Shtojca për Kulturë

Klarinetat bashkohen për tinguj polakë edhe me premierë botërore

Frymë polake ka mbizotëruar në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, në koncertin e tretë të edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar i Klarinetës në Kosovë

Treshja polake Roman Widaszek, Pawel Krauzowicz e Bogdan Ocieszak tok me kolegët në vendin nikoqir, në disa vepra, kanë thurur rrëfimin muzikor. Veçanti ka qenë premiera botërore e veprës së Andrzej Wojciechowski, e shkruar enkas për këtë koncert. Në repertor ka pasur edhe vepra botërore, stilesh të ndryshme e emërues i përbashkët ka qenë zbërthimi mjeshtëror dhe shpalosja e tingujve unikë të këtij instrumenti

Jo shpesh klarineta është në qendër të koncerteve në skenën vendore, por Festivali Ndërkombëtar i Klarinetës në Kosovë sjell krejt veçantinë e këtij instrumenti frymor. Në koncertin në kuadër të edicionit të tretë, të premten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, treshja polake Roman Widaszek, Pawel Krauzowicz e Bogdan Ocieszak tok me kolegët në vendin nikoqir, në disa vepra, kanë thurur rrëfimin muzikor. Veçanti ka qenë premiera botërore e veprës së Andrzej Wojciechowski, e shkruar enkas për këtë koncert. Ansambli i klarinetave ka mbajtur koncertin e njëjtë edhe të shtunën në Muzeun e Luftës në Shkup. Ky është koncerti i tretë i Festivalit, i cili programin e ka shtrirë në disa etapa e që ka nisur qysh vjet.

Frymë polake ka mbizotëruar në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, ku janë hequr të gjitha elementet që e improvizonin një pjesë të saj si sallë koncertale. Ato që sado pak e thyenin ftohtësinë e objektit qenë dritat ngjyrash të ngrohta. Veç pianoja ka qenë shënjues për koncertin që do të mbahej. Më pas, edhe tingujt e herëpashershëm të klarinetave teksa anëtarët e ansamblit polak bënin përgatitjen e fundit. Pak minuta pas orës 20:00 u pritën në skenë dhe filluan programin e tyre me vepra polake e botërore.

E nisur me “Adagio KV 410” për klarinetë tre bas-klarineta të austriakut Wolfgang Amadeus Mozart, koncerti ka qenë eksplorim tingujsh e veprash jo shpesh të dëgjuara në kryeqytet. Interpretimi ka qenë i lehtë në këtë pjesë e si ngrohje para shpalosjes së programit të pasur.

Klarinetisti Blerim Emerllahu, që edhe e drejton Festivalin, është bashkuar në interpretim të pjesës së dytë të veprës, që ka nisur me tinguj harmonikë derisa ansambli ka qenë në vijë me melodinë nga e cila rrallë shkëputej.

Veçanti e koncertit ka qenë pjesa “LL” për tri bas-klarineta Andrzej Wojciechowski. Ajo ka qenë, në një formë, transmetim indirekt për përkushtimin dhe rëndësinë ndaj paraqitjes para publikut në Kosovë. Para interpretimit të veprës, Bogdan Ocieszak ka thënë para publikut se “kompozitori polak, Andrzej Wojciechowski, e ka shkruar veprën veçanërisht për koncertin në Prishtinë”.

Ocieszak është prej klarinetistëve dhe profesorëve më të njohur polakë. Ai jep koncerte si muzikant dhome, koncerte solo me orkestrën dhe vazhdimisht interpreton si klarinetist dhe bas-klarinetist me Filarmoninë Baltike Polake “F. Chopin” në Gdanks.

“LL” ka filluar me tinguj të njëpasnjëshëm që bien e ndalen njëkohësisht. Dy bas-klarinetat më pas sjellin frymë paqeje me melodinë harmonike e të lehtë, derisa njëra mban ritmin e mëparshëm e më pas edhe tjetra shkrihet në tingullin dominues. Tjetra shkëputet nga ky tingull, por në kulminacion triumfojnë tingujt fillestarë në vepër.

Klarinetisti Roman Widaszek ka thënë se ishte spontane ideja për ta shkruar këtë vepër. Koncerti i së premtes ka qenë i pari për ta në Kosovë.

“Ishte ngjarje shumë e mirë, koncert i mirë me program krejt të ndryshëm, muzikë kamertale me klarinetë dhe piano nga pjesë polake, pasi kemi kompozitorë shumë të mirë, pjesë shumë të mira për piano dhe klarinetë dhe kështu ishte ideja të luajmë muzikën polake”, është shprehur Widaszek, i cili ka thënë se do të donin të merrnin pjesë prapë në Festivalin Ndërkombëtar të Klarinetës në Kosovë. Ai është profesor universitar, laureat i çmimit të dytë në Konkursin Kombëtar të Kompozimit në Poloni në Piotrkow Trybunalski më 1995 dhe i çmimit të tretë Bielsko-Biala në vitin 1990. Për merita në popullarizimin e kulturës muzikore polake, është dekoruar nga Ministria e Kulturës dhe Artit e Polonisë. Ai me Bogdan Ocieszak dhe Roman Widaszek, pos si solistë, mbajnë koncerte në Poloni e më gjerë edhe si ansambël.

Në lojë të veprës së kompozitorit polak, Marcel Chyrzynski, të tri preludeve për klarinetë dhe piano u është bashkuar edhe pianistja Lirika Pula. Si vepër prej tri pjesësh, e para ka qenë më e lehtë, e dyta dinamike, ndërsa e treta tejet ritmike. Nota të larta e të zgjatura e kanë dominuar këtë të fundit. Herë klarinetat e herë pianoja i linin hapësirë njëra-tjetrës për t’u dëgjuar në tingullin e pastër pa ndërhyrje të instrumentit tjetër. Harmonia është vendimtare gjatë gjithë interpretimit. Kombinimi me piano vjen natyrshëm.

Ritme blues janë sjellë nëpërmjet “An American in Paris” të italianit Michele Mangani me Roman Widaszek në klarinetë dhe Lirika Pulën në piano. Kjo pjesë ka qenë më ritmike, ku pianoja ka qenë simbolikë e dinamizmit e klarineta i zbutjes së saj. Pianistja Pula është shprehur se do të vazhdojë bashkëpunimi me Festivalin, pasi do të marrë pjesë edhe në koncertin e marsit kur do të përmbyllet edicioni i Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetave në Kosovë.

“Në program ishin pjesë të ndryshme, nga ato që luajta unë ishin shumë të famshme që luhen për dy klarineta dhe piano. Po ashtu që ishte diçka shumë interesant dhe e re për publikun ishin veprat e kompozitorit polak Chyrzynski, të cilat unë nuk i kisha luajtur më parë”, ka thënë Pula.

Në kuadër të programit të Festivalit, më tej janë interpretuar edhe pjesë koncertale për klarinetë dhe piano nga “Opera 114” e Felix Mendelssohn dhe “Adagio KV 411” për dy klarineta dhe tri bas-klarineta, ku në interpretim janë bashkuar edhe Blerim Emerllahu e Malbora Krajku.

Edicioni i tretë kishte filluar në dhjetorin e kaluar me koncert nga ansambli i klarinetave nën drejtim të kompozitorit shqiptar Fatos Qerimaj. Disa aktivitete që ishin mbajtur në Prevallë të Prizrenit përfshinin masterklasë për interpretim në klarinetë. Programi me ndërthurje të veprave të muzikës klasike, përpunime të këngëve të vjetra shqipe e aranzhime të këngëve për festat e fundvitit ishin interpretuar në një tjetër koncert në Prishtinë nga “Prishtina Brass”. Koncerti i suksesshëm i së premtes i ka paraprirë atij përmbyllës të edicionit të tretë, që do të mbahet më 18 mars në kryeqytet, siç ka njoftuar Blerim Emerllahu, drejtor i Festivalit.

“Presim Barbara Borowicz, një soliste ndërkombëtare e klarinetës. Ajo do të vijë me një koncert recital, normalisht do të luaj edhe unë dhe një kolege timen”, ka treguar Emerllahu.

Ai ka njoftuar se do të vazhdojë bashkëpunimi me instrumentistët polakë, ku do të marrin pjesë në festivalin që organizohet prej tyre.

“Ne e kemi një ftesë nga profesorët të mbajmë një festival në Poloni. Është festivali i tyre, por ne do ta krijojmë një bashkëpunim që do të marrin pjesë disa studentë të përzgjedhur nga të gjitha akademitë që i kemi këtu. Do të shkojmë të luajmë e të marrim pjesë, pasi aty do të marrin pjesë emra shumë të njohur të klarinetës”, ka thënë Emerllahu.

Pos koncertit të polakes Barbara Borowicz, në pjesën e fundit të Festivalit do të mbahet edhe një masterklasë, e më pas fillojnë përgatitjet për edicionin e katër që do të mbahet këtë vit.