Shtojca për Kulturë

Koliqi antologjist

Një nga anët më pozitive të antologjisë së Koliqit është pa dyshim qasja integrale ndaj letërsisë (poezisë) shqipe, pavarësisht nga konteksti në të cilën ishte krijuar dje dhe vazhdonte të krijohej edhe sot ajo. Qasja e tillë, integrale, fiton peshë edhe më të madhe kur të kihet parasysh fakti që ajo botohej në një kohë kur komunikimi kulturor në hapësirën shqiptare ishte pothuajse krejtësisht i ngrirë. Ishte kohë kur kufiri që ndante trojet shqiptare ishte hermetikisht i mbyllur, kurse krijuesit shqiptarë të të dyja qendrave kryesore kulturore shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës, krijonin pa ditur për njëri-tjetrin

Në këtë shkrim do të flitet për një aspekt pak të trajtuar të veprimtarisë së këtij krijuesi të shumanshëm – për Koliqin si antologjist.

Këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, në vitin e largët 1963, kur vetë autori ishte në moshën 60 vjeç, Koliqi botoi veprën “Antologia della lirica albanese” (Antologji e lirikës shqipe), e cila është padyshim ndër veprat e para të këtij lloji, që provon të japë një pamje pak a shumë të plotë të poezisë shqipe prej fillimeve të saj e deri në vitin kur doli libri.

Vepra u botua në Milano, në shtëpinë botuese "Pesce d'oro" (Peshku i artë), me një vëllim prej 318 faqesh dhe tirazh prej një mijë kopjesh.

Në “Antologjinë e lirikës shqipe” të Ernest Koliqit janë përfshirë me krijimet e tyre të zgjedhura 32 poetë shqiptarë, duke filluar nga poeti arbëresh i shekullit XVIII Jul Variboba e gjer te Fahredin Gunga (i lindur në vitin 1936), që është poeti i fundit i përfshirë në këtë libër.

I vetëdijshëm se letërsia gojore shpreh në mënyrë besnike shpirtin e njeriut shqiptar, siç shprehet vetë në parathënie, Koliqi e hap antologjinë e tij me vargje nga poeti anonim, duke u kujdesur që të zgjedhë disa nga perlat e folklorit shqiptar të krahinave të ndryshme shqiptare, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë. Mjafton të përmendim këngë të tilla, si: Treqind pëllumba, Tri vajza, Baladë shkodrane, Mrika e Dardhojmeli etj., të qëmtuara nga Visaret e kombit, Poezia popullore arbëreshe, Kângë popullore gegnishte e Prenushit, Kënga e popullit e Shuteriqit etj.

Në “Antologjinë e lirikës shqipe” të Koliqit, me krijimet e tyre të zgjedhura poetike paraqiten këta poetë: Jul Variboba, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Zef Skiroi, Çajupi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Asdreni, Fan S. Noli, Ali Asllani, Vinçenc Prenushi, Lazër Shantoja, Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Migjeni, Nexhat Hakiu, Aleks Çaçi, Sat Nokshiqi (Esat Mekuli), Llazar Siliqi, Martin Camaj, Murat Isaku, Enver Gjerqeku, Dhori Qiriazi, Rexhep Hoxha, Din Mehmeti, Dritëro Agolli, Besim Bokshi, Ganimete Nura, Adem Gajtani, Muhamet Kërveshi dhe Fahredin Gunga.

Numri i krijimeve poetike me të cilat përfaqësohen këta poetë sillet prej 1-5 vjersha ose fragmente poemash. Kështu, për shembull, Variboba, Mjeda, Asdreni, Asllani, Shantoja, Palaj, Hakiu, Siliqi, Isaku, Qiriazi, Hoxha, Gajtani dhe Gunga përfaqësohen me nga një krijim poetik; Çajupi, Noli, Prenushi, Koliqi, Mekuli, Agolli dhe Kërveshi me nga dy poezi; De Rada, Naimi, Fishta, Lasgushi dhe Camaj me nga tri; Skiroi, Migjeni, Çaçi dhe Nura me katër, kurse Enver Gjerqeku është i vetmi poet që është prezantuar me pesë vjersha.

Kaq sa i përket anës sasiore, e cila, së paku nga perspektiva e sotme, duket e diskutueshme, ndërsa sa i përket anës cilësore, në të vërtetë zgjedhjes së vjershave, mund të thuhet gjithashtu se antologjia e Koliqit lë për të dëshiruar. Kështu, Naimi është prezantuar me një fragment nga “Fjalët e qiririt” e “Bagëti e Bujqësia” dhe me vjershën “Shkëndij' e diellit ndaj manushaqes”; Fishta me një fragment nga “Lahuta (Tringa)”, me “Baladë për Frosinën” dhe me një vjershë satirike; Mjeda me “Zogën” (kënga II); Asdreni me vjershën “Ylli i zjarrtë”; Noli me elegjitë kushtuar Luigj Gurakuqit dhe Bajram Currit; Lasgushi me “Kroj i fshatit tonë”, Poradeci dhe “Vallja e luleve”, për të cilat nuk mund të thuhet se përfaqësojnë poezitë kuptimisht më të thella dhe gjuhësisht më të bukura të këtyre poetëve. Në antologjinë e Koliqit mungojnë krijime poetike, të cilat kritika letrare shqipe tradicionalisht i ka konsideruar si poezi antologjike, siç janë: “Bukuria” e Naimit, “Gjuha Shqype” e Fishtës, disa poezi e poema të Mjedës, “Rent, or Marathonomak” e Nolit, “Hija e keqe” e Asdrenit, “Gjeniu i anijes”, “Lundra e flamuri” dhe “Vdekja e nositit” të Lasgushit etj.

Antologjia e Koliqit është konceptuar, siç del edhe nga titulli i saj, si antologji e lirikës e jo e poezisë shqipe në përgjithësi. Kështu mund të shpjegohet mungesa e autorëve, si Gavril Dara (i Riu) dhe Pashko Vasa, veprat e të cilëve: “Kënga e sprasme e Balës” dhe “O moj Shqypni!”, ndonëse të vetmet krijime të tyre poetike të shkruara në gjuhën shqipe janë krijime vërtet antologjike.

Mirëpo, në qoftë se mungesa e këtyre dy autorëve mund të arsyetohet nga pikëpamja konceptuale, kurse e disa të tjerëve si Santori, Gurakuqi, Shiroka, Hilë Mosi, Risto Siliqi etj., nga aspekti i nivelit artistik të krijimtarisë së tyre, është krejtësisht e pajustifikueshme mungesa e një poeti si Serembe, njërit nga lirikët më të spikatur të poezisë shqipe të të gjitha kohëve, aq më shumë që kjo antologji botohet në vendin në të cilin jetoi dhe krijoi ky poet, në Itali dhe në gjuhën në të cilën ai, pos në gjuhën amtare, shkroi poezi, në italisht.

Ndryshe nga disa krijues të tjerë të brezit të tij, Koliqi tregohet mjaft tolerant sa i përket përkatësisë krahinore, fetare e, madje, edhe ideologjike të shkrimtarëve. Në antologjinë e tij zënë vend poetë nga Jugu dhe Veriu i Shqipërisë; poetë nga Shqipëria dhe Kosova, si edhe nga arbëreshët e Italisë; poetë të të tria konfesioneve: myslimanë, ortodoksë e katolikë, si edhe të dy taborëve kryesorë ideologjikë: “të majtë” e “të djathtë”.

Është interesant fakti që ai shfaq mirëkuptim edhe ndaj poetëve të realizmit socialist, sado që vetë ishte kundërshtar i rreptë i kësaj shkolle letrare dhe i regjimit që e kishte instaluar atë në Shqipëri e, pjesërisht, edhe në viset shqiptare në ish-Jugosllavi.

Një nga anët më pozitive të antologjisë së Koliqit është pa dyshim qasja integrale ndaj letërsisë (poezisë) shqipe, pavarësisht nga konteksti në të cilën ishte krijuar dje dhe vazhdonte të krijohej edhe sot ajo. Qasja e tillë, integrale, fiton peshë edhe më të madhe kur të kihet parasysh fakti që ajo botohej në një kohë kur komunikimi kulturor në hapësirën shqiptare ishte pothuajse krejtësisht i ngrirë. Ishte kohë kur kufiri që ndante trojet shqiptare ishte hermetikisht i mbyllur, kurse krijuesit shqiptarë të të dyja qendrave kryesore kulturore shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës, krijonin pa ditur për njëri-tjetrin.

Image
Vepra “Antologjia e lirikës shqipe”, e botuar këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, është një dëshmi e qartë e këtij përkushtimi jetësor të Koliqit si njeri dhe letrar

Ndryshe nga ç’veprohej asokohe në Tiranën zyrtare, ku nuk botohej asgjë nga letërsia që krijohej jashtë kufijve politikë të Shqipërisë e as që flitej fare për atë letërsi (i njëjti qëndrim, por në kahe të kundërta, mbahej edhe në Prishtinë ndaj letërsisë që krijohej në Shqipëri), Koliqi jo vetëm që s’e mohon letërsinë shqipe të Kosovës, por, përkundrazi, e trajton atë me dashamirësi.

Koncepti i Koliqit ndaj letërsisë (poezisë) shqipe është koncept etnik e jo koncept politik. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe me një shkrimtar i cili konsideronte se një nga tiparet qenësore të letërsisë si art është thelbi etnik i saj.

Shikuar nga pikëpamja teorike dhe historiko-letrare mund të thuhet se antologjia e Koliqit është vepër në të cilën trajtohen në mënyrë pak a shumë të barabartë të gjitha rrymat, stilet dhe breznitë letrare. Në këtë kontekst mund të thuhet se Koliqi është treguar mjaft dorëlirë ndaj poetëve të brezit të ri, të cilët kishin dalë në skenë në gjysmën e dytë të viteve ‘50 dhe në fillim të viteve ‘60. Edhe pse numri i poetëve të këtij brezi që zënë vend në antologjinë e tij është bukur i madh (mbi dhjetë), bie në sy mungesa e dy poetëve të talentuar të këtij brezi, Ismail Kadaresë dhe Azem Shkrelit, të cilët, ndonëse në atë kohë (në vitin 1963) kishin botuar nga dy-tri vëllime me poezi dhe kishin bërë emër si poetë, nuk e kanë tërhequr vëmendjen e Koliqit antologjist.

Duhet pasur parasysh faktin se antologjia e Koliqit është krijuar nga pozitat e shkrimtarit të mërguar, i cili, për shkaqe jashtëletrare, në atdhe qe anatemuar, duke u cilësuar pareshtur si shkrimtar “reaksionar”, “dekadent”, “tregtar flamujsh” etj. Në mungesë të komunikimit me atdheun, tek ishte i ekskomunikuar, Koliqi nuk ka pasur mundësi t’i ndjekë rregullisht zhvillimet letrare në Shqipëri e në Kosovë, prandaj as t’i verifikojë datat e lindjes së disa shkrimtarëve e të botimit të veprave të tyre a të zbulojë ndonjë “mistifikim” letrar, siç ishte ai i poeteshës Ganimete Nura, prapa së cilës fshihej poeti gjakovar Murteza Nura, i cili vjershat e veta i botonte në emër të së shoqes, Ganimetes.

Do thënë gjithashtu se “Antologjia e lirikës shqipe” nuk është e vetmja punë prej antologjisti e Koliqit. Një lloj antologjie është edhe projekti “Poetët e mëdhej t'Italis”, të cilit Koliqi i hyri në moshë të re, në vitet ‘30, kur ishte në vlugun e punës së tij krijuese dhe kur ushtronte profesionin e mësuesit (në vitet 1930–1933 Koliqi punoi mësues në Vlorë dhe në Shkodër), domethënë punonte drejtpërsëdrejti me ata që janë mbase konsumuesit më të mëdhenj të letërsisë, nxënësit dhe studentët.

Nën firmën “poetët e mëdhenj të Italisë”, Koliqi përktheu në shqip poezi të Dantes, Petrarkës, Ariostos e Tasos (vëll. I - 1932) dhe poezi nga Parini, Monti, Foskolo e Manconi (vëll. II - 1935). Koliqi shestonte ta nxirrte në dritë edhe vëllimin e tretë të këtij botimi, i cili “për arsyena të ndryshme” nuk doli, por në të përkohshmet e kohës (tek “Ora e Maleve”, “Illyria”, “Shkëndija” dhe “Shêjzat”) ai vazhdoi të përkthente e botonte poezi të Leopardit, Karduçit, Paskolit, D'Anuncios, Grasit etj. nga poetët italianë, si edhe poezi të Bodlerit, Verharenit, Valerisë etj. nga poetët francezë. (Shija e tij letrare, ndryshe nga ajo e Camajt, ishte shije pak a shumë klasike. Koliqi preferonte Tason, Arioston, Manconin e poetë të tjerë klasikë italianë e jo Ungaretin, Kuazimodon, Montalen e poetë të tjerë modernë, edhe pse jetoi deri në vitin 1975).

Koliqi përktheu poetët e mëdhenj të Italisë në shqip dhe poetët e mëdhenj të Shqipërisë në italisht. Tre poetët më të mëdhenj kombëtarë shqiptarë, sipas tij, janë: Jeronim de Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, të cilët, duke u takuar tri krahinave dhe tri konfesioneve të Shqipërisë, përfaqësojnë në mënyrë simbolike diversitetin dhe unitetin e shpirtit shqiptar.

Sipas bashkëkohësit të tij, Kutelit, me të cilin, ç’është e vërteta, kishin njëfarë rivaliteti, Koliqi ishte prozator i madh dhe poet mesatar.

“Shkroi prozë shumë të mirë e vjersha mesatare”, thotë Kuteli për Koliqin. Ishte krijues “me mundësi të mëdha stilistike”; novelat e tij “kanë nerv” dhe fuqinë për të krijuar “atmosferë të këndshme”, shton tutje.

Për mua nuk është i largët ky vlerësim i Kutelit. Koliqi është një nga stilistët tanë më të mirë dhe një nga prozatorët tanë më me vlerë. Tri veprat e tij kryesore në prozë: “Hija e maleve” (1929), “Tregtar flamujsh” (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit” (1936) do të mbeten në fondin e përhershëm të letërsisë shqipe.

Brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist, Koliqi shfaqet interesant edhe si antologjist. Edhe në këtë fushë ai dha kontributin e vet të çmueshëm, duke luajtur shumë herë jo vetëm rolin e përzgjedhësit, por edhe të përkthyesit dhe të studiuesit.

Është thënë se çdo antologji, sikurse edhe çdo vepër tjetër, më në fund, mban vulën e kohës kur krijohet dhe të individualitetit që e krijon atë. Kur përpiluesi i antologjisë qëllon të jetë poet, nëpërmjet saj shpreh doemos edhe shijet dhe preferencat e veta estetike. Edhe vetë poet dhe përkthyes i poezisë, Koliqi e pa të udhës të linte testamentin e vet poetik në formë antologjie. Shumë vjet më parë e kishte bërë këtë me poezinë popullore dhe tani e bënte me lirikën e shkruar si pasuese e së parës. Miku i Koliqit, Petro Vuçani, në kronologjinë e jetës dhe të veprimtarisë së këtij krijuesi poliedrik, duke folur për “Antologjinë e lirikës shqipe”, thotë se në të “për të parën herë paraqiten në nji gjuhë europjane përkthimet e lirikat ma të mira t’autorvet shqiptarë, të vjetër e të rij, e këtu duhen theksue veçanisht ata të Kosovës për popullarizimin e tyne n'Europë”.

Ernest Koliqi ishte një moderator i shkëlqyer i vlerave kulturore e shpirtërore të kombit të vet dhe veçanërisht një urë lidhëse ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj italiane.

Vepra “Antologjia e lirikës shqipe”, e botuar këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, është një dëshmi e qartë e këtij përkushtimi jetësor të Koliqit si njeri dhe letrar.

Fusnotat janë hequr nga Redaksia