“Serbët në Vilajetin e Kosovës jetojnë në mënyrë të përsosur si krijesa të paligjshme, si njëfarë grigje e dhenve pa pasur bari dhe gjenden në thonjtë e shqiptarëve të egër!”, shkruhet në memorandumin e nënshkruar prej katërmbëdhjetë serbëve që jetonin në Turqinë Evropiane dhe e ndanin përditshmërinë me shqiptarët. Lidhet me Konferencën e Parë të Paqes, të mbajtur në Hagë në gushtin e vitit 1898, iniciur nga cari rus Nikolla II. Por në jetën e përditshme prishtinasit kanë dëshmuar se ishin tolerantë madje edhe ndaj pjesëtarëve të kombeve të cilat në Evropën mesjetare ishin ndjekur si blasfemues të krishterimit. Shembull janë hebrenjtë të cilët kishin ngritur komunën e tyre në Prishtinë
Siç është e njohur në rrjedhën e zhvillimeve ndërkombëtare të fundit të shekullit XIX, në Hagë në gushtin e vitit 1898 u mbajt Konferenca e Parë e Paqes. Konferenca u iniciua nga cari rus Nikolla II (Никола́ѝ (Алекса́ндрович Романов 1868 – 1918). Lidhur me këtë ngjarje në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, ruhet dokumenti apo teksti i Memorandumit i nënshkruar prej katërmbëdhjetë serbëve që atëbotë jetonin në Turqinë Evropiane dhe e ndanin përditshmërinë me shqiptarët. Në vijim po e sjellim një pjesë të këtij Memorandumi.
“Serbët në Vilajetin e Kosovës në thonjtë e shqiptarëve të egër”
“Anarkia shqiptare ka marrë hov të madh qysh nga koha e shkodranit Mustafë Pashë Bushatlisë, që në gjysmën e parë të këtij shekulli…Serbët në Vilajetit të Kosovës jetojnë në mënyrë të përsosur si krijesa të paligjshme, si njëfarë grigje e dhenve pa pasur bari dhe gjenden në thonjtë e shqiptarëve të egër! Kur ne e shpalosim fatin tonë para mbarë Evropës dhe përfaqësuesve të lartë të shteteve dhe fuqive që janë të përfaqësuara në Konferencën e Paqes, themi se jemi të bindur se për gjendjen tonë të vështirë, dëshmi i kemi jo vetëm konsujt e huaj të paanshëm në Turqinë Evropiane por edhe turqit e ndershëm që me sytë e tyre e shohin anarkinë e vazhdueshme në këtë krahinë dhe bashkë më këtë edhe rënien e fuqisë dhe të autoritetit të perandorisë së tyre. Ne shpresojmë se duke i falënderuar zemërgjerësisë së Lartmadhërisë suaj, në Konferencën e Paqes në zemrat tuaja do t’i pranoni zërat e pikëlluar dhe dëshpëruese të martirëve dhe robërve të krishterë të shekullit XIX nga Vilajeti i Kosovës, të pjesës qendrore të Gadishullit Ballkanik. Prandaj masa e parë në sjelljen e rendit dhe paqes do të ishte që nën garancinë e Fuqive të Mëdha të aprovohet barazia e përgjithshme dhe e plotë midis myslimanëve dhe të krishterëve”, thuhet në Memorandum, ndërsa në dokumentin origjinal titullohet “Memorandum i staro-serbianëve dhe maqedonasve” drejtuar Konferencës së Paqes në Hagë, në verën e vitit 1899. Është për t’u habitur se midis nënshkruesve nga Kosova është vetëm Gjorgje Haxhi Potiq nga Prizreni. Trembëdhjetë nënshkruesit tjerë janë nga Manastiri, Tetova, Novi Pazari, Krusheva, Velesi e të tjerë. Ndërsa siç vërehet në tekstin e sipërm të Memorandumit, shënjestra është vënë enkas mbi Vilajetin e Kosovës.
Toleranca e shqiptarëve e dëshmuar në përditshmërinë e Prishtinës
Në anën tjetër nuk besohet se shqiptarët do t’ia kenë drejtuar ndonjë memorandum ndërkombëtarëve, ku fqinjët e tyre të jenë quajtur “njerëz të egër”.
Ndërsa sa i përket Prishtinës, elitës së saj por edhe vetë prishtinasve, si në atë kohë, por dhe në shkrimet e mëvonshme shpeshherë është thënë se ata ishin konservatorë, madje ndonjëherë ata (sidomos elita fetare prishtinase) është paraqitur me turke se vetë turqit apo pushteti turk!
Megjithatë, në jetën e përditshme prishtinasit kanë dëshmuar se ishin tolerantë madje edhe ndaj pjesëtarëve të kombeve të cilat në Evropën mesjetare ishin ndjekur si blasfemues të krishterimit. Fjalën e kemi për hebrenjtë të cilët duke e ngritur komunën e tyre në Prishtinë, arritën të ushtronin ndikim të madh në vendosjen dhe zhvillimin e lidhjeve tregtare në radhë të parë me Selanikun por edhe me qendra tjera të rëndësishme.
Prishtina në fillim të shekullit XX, kryeqendër e rakisë dhe verës
Duhet të cekim se në fillim të shekullit XX në Sanxhakun e Prishtinës kishte të punuar 13 800 dynymë tokë, ndërsa prodhimet e veçanta ishin vera dhe rakia. Fllimshekulli e veçonte Prishtinës si qendër të këtyre pijeve pasi u arrit që të prodhoheshin 72 525 okë verë dhe 34 417 okë raki. Prandaj, mund të thuhet se internacionalizimin e shkëmbimit tregtar të Kosovës, në këto vite e bënë përfaqësitë e familjes së njohur “Vëllezërit Alatini” që i kishin agjencitë e tyre në Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri e të tjera. Tregu i Prishtinës ishte i pasur me mallra të ndryshme, bile në pazarin e kafshëve të Prishtinës aty këtu mund të haseshin edhe tregtarë nga Serbia që këtu i sillnin kafshët e imta.
Sapunët misk të Prishtinës dhe rrushi i Preshevës
Në kohën kur konsujve të Serbisë nuk u pëlqente Prishtina, pra në fund të shekullit XIX, megjithatë kryeqendra e Kosovës ishte bërë shumë e njohur për prodhimet e saja, por siç është cekur edhe më lartë, më i veçanti ishte sapuni misk i Prishtinës. Sasi të konsiderueshme të këtij sapuni eksportoheshin edhe në vende të tjera, por më i kërkuar ishte në Stamboll. Sapuni veçohej sidomos nga aroma e fortë dhe e këndshme, ndërsa një okë e ”sapunit misk të Prishtinës” kushtonte nga 60 – 80 grosh. Është për t’u habitur se atë e prodhonin dy gra prishtinase.
Më pastaj në kuadër të Sanxhakut të Prishtinës, po në këtë kohë ishte shënuar rritje në prodhimin e rrushit, ndërsa sasi më të mëdha ishin prodhuar në Kazanë e Preshevës, bile kjo kaza printe në nivel të Sanxhakut me 500 000 okë të rrushit të vjelë.
Po ashtu në Prishtinën tashmë të dëshmuar si qendër me rëndësi ekonomike ekzistonte edhe mundësia e përdorimit të parave të huaja. Një napolon shkëmbehej për 108 grosh, një dukat e kishte vlerën e 64 groshëve, por vlerë të ulët në shkëmbim parash apo mallrash, kishte dinari serb dhe një dinar vlente vetëm 4 groshë e 30 pare.
Kur jemi te prodhimet bujqësore vlen të ceket se edhe pse dimri i vitit 1899 ishte i vonshëm dhe i dëmtoi me të madhe pemët, vetëm dy vjet më vonë në Vilajetin e Kosovës u shënua rritje enorme në planin e pemëtarisë. Për shembull, në pazarin e Prishtinës dardha mund të gjendej (vlerësuar në okë) për 51 pare, molla për 62 pare, kajsia 50 pare, kumbulla 32 pare, ndërsa çmim më të shtrenjtë kishin gështenjat dhe një okë kushtonte 80 pare, por çmimin më të lartë e kishin arrat, andaj një okë e tyre kushtonte 1 groshë e 10 pare.

“Moskovi bashkë me konsujt e Serbisë po e rrënonin dalëngadalë atdheun!“
Krahas kësaj gjendjeje deri diku stabile në Prishtinën e atyre viteve por edhe në viset e tjera të Vilajetit të Kosovës, shqetësimet ndër popullatën vendore mund të vëreheshin sidomos gjatë akshameve atëherë kur rreth shatërvanëve të xhamive tuboheshin burra të moshave të ndryshme dhe bisedat që më së shpeshti dëgjoheshin ishin se “Moskovi bashkë me konsujt e Serbisë po e rrënonin dalëngadalë atdheun!“ Mirëpo, shqetësimet e shqiptarëve nuk ishin të pabaza, pasi në fqinjësinë e tyre dukej qartë se akoma vazhdonte me të madhe ushqimi i idesë për zgjerimin e Serbisë drejt jugut, deri në realizimin e idealit të krijimit të shtetit mesjetar të Car Dushanit. Prandaj, qëndrimin e disa personaliteteve serbe që e shprehnin opinionin se ishte gabuar që ndaj shqiptarëve ishte vepruar duke i dëbuar ata nga vatrat e tyre dhe ata ishin detyruar ta merrnin arratinë, vetë shqiptarët e shihnin me mosbesim. Për këtë kishin të drejtë sepse po të njëjtat personalitete, njëkohësisht angazhoheshin në realizimin e idealit të sipërpërmendur, pra të idealit të Serbisë mesjetare. Pra, kërkohej vendosja e kontakteve fqinjësore me krerët e shqiptarëve, por me të vetmin synim, që shqiptarët të përdoreshin si element për realizimin e qëllimeve të huaja.
Ndonëse konsullatat e Serbisë vazhdonin të funksionin pa kurrfarë pengesash në tokët shqiptare, edhe ardhje–vajtjet e emesarëve të ndryshëm nga Serbia në prag të shekullit XX, vazhdonin si kurrë më parë.
“Në ditën e premte, 4 (17) shtator të vitit 1898 në ora 10:30 në mbrëmje, jam nisur nga Stacioni Hekurudhor i Beogradit në rrugën drejt ‘Serbisë së Vjetër’. I shpërblyer me besimin e vyer të mbretit, unë u nisa në rrugë për në Serbinë e vjetër me këtë detyrë”, ka shkruar gazetari serb, Pera Todoroviq, para se të mbërrinte në Vilajetin e Kosovës. Ndërsa detyrat e Todoroviqit, emërimin e të cilit më vonë si konsull në Shkup do ta refuzojë Stambolli, ishin: “Duhet t’i vizitojë ato vise (të Vilajetit të Kosovës – S. L.) dhe me sytë e mi ta verifikojë gjendjen dhe rrethanat e atjeshme. Që drejtpërdrejtë, në vendin e ngjarjes, të njoftohem me të gjitha rrethanat në të cilat veprojnë njerëzit tanë të atjeshëm... Të vlerësojë rezultatet dhe sukseset e punës sonë të deritanishme; t’i vështrojë anët e dobëta dhe të metat e veprimtarisë sonë atje. Nga e gjithë kjo të nxjerrë mësimet se çka duhet ndryshuar, përmirësuar dhe plotësuar në punën e deritanishme – në përgjithësi, si duhet rregulluar punën tonë të ardhshme, që sukseset të jenë edhe më të mëdha dhe që të jemi më të përpiktë se sa kemi qenë deri më tani. Puna jonë e serishme në ‘Serbinë e Vjetër’ ka filluar para dhjetë vjetëve (1888), por diçka më serioze realisht është duke u punuar vetëm këto tetë vitet e fundit. Në ‘Serbinë e vjetër’ sot i kemi pesë konsullata, të cilat i paraqesin pesë qendra të fuqishme të veprimtarisë dhe propagandës tonë...por duhet menduar që të aktivizojmë edhe institucionin e konsullit të nderit. Tutje, ne i kemi dy peshkopë, rreth njëzet kryepriftë dhe igumenë dhe një numër të konsiderueshëm të priftërinjve, radhët e të cilëve vazhdimisht po shtohen. Përveç kësaj, kemi Seminarin Teologjik në Prizren, kemi katër gjimnaze, kemi tri shkolla të larta për femra, kemi rreth 200 shkolla fillore, dhe përveç kësaj e kemi edhe iradën perandorake për hapjen e lirë dhe të pakufizuar të shkollave serbe. Ndërsa në Stamboll e kemi edhe gazetën tonë”.
Megjithatë sipas gazetarit apo misionarit serb, toka ku duhej të veprohej mbetej e panjohur për serbët dhe Serbinë.
“Kur tani, kështu nga distanca kohore prej dhjetë vjetëve, shikojmë në punën tonë të kaluar në ‘Serbinë e Vjetër’, ne vërejmë shumë gabime, por njëherësh i shohim edhe të metat tona. Para se gjithash, veprimtaria në ‘Serbinë e Vjetër’, është nisur pa detyrë të përcaktuar qartë: çka dëshirohet në të vërtetë të arrihet; si duhet vepruar në këtë arritje; çfarë mjetesh nevojiten për arritjen e qëllimeve dhe çfarë janë pengesat dhe vështirësitë me të cilat duhet të luftojmë. Kjo do të thotë se ne fatkeqësisht nuk e kemi pasur plotësisht të qartë detyrën kryesore të punës sonë, as nuk e kemi pasur planin e përpunuar sistematik për këtë punë dhe as nuk e kemi njohur mirë tokën në të cilën duhej vepruar”.
Rëndësia e konsujve dhe lidhjet me shqiptarët
“Kam folur për pozitën dhe karakteristikat e nëpunësve tanë në përgjithësi. unë mendoj se konsulli serb patjetër duhet të ketë karakter elastik, i cili do t’u përshtatej të gjitha rrethanave. Ai duhet që të dije të urdhërojë dhe të dëgjojë, të komandojë, por edhe të lutet, të jetë edhe zotëri i madh edhe njeri i popullit, të jetë ndonjëherë më i madh se pirgu, kurse ndonjëherë më i vogël se fara e hashashit – pra ai duhet çdoherë të sillet dhe të veprojë, sipas rrethanave dhe sipas nevojave që kërkojnë interesat e shërbimit. Deri më tani, fushëveprimi i konsujve tanë ka qenë shumë i papërcaktuar (i tillë është edhe tani). Konsulli e ka guxuar të bëjë çdo gjë apo nuk ka guxuar të bëjë asgjë – pra gjithçka është varur prej vetive personale dhe kurajës së vetë konsullit. Prandaj, duhet zgjeruar fushëveprimin e konsullit dhe ai duhet të përcaktohet më qartësisht në këtë frymë. Konsulli ynë duhet që tërë vitin të ketë liri të gjerë të veprimit, kurse në fund të vitit të dorëzojë raportin sa më të hollësishëm dhe përgjigjet e tij për punën e kryer duhet të jenë shumë të sakta, pra edhe nëse bëhet fjalë për ndonjë aktivitet apo punë që është fare e vogël“.
Në fund Pera Todoroviq e ka shpalosur mendimin e tij edhe rreth mundësisë së vendosjes së kontakteve me shqiptarët.
“Ajo, për çka unë do të doja të tërheqja vëmendjen është kjo: mbi shqiptarët e kanë vënë syrin nga jashtë, dhe nëse ne nuk i kapim (lidhjet me ta –S. L.) – ato do t’i kapin të tjerët. Kohët e fundit të gjithë po pendohemi për shkak të ‘ga¬bimit’ të bërë të shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga Serbia. Kur nga ky këndvështrim shikojmë në çështjen dhe e marrim në llogaritje se çka po përgatitet ndaj Bullgarisë, atëherë në mënyrë të konsiderueshme mund të ngushëllohemi për shkak të ‘gabimit tonë shqiptar’. Unë mendoj se fillimi i fillimeve është hapja e Konsullatës Serbe në Shkodër”, ka përfunduar emisari Torodorviq dhe siç shihet misioni i tij është vetëm një manifestim dhe përkrahje i një politike hegjemoniste në raport me shqiptarët si fqinjë.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë