Shtojca për Kulturë

Kosova dhe “problemi i fundit lidhur me shpërbërjen e Jugosllavisë”

Argumentet e palës kosovare, të tilla si ato në favor të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, mbulojnë gjithashtu disa aspekte të rëndësishme. Së pari, se Republika e Kosovës është një nga shtatë shtetet sovrane dhe të pavarura të manifestuara me shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Kosova, ashtu si gjashtë shtetet e tjera, ishte një nga tetë njësitë përbërëse të BSRJ-së. Zgjidhja e Kosovës ishte “problemi i fundit lidhur me shpërbërjen e Jugosllavisë”. Në këtë kontekst, BSRJ nuk u nda, por u shpërbë, dhe në këto rrethana u bë edhe pavarësia e Kosovës

Me rëndësi për Kosovën ishte dhe deponimi i një shteti në rajon, i Kroacisë, e cila po ashtu ishte pavarësuar në fillim të procesit të dekompozimit të Jugosllavisë. Në deklaratën e saj verbale Kroacia nënvizonte se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhej të merrte në konsideratë rrethanat që çuan në pavarësimin e Kosovës. Mbi të gjitha, Kroacia dëshironte t’u referohej:

- Pozitës kushtetuese të Kosovës brenda ish-RSFJ-së;

- Shfuqizimit joligjor të autonomisë së Kosovës dhe ngjarjeve që ndikuan në pozitën e Kosovës gjatë proceseve të shpërbërjes së ish-RSFJ-së;

- Shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut – dhe represionit sistematik – ndaj shqiptarëve etnikë të Kosovë nga ana e Republikës Federale të Jugosllavisë, tani Republika e Serbisë;

- Vendosjes së administratës ndërkombëtare në Kosovë në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe zhvillimit të institucioneve të vetëqeverisjes nën administratën e përkohshme;

- Dështimit të të gjitha përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të arritur një zgjidhje të negociueshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës dhe, në fund;

- Miratimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Themelimi i justifikuar i shtetit

Njëri prej argumenteve më të rëndësishme ishte se parimi i vetëvendosjes, sipas Dr. Susan Wasun-Rainer, eksperte ligjore në Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane, argumentoi se themelimi i shtetit të Kosovës është i justifikuar sipas së drejtës ndërkombëtare dhe bazohet në të drejtën e popujve për vetëvendosje të popullit të Kosovës. Wasum-Rainer ka parashtruar disa argumente se pse Kosova nuk është një precedent, por një rast i veçantë. Qëndrimi me shkrim i Gjermanisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës theksoi më tej se shpallja e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk shkel rregullat e zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit.

Argumentet e palës kosovare, të tilla si ato në favor të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, mbulojnë gjithashtu disa aspekte të rëndësishme.

Së pari, se Republika e Kosovës është një nga shtatë shtetet sovrane dhe të pavarura të manifestuara me shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Kosova, ashtu si gjashtë shtetet e tjera, ishte një nga tetë njësitë përbërëse të BSRJ-së. Zgjidhja e Kosovës ishte “problemi i fundit lidhur me shpërbërjen e Jugosllavisë”. Në këtë kontekst, BSRJ nuk u nda, por u shpërbë, dhe në këto rrethana u bë edhe pavarësia e Kosovës.

Së dyti, taktikat e Serbisë kundër Kosovës u perceptuan edhe nga republikat e tjera, pasi ato kishin frikë se do të binin gjithashtu viktimë e përpjekjeve të Serbisë për dominim politik. Rrjedhimisht, më 2 korrik 1990, anëtarët e Kuvendit të Kosovës deklaruan se Kosova ishte “një entitet i barabartë dhe i pavarur brenda kuadrit të Federatës Jugosllave”. Në vitin 1991, republikat gjithashtu filluan të deklaronin pavarësinë e tyre, ndaj së cilës Serbia u përgjigj me mjete agresive që do të zhytnin ish-Jugosllavinë në një seri konfliktesh të armatosura.

Së treti, theksohen përpjekjet diplomatike të Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit (rezolutat 1199, 1160 mbi zgjidhjen politike të krizës së Kosovës 1998-1999), të cilat vazhduan me përpjekjet për një zgjidhje kalimtare në konferencën e Rambuuillet në shkurt-mars 1999, e cila dështoi për shkak të refuzimit dhe agresionit të Millosheviqit.

Së katërti, pas ndërhyrjes humanitare të NATO-s, prania e gjatë e bashkësisë ndërkombëtare nën ombrellën e Rezolutës 1244 të OKB-së, ndërsa Serbisë i është mohuar çdo ndikim në Kosovë. Vlen të përmendet se kjo rezolutë nuk specifikoi se çfarë forme të statusit përfundimtar duhet të fitojë Kosova dhe argumenti i pestë është procesi i negociatave të statusit të udhëhequr nga OKB në afatin kohor maj 2005- dhjetor 2007, kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. E gjashta, shpallja e pavarësisë është bërë nga udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike të popullit të Kosovës. Deklarata nënvizoi gjithashtu rrethanat e veçanta që e bëjnë të pashmangshme pavarësinë e Kosovës.

Kosova është një rast i veçantë që rrjedh nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është një precedent për ndonjë situatë tjetër. Një argument tjetër kryesor është se e drejta e vetëvendosjes, të cilën GJND-ja e ka gjetur në rastin e Timorit Lindor si jus cogens, është një e drejtë e të gjithë popujve, jo vetëm e atyre që janë në një kontekst kolonial. Siç u përmend në kontributin e parë me shkrim të palës kosovare, populli i Kosovës kishte të drejtën e vetëvendosjes në funksion të shkeljes masive të të drejtave të njeriut dhe mohimit sistematik të së drejtës për vetëvendosje nga BSRJ-Serbia. Ngjashëm, as pavarësia e Sllovenisë dhe as Kroacisë nuk kishte ndodhur me pëlqimin e Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme, por interpretimi i ligjshmërisë u sqarua nga Komisioni Bandinter, opsionet e të cilit kishin hapur rrugën për njohjen e shteteve të reja nga Komuniteti Evropian.

Pozicioni i pesë vendeve jonjohëse

Edhe 13 vjet më pas, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nuk i ka lëvizur pesë shtete të BE-së nga pozicionet e tyre mosnjohëse, edhe pse argumentet juridike dhe ato të së drejtës ndërkombëtare tani më nuk ekzistojnë. Dhe për habi, derisa më 1991/92 dymbëdhjetëshja evropiane i pa ekuivokë opinionet e Komsionit ad hoc të Badinterit, tri dekada më vonë pesë vendet e BE-së e sfidojnë edhe më tej gjykimin e GJND-së, që është organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pra, opinioni ligjor i GJND-së nuk e ka ndryshuar qëndrimin e pesë shteteve anëtare të BE-së: Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Qipros.

Këto pesë shtetet e BE-së, që morën pjesë në procesin e refuzimit të Kosovës, në përgjithësi i bazojnë argumentet e tyre në dispozitat ligjore dhe të drejtën ndërkombëtare, duke deklaruar se e drejta ndërkombëtare ndalon shpalljen e njëanshme të pavarësisë jashtë kontekstit kolonial dhe se institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës nuk ishin të autorizuara për të shpallur pavarësinë. Për më tepër, këto vende iu drejtuan edhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si argument kryesor kundër pavarësisë së Kosovës, në të cilën u referoheshin sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë dhe kërkuan zgjidhje përmes marrëveshjes mes dy palëve, e jo veprimeve të njëanshme. Në argumentet e tyre kundër pavarësisë, këto vende argumentuan se ato nuk ekzistonin në vitin 2008 siç ekzistonin me represionin e Millosheviqit dhe se akuzat për keqtrajtim të shqiptarëve nga regjimi serb nuk ishin justifikim për të drejtën e shkëputjes, si mjet i fundit. Në këtë kontekst u konstatua se Kosova nuk ka të drejtë për vetëvendosje të jashtme.

Spanja – kundërshtari i pavarësisë

Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, si një nga pesë vendet e BE së bashku me Greqinë, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë. Por Spanja është një nga kundërshtarët kryesorë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, deklaronte: “Ne nuk do ta njohim këtë, sepse konsiderojmë se kjo nuk respekton të drejtën ndërkombëtare”.

Spanja argumentoi se pavarësia e Kosovës do të bëhej një precedent për vendin e saj dhe do t’u shërbente katalonjasve, baskëve dhe galianëve.

Deklarata e Spanjës shprehu qëndrimin se shpallja e njëanshme e pavarësisë së institucioneve të përkohshme të Kosovës ishte e papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare për arsyet e mëposhtme: “Injoron të drejtën e Serbisë për sovranitet dhe integritet territorial, që rrjedh nga rregullat dhe parimet e zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare, të cilat janë të njohura shprehimisht në instrumentet specifike që përbëjnë bazën për regjimin e përkohshëm të administratës ndërkombëtare dhe për regjimin e përkohshëm të vetëqeverisjes për Kosovën, të krijuar në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe rregullave të tilla të veçanta ligjore (1999) dhe parimet që duhet të përjashtohen në rastin konkret”.

Ndërkohë, politologia Ruth Ferrero-Turrión nga Universiteti Complutense i Madridit e përshkruan qëndrimin e Qeverisë spanjolle si radikal, madje edhe më radikal se ai i Serbisë, Greqisë apo Qipros. Për një kohë të gjatë ata ishin kundërshtarët më të fortë të një Kosove të pavarur. Por për këto vende, debati ka të bëjë edhe me interesat e tyre. Kjo është e ndryshme në rastin e Spanjës:

“Për Qeverinë spanjolle nuk ka asgjë për të fituar në Ballkan, por gjithashtu asgjë për të humbur. Nuk ka varfëri se refugjatët nga rajoni vijnë këtu, nuk ka investime spanjolle atje, nuk ka lidhje kulturore, as nuk ka ndonjë rrezik të sigurisë. Prandaj nuk ka asgjë që mund të ndryshojë qëndrimin spanjoll ”, thotë politologia Ruth Ferrero-Turrión.

Pas vendimit të GJND-së, ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, bëri thirrje për një dialog të mëtejshëm midis Kosovës dhe Beogradit. Sipas Moratinos, Spanja do të respektojë gjykimin e GJND-së, por qëndrimi spanjoll lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë. Në këtë linjë refuzuese, kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, nuk mori pjesë në samitin e krerëve të shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Sofje, më 17 maj 2018, sepse aty ishte i ftuar presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Qëndrimi i Spanjës kundër pavarësisë nuk ishte askund më i dukshëm sesa në BE. Së bashku me katër vendet e tjera mosnjohëse (Greqinë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Qipron), Spanja u tregua e gatshme të bllokonte çdo nismë të BE-së, për të cilën mendonte se nuk është “neutrale ndaj statusit” dhe mund të fuqizonte pavarësinë e Kosovës ose të institucioneve të saj. Pas reagimit negativ të Serbisë dhe Rusisë kundër EULEX-it, ministri Moratinos sugjeroi që misioni mund të mos funksiononte më në Mitrovicë, një sugjerim që u hodh poshtë menjëherë nga përfaqësuesi i atëhershëm i lartë i BE-së për CFSP, Javier Solana. Dy javë pas njoftimit për tërheqje nga KFOR-i, Qeveria e Spanjës e bëri publik vendimin e saj për tërheqjen e nëntë policëve spanjollë, që ishin pjesë e EULEX-it në atë kohë, përsëri pa konsultime të mëparshme me aleatët. Në Kombet e Bashkuara, aktivizimi i Spanjës kundër njohjes u ekspozua haptazi për herë të parë në vendimin e saj për të votuar për propozimin e Serbisë në mbledhjen e 63-të plenare të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së (8 tetor 2008) për të kërkuar mendim këshillëdhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Duke bërë këtë, Spanja (dhe katër shtetet e tjera mosnjohëse të BE-së) veproi ndryshe nga shumica e vendeve të BE-së, që zgjodhën të abstenonin. Për më tepër, Spanja i paraqiti në GJND komentet e saj me shkrim në korrik 2009.

Qiproja: Kosova nuk ka një qeveri efektive

Reagimi i parë i Republikës së Qipros ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës erdhi një ditë më vonë përmes një deklarate të shkruar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në deklaratë shkruhej se “shpallja e njëanshme e pavarësisë nga shumica në Kosovë... përbën shkelje të integritetit dhe sovranitetit të Serbisë.” Qiproja jo vetëm që kundërshtoi deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por gjithashtu pretendoi se “Kosova nuk ka një qeveri efektive dhe se një shtet duhet të ketë një territor, një popullsi, një qeveri efektive dhe se nuk është në gjendje ta bëjë këtë për krijimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, pasi këto të drejta janë të rezervuara për UNMIK-un”. Prandaj Qiproja këmbënguli se “Kosova nuk i përmbush kriteret ‘faktike’ të shtetësisë”.

Asgjë në Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk pretendon të autorizojë shkëputjen e Kosovës. Në çdo rast, Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka fuqinë ligjore për të modifikuar titullin territorial ose për të bërë ndryshime në territorin e një shteti pa pëlqimin e atij shteti. Pra, Qiproja mbron një interpretim të caktuar të së drejtës ndërkombëtare, që e konsideron shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës si të pavlefshme. Ky qëndrim është shprehur qartë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) dhe është përsëritur në disa raste nga zyrtarët e Qipros.

Edhe pas nxjerrjes së Mendimit Këshillëdhënës të GJND-së, Qiproja përsëriti “ qëndrimin e saj lidhur me qëndrimin e saj çështjen e Kosovës dhe rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur për respektimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Serbisë.” Republika e Qipros “u bëri thirrje të dyja palëve, Republikës së Serbisë dhe Kosovës nën Rezolutën 1244/99 të KSKB, që të rifillojnë dialogun për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët për çështjen e Kosovës, duke e mundësuar në këtë mënyrë sundimin e stabilitetit dhe të paqes në rajon.”

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë