Me formacionet që e ndërtojnë, Filharmonia e shtrin artin edhe përtej kryeqendrës së vendit. Me Korin e ka nisur programin e saj të vazhdueshëm “Filharmonia në lëvizje” tek është ndalur në “Autostrada Hangar” në Prizren, e cila jo vetëm për publikun por edhe për formacionin ka sjellë një përvojë ndryshe prej atyre të deritanishme, në një sallë me tjetër akustikë. Ka qenë një përzgjedhje veprash atraktive ku futen në lojë edhe perkusionet
Me vepra atraktive vokalo-instrumentale që shpërfaqin artin muzikor nëpërmjet fuqisë së zërave, Kori i Filharmonisë së Kosovës e ka nisur vitin duke performuar jashtë kryeqytetit. Për një orë është zhvendosur në Prizren, në “Autostrada Hangar”, ku tradita botërore muzikore është gërshetuar me atë vendore. Koncerti është drejtuar nga Hajrullah Syla. Ka qenë edhe vepra e tij – “Like the touch of the rain” – që ka jehuar në këtë koncert.
Me formacionet që e ndërtojnë, Filharmonia e shtrin artin edhe përtej kryeqendrës së vendit. Me Korin e ka nisur programin e saj të vazhdueshëm “Filharmonia në lëvizje”.
Koncerti ka nisur me veprën “Salve regina” të Kushtrim Gashit. Si pjesë liturgjike, ajo fillon me gjysmën e anëtarëve të Korit e gjysma tjetër bashkohet derisa zhvillohet vepra. Shoqërohet me tinguj melankolikë të pianos në të cilën si solist ka luajtur pianisti Andi Duraku. Pas një kumbimi dramatik, veprës i bie pulsi dhe shkon duke u shuar.
Veprën, Kori e ka interpretuar vite më parë dhe tash është rikthyer në program.
“Sigurisht se repertori i Filharmonisë është mjaft i gjerë dhe ne kemi vendosur që disa nga veprat që janë më atraktive t’i përsërisim për këtë koncert. Ishte ndjenjë shumë e mirë t’i realizosh në një hapësirë tjetër këto vepra pasi jemi mësuar t’i dëgjojmë gjithmonë në kishën katolike ‘Shën Ndou’ ose në Pallatin e Rinisë. Në këtë hapësirë ishte diçka më ndryshe dhe është realizuar mjaft mirë”, ka thënë dirigjenti Hajrullah Syla.

Publiku duke qenë shumë pranë formacionit mund të dëgjojë qartë çdo zhvillim. Madje edhe të dallojë me raste zërat e pjesëtarëve të Korit edhe kur ansambli interpreton njëkohësisht.
Dirigjenti Syla ka thënë se hapësira ku kanë interpretuar të premten mbrëma nuk është e zakonshme për institucionin.
“E kemi zgjedhur këtë hapësirë mjaft interesante. Ndoshta jo ideale për një koncert, megjithatë ka qenë akustika e mirë dhe hapësira shumë e këndshme, po besoj që është dëgjuar mjaft mirë te publiku”, ka thënë ai.
“Ç’u mbush mali” e kompozitorit shqiptar Vasil S. Tole me solist pianistin Lekë Salihu është dëshmuar si vepër unike me elemente tradicionale ku një pjesë e Korit mban ison gjatë interpretimit duke e mbajtur atë të pashkëputur.

Më pas është luajtur vepra “Like the touch of the rain” e Hajrullah Sylës me Andi Durakun në piano ndërsa në skenë është bashkuar Ansambli Harkor i Filharmonisë së Kosovës. Harkorët e kanë nisur lojën duke e mbajtur ritmin derisa violonçeli ka luajtur pjesë solistike. Ndërhyrja me vokal nga Kori është e shkurtër. Kur ajo shkëputet, pianoja bën duet me violonçelin. Në veprën tejet atraktive primatin e mban pjesa vokaliste. Jashtëzakonisht e bukur është edhe loja e harkorëve.
Koncerti ka qenë krejtësisht me vepra bashkëkohore. Njëra prej tyre edhe “The secret of the sea” për kor, piano, perkusione dhe harqe e amerikanit Jake Runestad që e pati premierën në korrik të 2018-s në “Sydney Opera House”. Në perkusione kanë luajtur Patris Berisha dhe Meriton Zajmi.
Në “Cloudburst” të amerikanit Eric Whitacre pjesa ‘a cappella’ sjell zërat hipnotikë. Pas pjesës ku pjesët vokaliste janë të zgjatura vjen pjesa solo e baritonit Endrit Rexhepi që pasohet nga zhvillimi i një teme të re, sërish ‘a cappella’. Solistët i japin ngjyra e kështu edhe sopranoja Shkurte Hykaj dhe Kaltrina Miftari. Kjo e fundit e sjell të qartë poetikën e veprës duke e interpretuar secilin varg që më pas ndiqet nga ansambli i Korit.
Papritmas ata lëshojnë në dysheme literaturën, intensiteti i zërit gradualisht rritet, magjinë ia shton ksilofoni, zëri jehon e dinamikën ia shton tupani. Vepra mbyllet me shuplaka e kërcitje të gishtërinjve të çakorduara që krijojnë atmosferë të çuditshme.
Derisa ka folur për renditjen e veprave, dirigjenti Syla ka theksuar se aty ndikon edhe ana teknike. Kjo pasi përherë Filharmonia koncertet i zhvillon në hapësira të improvizuara në mungesë të një salle adekuate për koncerte.
“Renditja e tyre gjithmonë bëhet në atë formë që kanë lidhshmëri me njëra-tjetrën dhe krijojnë emocion. Për çdo koncert e mendojmë shumë mirë çështjen e renditjes, normalisht nganjëherë edhe pjesa teknike në mënyrë që të mos lëvizen instrumentet, megjithatë gjithmonë mendohet së pari për nga aspekti profesional”, ka thënë ai.
Kori bashkë me sopranot Hykaj e Miftari, perkusionistët Patris Beriha e Meriton Zajmi si dhe lojën në piano të Lekë Salihut e Andi Durakut, koncertin e ka përmbyllur me veprën “In A” të kompozitorit Rafet Rudi.
Si unike e atraktive është dëshmuar kjo vepër e cila shpesh përfshihet në repertorët me të cilët Kori mban koncerte. Edhe veç për nga formacioni dëshmohet si atraktive. Aty dëshmohet mjeshtëria e akademikut Rudi, në çdo notë të instrumenteve të vokalit të Korit e të solistëve.
Perkusionet nisin të parat, ksilofoni sjell ritmet e bukura dhe një lloj nostalgjie. Ka përplot interaktivitet. Ngjan se kompozitori i lë hapësirë shprehëse secilit. Kur Kori e perkusionet pushojnë, nis dialogu midis dy pianove. Etapa e radhës në vepër është loja e sopranove që bukur përcillen nga Kori.
Perkusionisti Patris Berisha ka thënë se instrumentet me goditje i bëjnë këto vepra më atraktive.
“Zakonisht inkuadrohemi edhe ne si perkusionistë sepse perkusionet apo instrumentet me të goditur njihen si shumë atraktive dhe kur kompozitorët si tanët ashtu edhe të huaj, kur duan të kenë vepra më atraktive për Korin, po inkuadrojnë edhe perkusionet. Kështu ishte sonte në tri veprat e fundit, ku njëra prej këtyre ishte ‘In A’ e profesorit Rafet. Sonte ishte përvojë interesante sidomos me publikun në Prizren. Përndryshe këto vepra i kemi luajtur edhe disa herë më parë”, ka thënë Berisha.

Kori, pos qyteteve të vendit, do të ketë prezantime edhe në rajon. Kështu ka bërë të ditur zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.
“Aktivitetin për vitin 2025 Kori e ka nisur në Prizren dhe tash do të fillojmë të bëhemi gati për koncertin e Pavarësisë që do të mbahet në Prishtinë dhe pas asaj Kori do të lëvizë në Sofje dhe në Shkup. Në qytetet e tjera të Kosovës do të rikthemi më vonë, nga muaji prill dhe maj ndërsa orkestra do ta vazhdojë lëvizjen e ansambleve ose njësive të Filharmonisë në qendrat e tjera të Kosovës”, ka thënë ai derisa ka treguar se në programin e sivjetmë përfshihet edhe koncerti në Mitrovicë që ishte paraparë të mbahej vitin që e lamë pas.
“Atë që e patëm planifikuar vitin e kaluar ta bëjmë në Mitrovicë do ta rikthejmë së shpejti si ide. Kjo sepse në kohën kur ishim marrë vesh me autoritetet komunale, salla nuk qe e përfunduar dhe e pamundësoi lëvizjen në këtë qytet”, ka bërë të ditur Selimaj.
Ai ka paralajmëruar se në koncertin e radhës si solist vjen flautisti i shquar Andrea Griminelli, i cili ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Luciano Pavarotti, Andrea Bocelli dhe jo vetëm.
“Filharmonia do të vijë me koncertin në Prishtinë i cili do të sjellë një prej emrave më të mëdhenj të muzikës klasike Andrea Griminelli që është një flautist me famë botërore. Në koncert do të paraqitet si solist por edhe si bashkinterpretues me Venera Mehmetagaj-Kajtazin e cila në kuadër të këtij koncerti shënon edhe 50-vjetorin e karrierës së saj”, ka thënë Selimaj.
“Autostrada Hangar” ka qenë nikoqire e Filharmonisë së Kosovës edhe e një koncerti të mëparshëm të institucionit, në maj të 2023-tës.
Vatra Abrashi, njëra prej themelueseve të “Autostrada...”, është shprehur se është përherë kënaqësi të mirëpresin koncerte të tilla.
“Jemi shumë të lumtur që në shtator e kemi hapur edhe hapësirën e re dhe jemi zgjeruar. Kjo na krijon mundësi që edhe më tutje të bashkëpunojmë, qoftë me Filharmoninë, qoftë me partnerë të tjerë me të cilët jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të hapur të bashkëpunojmë. Sot ka qenë një mbrëmje shumë e veçantë, jashtëzakonisht e bukur dhe ka pasur interesim të madh për ta ndjekur këtë ngjarje. Për ne ka qenë nder dhe shpresojmë se do të kemi edhe bashkëpunime të tjera përgjatë vitit”, ka thënë Abrashi.
Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës mbahet më 31 janar, në adresën e përhershme – Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.