë.

Këto ngjarje e kthyen Kosovën në epiqendër të publikut dhe të mediave jugosllave, rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat në përgjithësi nënvizuan karakterin paqësor dhe të drejtë të kërkesave të kosovarëve dhe në të njëjtën kohë ato vunë në dukje dhunën policore ndaj demonstruesve shqiptarë, si dhe vendosjen e masave të tjera ushtarake në Kosovë.

Tanket dhe dhuna policore në zemër të Evropës

Shtypi ndërkombëtar nënvizonte edhe faktin se tanket dhe dhuna policore u përdorën në një shtet në zemër të Evropës, i cili e paraqiste veten si shtet liberal dhe model i zgjidhjes së çështjes kombëtare, kundër një populli dhe rajoni të cilësuar si më i varfëri në Jugosllavi dhe në Evropë.

Pavarësisht se elita politike komuniste e Kosovës këmbëngulte se Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 de facto ishte në rangun e republikës dhe se në ato ngjarje ishin të involvuara shërbimet e huaja, demonstratat e vitit 1981 ishin rezultat edhe i frikës së shqiptarëve se autonomia dhe të drejtat e tyre do të mund të cenoheshin nga klasa politike jugosllave, përkatësisht serbe.

Pushteti i atëhershëm jugosllav dhe klasa politike në Kosovë në tentim për të shtypur lëvizjen shqiptare, këto demonstrata i cilësoi si kundërrevolucion dhe si rrjedhojë filloi valë brutale e arrestimeve dhe të diferencimit politik të shqiptarëve në të gjitha nivelet e institucioneve të Kosovës dhe jashtë saj. “Klasa politike jugosllave ra në provim në Kosovë. Nga presioni i një pjese të kreut politik jugosllav, por edhe atij serb, edhe udhëheqja kosovare e pranoi ndoshta me gjysmë zëri, por fatkeqësisht se demonstratat ishin kundërrevolucion”, mendonte historiania dhe intelektualja e njohur serbe, Latinka Peroviq (“Ashtu ka qenë”, Skënder Latifi, botoi “Multimedia”, Prishtinë, 2021).

Image
Shtypi ndërkombëtar nënvizonte edhe faktin se tanket dhe dhuna policore u përdorën në një shtet në zemër të Evropës, i cili e paraqiste veten si shtet liberal dhe model i zgjidhjes së çështjes kombëtare, kundër një populli dhe rajoni të cilësuar si më i varfëri në Jugosllavi dhe në Evropë

Goditja e imazhit të Jugosllavisë së përkëdhelur nga Lindja e Perëndimi

Në fakt, ngjarjet në Kosovë, siç do të dokumentohet në burimet diplomatike, patën jehonë të madhe në Ballkan dhe në botë, për faktin se ato përbënin një goditje të papritur për imazhin e shtetit jugosllav, të përkëdhelur si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi. Në radhë të parë, vdekja e Titos, i cili kishte sunduar me dorë të hekurt, por që kishte krijuar edhe ekuilibra brenda federatës jugosllave, po ndiqej me vëmendje edhe nga fqinjët e Jugosllavisë, pasi në kontekstin e konfrontimit të atëhershëm Lindje-Perëndim, çdo destabilitet i federatës jugosllave do të kishte efekte të drejtpërdrejta edhe për vendet e rajonit. Këto ngjarje në Kosovë, pos që nxorën në shesh kontradiktat e brendshme të shtetit jugosllav, ato shpërfaqën formën më agresive të ideologjisë serbomadhe, që si pikënisje kishte intencën e Serbisë, respektivisht të kryesisë së saj të atëhershme, se duhej reviduar statusi i Kosovës dhe pozita e shqiptarëve në Jugosllavi, pra të suprimohej autonomia, e cila në fakt më vonë çoi edhe në zhbërjen e vetë Jugosllavisë.

Vëmendja lidhur me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë dhe për qëndrimin ndaj tyre të mediave dhe të diplomacisë së vendeve të ndryshme janë pasqyruar në shumë raporte të diplomatëve shqiptarë të kohës, të cilat janë të deponuara në Arkivin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në këto raporte dhe kabllograme diplomatike shprehen pikëpamje dhe qëndrime interesante të kohës nga shtete dhe diplomaci të ndryshme dhe, për më tepër, hidhet dritë mbi prapaskenat dhe ndikimet e mundshme mbi këto ngjarje të faktorëve të ndryshëm, si dhe implikimet që mund të kenë këto zhvillime mbi vetë pozitën e shqiptarëve në Kosovë si dhe të raporteve të atëhershme Shqipëri-Jugosllavi dhe më gjerë, si dhe për rrezikun e destabilitetit të Ballkanit dhe ndërhyrjes së fuqive të mëdha. Shqipëria, e cila atëherë kishte dalë në mbrojtje të demonstruesve dhe të kërkesave të tyre në Kosovë dhe dënonte masat e dhunës të autoriteteve jugosllave, kishte po ashtu frikë nga mundësia që një destabilitet i shtetit fqinj në veri mund të shkaktonte ndërhyrjen e fuqive të mëdha, e që do të kishte pasoja edhe për shtetin shqiptar. Në këtë kuadër, ajo në çdo kryeqendër diplomatike ndiqte me shumë vëmendje qëndrimet e zyrtarëve dhe të mediave të atyre vendeve ku ajo kishte përfaqësi diplomatike.

“Paralajmërimi” i Jugosllavisë për Shqipërinë etnike

Po ashtu, nga raportimet e diplomatëve shqiptarë është evidente se Jugosllavia, e përballur me presionin e mediave ndërkombëtare lidhur me brutalitetin e policisë jugosllave kundër shqiptarëve, provoi të ndizte një luftë speciale në vendet fqinje, duke përfshirë edhe Greqinë, për gjoja rrezikun e krijimit të një Shqipërie etnike, një konstrukt i përhershëm i Beogradit për të fshehur idenë dhe synimet për krijimin e Serbisë së madhe, që nënkuptonte edhe serbizimin e Kosovës.

Në përputhje me politikën e saj të jashtme, të diktuar nga kreu komunist, ambasadorët shqiptarë anekënd botës kishin marrë udhëzime dhe detyra lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë. Në përgjigje të këtyre udhëzime nga Tirana, ambasadori shqiptar në Athinë pos që i bënte jehonë qëndrimit dhe pozicionit mbështetës së Shqipërisë dhe shtypit shqiptar për këto ngjarje, në mënyrë të hollësishme raportonte për qëndrimet e shtypit dhe zyrtarëve grekë ndaj demonstratave të rinisë shqiptare në Kosovë. Gjatë muajve prill- qershor të vitit 1981, shtypi grek u kishte kushtuar një vëmendje të veçantë problemit të Kosovës dhe situatës së krijuar nga këto ngjarje në Jugosllavinë e atëhershme.

Komentet për gjendjen e shqiptarëve

Siç raportohet, tema e Kosovës u bë prezent thuajse çdo ditë në lajme dhe komente e mediume të ndryshme të këtij vendi ballkanik. Jehonë të gjerë këtyre ngjarjeve në shtypin grek i bënë gazetat kryesore, si “Akropolis”, “To Vima”, “Eleftorotipa”, revista “Epiqeria”, si dhe gazeta të tjera. Njoftimet e para të shtypit grek për ngjarjet në Kosovë u dhanë në fillim të muajit prill 1981. Fillimisht të krijohet përshtypja e një qëndrimi të përmbajtur nga ana e këtyre mediave greke. Po ashtu, diplomatët dhe shteti grek u shmangen diskutimeve të drejtpërdrejta për çështjen e Kosovës dhe pozicionit të shtetit shqiptar në mbrojtje të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Në fillim ishin lajme të shkurtra dhe me referenca kryesisht nga agjencitë perëndimore, por edhe nga vetë shtypi shqiptar.

Në përgjithësi shtypi grek ndoqi taktikën e dhënieve së njoftimeve të marra nga artikujt e shtypit shqiptar, kryesisht të komenteve të gazetës “Zëri i Popullit” dhe nga mediat jugosllave me burime nga Beogradi ose Vjena. Krahas këtyre informacione, shtypi kryesor grek bëri edhe komente mbi gjendjen e vështirë në Kosovë, duke ngritur një pretendim interesant për kohën, për mundësinë e involvimit të Bashkimit Sovjetik në këto ngjarje. Kjo tregon se shtypi grek ka qenë i orientuar t’i ndjekë me precedencë këto ngjarje në Kosovë. Qëndrimi i shtypit grek lidhur me ngjarjet në Kosovë dëshmon se Greqia llogariste se herët a vonë këto ngjarje mund të kishin ndikim vendimtar në stabilitetin rajonal dhe në raportet shqiptaro-greke në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, dezinformatat nga pala jugosllave, shpërndarja dhe botimi i hartave me “Shqipërinë e Madhe” ishin një përpjekje e autoriteteve jugosllave për t’i helmuar marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Athinës zyrtare dhe një përpjekje për zhvendosjen e vëmendjes nga ngjarjet në Kosovë.

Shtypi grek vinte në dukje pabarazinë ekonomike që ekzistonte midis Kosovës dhe republikave të tjera të Jugosllavisë, duke nënvizuar përdorimin e dhunës nga organet shtetërore jugosllave ndaj demonstruesve shqiptarë. Në këtë kontekst, shprehej edhe frika se mos këto ngjarje do të mund të shpinin në shkatërrimin e federatës jugosllave, gjë që do të kishte pasoja në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan, dhe po ashtu ngrihej pyetje mos në këtë ngjarje kishte dorë edhe Bashkimi Sovjetik. Lidhur me tezën e fundit, revista “Epiqeria”, datë 16 prill, duke bërë fjalë për ngjarjet në Kosovë, citonte Fadil Hoxhën, i cili kishte deklaruar se demonstruesit hodhën parulla ML që kujtonin “konformizmin”, që sipas jugosllavëve do të thotë filosovjetizëm.

Gazeta “Akropolis” e datës 12 prill kishte botuar korrespodencën e Sulc Bergeriit në “The New York Times”, sipas së cilës “ngjarjet në Kosovë janë nxitur nga Moska. Sipas burimeve në Athinë, Moska i bën prova Jugosllavisë së pas Titos për të parë se çfarë mund të zbulojë për të përçarë udhëheqjen kolegiale.” E njëjta gazetë më 27 prill të vitit 1981 citonte “Radio Zagrebin” se “ata që duan të përhapin zjarrin në Kosovë, duhet të dinë se punojnë për futjen e superfuqive në punët e brendshme të Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe në dëm të stabilitetit në Ballkan”.

“Tri fazat” deri te statusi i republikës shqiptare

Gazeta “Maqedonai Thesalloniki”, datë 30 prill, duke botuar një korrespondencë të “The New York Times” ku flitej për arsyet përse Kosovës nuk mund t’i jepej statusi i republikës, citonte një zyrtar të lartë jugosllav sipas të cilit “shqiptarët çështjen e statusit të republikës synojnë ta realizojnë në tri faza: në fazën e parë, të krijojnë një republikë shqiptare të Kosovës brenda së cilës do të bashkoheshin edhe shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi”.

Në fazën e dytë, kjo republikë do të shpallet pjesë e një “Shqipërie të Madhe” dhe në fazën e tretë, Bullgaria do të pretendonte Maqedoninë, të cilën nuk e njeh si komb.

Sipas kësaj teorie, theksonte “New York Times”, del në pah se Bashkimi Sovjetik mund të përfitojë një korridor të lirë për në Mesdhe përmes Bullgarisë dhe të “Shqipërisë së Madhe”.

Përveç riprodhimit të njoftimeve të shtypit grek nga ana e jugosllavëve nuk munguan edhe deklarata e zyrtarëve të lartë se “Shqipëria ka pretendime territoriale ndaj Greqisë”, me qëllim që ta detyronin Qeverinë greke t’i kundërvihej edhe ajo Shqipërisë, vetëm për faktin se ajo mbështeste demonstratat dhe kërkesat për Republikën e Kosovës. Një deklaratë e tillë ishte edhe ajo e gjeneralit jugosllav, Petkovski, që u transmetua nga “Tanjugu” më 16 qershor, ku thuhet se shqiptarët synojnë të realizojnë krijimin e “Shqipërisë së Madhe” në tri faza: në fazën e parë të krijohet republika e Kosovës, në të dytën bashkimi i Kosovës me Shqipërinë dhe në fazën e tretë krijimi i “Shqipërisë së Madhe”, duke përfshirë edhe territore greke. Pra, kjo ishte një cytje dhe thirrje e hapur për ta kundërvënë Qeverinë greke ndaj Shqipërisë. Në këtë kontekst, duhet parë edhe botimin e hartës së “Shqipërisë së Madhe” nga gazeta “Kathimerini”, e cila pretendonte se ishte shtypur miratimi i Qeverisë shqiptare në Tiranë. Lëvizja e qarqeve nacionaliste greke në kohën e ngjarjeve në Kosovë, sipas raportimeve diplomatike shqiptare nga Athina, ishin një lojë e sinkronizuar nga UDB-ja jugosllave, e cila dëshironte të ndizte konflikte ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në këtë kuadër, agjencia “Tanjug” nxitonte të transmetojë artikullin e gazetës “Kathimerini” me hartën e “Shqipërisë së Madhe”, si dhe transmetonte njoftime të tjera të qarqeve ekstremiste greke kundër Shqipërisë të botuara në shtypin grek.

Ndërsa RTV greke kishte bërë publike qëndrimet e Tiranës zyrtare se “Shqipëria hedh poshtë njoftimin e “Tanjugut” se ajo ka shpërndarë harta të ‘Shqipërisë së Madhe’”. Edhe gazeta “To Vima” e datës 12 qershor 1981, në artikullin “Shqiptarët akuzojnë Beogradin për ‘hartën’, botonte përgënjeshtrimet e palës shqiptare lidhur me hartën e lartpërmendur, duke nënvizuar po ashtu dëshirën e Shqipërisë për marrëdhënie miqësie me Greqinë. “Shqipëria akuzon sot Jugosllavinë se synon t’i dëmtojë marrëdhëniet greko-shqiptare, në përpjekje për të mbuluar krimet qeveritare që u bënë në Kosovë”. E njëjta gazetë si dhe Radio Athina, theksonin se “nga ana e Shqipërisë është përgënjeshtruar në mënyrë kategorike lajmi që u transmetua nga agjencia e lajmeve jugosllave ‘Tanjug’ më 4 qershor se shqiptarët e kishin vënë në qarkullim një hartë politike të “Shqipërisë së Madhe”, në të cilën përfshiheshin edhe pjesë të territoreve greke.

Image
Prishtinë, 11 mars 1981 (Foto: Ilaz Bylykbashi)

Propaganda e Beogradit në nxitje të konfliktit shqiptaro-grek

Kjo propagandë e Beogradit ishte një intrigë aventureske e Jugosllavisë që provonte t’i minonte kërkesat e drejta kombëtare të shqiptarëve. Me këto veprime, duket qëllimi i qartë i Beogradit për të nxitur turbulenca të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë dhe me këtë synohej të zhvendoseshin nga vëmendja ngjarjet në Kosovë dhe ta vinte në vështirësi shtetin shqiptar për shkak të jehonës ndërkombëtare që i bënte çështjes së Kosovës. Kjo situatë e bëri Tiranën zyrtare të jetë e kujdesshme në drejtim të Athinës, në mënyrë që të mirëmbahen raportet e fqinjësisë së mirë me këtë vend të rëndësishëm ballkanik edhe për shkak të pranisë së minoritarëve grekë. Qëllimi i palës jugosllave në këto veprime të saj nuk ishte vetëm për përforconte pozitat jugosllave për problemin e Kosovës, por dhe të influenconte haptazi në opinion grek dhe të tentonte të tërhiqte në bashkëpunimin propagandën greke për t’u bërë jehonë pikëpamjeve dhe qëndrimeve jugosllave.

Është interesant se harta të tilla Beogradi ka përdorur edhe gjatë viteve ’90 dhe vazhdon të përdorë edhe tani, sa herë dëshiron të fshehë synimet e saj për realizimin e idesë së Serbisë së madhe dhe sa herë ajo provon ta luajë rolin e viktimës dhe sa herë që Beogradi akuzon të tjerë për atë çfarë e synon vetë. Është ky fenomeni i njohur serb i viktimizimit, kur agresori na shfaqet në rolin e viktimës.

Athina zyrtare që s’miratonte qëndrimin jugosllav ndaj Kosovës

Në këtë kontekst, në dosjen diplomatike të shtetit shqiptar përmendet edhe një bisedë e ambasadorit grek në Beograd me ambasadorin shqiptar, Sokrat Plaka, në të cilën ai i kishte deklaruar se nuk duhej të merreshin për bazë pikëpamjet e shtypit grek, pasi Qeveria e Greqisë ishte për marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Në këtë kuadër, ambasadori grek kishte deklaruar se në takimet në Sekretariatin për Punë të Jashtme të Jugosllavisë kishte kërkuar që të mos përdorte shkrimet e shtypit grek nga “Tanjugu” kundër Shqipërisë.

Gjithashtu, sipas një radiogrami të Ambasadës shqiptare në Algjeri, bëhej e ditur se nga bisedat me diplomatët grekë mësohet se autoritetet e Athinës u kishin bërë të qartë jugosllavëve se Greqia nuk i aprovonte veprimet e tyre për të provokuar probleme të paqena midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe pala shqiptare vinte në përfundim se qarqet serbomëdha në Jugosllavi kishin dështuar në planet e tyre për ta futur Greqinë në konflikt me Shqipërinë. Këtë gjë e kishte pohuar edhe Leonidha Mingos, nëpunëse e Ambasadës greke në Tiranë, e cila kishte pohuar se Qeveria greke e kishte pëlqyer qëndrimin zyrtar të palës shqiptare të shprehur përmes gazetës “Zëri i Popullit”, të datës 17 maj 1981, porse Qeveria greke nuk mund të dilte hapur me qëndrim zyrtar për shkak se mund të përkeqësoheshin marrëdhëniet që kishin me Jugosllavinë. Përveç kësaj, Ministria e Jashtme e Greqisë në takim me ambasadorin jugosllav, po ashtu, i kishte pohuar se Athina zyrtare nuk e miratonte qëndrimin e ndjekur jugosllav ndaj Kosovës.

Burimet diplomatike shqiptare konfirmonin se personalitete greke kishin vënë në dukje korrentet kundër Titos, që ekzistonin të kamufluara në kohën e tij, tani kishin dalë në sipërfaqe, veçanërisht në mesin e serbëve, të cilët synonin të vendosnin hegjemoninë e tyre në Jugosllavi dhe t’u jepnin përparësi marrëdhënieve të mira me Bashkimin Sovjetik. Ndërsa korrenti tjetër, kroato-slloven, ishte për shkëputjen nga federata jugosllave për shkak të parashikimeve për rrezikun serb.

Projektimi i ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Jugosllavi, Shqipëri dhe Greqi

Jehona e ngjarjeve të Kosovës në shtypin grek ishte një fakt që i shqetësonte shtetin dhe diplomacinë jugosllave, e cila deri atëherë kishte bërë përpjekje të vetëprojektohej si shtet që ishte kampion për zgjidhjen e çështjeve kombëtare brenda sistemit socialist. Për këtë arsye, jugosllavët provuan ta amortizojnë shtypin grek duke tërhequr vëmendjen për gjoja bashkëpunimin e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe faktorë të tjerë me qëllim të shkatërrimit të federatës shumëkombëshe jugosllave dhe krijimit të situatave konfliktuoze në Ballkan. Shkrimet e tilla, sipas kabllogrameve të Ambasadës shqiptare në Athinë, krijuan shqetësim në qarqet zyrtare greke, të cilat filluan t’i ndiqnin me kujdes ngjarjet dhe të shprehnin edhe shqetësimet e tyre për rrezikun e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe me këtë edhe rrezikun e prishjes së ekuilibrit në Ballkan. Në këtë kontest, projektohej edhe rreziku i ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Jugosllavi, Shqipëri dhe Greqi. Në fakt, shqetësimin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Jugosllavi, Greqia e kishte shprehur vazhdimisht dhe në mënyrë të veçantë në prag të vdekjes së Titos, lidhur me mosmarrëveshjet bullgare-jugosllave për Maqedoninë.

Në anën tjetër, edhe Ambasada shqiptare në Athinë bënte përpjekje për të amortizuar pikëpamjet shtrembëruese të shtypit jugosllav, duke punuar në dy drejtime: e para duke punuar në kultivimin e fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe së dyti duke shpjeguar kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës për status të barabartë brenda federatës jugosllave. Në këtë situatë, para Ambasadës shqiptare shtriheshin detyra të mëdha, në radhë të parë bëhej e domosdoshme që të punohej më shumë me mediat greke, sidomos me shtypin qendror, pasi një gjë e tillë shmang ose zbut fushatat e ndryshme armiqësore të qarqeve nacionaliste.

Në këtë kuadër, i rekomandohej MPJ-së në Tiranë se do të ishte me interes që të ftohej në Shqipëri ndonjë gazetar grek nga gazeta “To Vima”, ose “Elefterotipia” të cilat në përgjithësi asokohe kishin shkruar pozitivisht për shqiptarët dhe Shqipërinë. Në këtë kuptim, duket qartë se Qeveria shqiptare dëshironte një afrim më të madh me Athinën në kohën kur atje ishte shtuar vëmendja për shqiptarët shkaku i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Në fakt, edhe Qeveria greke në këtë periudhë po tregohej e predispozuar për zhvillimin e marrëdhënieve më të mira me Shqipërinë dhe në këtë kontekst Tirana dëshironte t’u jepte mesazh edhe qarqeve jugosllave se bashkëpunimi midis dy vendeve dhe qeverive po zhvillohej normalisht dhe se ishin të kota përpjekjet për të paraqitur si rrezik mbështetjen e kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për më shumë të drejta dhe status të republikës. Në të njëjtën kohë, në qarqet diplomatike të asaj periudhe në kontekstin e zhvillimeve në Kosovë ishin identifikuar po ashtu dy tendenca kryesore në skenën politike jugosllave: tendenca për vendosjen e hegjemonisë së Serbisë në Kosovë dhe në gjithë Jugosllavinë dhe tendenca për ndjekjen e linjës së Titos.

Fatkeqësisht, edhe dyzet vjet më vonë, një përpjekje e tillë e Beogradit nuk ka pushuar, ajo vetëm ka marrë forma të reja, herë në rënie dhe herë në ngritje, në varësi të rrethanave politike të brendshme dhe ndërkombëtare. Prandaj, Greqisë duhet qartësuar se rreziku i rajonit tonë nuk vjen nga njohja ndërkombëtare e Kosovës, por nga intenca e projektit për krijimin e Serbisë së Madhe. Për më tepër, Kosova dhe Greqia ndajnë lidhje të forta dypalëshe bazuar në qëllimet e përbashkëta dhe vlerat evropiane. Brenda këtij konteksti, ekzistojnë mundësi të shumta për forcimin e marrëdhënieve në nivelin dypalësh ashtu dhe në atë ndërkombëtar, si shtysë vendimtare për njohjen e Kosovës nga shteti grek, i cili deri më tani ka dhënë një mbështetje substanciale për anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe në procesin e integrimit evropian.