Sipas kodit të lashtë të Besës, nëse dikujt i ofrohen mikpritja dhe premtimi për mbrojtje, ata duhen respektuar pavarësisht rreziqeve dhe çmimit. Kjo traditë është vlerësuar dhe njohur në botë si kod, që ka ndihmuar në shpëtimin e shumë jetëve të komunitetit hebraik... Është e vërtetë se historia mund të përsëritet, por kësaj radhe ishin hebrenjtë ata që do të mbronin shqiptarët e rrezikuar për shfarosje nga regjimi i Milosheviqit. Ishte bashkëndjenja e popullit hebraik me fatin e refugjateve shqiptarë nga Kosova
Përse shqiptarët u solidarizuan me hebrenjtë kur në Evropë ata po përndiqeshin gjithandej? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë te kodi i lashtë i nderit te shqiptarit, te Besa dhe mikpritja. Në Kosovë dhe Shqipëri nuk ekziston ligji i moskalimit të pragut të derës së oborrit ose “trespassing”, siç thonë amerikanët. Ekziston një ligj tjetër – Besa, mikpritja, miku. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, thotë Kanuni i Lekë Dukagjinit, që ka qenë Kushtetuta e vërtetë shqiptare që sfidoi edhe sistemin e drejtësisë së shtetit osman. Ndërsa Norman Greshaman, fotografi i njohur hebre-amerikan, në filmin “Besa” (“Premtimi”) thotë: “Shqiptarët nuk kanë aq shumë për të eksportuar, por ata kanë një produkt unik në botë: Besën shqiptare”. Sipas kodit të lashtë të Besës, nëse dikujt i ofrohen mikpritja dhe premtimi për mbrojtje, ata duhet respektuar pavarësisht rreziqeve dhe çmimit. Sipas traditës së njohur shqiptare, kodit zakonor, kur dikujt i ofrohet ndihmë apo mikpritje në shtëpi, atëherë shtëpia e mikpritësit, domethënë e shqiptarit, konsiderohet si “shtëpia e Zotit dhe e mikut”. Kjo traditë është vlerësuar dhe njohur në botë si kod që ka ndihmuar në shpëtimin e shumë jetëve të komunitetit hebrenj. Gjithashtu një element tjetër që vështrohet me të drejtë, shpesh e kushtëzuar me trajtimin që iu bë hebrenjve, është toleranca fetare e shqiptarëve.
Historiani i njohur kanadez, Bernd Fischer, mendon se derisa në “vendet e tjera në Ballkan dhe në pjesën tjetër të Evropës institucionalizuan diskriminimin dhe morën pjesë qoftë pasivisht ose në mënyrë entuziaste në një nga krimet më të mëdha kundër njerëzimit, siç ishte rasti ndaj hebrenjve, shqiptarët, shpesh duke e ditur mirë edhe rrezikun vetjak, ua hapën dyert e vendit të tyre dhe madje edhe shtëpitë jo vetëm hebrenjve vendas, por edhe hebrenjve nga shtetet e tjera. Asgjë nuk flet më shumë sesa kjo për shpirtin fisnik të popullit shqiptar”.
Natyrisht kjo mikpritje ka marrë vlerësim përtej kufijve, para së gjithash nga komuniteti hebraik, edhe pse është shkruar fare pak, duke i renditur shqiptarët përkrah mbrojtësve të shume familjeve hebraike që kërkuan dhe gjetën strehë në shtëpitë e kosovarëve, të cilët vunë në rrezik jetën e tyre për këtë mision fisnik.
Kosova dhe ndihma e diasporës hebraike dhe Izraelit
Është e vërtetë se historia mund të përsëritet, por kësaj radhe ishin hebrenjtë që do të mbronin shqiptarët e rrezikuar për shfarosje nga regjimi i Milosheviqit. Ishte bashkëndjenja e popullit hebraik me fatin e refugjateve shqiptarë nga Kosova. Edhe pse komunistët jugosllavë, si kudo në Evropën Lindore, proklamuan se sistemi socialist ishte model për zgjidhjen e çështjes nacionale, pozita e shqiptarëve për më shumë se dy dekada mbeti e rëndë. Një gjendje e jashtëzakonshme që ekzistonte në të gjithë Jugosllavinë deri në vitin 1948 u mbajt në Kosovë deri në mesin e viteve 1960. Kampion represionit dhe brutalitetit kundër shqiptarëve ishte ministri i Brendshëm i Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviq, një nacionalist ekstrem serb, që i terrorizoi shqiptarët me metodat staliniste. Periudha prej vitit 1947 deri më 1966 njihet si epoka e Rankoviqit, gjatë së cilës Kosova u bë një shtet policor, kur një numër i madh i shqiptarëve u ekzekutuan ose u zhdukën nëpër burgjet e policisë sekrete jugosllave, ndërsa qindra mijëra të tjerë sërish u dëbuan në Turqi ose u arratisën për në Perëndim.
Ishte e qartë se edhe nën socializëm, megjithëse u proklamua një barazi kombëtare, doktrina antishqiptare mbeti e padënuar, e cila në fillim të viteve ‘80 do të ringjallej. Kjo politikë antishqiptare kulmin e saj e arriti me shfaqjen në skenë të Milosheviqit dhe suprimimin e vetëqeverisjes së Kosovës. Jožef Školču, kryetari i organizatës rinore sllovene, në tubimin e elitës intelektuale sllovene “Cankarjev dom”, më 27 shkurt 1989, vuajtjet e shqiptarëve i krahasoi me ato të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte kjo periudha kur Jugosllavia po shkonte drejt zhbërjes, para së gjithash, për shkak të synimeve serbe për krijimin e një shteti jugosllav centralist të kontrolluar nga serbët.
Ishte kjo një periudhë nga më të rëndat në historinë e shqiptarëve të Kosovës, që njëherësh shënonte edhe fillimin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.
Në këtë drejtim dha kontribut komuniteti hebraik i SHBA-së. Para së gjithash, ky kontribut i detyrohet angazhimit të jashtëzakonshëm dhe vendimtar të dy kongresistëve amerikanë me origjinë hebraike, Tom Latosh, një i mbijetuar i Holokaustit, dhe Eliot Engel, edhe sot një zë i fuqishëm në politikën amerikane. Falë këtij angazhimi, Kosova ishte në fokusin e administratës së presidentit George Bush i Vjetri, dhe sidomos të presidentit Bill Clinton, i cili postin drejtues të diplomacisë amerikane ia kishte besuar një gruaje me origjinë hebraike, zonjës Madeleine Albright.
Dhe kur në vitet 1998/99 drama e Kosovës po merrte përmasa globale, pasi rrezikonte të përsëritej një Bosnjë e dytë, për shkak fushatës së dëbimeve dhe vrasjeve masive nga qeveria e Milosheviqit, i cili me një gjuhë hitleriani krejt hapur para zyrtarëve perëndimorë deklaronte: “Unë mund të shkel mbi kufomat shqiptare”. Imazhet e vuajtjeve të shqiptarëve dhe dëbimi i tyre në këmbë, me traktorë dhe trena risolli në kujtesë skenat e dëbimit të hebrenjve nga Lufta e Dytë Botërore. Moshe Peletz, një i mbijetuar i Holokaustit, pohonte: “Po më kujton gjërat nëpër të cilat kam kaluar në Rusi dhe në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga çasti që i pashë këto pamje nuk kam mundur të fle. Ishte pikërisht e njëjta gjë”.

“E keqja duhet kundërshtuar...”
Pos znj. Madeleine Albright, sekretares së dikurshme Amerikane të Shtetit, shumë personalitete të tjera me origjinë hebraike, si: Wesly Clark, ish-komandant i NATO-s, arkitekti i Daytonit, Richard Holbrook, Elie Wiesel, shkrimtar që ka mbijetuar Holokaustin, Andre Gluksman, filozof, Shimon Peres, ish-president i Izraelit, Amos Oz, shkrimtar, Daniel Goldhagen, e të tjerë, mësimet e Shoahas dhe doktrina se mbrojtja e qenieve njerëzore ishin një përgjegjësi më e madhe sesa çështja e sovranitetit të një shteti.
“Ne duhet të dalim në mbrojtje të viktimave të pambrojtura... nuk mund t’i lejojmë njerëzit si Milosheviqi të vazhdojnë të vrasin burra, gra dhe fëmijë shqiptarë. Ne duhet ta bënim këtë më herët, por jo më vonë ose tani”, pati deklaruar Elie Wiesel, hebreu më i shquar, fituesi i çmimit “Nobel”, në një takim me të mbijetuarit e Holokaustit.
Ky nuk ishte zëri i vetëm i anëtarëve hebrenj në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës. Një numër i konsiderueshëm i elitës, politikanët dhe diplomatët e shquar amerikano-hebrenj, te Administrata e SHBA-së kanë qenë më të zëshmit në mbrojtje të kauzës së Kosovës. Përvoja e kaluar historike i kishte mësuar se e keqja nuk duhet zbutur, por duhet kundërshtuar. Nëse bota do të reagonte me kohë (gjatë Luftës së Dytë Botërore), shumë tragjedi mund të parandaloheshin. Arsyet më të zakonshme që mbështetej një ndërhyrje ushtarake humanitare nga NATO-ja ishte krahasimi i sjelljes se Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës me Holokaustin.
Madeleine Albright, e lindur në Çeki dhe e traumatizuar në mënyrë të ngjashme nga Marrëveshja e Münichut dhe nga përndjekja kolektive e hebrenjve, shihet me të drejtë një nga mbështetëset më të mëdha të doktrinës për ndërhyrje humanitare. Edhe thirrjet e laureatit të çmimit “Nobel” për paqe, Elie Wiesel, njërit nga të mbijetuarit e kampit nazist të Auschwitzit, dhe të personaliteteve të tjera me origjinë hebraike, ishin vendimtare për angazhimin politik dhe ushtarak të SHBA-së në luftën e Kosovës. Mësimet e Shoahas e arsyetonin intervenimit ushtarak ajror të shteteve anëtare të NATO-s në Kosovë më 1999.
Mbi të gjitha, pas masakrës serbe në fshatin shqiptar të Reçakut (janar 1999), thuhet se Albright bashkë me Clintonin e konceptoi fushatën ajrore të gjeneralit Short kundër caqeve ushtarake serbe dhe për këtë arsye gazetarët e quajtën luftën e Kosovës edhe si “lufta e Madeleines”. Por çfarë e shtyri këtë politikane amerikane me origjinë hebraike të mbronte popullin e kërcënuar shqiptar në Kosovë? Asaj dy herë gjatë fëmijërisë diktatorët ia kishin prekur familjen: një herë kur Hitleri invadoi Çekosllovakinë dhe herën tjetër kur forcat e Stalinit okupuan Hungarinë. Prandaj, ajo e konsideronte Milosheviqin një “kriminel” tjetër të cilit duhet dhënë disa goditje për ta “kthjelluar”. Sigurisht, shpjegon “The Washington Post”, sekretarja besonte “thellë se Adolf Hitler dhe tiranë të tjerë do të mund të ishin penguar nëse do të ishin ballafaquar që në fillim dhe këtë pikëpamje ajo e zbatoi në diplomacinë e saj me rastin e ndëshkimit të regjimit diktatorial të Milosheviqit, i cili vetëm në periudhën mars-maj 1999 dëboi afro 80 për qind të popullatës së Kosovës dhe ekzekutoi afro 12 mijë civilë shqiptarë. Kosova synohej të spastrohej nga shqiptarët në mënyrë që të sigurohej “lebensraum” për kolonët serbë, thotë John G. Stoessinger, një studiues tjetër me origjinë hebraike, duke nënvizuar se “Adolf Eichmann, njeriu i ngarkuar me dëbimin e hebrenjve gjatë regjimit nazist, ka të ngjarë se do ta kishte vlerësuar shkallën e dëbimit sipas operacionit të koduar serb “Patkoi”. Edhe pse rasti i Kosovës nuk mund të barazohej me Holokaustin, sipas historianit të njohur amerikan, Daniel Goldhagen, “edhe Hitleri, edhe Milosheviqi filluan krimet e tyre në emër të ideologjisë, e cila zhvlerëson jetët e të tjerëve dhe duke u nisur nga ideja se njerëzit kanë të drejtë që t’i vrasin të tjerët nëse ata u dalin përpara në rrugë”.
Izraeli dhe Kosova
Krahas diasporës hebraike, në vitet e luftës së Kosovës, kur disa vende arabe dhe myslimane i jepnin mbështetje “kasapit të Ballkanit”, Izraeli jo vetëm se i doli në mbrojtje popullsisë shqiptare të dëbuar nga Kosova, por dënoi fushatën serbe të spastrimit etnik, si dhe mbështeti edhe angazhimin ushtarak të NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe. Ky vend dha mbështetje dhe ndihma më shumë se çdo shtet tjetër që nuk ishte pjesë e NATO-s. Krahas ndihmave humanitare në kampet e refugjatëve kosovarë në Shqipëri dhe Maqedoni, janë të njohura edhe ndihmat e drejtpërdrejta përbrenda shtetit izraelit. Me përjashtim të Turqisë, Izraeli ishte shteti i vetëm në Lindjen e Mesme që strehoi refugjatë shqiptarë nga Kosova. Në prill të vitit 1999, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit pati deklaruar se vendi i tij do të mbështeste me asistencë humanitare refugjatët shqiptarë nga Kosova dhe se u jepte përkrahje të plotë përpjekjeve të NATO-s dhe SHBA-së për përfundimin përndjekjes dhe tragjedisë në Kosovë. Po ashtu Qeveria izraelite dënonte fushatën serbe të spastrimit etnik në Kosovë dhe bënte thirrje për ndërprerjen e saj. Kryeministri Benjamin Netanyahu më 9 prill 1999, duke u përgjigjur lidhur me pozicionin e tij në fushatën e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, pati shprehur këtë qëndrim: “Ne qëndrojmë prapa përpjekjeve, përpjekjeve të NATO-s dhe presidentit Clinton për t’i dhënë fund kësaj tragjedie (në Kosovë)”. Po ashtu, një nga momentet më të paharrueshme për shqiptarët e Kosovës do të mbetet 12 prilli i vitit 1999, kur për herë të parë refugjatët shqiptarë nga Kosova prekën në tokën e Izraelit, e cila u bë vendstrehim dhe shtëpi e dytë e kosovarëve. Në aeroportin e Tel-Avivit i priti edhe kryeministri Netanjahu, me ç’rast pati deklaruar: “Ne si hebrenj kemi një ndjeshmëri të veçantë ndaj vuajtjes. Kur ne i shohim makinat, traktorët, trenat apo kolonat e refugjatëve duke ecur në këmbë. Kur ne i shohim fytyrat të frikësuara të fëmijëve dhe nëna të përlotura, ne ndiejmë një përgjegjësi të veçantë të zgjohemi dhe të veprojmë”.
(Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë)
Autori është historian dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare