Qëndrimi i Salih Myftiut në Aleksandri në vitet në vijim (1948-1955) kishte rëndësi për atë moment historik: pajtimi i krerëve polikë shqiptarë në mërgim për ta formuar një komitet politik (në vend të qeverisë në ekzil), që do t’i përfaqësonte shqiptarët në rrethanat të reja të Luftës së Ftohtë. I vetmi që e përmendi kalimthi kontributin e Salih Myftiut për këtë iniciativë të madhe ishte Zef Pashko, në fjalën e tij me rastin e vdekjes së Sali Myftiut. Kështu, duke treguar meritat e tij, ai tha se “në mërgim qe ndër këshilltarët më të afërm të Mbretit Zog dhe njeri që e ndihmoi më tepër në realizmin e lidhjes midis Mbretit Zog dhe krerëve të mërgatës politike shqiptare, e njohur si ‘Marrëveshja e Aleksandrisë’”
Personaliteti i Salih Myftiut (1891-1978) përmbledh dy figura që u formuan në saje të zhvillimeve historike të kohës, përkatësisht si hoxhë, Salih Muftiu u shqua si drejtor i Medresesë së re në Shkodër, si myfti i Shkodrës (1931-1939) dhe si atdhetar gjatë okupimit fashist dhe aktivist antikomunist në mërgatën shqiptare në Lindjen e Mesme (1947-1965) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1965-1978).
Salih Myftiu u lind në Shkodër në një familje të njohur fetare, ku e kreu medresenë e më vonë shkoi në Vlorë për të përvetësuar më shumë dituri. Me reformimin e arsimit pas stabilitetit të Shqipërisë më 1920 u themelua në Shkodër Medreseja e re me program të ngjeshur laik-fetar në krye me Salih Myftiun, e cila u bë qendër e rëndësishme arsimore, pasi që drejtori S. Myftiu, “tërhoqi klerikë të mirënjohur”. Në vitin 1931 u emërua kryemyfti i zonës së Shkodrës dhe Kosovës (që përfshinte Kukësin, Hasin, Krumën dhe Tropojën) deri më 1939. Me pushtimin e Shqipërisë, më 7 prill 1939, u paraqit figura atdhetare e S. Myftiut, pasi që u arrestua si kundërshtar dhe u internua në Kalanë e Gjirokastrës. Si pasojë, S. Myftiu u shndërrua në figurë atdhetare, duke apeluar dhe organizuar rezistencën antifashiste. Në këtë kontekst, S. Myftiu mori pjesë në themelimin e partisë “Lëvizja e Legalitetit”, në krye me Abas Kupin më 21 nëntor 1943, ku do të mbetet figurë e shquar deri në vdekje.
Vizioni i Mbretit Zog
Në vjeshtën e vitit 1944, me paraqitjen e rrezikut të sundimit komunist, S. Myftiu, si shumë atdhetarë të tjerë, u detyrua të largohej prej vendit duke kaluar në Itali, që atëherë ishte nën kontrollin e aleatëve. Në fillim u vendos përkohësisht në kampin Grumo në Bari, kurse më vonë kaloi në kampin Reggio Emilia, ku u grumbulluan shumë politikanë e ushtarakë shqiptarë, duke kaluar aty dy vjet deri në vitin 1947.
Në atë kohë u bë kthesë në mërgatën shqiptare me kalimin e Mbretit Ahmet Zog nga Londra, ku jetonte si person privat me shpenzimet e veta, në Kajro, ku u trajtua si mbret legjitim dhe iu dha në dispozicion Ambasada shqiptare e para luftës, me çka Kajroja u shndërrua shumë shpejt në qendër të rigrupimit të mërgatës dhe të organizimit të rezistencës shqiptare antikomuniste në rajon.
Ç’është e vërteta, SHBA-ja dhe Britania e Madhe injoruan gjatë Luftës II Botërore Ahmet Zogun për shkak të zotimeve të tyre ndaj Greqisë dhe Bashkimit Sovjetik. Kështu, Londra refuzoi ta pranojë Zogun si mbret në ekzil sikurse të tjerët në Evropën e Mesme, madje ia kushtoi qëndrimin e tij në Londër si person privat me moslejimin e asnjë veprimtarie a deklarate politike. Mirëpo, me fillimin e Luftës së Ftohtë më 1946 dhe shpërthimin e Luftës Civile në Greqi (1946-1949), Mbreti A. Zogu parandjeu ndryshimet që do të vijojnë në rajon dhe e pa të udhës shpëtimin e elitës politike-ushtarake prej kampeve të refugjatëve në Itali, ku jetonin në kushte mizore, duke shfrytëzuar miqësinë e tij me shtetarët arabë (mbretin egjiptian, Farku, mbretin jordanez, Abdulla, kryetarin sirian, Shukri al-Quwatli, etj.), që t’i pranojnë këta refugjatë në vendet e tyre. Këta shtetarë shprehën mirëseardhjen dhe gatishmërinë që t’u afrojnë ndihma financiare, madje mbreti Faruk ofroi anije që t’i transportojë shqiptarët nga Italia deri në portat e vendeve arabe. Ç’është e vërteta, kjo iniciativë ishte pjesë e një vizioni largpamës të Zogut, sipas të cilit, ai me sjelljen e elitës politike-shqiptare në vendet arabe e me ndihmën e tyre mund të përgatitej për çlirimin e Shqipërisë prej regjimit komunist, siç dëshmonte mbretëresha Xheraldinë, e cila qe prezente në shumë biseda të Zogut me krerët shqiptarë dhe shtetarë arabë.
Bërthama e “Shqipërisë së Lirë”
Për këtë mision, Mbreti Zog e dërgoi në Itali kryeadjutantin e tij, Hysen Selmani, në verën e vitit 1947 për ta takuar elitën politike-ushtarake shqiptare në kampet e refugjatëve, me qëllim të formohet një komitet kombëtar prej të gjitha partive, që do të merret me organizimin e dërgimit të refugjatëve shqiptarë për në vendet arabe, por u bë “de facto” bërthamë e komitetit politik (Shqipëria e Lirë), që do të formohej më 1949. Kështu në këto takime me përfaqësuesit e partive politike në kampet e refugjatëve na paraqitet Salih Myftiu si përfaqësues i partisë Legaliteti në takimin e mbajtur në kampin Reggio Emila, më 7 shtator 1947 me H. Selaminin, në të cilin morën pjesë rreth 100 veta, kurse më 17 shtator 1947 u mbajt takimi për t’i aprovuar anëtarët e “Komitetit të refugjatëve”, i cili, sipas fjalëve të Hiqmet Delvinës, në këtë takim “mori rolin e komitetit politik që të afrojë të gjithë kontributin dhe sakrificat për hir të interesave të larta të atdheut”. Në krye të këtij komiteti ishte Mit’hat Frashëri (me propozim të Zogut), kurse si anëtarë pasojnë: Salih Myftiu, Ernest Koliqi, Ali Këlcyra, Koço Muka, Dr.Qemal Jusufati, Rakip Frashëri dhe Vasil Andoni.
Më të kthyer në Aleksandri, që u bë selia e Pallatit Mbretëror, H. Selmani informoi mbretin për formimin e Komitetit për refugjatët dhe u vendos të fillojë aksioni me ardhjen e tyre. Kështu, më 22 tetor 1947 arritën me anije në Aleksandri anëtarët e Komitetit, në krye me Salih Myftiun, pasi për arsye objektive nuk erdhi Mit’hat Frashëri. Pasi që u takuan me Mbretin Zog, anëtarët e Komitetit, në krye me Salih Myftiun, shkuan në Siri, ku u takuan kryetarin e Republikës, Shukri al-Quwatli. Sipas H. Selmanit, anëtarët e Komitetit “ishin të kënaqur me atë që e dëgjuan prej kryetarit, por nuk ishin të kënaqur me sjelljen e autoriteteve”, sepse refugjatët e arritur në Damask nuk e ndienin veten mirë sepse nuk iu sigurua puna atje, ndonëse ka pasur inxhinierë, profesorë e agronomë në mesin e tyre.
Takimet me Grupin Kosovar
Këtu vlen të përmendet se gjatë qëndrimit të tij në kampet e refugjatëve në Itali, H. Selmani u takua edhe prijësit e Grupit Kosovar në krye me Xhafer Devën, Xhelal Mitrovicën dhe Tahir Zaimin, si dhe me Salih Myftiun si përfaqësues i Legalitetit. Me shkuarjen e anëtarëve të Komitetit për refugjatët në Damask, në krye më S. Myftiun, në tetor 1947, dhe takimi i tyre me kryetarin sirian, Shukri al-Quwatli, u akreditua S. Myftiu që t’ua paraqesë autoriteteve siriane listat me emrat e refugjatëve shqiptarë që dëshirojnë të vijnë në Siri dhe t’ua merrte dokumentet e udhëtimit që pranoheshin nga autoritetet siriane. Kështu, gjatë qëndrimit të tij në Damask erdhën në këtë mënyrë krerët e Grupit Kosovar, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi dhe Tahir Zaimi, të cilët nxorën në fillim të 1948-s gazetën “Bashkimi i Kombit”.
Siç shihet prej burimeve, Salih Myftiu kishte mbetur një kohë në Damask për të sjellë më shumë refugjatë shqiptarë prej kampeve të Italisë. Me atë autoritet që e kishte tashmë, ai i paraqiste ministrit të Brendshëm sirian lista me emra e atyre që dëshironin të vinin në Siri, duke kërkuar që ata të pajisen me dokumente udhëtimi, që pranohen nga autoritetet siriane. Kështu, në një kërkesë që e kemi në dispozicion, Salih Myftiu paraqiti një liste me rreth 100 figura të elitës civile e ushtarake shqiptare që dëshironin të vinin në Siri, me një notë në arabishte të pastër me dorën e tij që e lut ministrin që “këta të poshtëshënuar në listë të shpëtohen me dhënien e dokumenteve të udhëtimit sepse kanë më shumë nevojë për to", duke e nënshkruar si "Myfti i Shqipërisë". Ai mbeti një kohë në Damask për ta përcjellë gjendjen e refugjatëve shqiptarë atje. Sipas kujtimeve të djalit, dr. Fuad Myftiu, që e shoqëronte në Damask, ai tanimë kishte lidhje të mirë me presidentin sirian, Shukri al-Quwatli. Kështu, ai përshkruan gjendjen e rëndë të refugjatëve shqiptarë që gëzonin njëfarë ndihmë prej Qeverisë, por thotë se Qeveria siriane nuk kishte mjete të mjaftueshme për çka “nuk u realizuan premtimet në disa raste”. Megjithatë, në saje të lidhjes së tij me presidentin sirian, ai kishte autoritet që t’u dërgojë refugjatëve shqiptarë në Itali dhe në Greqi dokumente udhëtimi që pranoheshin në Siri, sipas marrëveshjes me autoritetet siriane. Kështu, në nëntor 1947 arriti në Pallatin Mbretëror në Aleksandri një letër nga Salih Myftiu në Damask, ku tregon se koloneli Fiqri Dino u paraqit nga Greqia me kërkesë që të vijë në Siri me 700 refugjatë shqiptarë nga Greqia dhe pyet: “A t’u dërgojmë dokumente udhëtimi që i pranojnë autoritetet lokale këtu, ose t’u kërkojmë që të mos vijnë në bazë të ujdive të mëparshme?”
Përgjigja ishte negative, pra për shtyrjen e ardhjes së tyre, sepse Mbreti Zog me një profeci e pa se rajoni po futet në tensione si pasojë e përleshjeve midis arabëve dhe hebrenjve në Palestinë, sepse me ardhjen e refugjatëve palestinezë në Amman e Damask autoritetet lokale nuk ishin më në gjendje t’i përmbushin premtimet për refugjatët shqiptarë. Ndaj, Mbreti Zog filloi të konsultohet me Organizatën Ndërkombëtare për Refugjatët (IRO), e themeluar më 1947, për transportimin e refugjatëve shqiptarë nga Lindja e Mesme në vende të tjera: si SHBA-ja, Kanadaja dhe Australia.
Gjendja e refugjatëve shqiptarë në Damask
Mirëpo, me kalimin e kohës, gjendja e refugjatëve shqiptarë në Damask u keqësua me ardhjen e refugjatëve palestinezë dhe mungesën e mjeteve financiare qeveritare siriane për ta. Kështu, më 15 janar 1948 erdhi në Pallatin Mbretëror në Aleksandri një letër nga Salih Myftiu, në emër të Komitetit për refugjatët nga Damasku, në të cilën ankohet për gjendjen atje: ”Tani erdhën në Siri më shumë se 2000 refugjatë palestinezë dhe nuk dinë ç'të ofrojnë për ne. Ne kemi 500 refugjatë shqiptarë në gjendje të rëndë. Ekselenca e tij, presidenti Shukri al-Quwatli, nuk kursen interesim për ne, por ata nuk kanë më mjete në buxhet për të shpenzuar. Ju lutemi ndërmerrni diçka urgjentisht”. Si pasojë, Mbreti Zog u takua atë ditë me z. Peterson, përgjegjësi për refugjatët në Evropë në IRO, i cili u zotua që të sigurojë për refugjatët shqiptarë strehim në New Yelan, Australi, Kanada e të tjera.
Gjatë qëndrimit të tij në Damask, 1947-1948, Salih Myftiu kishte edhe përgjegjësi politike si një ndër krerët e partisë Legaliteti. Në mesin e refugjatëve shqiptarë në Damask vepronin tri parti kryesore: Legaliteti, Balli Kombëtar dhe Grupi Kosovar. Përveç Grupit Kosovar, që e kishte udhëheqjen në Damask (Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zaimi), partia Legaliteti kishte prani të mirë. Një foto të asaj kohe kemi “grupin e Degës se Legalitetit në Damask”, gjithsej 26 burra e gra.

Pasi që IRO arriti t’i transportojë shumicën e refugjatëve shqiptarë nga Damasku e t’i vendosë në vendet tjera(Zelandë e Re, Australi, Kanada e SHBA-), Salih Myftiu u kthye në Aleksandri, ku vazhdoi të shërbente si këshilltar i Mbretit Zog dhe si anëtar i Këshillit Mbretëror bashkë me Mehdi Frashërin, Hiqmet Delvinën, Musa Jukën, Mustafa Krujën, Hysen Selmanin, Qemal Mesarjen, Omer Beqirin, Ago Agajin e Bajezit Boletinin. Këshilli Mbretëror u formua pasi që Mbreti Zog u vendos në Aleksandri dhe mblidhej kohë pas kohe për t’i shqyrtuar ngjarjet kombëtare.
Pajtimi i krerëve politikë shqiptarë në mërgim
Në këtë kontekst, qëndrimi i Salih Myftiut në Aleksandri në vitet në vijim (1948-1955) kishte rëndësi për atë moment historik: pajtimi i krerëve polikë shqiptarë në mërgim për ta formuar një komitet politik (në vend të qeverisë në ekzil), që do t’i përfaqësonte shqiptarët në rrethanat të reja të Luftës së Ftohtë. I vetmi që e përmendi kalimthi kontributin e Salih Myftiut për këtë iniciativë të madhe ishte Zef Pashko, në fjalën e tij me rastin e vdekjes së Sali Myftiut. Kështu, duke treguar meritat e tij, ai tha se “në mërgim qe ndër këshilltarët më të afërm të Mbretit Zog dhe njeri që e ndihmoi më tepër në realizmin e lidhjes midis Mbretit Zog dhe krerëve të mërgatës politike shqiptare, e njohur si ‘Marrëveshja e Aleksandrisë’”.
Ç'është e vërteta, “Protokolli” ose “Marrëveshja e Aleksandrisë” më 12 gusht 1948 ishte një kthesë me rendësi, pasi që opozita politike-ushtarake shqiptare antikomuniste u shpartallua më 1944-1945 dhe u nda në disa parti politike në kampet e refugjatëve në Itali, Greqi, Turqi e të tjera. Në atë kohë (1947) Salih Myftiu shërbente si përfaqësues i partisë Legaliteti (në kampin Reggio Emilia në Itali) dhe në saje të autoritetit që e kishte në mesin e elitës politike-ushtarake shqiptare arriti t’i afrojë partitë dhe grupet politike shqiptare që ta pranojnë ftesën e Mbretit Zog e të mblidhen në Aleksandri në gusht të 1948-s. Në këtë mbledhje u takuan përfaqësuesit e katër partive (Legaliteti, Balli Kombëtar, Blloku Kombëtar Indipendent dhe Grupi Kosovar). Pas shumë mbledhjeve u arrit "Besëlidhja", që u shpall më 12 gusht 1948, që e hapi rrugën për themelimin e komitetit shqiptar "Shqipëria e Lirë" më 1949, me një krah politik, në krye me Mit’hat Frashërin dhe një krah ushtarak, në krye me Abaz Kupin, që merrej me rekrutimin e stërvitjen e vullnetarëve shqiptarë dhe hedhjen e tyre në Shqipëri gjatë 1950-1951 me ndihmën e shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike.
Mu për këtë, Salih Myftiu gëzonte një autoritet në Pallatin Mbretëror në Aleksandri, përkatësisht në familjen mbretërore, sa që nipi i Mbretit Zog, Skënder Zogu, e quan atë në kujtimet e tij "Myfti legjendar" . Në ato vite, Salih Myftiu shërbente si këshilltar i Mbretit Zog për lidhje me rrethin egjiptian, e sidomos me rrethin fetar mysliman. Kështu, në shkurt të vitit 1950 Mbreti Zog e vizitoi Az-harin me Salih Myftiun, ku ishte në pritje Shehu i Az-harit në krye të stafit, i cili e përshëndeti Mbretin me një fjalë, duke i fokusuar “marrëdhëniet vëllazërore midis popullit shqiptar dhe popujve myslimanë në Lindje”. Pas kësaj fjale, Mbreti shëtiti nëpër Universitetin ku ishin atje edhe studentët shqiptarë dhe Muzeun Islamik dhe iu afrua në fund një mirënjohje e lartë. Pa dyshim, prania e Salih Myftiut me autoritetin e tij fetar shërbente mirë në promovimin e Zogut në Lindjen e Mesme si mbret legjitim, që lufton për çlirimin e vendit të tij prej sundimit komunist.
Dështimi i “Operacionit të madh” në Shqipëri
Mirëpo, ambiciet e Zogut u tkurrën më 1951 me dështimin e “Operacionit të madh” në Shqipëri dhe më 1952 me grusht shtetin ushtarak kundër mbretit Faruk, i cili ofronte çdo ndihmë të mundshme për Mbretin Zog gjatë 1946-1952. Me suprimimin e Mbretërisë në Egjipt, në qershor 1953, autoritetet e reja egjiptiane vendosen mbylljen e Ambasadës Mbretërore Shqiptare në gusht të 1953-tës. Me ardhjen e kolonelit Gamal Abdulnaser në krye të pushtetit filluan presionet kundër Mbretit Zogu, duke përfshirë një fushatë të kurdisur në shtypin kundër mbretit, i cili ishte në krizë materiale për shkak se mbulonte shpenzimit e elitës shqiptare që ka mbetur atje, derisa u largua nga Aleksandria më 28 korrik 1955 për në Francë me shpurën e tij.
Pas largimit të Mbretit Zog, mbetën në Aleksandri disa figura shqiptare, në mesin e të cilave ishte Salih Myftiu, por tani në kushte të reja, pasi që regjimi i ri egjiptian e njohu Republikën Popullore të Shqipërisë. Sipas kujtimeve të djalit Fuadi Myftiu, i cili më 1958 u largua për në SHBA me pëlqimin e të atit, S. Myftiu kishte vazhduar të punojë si profesor në shtëpi, ku i vinin studentët për mësim, ose në ndonjë kolegj deri sa edhe vetë u largua për në SHBA më 1965, ku do të vazhdojë me aktivitetin e tij atdhetar e fetar deri në vdekje më 1978.
Fragment nga referati i paraqitur në tryezën shkencore të mbajtur në Institutin për Hulumtime e Studime Islame në Prishtinë, më 30 qershor 2022